Skip to main content

“Trump: Transgjinorët nuk mund të shërbejnë në ushtri” plus 15 more Radio Evropa e Lirë

“Trump: Transgjinorët nuk mund të shërbejnë në ushtri” plus 15 more Radio Evropa e Lirë


Trump: Transgjinorët nuk mund të shërbejnë në ushtri

Posted: 26 Jul 2017 09:56 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se njerëzit transgjinorë nuk mund të shërbejnë "në asnjë kapacitet" në ushtri. Në një postim në Twitter, Trump tha se ai ka konsultuar ekspertët ushtarakë dhe se vendimi i tij ka për qëllim të shmangë "shpenzimet e jashtëzakonshme mjekësore dhe përçarjen" që mund të shkaktojë prania e tyre. Administrata Obama ka vendosur vitin e kaluar që t'i lejojë njerëzit transgjinorë të shërbejnë hapur në ushtri. Por, në muajin qershor, sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, e ka shtyrë për gjashtë muaj planin për të nisur rekrutimin e njerëzve transgjinorë. Çështja e të drejtave të transgjinorëve në Amerikë ka qenë gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes në muajt e fundit, veçanërisht për atë se si shtetet e rregullojnë përdorimin e tualeteve publike. Administrata Trump është përballur me protesta në fillim të këtij viti, pasi ka tërhequr mbrojtjen federale – nga epoka e administratës Obama - që u ka mundësuar shkollave të lejojnë studentët transgjinorë të përdorin banjën që korrespondon me identitetin e tyre gjinor, e jo me gjininë në certifikatën e tyre të lindjes.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rreth 10,000 njerëz të evakuuar nga zjarret në Francë

Posted: 26 Jul 2017 09:25 AM PDT

Zjarret në juglindje të Francës kanë detyruar rreth 10,000 njerëz të evakuohen. Qindra zjarrfikës po luftojnë me flakët pranë qytetit Bormes-les-Mimosas. Rreth 4,000 hektarë tokë janë djegur përgjatë bregdetit të Mesdheut. Franca më herët ka kërkuar ndihmën e fqinjëve në Bashkimin Evropian. "Evakuimi i së paku 10,000 njerëzve ka pasuar përhapjen e zjarreve", tha një zyrtar i zjarrfikësve për agjencinë AFP. Së paku 12 zjarrfikës janë plagosur dhe 15 policë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të thithjes së tymit, thanë autoritetet spitalore.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rohani: Irani do t'iu përgjigjet sanksioneve të SHBA-së

Posted: 26 Jul 2017 08:04 AM PDT

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se vendi i tij do të përgjigjet nëse Shtetet e Bashkuara miratojnë ligjin e ri të sanksioneve. Ligji i ri parasheh ndëshkime të detyrueshme mbi njerëzit e përfshirë në programin e raketave balistike të Iranit dhe seclin që bën biznes me ta. Ligji do ta përcaktonte Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit si organizatë terroriste dhe do të impononte embargo armësh kundër Iranit. Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së e ka miratuar ligjin të martën dhe tani ai shkon për votim në Senat. Zyrtarët iranianë thonë se ky ligj shkel marrëveshjen bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore, në bazë të së cilës Irani ka kufizuar aktivitetin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare. "Nëse armiku shkel pjesë të kësaj marrëveshjeje, edhe ne do ta bëjmë të njëjtën gjë", tha presidenti iranian, Rohani. Ligji i ri i sanksioneve i SHBA-së godet edhe Rusinë dhe Korenë e Veriut.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vuçiq kundërthënës, debat për njohje apo ndarje të Kosovës? 

Posted: 26 Jul 2017 07:29 AM PDT

Përmes ftesës për një dialog të brendshëm në Serbi për Kosovën, të cilën e ka bërë kryetari serb Aleksandar Vuçiq, ky i fundit po përpiqet të marrë mbi vete obligimin historik dhe politik, që çështjen e Kosovës ta zgjidhë në interes të dy popujve, shqiptar dhe serb, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, po ashtu shqiptarë dhe serbë. Ndonëse nismën e Vuçiqit ata e shohin si pozitive, për faktin se opinioni në Serbi do të duhej të ballafaqohej me realitetin aktual, megjithatë, vlerësojnë se ky veprim i Vuçiqit është mjaft i vonuar. Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se presidenti serb Vuçiq nuk është i obliguar detyrimisht që ta hapë një dialog të brendshëm në Serbi për Kosovën, për shkak se sipas tij, nuk ka asnjë sinjal se ka marrë ndonjë premtim nga Bashkimi Evropian se mund të përfitojë nga kjo. Siç thotë Tahiri, nëse dialogu në Serbi për Kosovën do t'i qasej fakteve reale, atëherë presidenti serb do të arrinte në situatën që do ta pranonte pavarësinë e Kosovës dhe Dokumentin e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia e vendit. "Do ta njoh pakon e Ahtisaarit, si dokument ndërkombëtar dhe mbi Kushtetutën e Kosovës, si dokument themelor për të drejtat e serbëve dhe komuniteteve tjera në Kosovë, si dhe do të zhvillojë marrëdhënie normale me Kosovën, si shtet fqinj. Nuk shpresoj që do të ketë rivlerësim të marrëdhënieve dhe as shkëmbim të territoreve dhe as marrëveshje të re ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do ta shkelte ose nuk do ta respektonte Pakon e Ahtisaarit", thotë Tahiri. Njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë për Radion Evropa e Lirë se është mirë që presidenti serb Vuçiq, ndonëse vonë, më në fund është kujtuar të hapë një dialog të tillë të brendshëm në Serbi. Megjithatë, sipas tij, ideja e Vuçiqit, përveç në strukturat e pushtetit, nuk ka ndonjë mbështetje entuziaste te opozita, por as te institucionet tjera, sikurse Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe. Kjo, sipas tij, për faktin se janë humbur mjaft raste deri më tash që të arrihet një zgjidhje, përfshirë edhe dokumentin e Ahtisaarit. "Të gjitha këto nxisin dyshime tek të gjithë faktorët politik dhe tek ata të cilët i fton Vuçiqi për dialog dhe të bisedojnë lidhur me këtë çështje. Mendoj se ky është tentim që zoti Vuçiq ta bartë përgjegjësinë edhe tek disa të tjerë dhe mendoj se ai është krejtësisht i vetëdijshëm për një situatë të tillë", tha Nojkiq. Por, a përmbajnë deklaratat e Vuçiqit dhënë medieve serbe lidhur me dialogun e brendshëm në Serbi për Kosovën, pretendime për ndonjë ndarje eventuale ose shkëmbim territoresh? Në një shkrim autorial për një media të Beogradit, Vuçiq ka thënë se "duhet provuar që të jemi real dhe të mos lejojmë që të humbasim ose dikujt t'ia dorëzojmë atë që kemi, por edhe të mos presim se do të na kthehet në dorë ajo që e kemi humbur kaherë". Politologu Tahiri vlerëson se Vuçiq ka shprehur bindjen se duhet respektuar realiteti pa zgjidhje të imponuara. "Pikërisht, duke e respektuar realitetin, realiteti është ky që Kosova është shtet i pavarur, pa ndryshim të kufijsh dhe pa këmbim territoresh. Unë mendoj se ky do të jetë vizioni dhe ky do të jetë mësimi i Vuçiqit. Por, këtë duhet ta imponojë në Serbi, në diskutim me faktorët e Serbisë dhe të shpresojmë që kjo do të jetë edhe platforma përfundimtare e popullit serb dhe e Qeverisë së Serbisë për Kosovën, si dhe për raportet me popullin shqiptar në Ballkan". Ndërkaq, Nojkiq, i quan kundërthënëse dhe pa bazë reale deklaratat e Vuçiqit. "Këto janë konstatime krejtësisht kundërthënëse, në njërën anë 'nuk do ta japim', e në anën tjetër 'nuk mund ta kemi atë që e kemi humbur'. E shoh se po insistohet mjaft për këtë ndarje. Por, ndarja është krejtësisht e papranueshme në këto kushte, sepse, para së gjithash, unë jam krejtësisht i sigurt që një konstatim i tillë nuk e ka pajtimin dhe mbështetjen e asnjë anëtari të bashkësisë ndërkombëtare, që janë mjaft të rëndësishme. Ai vetëm po lason balona provues në mënyrë që ta shohë se në cilin drejtim do t'i orientoj bisedimet", tha Nojkiq. Sidoqoftë, dialogu i brendshëm i Serbisë për Kosovën, sipas njohësve të zhvillimeve politike është çështje vetëm e Serbisë. Ndërkaq, sipas tyre, Kosova duhet ta presë vetëm rezultatin e këtij dialogu, cila do të jetë platforma që do të dalë nga ky dialog dhe kush do të jetë pjesë e saj dhe përballë kësaj ta ndërtojë qëndrimin e saj.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ekonomitë familjare në Kosovë, të ‘mbytura’ në kredi

Posted: 26 Jul 2017 06:37 AM PDT

Kreditë që marrin ekonomitë familjare në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, kanë shënuar normën më të lartë të rritjes vjetore prej 14.7 për qind. Vlera e kredive të qytetarëve në dhjetë bankat komerciale në Kosovë, ka arritur në mbi 2.2 miliardë euro, prej tyre rreth 800 milionë euro, janë kredi familjare, derisa 1.4 miliard euro janë kredi për ndërmarrje. "Kreditë e sektorit bankar përshpejtuan rritjen vjetore në 10.4 për qind. Deri në dhjetor 2016, vlera e gjithsej kredive arriti në 2.23 miliardë euro. Gjatë vitit 2016, kreditimi është rritur si rezultat i rritjes së kërkesës për kredi si dhe përmirësimit të ofertës së kreditimit nga sektori bankar, përmes uljes së normës së interesit, rritjes së shumës së kredisë së aprovuar dhe uljes së tarifave tjera të jointeresit", thuhet në raportin fundit të Bankës Qendrore të Kosovës. Niveli i lartë i kredive për ekonomitë familjare, nga njohës të çështjeve ekonomike po konsiderohet si pasojë e standardit jo të mirë të jetës së qytetarëve, por edhe mund të konsiderohet si reflektim i rritjes ekonomike në vend. Drejtori ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, Petrit Balija, thotë për Radion Evropa e Lirë se rritjes së kërkesave për kredi për ekonomitë familjare, i kanë kontribuar shumë faktorë. "Rritja e portofolit kreditor është duke vazhduar edhe këtë vit si në vitin e kaluar, me një normë të përgjithshme prej mbi 10 për qind. Në këtë vit, ka rritje të kreditimit në favor të bizneseve, por është e vërtetë që edhe ekonominë familjare kanë rritur konsumin e tyre duke e angazhuar në investime të ndryshme", thotë Balija. "Një prej arsyeve është që norma e interesit në depozita është mjaft e ulët dhe shumë nga qytetarët e shohin më të arsyeshme që mjetet e tyre t'i investojnë sesa t'i mbajnë në depozita. Po ashtu, po shpresojmë që kjo është një indikator i rritjes ekonomike të Kosovës që reflekton edhe në rritjen e portofolit kreditor", thekson ai. Bankat komerciale të cilat veprojnë në Kosovë paraqesin oferta të llojllojshme të kredive. Ofertat, përfshijnë kreditë konsumuese, ato për banim, shkollim, biznese, prodhim, por edhe për festa të ndryshme. Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, norma efektive e interesit për kredi është 8.5 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë. Sidoqoftë, për kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini këto norma interesi për kredi janë ende të larta. Rritjen e kredive për ekonomizmi familjare Shahini e konsideron shqetësuese, pasi që sipas tij, familjet nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për të përmbushur shumë nga nevojat e tyre që janë të domosdoshme. "Në Kosovë janë rritur të gjitha kategoritë për kredi edhe në biznese edhe për familje. Rritja e kredive nga familjet tregon një performancë të dobët të standardit të qytetarëve të Kosovës se nuk mund të jetojnë pa kredi, tregon rritjen e varfërisë dhe kjo nuk është shenjë e mirë për Kosovës". "Kjo për neve është shqetësim se familjet në Kosovë nuk kanë buxhet të vetin as familjar e as të trashëguar dhe të gjithë orientohen tek bankat të cilat vazhdojnë të kenë norma të larta të interesit dhe kanë shërbimet më të shtrenjta në Evropë", thotë Shahini. Ndryshe, përveç kredive që qytetarët kanë në bankat komerciale, një pjesë e madhe e klientëve borxhe kanë edhe në institucionet mikrofinanciare që operojnë në vend. Marrja e kredive, i obligon kredimarrësit që t'i shlyejnë borxhet me kohë, përfshi edhe normën e interesit.Në të kundërtën, përballen me gjoba. Kurse në rastet kur nuk arrijnë ta paguajë borxhin, bankat kanë mundësinë ligjore që t'i fillojnë procedurat për marrjen e hipotekës që është lënë peng nga kredimarrësi, gjatë procedurave të marrjes së kredisë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Afganistan: Nga sulmi i talibanëve – dhjetëra policë të vrarë

Posted: 26 Jul 2017 05:56 AM PDT

Ministria e mbrojtjes e Afganistanit thotë se 26 ushtarë janë vrarë dhe 13 të tjerë janë plagosur, nga sulmi i talibanëve kundër një baze ushtarake në provincën jugore të Kandaharit. Zëdhënësi i Ministrisë së mbrojtjes, Dawlat Waziri, tha se janë vrarë ose plagosaur edhe 80 talibanë, gjatë këtij sulmi në bazën ushtarake në rajonin Khakrez, sot herët në mëngjes. Burime qeveritare, që kanë folur në kushte anonimiteti, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë, programi për Afganistamin, se së paku 30 vetë janë vrarë gjatë luftimeve të ashpra. Nëpërmjet një kumtese, talibanët e kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm, duke thënë se i kanë vrarë 74 ushtarë dhe i kanë zënë 6 të tjerë. Ministria e mbrojtjes e Afganistanit tha se në vendin e sulmit janë dërguar përforcime. Ky sulm u bë në periudhën e intensifikimit të dhunës në Afganistan, ku sipas Kombeve të Bashkuara, gjatë këtij viti janë vrarë më se 1,700 ushtarë. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

BE: Aksion juridik kundër Polonisë për reformën gjyqësore

Posted: 26 Jul 2017 05:33 AM PDT

Bashkimi Evropian thotë se do ta filloj aksionin juridik kundër Polonisë për shkak të reformës kundërthënëse gjyqësore, për të cilën kritikët thonë se i jep Partisë për Ligj dhe Drejtësi në qeveri, ndikim tejet të madh në gjykata. Në kumtesën e sotme, Komisioni Evropian tha se në fokus të këtij aksioni është legjislacioni, i cili dje është nënshkrua rnga presidenti i Polonisë, Andrzej Duda. Ky ligj e lejon ministrin e drejtësisë, i cili është edhe prokuror i përgjithshëm, që t'i emërojë shefat e të gjitha gjykatave më të ulëta. Megjithatë, zoti Duda i ka kënaqur protestuesit në Poloni duke i paraqitur veto një legjislacioni tjetër kundërthënës me të cilin parashihej që ministri i drejtësisë të ketë të drejtë t'i shkarkojë të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe t'i zgjedhë gjyqtarët e tjerë. Komisioni Evropian tha se po e lanson një "procedurë për shkelje kundër Polonisë, për shkak të mosrespektimit të legjislacionit të BE-së", lidhur me legjislacionin që e ka nënshkruar presidenti Duda.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Partitë në Maqedoni, përplasje për borxhin e lartë publik

Posted: 26 Jul 2017 05:07 AM PDT

Derisa Qeveria e kryeministrit, Zoran Zaev pretendon se po punon për uljen e borxhit publik të vendit, që sipas saj ka arritur në shifrat më të larta që nga pavarësia e Maqedonisë, opozita nga ana tjetër akuzon ekzekutivin e ri se po e fut shtetin në borxhe të reja. Të dhënat e fundit të Entit të Statistikës tregojnë se borxhi publik sillet në rreth 5 miliardë euro, apo mbi 50 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Nga Ministria e Financave kanë konfirmuar marrjen e borxheve të reja, por edhe shlyerjen e borxheve të vjetra, dhe se rezultati sipas saj, është në favor të shlyerjes së borxhit prej disa dhjetëra milionë euro. Por, sipas VMRO-DPMNE-së së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski me rishikimin e buxhetit për të cilin po debatohet për më shumë se një javë në Kuvend, parashihet marrja e një borxhi të ri prej 150 milionë euro. Nga kjo parti, gjithashtu e vlerësojnë si gënjeshtër vlerësimin e Qeverisë së Zaevit, se kanë zbuluar një borxh të fshehur prej më se 1 miliard euro, gjë që sipas saj nuk qëndron, meqë bëhet fjalë për tentim nga ana e Qeverisë për shpërndarjen e borxhit nëpër ndërmarrje publike dhe institucione tjera në nivelin lokal, dhe për ta prezantuar pastaj si borxh të pa faturuar. "Për atë se sa e suksesshme do të jetë Qeveria e re, po shihet që në fillim të punës së saj. Nëse në fillim nuk vendosen politikat dhe strategjitë se në çfarë drejtimi do ta çoni vendin, do të jetë e kotë. Qeveria e re po rrënon gjithçka që është ngritur nga Qeveria e kaluar, e cila kishte marrë mirënjohje të shumta nga institucione ndërkombëtare për mënyrën se si po e drejtonte vendin. Me rishikimin e këtij buxheti dhe shkurtimet prej qindra miliona euro, kjo Qeveri po dëshmon se interes parësor nuk ka ekonominë, por punësimet partiake. Borxhet e përditshme po dëshmojnë se ajo do të rrënojë atë që është ngritur viteve të fundit", ka dekluar Liljana Zaturoska, deputete e VMRO-së. Nga LSDM-ja në pushtet thonë se më së paku për çështje borxhi mund të flet VMRO-ja, e cila sipas saj ka futur në borxh çdo qytetar të Maqedonisë në vlerë prej rreth 2 mijë euro. Ministri i Financave, Dragan Tevdoski së fundi ka zbuluar një borxh të ri, që sipas tij, shteti i ka shfrytëzuesve buxhetorë. "Shuma e obligimeve të papaguara deri më 31 maj të vitit 2017, arrin në 22 miliardë denarë apo 363 milionë euro. Borxhet kanë të bëjnë me ndërmarrjet publike, fondet dhe komunat. Ministria do të shqyrtojë me kujdes të dhënat dhe më pas do të hartojë strategjinë se si do të përballet me këtë borxh", ka deklaruar Tevdovski. Njohësit e çështjeve ekonomike, thotë se është iluzion të mendohet se Qeveria do të funksionojë pa borxhe, por se më rëndësi sipas tyre është transparenca dhe dedikimi i borxheve apo shpenzimi i tyre për projekte kapitale. "Normalisht se deklaratat politike që vijnë kryesisht nga VMRO-ja, kanë për qëllim që të jenë aktual pas humbjes së pushtetit, por vlerësoj se një shenjë pozitive e kësaj Qeverie është se huat e reja janë më transparente në projektimin dhe harxhimin e tyre. Ne gjithmonë kemi thënë se marrja e huave duhet të shkojë në projekte kapitale dhe projekte produktive. Qeveria po jep sinjalet e para se pikërisht në këto projekte do t'i adresojnë huat dhe ne duhet të presim dhe të shohin se do a do vazhdojnë me këtë ritëm", thotë për Radion Evropa e Lirë, Fatmir Bytyçi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusia e kritikon legjislacionin për sanksionet amerikane

Posted: 26 Jul 2017 02:24 AM PDT

Zyrtarët e Rusisë dhe ligjvënësit e kanë kritikuar ashpër legjislacionin e miratuar në Dhomën Përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara, me të cilin imponohen sanksione të reja kundër Moskës dhe vështirësohet lehtësimi eventual i tyre nga ana e presidentit amerikan, Donald Trump. Zëvendësministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, tha sot se ky legjislacion është "hap kah shkatërrimi i perspektivës për normalizim të raporteve" ndërmjet Uashintonit dhe Moskës. "Ne kemi thënë disa herë se këto aksione nuk do të kalojnë pa përgjigje", e ka cituar agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS, zëvendësministrin Ryabkov, i cili konsiderohet se është personi kryesor për raportet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

BE: Betejë transatlantike lidhur me sanksionet amerikane kundër Rusisë

Posted: 26 Jul 2017 02:20 AM PDT

Derisa Dhoma Përfaqësuese e Kongresit të Shteteve të Bashkuara dje i ka miratuar bindshëm sanksionet e reja, më të ashpra, kundër Rusisë, Bashkimi Evropian duket se është i përgatitur për ta mbrojtur aftësinë e tij që të përcaktojë se çka është mirë për sigurinë e saj energjetike. Rrjedhimisht, kur kemi të bëjmë me sigurinë energjetike dhe varshmërinë evropiane për gaz natyror nga Rusia, Brukseli e ka në mendje një mesazh për Uashingtonin: mos e bëni punën tonë çështje të juaj! Kjo u bë evidente nga Komisioni Evropan derisa në Uashington është miratuar legjislacioni i sanksioneve të reja, më të gjëra, kundër Rusisë, për përzierje në zgjedhjet presidenciale amerikane në viti 2016, në të cilat triumfoi Donald Trump. Një burim në Komisionin Evropian i afërt me shqetësimet aktuale të organit legjislativ të BE-së, i cili nuk ishte i autorizuar të shprehej për këtë çështje, i tha Radios Evropa e Lirë se me legjislacionin amerikan "përfshihen dispozita ose sigurime me të cilat mbrohen interesat energjetike të BE-së". Ky legjislacion është miratuar në Dhomën Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe tash pritet edhe kalimi në Senat, e pastaj do të arrijë në tavolinën e presidentit amerikan, Donald Trump, për nënshkrim.  Komisioni Evropian, para se legjislacioni të miratohej në Shtetet e Bashkuara, ishte shprehur i gatshëm për hakmarrje, nëse paraqitet e domosdoshme, për mbrojtjen e bizneseve dhe aftësinë e Brukselit për t'i përcaktuar vetë politikat energjetike me Rusinë, pa përzierjen e Shteteve të Bashkuara ose përpjekjet për paraqitjen e fuqisë si furnizues me energji. Një tjetër burim në Komisionin Evropian, duke folur po ashtu në kushte anonimiteti, ka sugjeruar se "BE-ja do të pres me ndërmarrjen e masave reale, derisa legjislacioni amerikan të nënshkruhet nga Presidenti". Pas votimit, Shtëpia e Bardhë tha se "derisa Presidenti i mbështet sanksionet e ashpra kundër Koresë Veriore, Irani dhe Rusisë", ai po e shqyrton këtë legjislacion dhe po pret ta ketë verzionin final, që kalon në Senat, para se të vendos për ta nënshkruar ose për t'i dhënë veto. Në thelb të mospajtimit ndërmjet vetë shteteve anëtare të BE-së është furnizimi me gaz natyror, ndërsa disa vendeve, kryesisht nga Evropa Qendrore dhe Lindore, e dënojnë varshmërinë e tepërt nga importet ruse dhe kërkojnë shumëllojshëmri më të gjërë të furnizimeve. Sanksionet e reja amerikane kundër Rusisë, kanë shkaktuar shqetësime në Evropë, për shkak të mënyrës se si Presidenti do të ketë autoritet të imponojë kufizime kundër çfarëdo kompanie që i ndihmon projektet e sistemit të gypave për eksport nga Rusia, që mund të ketë ndikim në furnizuesit evropianë për projektin e propozuar Rrjedha Veriore 2, që është një zgjerim i kontestueshëm i gypsjellësit të mbështetur nga Brukseli, që e furnizon Evropën Perëndimore me gaz nga Rusia. Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë qëndrimit të tij të fundit në Evropë, i ka promovuar furnizimet amerikane si mjet për kundërshtimin e varshmërisë evropiane nga gazi rus. Në këtë kuadër, zoti Trump ka marrë pjesë në takimin në Varshavë "Tri Nismat Detare", që është një projekt polako-kroat për forcimin e bashkëpunimit në fushën e energjisë në mesin e 12 shteteve të BE-së, që varen nga gazi rus, në afërsi të Detit Adriatik, atij Baltik dhe Detit të Zi. Duke folur në këtë tubim më 6 të këtij muaji, zoti Trump tha se "nëse ju duhet energji, vetëm na thirrni neve". Këto komente i kanë shtuar dyshimet në mesin e disa vendeve evropiane se Uashigntoni i sheh sanksionet kundër Rusisë si mënyrë për hapjen e tregut evropian për gazin natyror në gjendje të lëngët (LNG) që transportohet nëpër Atlantik. Christian Egenhofer, ekspert i energjisë në institutin CEPS, me seli në Bruksel, shpjegon se Departamenti amerikan i Shtetit për një kohë të gjatë është shprehur i shqetësuar se varshmëria e madhe ndaj gazit rus, mund të krijojë çështje të sigurisë në Evropë. "Argumenti është se kur ju jeni shumë të varur, atëherë kjo e bënë më të vështirë imponimin e sanksioneve në rast se diçka shkon gabimisht", tha Egenhofer dhe ka shtuar se "kthesa e re tash lidhet me mundësinë e furnizimit me gaz nga Shtetet e Bashkuara në formën LNG". Judy Dempsey, eksperte në institutin Carnegie Europe, është e ashpër në vlerësimin e saj se si Komisioni Evropian dhe disa vende evropiane, siç janë Gjermania dhe Austria, i perceptojnë sanksionet e reja amerikane kundër Rusisë. "Ato e shohin këtë si përpjekje flagrante për t'i përdorë sanksionet për dobësimin e kompanive evropiane, nëse me të vërtetë, importi i gazit rus reduktohet në mënyrë drastike për shkak të këtyre masave", thotë Dempsey. Mëtutje ajo shprehet se "siç është tash, amerikanët ishin shumë aktivë në përpjekje për eksport të gazit natyror të lëngët në Evropë dhe këtë e shohin si rast shumë të mirë tash". Por, Brukseli konsideron se projekti, Rrjedha Veriore 2, do të sjellë gaz rus në Gjermani nëpër sistem të gypave nën det, duke i anashkaluar shtetet Baltike dhe Poloninë, si mënyrë për të siguruar furnizim të vazhdueshëm të gazit natyror të lirë. Por, në legjislacionin dypartiak për sanksione kundër Rusisë të Shteteve të Bashkuara, theksohet se Rrjedha Veriore 2 ka "ndikim të dëmshëm në sigurinë energjetike të Bashkimit Evropian, në zhvillimin e tregut të gazit në pjesën Qendrore dhe Lindore të Evropës dhe në reformat energjetike në Ukrainë". Këto shqetësime janë në harmoni me ato që janë shprehur nga disa shtete anëtare të BE-së, por ato nuk konsiderohen të tilla nga i gjithë blloku. Përgatiti: Fatmir Bujupi

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump: Jam i zhgënjyer me Prokurorin e Përgjithshëm

Posted: 26 Jul 2017 01:55 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë se është i "zhgënjyer" me Prokurorin e Përgjithshëm, Jeff Sessions dhe ka thënë se "koha do të tregojë", kur u pyet për të ardhmen e tij. Këto komente Trump i bëri gjatë konferencës së përbashkët në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin libanez, Saad Hariri. Trump ka thënë se Sessions është dashur të jetë më i fortë në ndalimin e rrjedhjes së informacioneve nga agjencitë e inteligjencës së SHBA-së. (Video: AP).

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusi: Kërkohen masa kundër Polonisë për shkatërrimin e monumenteve sovjetike

Posted: 26 Jul 2017 12:19 AM PDT

Dhoma e Epërme e Parlamentit të Rusisë ka kërkuar nga presidenti, Vladimir Putin, që ta filloj përgatitjen e sanksioneve kundër Polonisë, për shkak të planeve për shkatërrimin e monumenteve sovjetike, kanë raportuar mbrëmë mediat shtetërore ruse. Por, Kremlini ka thënë se Putin ende nuk e ka ndërmarrë ndonjë masë kundër Polonisë, për shkak të legjislacionit të miratuar aktualisht në Varshavë, me të cilin qeveria autorizohet për shkatërrimin e më se 500 monumenteve sovjetike, që konsiderohen si relikte të regjimit autoritar. Zyrtarët polakë kanë thënë se ish-Bashkimi Sovjetik ishte një shtet okupues gjatë katër dekadave pas Luftës së Dytë Botërore dhe derisa po shtohen ndjenjat nacionaliste, ata dëshirojnë t'i shkatërrojnë qindra monumente të ndërtuara gjatë asaj periudhe.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Nga korrje-shirjet, Kosova siguron rreth 60 për qind të nevojave për bukë

Posted: 26 Jul 2017 12:13 AM PDT

Në Kosovë rreth 80 për qind e sipërfaqes së mbjellë më kulturë të grurit është korrur, thonë autoritete përgjegjëse në Prishtinë. Sipërfaqja e mbetur pa përfunduar është në pjesët kodrinore – malore. Sipas të dhënave paraprake, rreth 70 mijë hektarë sipërfaqe kanë qenë të kultivuara me grurë, kurse në përgjithësi me drithëra të bardha janë mbjellë 75 mijë hektarë. Jusuf Cikaqi, kryetar i Komisionit për monitorimin e fushatës se korrje-shirjeve, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se sipas të dhënave të para, rendimenti mesatar i grurit për këtë vit është nga 3500 deri në 4,500 kilogramë për hektarë, varësisht nga parcelat dhe rajoni. "Në Kosovë, në bazë të një raporti del se 205 kilogramë grurë nevojiten për kokë banori. Nëse e kalkulojmë me numrin e përgjithshëm të banorëve në Republikën e Kosovës, atëherë rezulton se nevojiten deri në 410 mijë tonë grurë. Dhe neve me këtë gjendje që kemi, mendojmë se prej 60 deri 70 për qind do plotësohen nevojat e qytetarëve me produkte të grurit", tha Cikaqi.  Ndryshe, vitin e kaluar nga sipërfaqet e kultivuara, Kosova ka arritur të sigurojë mbi 350 mijë tonë grurë. Por, sipas të dhënave të shoqatës së prodhueseve të grurit, sivjet ka pasur rreth 14 mijë hektarë tokë më pak të kultivuara me grurë, e që sipas tyre, mjafton për 55 për qind të popullatës. Kryetari i Shoqatës se Bujqve Prodhues të Grurit, Pal Gjuraj për Radion Evropa e Lirë tregon se arsyeja e zvogëlimit të sipërfaqes së kultivuar me grurë është çmimi shumë i ulët në tregun e Kosovës. Ai thotë se duke marrë parasysh faktin që Kosova importon lëndën e parë të këtij produkti, por edhe grurin bujqit nuk kanë shumë leverdi apo fitime financiarenga kultivimi i kësaj kulture. Duke folur për cilësinë e grurit, Gjuraj ndërkaq shpreh shqetësimin se vazhdimisht në Kosovë ka tendenca të zvogëlimit të sasisë së grurit të prodhuar. "Cilësia e grurit është relativisht e mirë, rendimenti sillet rreth 4 tonë për hektarë, çka do të thotë se ne nuk jemi të kënaqur sepse kur rendimenti bie nën 5 tonë, atëherë vështirë se mbulohen shpenzimet e prodhuesit", tha ai. Sidoqoftë, viteve të fundit Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përmes pagesave direkt është mundur të inkurajojë fermerët që të mbjellin sipërfaqe më të mëdha të grurit. Nga viti 2015, Ministria ka subvencionuar kultivuesit e grurit me nga 150 euro për hektarë. Gjuraj e konsideron të mjaftueshëm shumën e subvencionimit për fermerët, por nuk pajtohet me kriteret e kërkuara. "Kriter për të fituar këtë shumë të parave është që fermeri t'i ketë së paku dy hektarë të mbjella me grurë, çka do të thotë se gjysma e fermerëve mbesin jashtë subvencionimit, për shkak se sipërfaqet e fermerëve janë 50- 60 ari. Kështu që, pjesën tjetër duhet të marrin me qira, e që kjo nuk është e sigurt për çdo vit", thotë Gjuraj.  Sipërfaqja e përgjithshme në Kosovë është mbi 10,908 km katrorë, kurse 53 për qind e tokës është bujqësore. Ndërkaq, nga 1.9 milion banorë, 61 për qind prej tyre jetojnë në zonat rurale. Pavarësisht kësaj, Kosova vazhdon të importojë sasi të mëdha grurit dhe miellit nga vende të ndryshme të rajonit. Çmimi për një kilogram grurë të prodhuar në Kosovë, sipas shoqatave të mullisëve, kushton nga 0.10 deri në 0.14 centë, kurse gruri i importuar nga vendet e rajonit shitet nga 0.16 deri në 0.18 centë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Gjermani: Identifikohen më tepër femra të dyshuara në IS

Posted: 25 Jul 2017 11:23 PM PDT

Ministria e jashtme e Gjermanisë ka konfirmuar se i ka identifikuar edhe dy femra të tjera në mesin e grupit të pjesëtareve të dyshuara të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), që janë zënë në Irak. Kjo ministri tha se femrat ishin identifikuar pasi zyrtarët nga Ambasada e Gjermanisë në Bagdad e kishin vizituar qytetin verior, Mosul, ku femrat e dyshuara po mbahen të paraburgosura. Forcat e sigurisë së Irakut kanë thënë se i kanë arrestuar 20 luftëtare të jashtme, pasi e kanë çliruar Mosulin nga okupimi i militatëve të Shtetit Islamik, këtë muaj. Tashmë në këtë grup janë identifikuar katër gjermane. Zyrtarët gjermanë tashmë kanë konfirmuar se një 16 vjeçare, e identifikuar si Linda W., dhe një tjetër femër, ishin në mesin e luftëtareve të dyshuara, që ishin zënë nga forcat e Irakut. Prokurorët gjermanë thanë dje se ata po e intervistojnë vajzën Linda W., e dyshuar se ishte anëtare e organizatës së jashtme terroriste. Meqë ishte larguar nga shtëpia, pak kohë pasi ishte konvertuar në fenë myslimane, para një viti, Linda W. ka shprehur keqardhje për vendimin e saj dhe tash vetëm dëshiron "të kthehet në shtëpi te familja" e saj, kanë raportuar mediat gjermane. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Megjithë vërejtjet e Trumpit, miratohen sanksionet kundër Rusisë

Posted: 25 Jul 2017 11:05 PM PDT

Dhoma Përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara me shumicë bindëse të votave, mbrëmë i ka forcuar sanksionet e reja kundër Rusisë, përkundër vërejtjeve nga presidenti amerikan, Donald Trump. Ligjvënësit kanë votuar me 419 vota për dhe vetëm 3 kundër, ndërsa ky legjislacion është mbështetur fuqishëm nga republikanët e zotit Trump dhe demokratët. Tash pritet që ky legjislacion të kaloj edhe në Senat, e pastaj t'i dërgohet Shtëisë së Bardhë për nënshkrim nga presidenti Trump. Të dy dhomat pritet se kanë numër të mjaftueshëm të votave për ta mbizotëruar veton e mundshme të presidentit ndaj këtij legjislacioni, me të cilin, po ashtu, imponohen sanksione të reja kundër Iranit dhe Koresë Veriore. Kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese, Paul Ryan, tha pas votimit se pakoja e sanksioneve "i shtrëngon bulonat në armiqtë tanë më të rrezikshëm me qëllim që Amerika të mbahet e sigurt". Pas votimit, Shtëpia e Bardhë tha se "derisa presidenti i mbështet sanksionet e ashpra kundër Koresë Veriore,Irani dhe Rusisë", ai po e shqyrton këtë legjislacion dhe po pret ta ketë verzionin final, që kalon në Senat, para se të vendos për ta nënshkruar ose për t'i dhënë veto. Këto sanksione janë pritur me kritika nga Rusia dhe nga disa aleatë amerikanë në Bashkimin Evropian, që kanë tërhequr vërejtjen se sanksionet do të ndërhyjnë në projektet kryesore energjetike në Evropë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Edi Rama: Njohja e Kosovës nga Serbia e stabilizon rajonin

Posted: 25 Jul 2017 10:25 PM PDT

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar nga Serbia që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, duke thënë se kjo njohje do të ndihmonte në stabilizimin e rajonit. Në faqen e tij në rrjetin Facebook, dje zoti Rama ka shkruar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, do të ishte "zgjidhje e qartë nga errësira e tunelit në dritë në dalje të tij". Në këtë mënyrë zoti Rama reagoi ndaj një artikulli të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të publikuar ditën e hënë, në të cilin ai ka kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën, duke propozuar hapje të dialogut kombëtar në Serbi për këtë çështje. Kryeministri Rama e ka lavdëruar artikullin e presidentit Vuçiq dhe e postoi atë në Facebook, raporton agjencia AP nga Tirana. "Dëshiroj ta ndajë me ju mbresën e mirë që presidenti i Serbisë e ka lënë tek unë me këtë meditim publik", ka shkruar Rama. Zoti Rama, po ashtu, ka kërkuar që Kosova dhe Serbia t'i vazhdojnë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, derisa këto dy shtete janë në shkallë të ndryshme të procesit të integrimit në BE.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more