Skip to main content

“Agim Aliu: Do t’a ndërtojmë Parkun Memorial të Jezercit” plus 9 more Ferizaj Press

“Agim Aliu: Do t’a ndërtojmë Parkun Memorial të Jezercit” plus 9 more Ferizaj Press


Agim Aliu: Do t’a ndërtojmë Parkun Memorial të Jezercit

Posted: 28 Sep 2017 09:59 AM PDT

Me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Komunë së Ferizajt, për portalin Ferizajpress, kandidati për Kryetar të Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, bëri shpalosjen e programit qeverisës, me theks të veçantë në kultivimin dhe promovimin e vlerave të luftës së UÇK-së.
“Ne, së bashku si shoqëri, kemi për obligim të kultivojmë dhe promovojmë vlerat e luftës së UÇK-së.
Unë, gjatë mandatit qeverisës, do të procedoj me një projekt unik, siç është fillimi i ndërtimit të Parkut Memorial të Jezercit, të cilin projekt synojmë t’a implementojmë duke rindërtuar gjithë pozicionet, istikamet, vendrojet, bunkerët dhe do bëjmë shënjimin e vendeve ku kanë rënë dëshmorët tanë, rindërtim ky në formë origjinale, siç kanë qenë në kohën e luftës së fundit.
Poashtu, pjesë e programit tim do të jetë edhe ndërtimi i Muzeut të Kujtesës, projekt që synon të grumbulloj reliktet, dëshmitë e kohërave historike në të cilat ka kaluar komuna jonë.
Natyrshëm, qëllimi i këtyre projekteve është zhvillimi i turizmit dhe ekonomive familjare në zonat përkatëse dhe kujdesi i veçantë për angazhimin e familjeve të dëshmorëve në jetën institucionale e ekonomike të komunës sonë.
Familjet e dëshmorëve, veteranët e UÇK-së dhe invalidët e luftës do të jenë pjesë e pandashme e vendimmarrjes sime politike.
Ne në përputhje me ligjin për vlerat e luftës së UÇK-së do shtojmë kujdesin dhe përkrahjen për këto kategori në të gjitha aspektet- shtoi kanditati Aliu.

Topalli: LVV do ta depolitizoj arsimin ferizajas

Posted: 28 Sep 2017 04:38 AM PDT

Ferizaj. 28.09.2017. Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Ferizajt, Faton Topalli, prezantoi sot objektivat e arsimit. Topalli para një pjese të kandidatëve për këshilltarë të kësaj partie, si dhe para disa mësimdhënësve të këtushëm, u zotua se nëse ai do të merr besimin e qytetarëve për t'u bërë kryetar komune, do të ketë një kualitet më të lartë në arsim.

“Gjatë qeverisjes tonë shkolla do të jetë e organizuar, shkolla do të jetë në të njetën kohë edhe qendër e kulturës, edhe e sportit, e zhvillimit të të rinjve si dhe qendër e sportit. Pra do ta kryej funksionin i cili i takon arsimit, i cili i takon shkollës'', tha Topalli.
Kandidati i VV-së për kryetar të Ferizajt, Faton Topalli, tha se qeverisja e Vetëvendosjes do ta depolitizoj arsimin e Ferizajt, i cili, sipas tij, aktualisht është mjaft i politizuar.

“Ju e dini që kemi një numër shumë të madh të nxënësve nëpër klasë. Tani mund të them lirisht që janë formuar edhe klasët e komunës, ku 30 nxënës pranohen me konkurs, ndërkaq 30 të tjerë pranohen pas konkursit, veç se e kanë të njofshëm kryetarin apo dikënd prej komunës. Gjatë qeverisjes tonë ne këtë gjë nuk do ta lejojmë, pasi që i gjithë procesi i pranimit të nxënësve do të jetë transparent dhe nuk do të ketë pranime jashtë kritereve dhe jashtë konkurseve që i demotivon ata që kanë mësuar shumë”, tha Topalli.

Ndër të tjera, qeverisja e Vetëvendosjes u tha se do të ketë shujta më cilësore për nxënësit fillorist, do të hap kënde leximi nëpër shkollat e Ferizajt si dhe do të ndërtoj çerdhe publike në çdo 24 muaj, transmeton Televizioni Tema.

Politikanët ferizajas të ndarë edhe për homazhe

Posted: 28 Sep 2017 04:11 AM PDT

Ferizaj. 28.09.2017. Dita e Dëshmorëve në Ferizaj, tuboi mijëra qytetarë në varrezat e dëshmorëve të kësaj komune. Për t'i nderuar ata që dhanë më të shtrenjtën për çlirimin e vendit, qytetarët ferizajas bën homazhe në orët e paraditës. Por, edhe në këtë përvjetor të 28 shtatorit, spektri politik u pa i ndarë, madje kjo u theksua pikërisht në kompleksin e varrezave të dëshmorëve. Derisa komuna kishte organizuar ecje përgjatë rrugës kryesore në drejtim të varrezave, disa parti opozitare nuk e pritën organizatorin, por bën homazhe të ndarë. Këta janë përfaqësuesit e PDK-së në Ferizaj dhe një pjesë e shoqatave të dala nga lufta.

E, për këtë që ndodhi, kryetari i organizatës së veteranëve të luftës Rafiz Sejdiu, pati një sqarim.

“Në këtë ditë ne kemi emocione të përziera, kemi dhembje për dëshmorët, shokët tonë, por edhe ndihemi krenar pasi që gjaku i tyre ishte vula që ne sot po e gëzojmë lirinë. Sot jemi me një gjendje shumë më të mirë, por shpresoj që ajo që nuk është realizuar deri më tani së shpejti do të realizohet. Unë sot kam qeë i ftuar në seancën solemne, por nuk kam dashur të marr pjesë, pasi kryetari disa marrëveshje dhe vendime që janë pru në Kuvend nuk i ka zbatuar tash e një vit, pra ai i ka prishur marrdhëniet me neve si veteranë”, tha Sejdiu.

Derisa një numër i madh pjesëmarrësish në homazhe të prirë nga liderët e PDK-së vazhdonin nderimin për dëshmorët, grupi tjetër që iu bashkangjit kësaj turme, e që ishte po aq i madh, përfaqësohej nga kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa. Svarqa shprehu pakënaqësi për këtë ndasi që ndodhi.

“Unë i ftoj të gjithë qytetarët që të vazhdojmë të punojmë bashkë në mënyrë që mos të kemi ndasi, sepse jemi shumë të vegjël për t'u ndarë edhe më shumë, edhe kjo nganjëherë që ndodhë për inate shumë të vogla, që dëshirojnë të dalin në sipërfaqe mite të rrejshme të komunës së Ferizajt, ka një mesazh tepër negativ. Zotëri Rafiz Sejdiu nuk ka aspak të drejtë, sepse unë nuk kam pasur asnjë kontratë personale me shoqata e luftës, e as me Rafiz Sejdiu, unë kam pasur vetëm një vendim të Kuvendit të Komunës që do ta respektoj dhe zbatoj. Dje është përplotësuar vendimi me përcaktimin e shumave që do t'u ndahen shoqatave, një vendim i cili ka efekte juridike, retroaktive dhe do të paguhet që nga viti 2016, këto janë arsye banale që po përdoren në fushatë”, tha Svarqa.

I mllefosur për ndarjen e politikanëve nëpër homazhe, u shpreh edhe nënkryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Saqip Rexhepi.

“Mesazhi ynë është që të jemi të bashkuar dhe sa më unik, sepse kështu me përçarje nuk shkohet kah zhvillimi i shtetit të Kosovës dhe nga progresi i qytetit të Ferizajt. Masa ka qenë shumë e orientuar për sot, ndërsa ato rrymat politike e bën të vetën sot, është për keqardhje kjo që po them, por ky është realiteti”, tha Saqip Rexhepi.

Përveç homazheve në varrezat e dëshmorëve, qytetarët ferizajas në krye me udhëheqësit komunal, bën homazhe dhe vunë kurora lulesh nëpër bustet e dëshmorëve që ndodhen në qytetin e Ferizajt.

Për nder të kësaj dite, Kuvendi Komunal i Ferizajt mbajti seancë solemne, transmeton Televizioni Tema.

Kuvendi i Komunës së Ferizajt mban seancë solemne me rastin e Ditës së Dëshmorëve

Posted: 28 Sep 2017 03:38 AM PDT

Kuvendi i Komunës së Ferizajt mban seancë solemne me rastin e Ditës së Dëshmorëve

Aktivitetet për shënimin e Ditës së Dëshmorëve në Ferizaj, kanë filluar sot në mëngjes më mbajtjen e seancës solemne për ndër të kësaj dite.

Në këtë seancë pjesë veç këshilltareve komunalë morën pjesë edhe personalitete të shumta nga jeta politike, ushtarake e institucionale në Ferizaj. Kryesuesi i Kuvendit Faruk Guri në këtë tubim potencoi se dita e sotme përkujtimore është ndër ditët më të lavdishme të komunës së Ferizajt, andaj meriton respekt të thellë përgjithmonë.

Ndërkaq kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa në fjalën e mbajtur më këtë rast theksoi se kjo ditë shënon njërën ndër përpjekjet më të fuqishme për liri dhe si e tillë do të mbahet mend përherë.

" Çdo përvjetor që na kujton rezistencën dhe kundërshtimin e vendosur ndaj robërisë, na bën të ndihemi mirë dhe krenar. Ky përvjetor i Betejës së Jezercit, i kundërshtimit me armë të aparatit vrasës të Serbisë së Milosheviqit, shënon në ndërgjegjen tonë një nga përpjekjet më të fuqishme për t'i ndryshuar rrjedhat e historisë së vuajtjeve të pafund të popullit shqiptar të Kosovës nga shtypja e egër mbi baza kombëtare, nga vrasjet po mbi këto baza dhe nga persekutimi masiv i popullit tonë.

Beteja e Jezercit, tregon gatishmërinë për sakrificë, tregon përgjegjësinë e lartë dhe nismën e një rrugëtimi me mijëra sakrifica, i cili, për fatin tonë të mirë, pati si përfundim çlirimin e vendit tonë dhe pavarësinë e tij nga shtypësi i deridjeshëm.
Në këtë rrugëtim, me flijime të panumërta, bota demokratike ishte në anën tonë, sepse ne ishim në të drejtën tonë. Ne kishim të drejtë të jetonim të lirë, siç jetojnë edhe popujt tjerë, dhe, për fatin tonë të mirë, kjo e drejtë u kuptua edhe nga të tjerët. Prandaj, jemi sot këtu, të lirë për t'i kujtuar e për t'i nderuara ata që u flijuan për këtë ditë." tha kryetari Svarqa.

Më tutje ai përmendi edhe emrat e dëshmorëve të rënë për të mos u harruar asnjëherë veprimtaria e tyre dhe gjaku që dhanë për liri.

"Në Betejën e Jezercit, familiarët, bashkëluftëtarët, Ferizaj dhe Kosova humbën Gursel e Bajram Sylejmanin, Sejdi Sejdiun, Kemajl Hetemin, Bashkim Vishin, Salih Baliun, Nazim Terziun, Lulzim Gutën e Arsim Zeqirin, por fituan namin e tyre të përjetshëm, thadruan edhe më shumë idealin e lirisë dhe gatishmërinë për sakrificë në themelet e atdheut.
Dëshmorët e Betejës së Jezercit dhe të gjithë dëshmorët e martirët, që luftuan për çlirimin dhe lirinë e vendit tonë, e përfunduan në mënyrën më sublime misionin e tyre. Populli i Kosovës pati fatin e mirë që bota demokratike u rreshtua krah tij, duke e mbështetur luftën tonë të drejtë e çlirimtare.

Ne e kujtojmë sot e përherë, me nderimin më të lartë Epopenë e Jezercit, epopenë e flijimit sublim të të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve që ranë për lirinë e Kosovës, sepse në këtë mënyrë ne u kthehemi vlerave tona më të çmuara, sakrificës së madhe që dha ky popull në vazhdimësi, për të qenë i lirë në trojet e veta.

Prandaj, sot, në këtë ditë përkujtimi e homazhi, ne jemi me mendje e me zemër të përfshirë nga nderimi i thellë ndaj të gjithë atyre bijve e bijave tona që i vunë gjoksin të keqes, për ta ndalur terrorin e pashembullt që po ushtrohej ndaj popullit tonë të shumëvuajtur" vazhdoi i pari i komunës së Ferizajt.

Ndërkaq në ditët e lirisë tash e 19 vjet kryetari i komunës Svarqa porositi gjeneratat e reja që të punojnë sa më shumë për vendin që dikur u çlirua me shumë sakrifica

" Sot, shumë vite pas atyre ngjarjeve, detyra të rëndësishme qëndrojnë para nesh: që ta ndërtojmë paqen, ta ndërtojmë mirëqenien e qytetarëve të Ferizajt dhe të Kosovës. Nuk ka dyshim që kjo është një sfidë aspak e lehtë, por ne po ecim hap pas hapi drejt këtij synimi. Tani jemi të lirë për ta ndërtuar jetën tonë.
Tani është koha kur ne si popull dhe si vend e kemi shansin për t'i treguar mundësitë tona krijuese, kapacitetet qeverisëse dhe aftësitë tona për të ndërtuar mirëqenien tonë. Në këtë aspekt janë bërë hapa të rëndësishëm, por ka ende shumë punë. Se si do të jetë e nesërmja jonë, tani varet nga vetë ne.

Më tutje nuk mund t'i fajësojmë të tjerët për ngecjet eventuale, por duhet t'u përvishemi punëve, për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për vete dhe për fëmijët tanë. Unë jam thellë i bindur se dëshmorët dhe martirët që u flijuan për liri, kur vendosën t'i hyjnë rrugës së gjatë e të vështirë të çlirimit, nuk e bënë sakrificën e tyre që ne ta ndërtojmë një shoqëri me plot ndasi, përçarje, urrejtje e energji negative. Kultivimin e bashkëveprimit, ndërtimin e raporteve të shëndetshme dhe parimësinë e garës për vlera, do të duhej t'i kishim në bazat e veprimeve tona të përditshme.

Ne jemi një popull dhe një vend i vogël, që edhe i bashkuar, nuk e ka lehtë ta ndërtojmë mirëqenien siç e kanë ndërtuar të tjerët. Të ndarë e të përçarë, do ta kemi edhe më të vështirë. Prandaj, le të punojmë së bashku për një të nesërme, për të cilën brezat e ardhshëm do të na kujtojnë e të na shprehin mirënjohje, siç i kujtojmë e u shprehim mirënjohje të përjetshme të gjithë atyre që u flijuan për të sotmen tonë. Nuk ka asnjë dyshim se sot e kemi pakrahasueshëm më lehtë, se sa e kishim gjatë luftës. Lavdi të rënëve në Betejën e Jezercit, lavdi të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës" than ë përfundim të fjalës së tij kryetari Svarqa.

Pas seancës së mbajtur në Kuvendin Komunal për nder të kësaj dite , aktivitetet kanë vazhduar edhe me një Akademi solemne të mbajtur në teatrin "Adriana" për të nderuar veprimtarinë e dëshmorëve dhe sakrificën e miljeve të tyre.

Aty u shfaq një program i pasur kulturoro-artistik ku me pikat e tyre u paraqitën oktetit i qytetit si dhe grupi i recitatorëve të rijnë nga Ferizaj.

Agim Aliu: Turizmi, e ardhmja e ekonomisë lokale

Posted: 27 Sep 2017 09:07 AM PDT

Me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, në një prononcim për portalin Ferizajpress, kandidati për Kryetar të Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, shpalosi pikëpamjen programore të platformës së tij qeverisëse për këtë lëmi. “Vendi ynë ka potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit si pjesë e rëndësishme e ekonomisë lokale.

Unë dhe ekipi im kemi vendosur piketat e investimeve publike në zonat ku zhvillimi i turizmit është i mundur dhe ka nevojë për promovim. Ndërtimi i infrastrukturës turistike, përreth dhe në zonat malore të Nerodimes, Jezercit e Burrnikut dhe zonat tjera, do të jenë fokusi im qeverisës.

Ne do t’i mbrojmë dhe promovojmë vlerat e trashëgimisë kulturore, fenomenin e rrallë të bifurkacionit, mullinjtë dhe objektet e vjetra të kultit, shenja këto identitare të lokalitetit tonë, si dhe do të ofrojmë kushte për t’i vizituar ato. Ferizaj gjatë qeverisjes sime do të kthehet në një zonë turistike me ndikim direkt në ekonominë lokale, veçanërisht në ekonomitë familjare të banorëve të zonave përkatëse.

Unë do të jem avokati juaj më i zëshëm për të lobuar në nivelin qendror, për projektin e ndërtimit të pendës tek bashkimi i dy lumenjëve.

Ferizaj ka bukuri të rralla natyrore dhe ne kemi obligim t’i ruajmë dhe promovojmë ato” u shpreh kandidati Aliu.

Kosova dhe Shqipëria krijojnë fond të përbashkët për blerjen e ambasadave

Posted: 27 Sep 2017 08:22 AM PDT

​Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në vizitën e tij të parë jashtë vendit, në Shqipëri është pritur në takim nga kryeministri Edi Rama. Dy kryeministrat janë pajtuar që qeveritë e tyre të krijojnë një fond të përbashkët për blerjen e përfaqësive diplomatike në botë.

Pas takimeve, të dy kryeministrat kanë mbajtur një konferencë para gazetarëve të pranishëm, ku kanë folur për fuqizimin e bashkëpunimit të  gjithanshëm ndërmjet dy shteteve.

Kryeministri Haradinaj edhe me këtë rast potencoi se rrugëtimi euroatlantik i Kosovës do të bëhet së bashku me Shqipërinë.

"Jemi të gëzuar që në rrugëtimin tonë si Kosovë dhe shqiptarë kemi sot shumë aleatë të çmuar. Nuk përtoj të them se i takojmë botës që e udhëheq Amerika. Por po ashtu jemi të vendosur që rrugëtimin tonë drejt BE-së ta bëjmë së bashku me Shqipërinë", tha Haradinaj.

Në takim është biseduar edhe për lehtësime të procedurave ndërmjet dy shteteve, si për biznese ashtu edhe për qytetarët.

"Është fjala për atë që e përmendët edhe ju kryeministër, pra që kalimin kufitar ta kthejmë në një kalim të zakonshëm që është mes vendeve të BE-së, pastaj që mos të kemi dyfishim të procedurave doganore në Durrës, që mos të kemi pengesa administrative për qytetarët tanë, sepse një diplomë apo një certifikatë nuk përputhet me tjetrën. Këto janë masa mëse të nevojshme, dhe është koha për to" , theksoi Haradinaj.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nënvizoi se pas takimit është shpresëplotë për një përshpejtim edhe më të hovshëm të agjendës së përbashkët të dy qeverive. Duke përmendur pajtimin që kanë pasur në takim, Rama ka përmendur fillimisht mundësinë e lehtësimit të procedurave administrative për shtetasit që punojnë, studiojnë apo jetojnë në të dy anët e kufirit. Përveç kufijve si në vendet e Bashkimit Evropian, Rama ka përmendur edhe  ekuivalentimin e diplomave dhe lehtësimin e aksesit në tregun e punës.

Pos kësaj, është biseduar edhe për unifikimin e tregut, duke nënvizuar se Shqipëria dhe Kosova i kanë të gjitha mundësitë të jenë modeli që i paraprinë me shembullin e krijimit të zonës ekonomike rajonale.

Përveç bashkëpunimit për të përfituar bashkërisht nga Procesi i Berlinit dhe Fondet IPA, dy qeveritë u dakorduan në fillimin e uljes së shpenzimeve për të mbajtur seli diplomatike, seli përfaqësuese dhe konsullore të përbashkëta dhe jo veç e veç.

"Kemi folur për një Plan të përbashkët veprimi në funksion të ndërtimit të një Fondi Imobiliar Shqiptar në Evropë, duke filluar nga kryeqendrat e diplomacisë evropiane, për t'u shtrirë më pastaj pak nga pak më tej, një fond shqiptar imobiliar që do të jetë një aset i përbashkët i të dy shteteve. Dhe njëkohësisht do t'iu jap shqiptarëve një adresë", ka thënë Rama.

Kryeministri Rama ka risiguruar kryeministrin Haradinaj për mbështetjen e plotë të Shqipërisë në procesin e integrimit euroatlantik dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Në konferencë, dy kryeministrat i janë përgjigjur edhe interesimit të medieve lidhur me çështjen e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka siguruar se do të ruhen marrëdhëniet e mira fqinjësore me popullin e Malit të Zi.

"Kosova ka një traditë të mirë të bashkëpunimit dhe ndjenja të mira me popullin e Malit të Zi. Këto 20 vitet e fundit, populli i Malit të Zi nuk është korit me Kosovën, me shqiptarët edhe në kohërat e vështira të krizës, por edhe Kosova ka qenë shumë e kujdesshme nëpër momentet kyçe të Malit të Zi, përfshirë edhe pavarësimin dhe momentet tjera dhe i gëzohemi sukseseve të Malit të Zi.

Tema e shënjimit të kufirit Kosovë-Mal i Zi, është në një situatë ku Kosova po procedon në përputhje me rregullativën e vet, në përputhje me obligimet politike që ka. Kur kemi një situatë të re, me siguri që do t'i drejtohemi vendit fqinjë, pra kur kemi një situatë më të qartë të të gjeturave tona. Deri atëherë, besoj që të gjithë mund ta qojmë një porosi, se interesimi ynë është që këto marrëdhënie të mira me Malin e Zi t'i forcojmë" ka thënë kryeministri Haradinaj.

Nga ana e tij, kryeministri Rama ka kërkuar zgjidhje të shpejtë të këtij problemi.

"Në këtë pikë unë dua të jem i hapur dhe i sinqertë. Interesi i Kosovës është zgjidhja sa më parë e këtij problemi, i cili është kthyer në një ngërç në marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare.

Natyrisht, ka një proces të natyrshëm kalimi nga opozita në Qeveri, kështu që kryeministri kërkon edhe pak kohë besoj, që të ndahet nga pozicioni i tij opozitar ndaj këtij problemi, ashtu si kundër unë do të doja që të mos e shikoja kryeministrin e deridjeshëm të Kosovës që të shkonte tek një pozicion opozitar në raport me një çështje, për të cilën ai ka qenë dakord dhe madje ka fajësuar opozitën e deridjeshme.

Është një problem, i cili nuk është problem i Malit të Zi, është një problem politik brenda Kosovës dhe do ta zgjidhë Kosova në funksion të ardhmërisë së vet.

Mali i Zi është një vend dhe një popull mik i padiskutueshëm, me të cilin shqiptarët kanë pasur marrëdhënie të shkëlqyera. Shqiptarët kanë shpëtuar dy herë Malin e Zi në kuptimin më të mirë të fjalës dhe janë aty një faktor garance për të gjithë procesin ku Mali i Zi ka hyrë me një kurajë të jashtëzakonshme, me një lidership të jashtëzakonshëm, si një model frymëzues se çfarë një vend shumë i vogël mund të bëjë kur i thërret dinjitetit të vet në momentet e udhëkryqeve historike" tha kryeministri Rama.

Në takimin e Ramës bashkë me kryeministrin Haradinaj, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, njëherësh ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ministri i Financave, Bedri Hamza, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, si dhe ministrat e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, ministri i Shtetit për Diasporë, Pandeli Majko, ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Lindita Nikolla, ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme, Ditmir Bushati, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ajo e Kulturës, Mirela Kumbaro, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, si dhe ai i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

 

Blerja nga pronarët kinez, Milanit po i ndodh mrekullia!

Posted: 27 Sep 2017 08:14 AM PDT

Ndër përfitimet që Milan dhe Inter shpresojnë të marrin nga blerjet e kohëve të fundit tek sipërmarrësit kinezë është gjithashtu edhe popullariteti i klubit në vendin aziatik, i cili do të rrisë të ardhurat nga sponsorizimet dhe marketingu, transmeton ORAinfo.

Duke gjykuar nga renditja botuar nga Score Sports në klubet me më shumë sukses në Kinë, të dy Milanezët po rriten në popullaritet.

Në radhë të parë, si ekipi më popullor, është Barcelona, e cila kap 17.5 për qind të entuziastëve.
Pozitën e dytë renditet, Real Madridi, afër 16 për qind. Për të kompletuar treshen e madhe është Milan, me 13.2 për qind.

Në vijim janë Manchester United dhe Bayern Munich, përpara Interit.
Por lajmi i mirë për skuadrën italiane është se ajo ka mundësi ti kalojë në renditje dy gjigantët spanjoll, pasi ka potencial ta arrijë këtë ma anë të marketingut./ORAinfo/

 

Miratohet buxheti i komunës së Ferizajt për vitin 2018, peshon mbi 28 milionë e 720 mijë euro

Posted: 27 Sep 2017 08:05 AM PDT

Ferizaj.27.09.2017. Kuvendi i komunës së Ferizajt ka mbajtur sot seancën e radhës ku është miratuar buxheti i vitit të ardhshëm dhe peshon mbi 28 milionë e 720 mijë euro.

Mbledhjen e hapi kryesuesi i Kuvendit të Komunës Faruk Guri i cili në rendin e ditës propozoi edhe një pikë shtesë për përcaktimin e shumës së kompenzimit financiar për shoqatat e dala nga lufta.

Sqaroi se një vendim i marrë në këtë Kuvend në fund të muajit maj të vitit të kaluar nuk e përcaktonte edhe shumën e kompenzimit, prandaj ka nevojë që të plotësohet ky vendim edhe me shifrat e kompenzimit.

Kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa në fjalën e tij sqaroi se pas themelimit të kompanisë "Ambienti" këto shoqata kanë mbetur pa të ardhura prandaj komuna e ka parë të arsyeshme që të mbulojë shpenzimet e tyre financiare.

"Kemi qenë të gatshëm dhe jemi edhe tani që të kryejmë obligimet tona financiare në bazë të vendimit të marrë këtu në Kuvend. Do ta bëjmë edhe pagesën në mënyrë retroaktive nga koha e marrjes së vendimit por na duhet të pajtohemi për shumat që duhet t'i transferojmë në secilën shoqatë përmes xhirollogarive që duhet të na i sjellin. Përkushtimi ynë për kategoritë e dala nga lufta ka qenë gjithmonë në nivelin duhur dhe nuk e kemi asnjë pengesë që t'i përmbushim obligimet e tona institucionale" tha kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa me këtë rast.

Kuvendarët ferizajas sa i përket kësaj pike të rendit të ditës votuan njëzëri për plotësimin e këtij vendimi ku u përcaktua që Organizata e Veteranëve të luftë të gëzojë ndihmë prej 650 eurove në muaj, kurse shoqata e Familjeve të Dëshmorëve , shoqata e Invalidëve të luftës dhe shoqata e të burgosurve politikë të gëzojnë nga 450 euro në muaj.

Këto shuma u tha se janë përcaktuar në bazë të një marrëveshje që kanë nënshkruar përfaqësuesit e këtyre shoqatave me kryetarin e komunës së Ferizajt para pak muajsh, por është dashur që sit ë tilla të votohen edhe në Kuvend.

Një vëmendje të madhe gjatë kësaj mbledhjeje mori edhe buxheti i vitit të ardhshëm i cili ngjalli diskutime të frytshme në mes kuvendarëve ferizajas.

Fillimisht drejtoresha për Buxhet dhe Financa Lirie Syla tregoi se buxheti i vitit 2018 është për 2 milionë e 239 mijë euro më i madh se i ky i vitit 2017.

"Ky buxhet na garanton një stabilitet dhe qëndrueshmëri financiare . Planifikimet tona tregojnë se të gjitha hapat janë ndërmarrë në bazë të udhëzimeve e qarkoreve të lëshuara nga Ministria e Financave , ndërsa buxheti është një dokument përmbajtjesor i hartuar në bazë të nevojave që na kanë adresuar qytetarët nga lokalitetet e ndryshme" potencoi drejtoresha Syla.

Kuvendarët nga të gjitha grupet parlamentare e komentuan në mënyra të ndryshme buxhetin dhe përfshirjen e nevojave , ku theksuan se ka edhe projekte të rëndësishme që kanë mbetur për vitet e ardhshme. Ndërkaq në fund të mbledhjes i dhanë dritën e gjelbër buxhetit të vitit 2018 me 20 vota për dhe 8 kundër.

Gjatë kësaj mbledhjeje po ashtu u miratua edhe një kërkesë e një qytetari për shndërrimin e tokës së tij nga destinacioni bujqësor në atë ndërtimor.

Të shtunën në Ferizaj: ‘Kosovë is everywhere’

Posted: 27 Sep 2017 04:46 AM PDT

Ferizaj.27.09.2017.Me moton"Literaturë.Kosovë.Raki.Zvicër.Muzikë", mbahet të shtunën në Ferizaj (30 shtator, nga ora 19:00) në teatrin "Adriana", projekti kosovaro-zviceran i letërsisë "Kosovë is everywhere". Fjalë për skenë e jo për letër – ky është koncepti i performancës Kosovë është kudo, që realizohen nga Bern is überall nga Berni dhe Qendrës Multimedia nga Prishtina.

Ka shumë arsye përse këta artistë nga Bern ist überall po hyjnë në dialog me artistë nga Kosova. Por natyrisht, njëra nga arsyet është lidhja e pashkëputshme që ekziston mes Kosovës dhe Zvicrës. Kur zhdergjeni rrugëve të Prishtinës ju ndodhë kaq shpesh të dëgjoni kosovar që flasin gjermanishte të Zvicrës. Në Ferizaj takon plot shqipe që shumicën e kohës jetojnë në Renens apo Payerne. Por, fatkeqësisht, shkëmbimet letrare mes dy vendeve janë të lëna mbas dore. Ky projekt ka për qëllim të krijoj lidhje të qëndrushme letrare. Diçka të tipit A Long and Lasting Love.

Katërmbëdhjetë autorë nga Kosova dhe Zvicra dalin në skenë bashkërisht dhe prezantojnë letërsinë si një lloj performance. Ngjashëm me një orkestër kamertale, ata prezantojnë kompozime verbale; ata bëjnë vallëzime gjuhësore; rrëfejnë tregime të përditshme; recitojnë poezi të përdala; përsërisin dhe ndryshojnë lista fjalësh; ngërthehen në anekdota të shkurta bizare si dhe përcillen me kitarë, harmonikë, bas kitarë, perkusion e daulle.

Autorët e muzicientët pjesmarrës janë: Laurence Boissier, Blerina Rogova-Gaxha, Ervina Halili, Arben Idrizi, Dardan Islami, Antoine Jaccoud, Guy Krneta, Meral Kureyshi, Gerhard Meister, Pedro Lenz, Kujtim Paçaku, Shpëtim Selmani, Ariane von Graffenried dhe Milosh Zhivanoviq. Muzikë: Adi Blum (accordion), Art Lokaj (guitar), Michael Pfeuti (bass), Maru Rieben (percussion), Drin Tashi (drums).

Ky shkëmbim është mundësuar duke iu falenderuar Great Culture Prize nga Burgergemeinde Bern, të cilin Bern ist überall e ka fituar në vitin 2015, si dhe nga sponsor e partnerë si: granti Balkan i fondacionit kulturor Landis & Gyr, Pro Helvetia e Ambasada e Zvicrës në Kosovë.

Rektori Bajraktari pranon Mirënjohje nga Unioni i Studentëve të Kosovës

Posted: 27 Sep 2017 04:22 AM PDT

Ferizaj.27.09.2017. Unioni i Studentëve të Kosovës (USK), ka ndarë Mirënjohje për rektorin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, për kontributin e tij në fushën e arsimit të lartë, për edukimin e gjeneratave të reja, si dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj USK.

Rektori Bajraktari i falënderoi studentët e këtij Unioni për mirënjohjen, si dhe i përgëzoi ata për punën e deritanishme në funksion të realizimit të të drejtave të studentëve dhe si rrjedhojë edhe ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë.

"Jam shumë i lumtur dhe mjaft i emocionuar kur e shoh që jam i dashur për studentët. Sot me keni emocionuar pafund, sepse unë jetoj dhe punoj shumë që ju, studentë të dashur, të merrni nga dija ime dhe kjo të ju shërbejë në të ardhmen. Unë dhe UShAF jemi të gatshëm çdo herë që të ju mbështesim në çfarëdo kërkesë tuajën dhe të përkrahim vendimet e juaja për studentët tanë. A ka më mirë se të shohësh rininë duke ecur përpara", tha Rektori.

Ndërsa, kryetari i USK, z. Arben Mehmeti, falënderoi rektorin Bajraktari për punën e tij të palodhshme me studentët e UShAF dhe tha se falë tij, këta studentë do të jenë të aftë për tregun tonë të punës, i cili është i mangët për profesionistë të fushave të ndryshme.

"Jemi krenar që kemi njerëz të tillë dhe të privilegjuar që sot po ndajmë Mirënjohje për një njeri, i cili asnjëherë nuk është kursyer të ndihmojë USK dhe nga i cili patëm përkrahje të madhe për zhvillimin e Unionit", tha z. Mehmeti.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more