Skip to main content

“Akuzë kundër një 18-vjeçari për sulmin në Londër” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Akuzë kundër një 18-vjeçari për sulmin në Londër” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Akuzë kundër një 18-vjeçari për sulmin në Londër

Posted: 22 Sep 2017 09:40 AM PDT

Policia në Londër akuzoi një djalë 18 vjeç për vrasje në tentativë dhe për shkaktim të shpërthimit në metronë e qytetit, javën e kaluar. Policia tha se Ahmed Hassan është akuzuar formalisht për vendosjen e një pajisjeje të improvizuar, e cila ka shpërthyer pjesërisht në stacionin Parson Green, më 15 shtator. Hassan raportohet se është nga Iraku. Ai është arrestuar më 16 shtator derisa ka bërë përpjekje të marrë anijen dhe të ikë në Francë. Tridhjetë njerëz janë plagosur nga shpërthimi. Policia e ka përshkruar pajisjen improvizuese si bombë "shumë të rrezikshme". Edhe tre të dyshuar të tjerë për rastin mbeten në paraburgim.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ashpërsohet lufta e fjalëve midis Trumpit dhe Kimit

Posted: 22 Sep 2017 08:46 AM PDT

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tha se fjalimi i presidentit amerikan, Donald Trump, para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e ka bindur atë se ka të drejtë të zhvillojë armë bërthamore. Kim tha se Trump "do ta paguajë shtrenjtë", pasi ka deklaruar se SHBA do ta "shkatërrojë tërësisht" Korenë e Veriut, nëse ajo paraqet kërcënim për të ose aleatët. Trump u përgjigj, duke thënë se "njeriu i sëmurë do të tesohet si kurrë më parë". Dy vendet janë përfshirë në një retorikë edhe më të urryer në muajt e fundit. Kina ka reaguar ndaj luftës së fjalëve, duke paralajmëruar se "situata është e komplikuar dhe e ndjeshme". Rusia po ashtu ka bërë thirrje për përmbajtje. Koreja e Veriut, vetëm në shtator, ka testuar një bombë të dyshuar hidrogjeni dhe një raketë balistike me rreze të gjatë veprimi.  Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong-ho, i cili më herët e ka krahasuar fjalimin e Trumpit me "zhurmën e një qeni që leh", paralajmëroi se Phenjani mund të testojë një bombë hidrogjeni në Oqeanin Paqësor, në përgjigje të kërcënimit nga presidenti amerikan.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Dënohet gazetari i Radios Evropa e Lirë në Krime

Posted: 22 Sep 2017 08:04 AM PDT

Një gjykatë në Krime - rajonin ukrainas të pushtuar nga Rusia - shpalli fajtor gazetarin e Radios Evropa e Lirë, Mykola Semena, nën akuzën për separatizëm, dhe e dënoi atë me dy vjet e gjysmë burg me kusht. Shërbimi i Ukrainës i Radios Evropa e Lirë tha se Semena, 66 vjeç, është ndaluar po ashtu nga aktivitetet publike për tre vjet. Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Thomas Kent, e dënoi vendimin e gjykatës, duke e cilësuar si "pjesë të përpjekjeve të orkestruara të autoriteteve ruse në Krime për të heshtur zërat e pavarur". Avokati i Semenas, Aleksandr Popkov, tha se do ta apelojë vendimin. Akuza për separatizëm lidhet me një artikull që Semena ka shkruar për një ueb-faqe të Radios Evropa e Lirë në vitin 2015. Prokurori në Krime ka vlerësuar se artikulli ka bërë thirrje për shkeljen e integritetit terirtorial të Rusisë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mungesa e votave dështoi anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Posted: 22 Sep 2017 07:56 AM PDT

Problemet me ndërtimin e institucioneve të reja të Kosovës, pas zgjedhjeve të 11 qershorit, kanë pamundësuar plotësimin e kushteve që vendi tash për tash të anëtarësohet në organizatën ndërkombëtare policore INTERPOL, thonë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Kjo edhe ka qenë arsyeja, sipas tyre që kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, "të shtyjë votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në INTERPOL për takimin e ardhshëm të kësaj organizate". Takimi i Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it që do të zhvillohet në Pekin të Kinës, nga data 26 deri më 29 shtator 2017. Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se tërheqja nga kërkesa që në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, të votohet anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë, është bërë për shkak se nuk është siguruar numri i mjaftueshëm i votave të vendeve që janë pjesë e kësaj organizate. "INTERPOL-i është një organizatë që merret me terrorizmin dhe krimin ndërkombëtar. Prandaj, shumë shtete e përkrahin Kosovën në këtë hap, por nuk janë plotësuar kushtet që Kosova të votohet me një shumicë. Prandaj, kryeministri ka marrë vendim që kjo të shtyhet për mbledhjen e radhës së kësaj organizate. Por, natyrisht, kjo ka ardhur edhe si rezultat i konsultave me aleatët strategjik të Kosovës", thotë Matoshi. Por, vendimin e kryeministrit Haradinaj, ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, nga mandati i kaluar, Valdet Hoxha, e ka vlerësuar si të ngutshëm. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai ka theksuar se Kosova, pas aplikimit për anëtarësim në INTERPOL, kishte bërë veprime aktive në drejtim të përmbushjes së kritereve teknike, por edhe në aspektin e lotimit, si dhe amortizimit të kundër-lobimit të Serbisë, e cila mbështetej nga Rusia për të penguar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. "Por, tani kemi situatën tjetër, të tërheqjes së aplikimit, nga Qeveria aktuale, për të cilën unë besoj që është një hap i ngutshëm dhe është një indikator i keq se si një Qeveri e fillon punën duke u tërhequr, e jo duke i realizuar premtimet të cilat ka ardhur në pushtet", tha Hoxha. Megjithatë, Matoshi thekson se është humbur shumë kohë deri sa janë krijuar institucionet e reja, Kuvendi dhe Qeveria. Për pasojë, sipas tij, është humbur mundësia e shfrytëzimit të kohës për të lobuar tek vendete ndryshme, për të krijuar klimë krejtësisht të favorshme për pranimin e Kosovës në INTERPOL. "Në këtë periudhë kohore, pak ka pasur mundësi që të kontaktohen aleatët dhe shtetet, të cilat, praktikisht, nuk kanë qëndrim armiqësor, por që institucionet e Kosovës nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme që t'i kontaktojnë dhe të shohin se çfarë mund të arrihet për kandidaturën e Kosovës për INTERPOL". Por, Hoxha thekson se për Qeveria e kaluar pati potencuar faktin se situata për pranimin e Kosovës në INTERPOL mund të arrinte në pikën që tashmë edhe është. "Nëse kemi parasysh deklaratat e ish-kryeministrit Mustafa, në kohën kur kërkohej mocioni ndaj Qeverisë Mustafa, ishte pikërisht kjo, që një ndërprerje e hapave të sigurt dhe të mirë që po zhvilloheshin nga Qeveria Mustafa, do t'i bënte dëm, jo Lidhjes Demokratike, që e udhëhiqte Qeverinë, por do t'i bënte dëm proceseve nëpër të cilat po kalon vendi. Një nga këto temat e mëdha ishte edhe procesi i anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL", thekson Hoxha. Megjithëkëtë, Hoxha ka pranuar se edhe në ekipin ndërministror, në Qeverinë e kaluar, i cili ishte marrë me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, ka mundur të ketë edhe mospajtime dhe mungesë të bashkëpunimit, siç e quan ai, ideal. Por, sipas tij, megjithatë, ka pasur rrjedhë normale të punë, në plotësimin e kritereve teknike. Ndryshe, gjatë ditës së enjte, ministrja e Drejtësisë e Qeverisë së Serbisë, Nela Kuburoviq, ka deklaruar se Serbia, përmes rrugëve diplomatike, do të ndërmarrë të gjitha masat që Kosova edhe kësaj here të mos bëhet anëtare e INTERPOL-it. Ajo ka thënë se Qeveria e Serbisë do të bëjë gjithçka është e mundur që anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL të mos ndodhë edhe në të ardhmen. Qeveria e Kosovës, ka theksuar se Republika e Kosovës është e gatshme që të marrë përgjegjësitë e plota si anëtare e INTERPOL-it dhe i ka ftuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë, që deri në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, të punojnë së bashku me Kosovën, që ajo të votohet për tu bërë anëtare e kësaj organizate.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Thaçi: Për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë do të dëgjohet vullneti i popullit

Posted: 22 Sep 2017 07:31 AM PDT

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbyllin kapitullin e armiqësive me një marrëveshje për normalizimin e raporteve reciproke. Ai ka mbrojtur idenë e tij që marrëveshja përfundimtare me Serbinë t'i nënshtrohet edhe referendumit. "Mendoj se përtej bartësve të institucioneve, përtej Qeverisë, përtej Kuvendit, duhet që kësaj radhe këtë marrëveshje ta përcjellim te vet sovrani përmes vullnetit të tij, pra populli i Kosovës. Dhe kjo mundësi duhet të ofrohet", ka deklaruar Thaçi. Ai aktualisht po qëndron në Nju Jork, ku po zhvillon takime me përfaqësues ndërkombëtar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka thënë se edhe Kosova shumë shpejt do të ketë vendin e vet në këtë organizatë. Radio Evropa e Lirë: Zoti President, po qëndroni në Nju Jork ku po i zhvillon punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Por, Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe se i gjithë aktiviteti i juaj zhvillohet në margjinat e kësaj Asambleje. Atje, jeni takuar edhe me Shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Andaj, si e shihni ju vazhdimin e dialogut me Serbinë në kohën kur tash Kosova i ka më në fund të formuara edhe institucionet e reja? Hashim Thaçi: Definitivisht dialogu në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, konkretisht të zonjës (Federica) Mogherini dhe mbështetjen e fuqishme dhe të drejtpërdrejtë edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të marrë një dinamikë të re në agjendën e re për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, që do të nënkuptonte normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore, dhe pajtimin në mes të popujve tanë. Edhe këtu në Nju Jork, nën organizimin e zonjës Mogherini e kemi zhvilluar një takim me presidentin e Serbisë, (Aleksandar) Vuçiq, me të cilin diskutuam për formën, mënyrën dhe mundësitë e vazhdimit të dialogut për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, që do të nënkuptonte perspektivë të sigurt euroatlantike për Kosovën, që të jemi pjesë edhe e OKB-së, edhe të përshpejtohet procesi edhe për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian, dhe natyrisht në kuadër të kësaj edhe perspektiva evropiane edhe e Serbisë. Ka mbetur që të ketë takime edhe më të shpeshta dhe të ketë ide konkrete, të cilat do të rezultojnë me një marrëveshje të pranueshme për të dyja vendet dhe që të mund të kuptohet, interpretohet dhe të jetë realitet i fitores për Kosovën, për Serbinë dhe investimet e bashkësisë ndërkombëtare. Radio Evropa e Lirë: Keni përmendur referendumin në lidhje me rezultatet e këtij dialogu. Çfarë keni menduar me këtë referendum pasi që në Prishtinë ka rezerva rreth kësaj ideje? Hashim Thaçi: Tash ne jetojmë në botën e demokracisë, pluralizmit politik dhe për çdo ide ka komente, ka opinione, ka vlerësime të ndryshme, të cilat unë si president i vendit, por edhe më herët, i vlerësoj lartë. Mendoj se njerëzit ende nuk janë mësuar se në Kosovë mund të organizohet referendum, por diçka e tillë do të mund të organizohet në një koordinim të plotë të institucioneve të vendit, duke respektuar mekanizmat kushtetues dhe ligjorë me një unitet të spektrit politik, të shoqërisë civile, të mediave dhe të gjithë njerëzve në Kosovë. Marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të jetë marrëveshje historike, pas një problemi dhe konflikti për më tepër se një shekulli, në mes të vendeve dhe popujve tanë. Prandaj, mendoj se kjo marrëveshje përfundimtare nuk duhet të mbetet peng i problemeve ditore politike, apo fushatave partiake politike, apo e një adrese të caktuar politike. Duhet të vihet mbi interesat e çdo partie, ideologjie, apo personaliteti në kuptimin e opinionit për këtë marrëveshje. Mendoj se përtej bartësve të institucioneve, përtej Qeverisë, përtej Kuvendit edhe pse aty janë përfaqësuesit (e popullit) në Kuvend, duhet që kësaj radhe këtë marrëveshje ta përcjellim te vet sovrani përmes vullnetit të tij, pra populli i Kosovës. Dhe kjo mundësi duhet të ofrohet. Radio Evropa e Lirë: Po ashtu, Kosova nuk ka as Ligj për referendum, a nënkupton kjo se do të iniciohet ndërkohë një ligj i tillë? Hashim Thaçi: Paraprakisht dëshiroj të theksoj se duhet të fillojë dialogu, pastaj të shohim gjatë procesit se si do të rrjedhin gjërat, dhe në rast të arritjes së marrëveshjes do të iniciohet nxjerrja e ligjit për referendum, për çështje të veçantë konkrete. Radio Evropa e Lirë: Zoti president, në çka konsiston edhe ideja e juaj për formimin e një ekipi të unitetit për bisedimet me Serbinë. Mendoni se mund ta përfshini edhe opozitën në këtë ekip? Hashim Thaçi: Pra institucionalisht, ne si spektër politik kosovar çdo herë që kemi punuar dhe vepruar bashkërisht, kemi shënuar progres, kemi shënuar sukses, dhe ai sukses edhe është rezultuar në terren dhe ka rezultuar në të mirën e njerëzve të Kosovës. Kështu ka qenë edhe në Rambuje, kështu ka qenë edhe në procesin e Vjenës, dhe mendoj që tash pasi jemi në një fazë të rëndësishme të marrëveshjes historike me Serbinë, mendoj që do të ishte në interes që përsëri, bartësit e institucioneve, gjithë spektri politik i interesuar të participojë, gjithashtu shoqëria civile, personalitetet me ndikim në opinionin publik, mediat, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, të bëhemi të gjithë së bashku dhe të punojmë bashkërisht për përmbylljen e këtij procesi, që do të nënkuptonte anëtarësimin e Kosovës edhe në OKB edhe në mekanizma të tjerë euroatlantikë. Prandaj, mendoj që të gjithë janë të interesuar që këto çështje të lëvizin më shpejt, më mirë dhe bashkërisht të mund të organizojmë definitivisht këto objektiva që janë jetike dhe historike për vendin tonë. Radio Evropa e Lirë: Së fundit, Qeveria e Kosovës ka tërhequr kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, a ishte ky reflektim i mungesës së mbështetjes ndërkombëtare? Hashim Thaçi: Unë nuk kam ndonjë informatë apo raport zyrtar rreth aplikimit por edhe rreth tërheqjes eventuale për çka flisni ju. Do të informohem në detaje dhe më pas do të jap opinionin tim zyrtar. Por ajo që mund të them është se Kosova do të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë dhe është rrugë e pandalshme. Por, për gjithçka do të duhet të ketë një analizë të qartë dhe të ketë një përgjegjësi të lartë shtetërore edhe në rast të aplikimit dhe angazhimeve, por edhe në përpjekjet tona finalizuese për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë. Kosova meriton të jetë pjesë edhe e INTERPOL-it dhe e mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë dhe kjo gjë do të ndodhë. Radio Evropa e Lirë: Gjatë vizitës suaj në Nju Jork, sa keni arritur t'i takoni përfaqësuesit e shteteve dhe sa po arrini të afirmoni çështjen e njohjeve të reja, të domosdoshme edhe për t'i siguruar Kosovës një vend në OKB? Hashim Thaçi: Kosova definitivisht do të jetë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në një proces që duhet të punojmë edhe më tutje. Për fat të keq ende Rusia e mban pozicionin e vet në raport me Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Por, pjesëmarrja jonë në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, është mundësi e mirë që të bisedojmë me shtete që e kanë njohur Kosovën, për t'i falënderuar dhe të ruajnë vëmendjen për Kosovën. Po ashtu të diskutojmë me shtete që janë në proces të njohjes, që ta përshpejtojnë procesin e njohjes, por edhe me vendet hezituese me vendet refuzuese, për t'i sqaruar domosdoshmërinë në të mirën e njohjes së pavarësisë së Kosovës. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Morgan Freeman mund të jetë cak i propagandës ruse!

Posted: 22 Sep 2017 06:09 AM PDT

Një këshilltar i lartë i NATO-s mbi propagandën e Rusisë në internet dhe fushatën e dezinformimit tha se aktori amerikan, Morgan Freeman, duket se është vënë në shënjestër të "sulmeve të koordinuara të Kremlinit në mediat sociale". Kjo, pasi Freeman është shfaqur në një video online, në të cilën thotë se Rusia ka "sulmuar" SHBA-në vitin e kaluar dhe kritikon presidentin rus, Vladimir Putin. "Putin, si spiun i vërtetë i KGB-së, i shfrytëzon fshehurazi sulmet kibernetike për të goditur demokracitë në gjithë botën. Duke i përdorur mediat sociale për të përhapur propagandë dhe informacione të rreme, ai i bind njerëzit në shoqëritë demokratike që të mos iu besojnë mediave të tyre, proceseve të tyre politike e as fqinjëve. Dhe, ai fiton", thotë Freeman në këtë video. Rolf Fredheim, analist i të dhënave në Qendrën për Komunikime Strategjike të NATO-s në Riga, tha se sulmet online kundër Freemanit janë një "model klasik" i fushatave anti-NATO të Rusisë, të cilat synojnë të manipulojnë opinionin publik në Perëndim dhe të ndikojnë debatin publik. Qendra për Komunikime Strategjike është institut i akredituar nga NATO që përqendrohet në propaganda, fushata të dezinformimit dhe aktivitete të tjera armiqësore në radio, televizion dhe media sociale. Freidheim, duke folur për Radion Evropa e Lirë, nuk mundi të konfirmojë se sulmet kundër Freemanit në Twitter, YouTube dhe media të tjera sociale janë të koordinuara direkt nga Kremlini. Por, ai tha se koha dhe ngjashmëria me sulme të mëparshme sugjerojnë se mund të ketë lidhje. "Duket e koordinuar, sepse mesazhi i njëjtë qarkullon në disa platforma", tha Fredheim. "Është më shumë se një adoleshent në bodrum. Mund të jenë disa. Por, po ashtu mund të jetë diçka edhe më e sofistikuar", shtoi ai. "E dimë se ka organizata, lloje të kompanive për menaxhimin e marrëdhënieve me publikun e të tjera, që duket se përmbushin një gamë të gjerë shërbimesh për shumë klientë, përfshirë organizata të lidhura me Kremlinin", tha tutje Fredheim. Në videon që është lëshuar më 19 shtator nga Komiteti për Hetimin e Rusisë, organizatë jofitimprurëse në SHBA, aktori Morgan Freeman po ashtu bën thirrje për të hetuar ndërhyrjen e dyshuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016. Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, tha se Kremlini nuk e merr seriozisht videon e Freemanit dhe nuk e konsideron atë si kërcënuese. Ai bëri edhe sulme personale mbi aktorin, duke e quajtur "viktimë të tensionit emocional". Peskov po ashtu tha se Freeman vuan nga "një lloj i McCarthy-zmit" – referencë kjo për një fushatë të frikës në vitet 1950 nga senatori amerikan, Joe McCarthy, në lidhje me ndikimin e agjentëve komunistë në institucionet amerikane. Shumë shpejt pas kritikave të Peskovit, në YouTube dhe Twitter filluan të shfaqen video me qindra komente, duke përqeshur Freemanin dhe duke e cilësuar si celebrit të çuditshëm dhe të painformuar të Hollywood-it, i cili vuan nga McCarthy-zmi.  Twitter-i i Komitetit për Hetimin e Rusisë u përfshi po ashtu me postime pro Kremlinit dhe kundër Freemanit. Fredheim, nga Qendra për Komunikime Strategjike e NATO-s, tha se fenomeni u ngjan përpjekjeve të koordinuara të kompanive në internet, të cilat kanë lidhje me Kremlinin, ndërsa mesazhet dhe veprimet i përqendrojnë te caqet e identifikuara si anti-Kremlin. Fredheim tha se fushatat e tilla të bashkërenduara në mediat sociale mund të kenë qëllime dhe efekte të shumëfishta. Sipas tij, ata që përfshihen në një përgjigje të koordinuar mund të përpiqen të "maskojnë mesazhin e dikujt tjetër" ose të manipulojnë diskursin publik. Përgatiti: Valona Tela 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Nis monitorimi i zgjedhjeve lokale në Maqedoni

Posted: 22 Sep 2017 05:58 AM PDT

Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale në Maqedoni fillon më 25 shtator, megjithëse organizatat joqeveritare të cilat monitorojnë procesin zgjedhor thonë se ajo tashmë ka filluar dhe me këtë, sipas tyre, partitë kanë shkelur afatet ligjore. Sfidë ne vete mbetet krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe eliminimi i të gjitha anomalive që përcollën proceset zgjedhore në të kaluarën. Shefja e misionit të OSBE/ODIHR-së në Maqedoni ambasadorja Audry Glover, sa i përket mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, thotë se ekziston një kornizë ligjore gjithëpërfshirëse e cila duhet respektohet, por si do të jenë zgjedhjet, sipas ambasadores Glover varet se a do ta respektojnë këtë proces pjesëmarrësit në zgjedhje, njerëzit, autoritetet, komunat dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. "ODIHR kishte vërejtjet e veta në të kaluarën, të cilat kanë të bëjnë me tërë procedurën e zgjedhjeve. Kjo është ajo që ne mbulojmë dhe gjithsesi tani do të shohim se deri në cilën shkallë këto vërejtje janë jetësuar në pajtim me kriteret e Kopenhagës të OSBE-së. Kjo është ajo që do ta ndjekim", i tha Radios Evropa e Lirë shefja e misionit të OSBE/ODIHR-së në Maqedoni, ambasadorja Audry Glover. Ajo njëherësh thotë se misioni i OSBE/ODIHR do të jetë i fokusuar se si partitë politike do ta zbatojnë kornizën ligjore, që të ketë zgjedhje korrekte. "Nuk mund të krahasohen një palë zgjedhje me zgjedhjet e tjera. Secilat zgjedhje janë të veçanta në mënyrën e vet. Do të shohim se deri në ç'shkallë janë zbatuar vërejtjet e mëparshme dhe do ta ndjekim tërë procesin zgjedhor, duke filluar nga regjistrimi i votuesve, regjistrimi i kandidatëve, dita e zgjedhjeve, dita më pas dhe do të mbarojmë kur do të shqyrtohen të gjitha ankesat. Prandaj, në këtë fazë nuk mund të thuhet se si do të sillet ndonjë parti politike ose si do të reagojë", thotë ambasadorja Glover. Në këtë drejtim, Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë për Radion Evropa e Lirë thotë se pavarësisht se gara mes partive politike do të jetë e ashpër, megjithatë sipas tij, nuk do të ketë shumë hapësirë për keqpërdorim të votave, për shkak të presionit të madh të bërë nga faktori ndërkombëtar. "Mendoj se në këto zgjedhje të gjitha palë që garojnë në zgjedhjet vendore do të ruhen më shumë sa i përket keqpërdorimeve dhe manipulimit të procesit zgjedhor.Në krahasim me ciklet e kaluara zgjedhore, keqpërdorimet do të jenë ose më të vogla ose shumë më të sofistikuara", thotë Musliu. Përderisa, Xhabir Deralla drejtori i Qendrës Civile për Liri - Civil, thotë se ende pa filluar fushata zgjedhore, monitoruesit e kësaj organizate kanë vërejtur një varg parregullsish që kanë të bëjnë me mospastrimin e listës së votuesve, fillimit të fushatës para datës së caktuar, si dhe tendencat për nxitjes së tensioneve. "Para së gjithash imponohet frika përmes gjuhës së urrejtjes për të nxitur tensione ndëretnike, ndërfetare. Së fundmi e kemi dhe nxitjen e frikës me çështjen e imponuar të migrantëve". "Gjithsesi mbetet shumë punë sa i përket ndarjes së partisë nga shteti", thotë drejtori i Qendrës Civile për Liri – Civil Xhabir Deralla. Ndryshe, misioni i OSBE/ODIHR do të mbikëqyrë zgjedhjet me 20 vëzhgues afatgjatë, të cilët tanimë kanë arritur në Shkup dhe 16 prej të cilëve janë ekspertë. Ndërkohë, që pak para zgjedhjeve pritet të arrijnë edhe 300 vëzhguesafatshkurtër. Asociacioni MOST do të mbikëqyrë procesin me 80 vëzhgues afatgjatë dhe me 2000 vëzhgues afatshkurtër në ditën e zgjedhjeve, që do të vendoset në secilën komunë. Procesi do të vëzhgohet edhe nga Civil me 106 vëzhgues të akredituar, por Civil shpreson edhe në mbështetjen e disa qindra bashkëpunëtorëve, të cilët, siç thonë nga kjo organizatë, kanë ndjekur nga afër situatën për vite me radhë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shtohet numri i policëve në Katalonjë

Posted: 22 Sep 2017 05:47 AM PDT

Ministri i brendshëm i Spanjës tha se do të dërgojë më shumë policë në Katalonjë, për të mbajtur rend dhe për t'u përkujdesur që referendumi për pavarësi mos të ndodhë. Katalonja do të votojë më 1 tetor për t'u ndarë nga Spanja. Katalonja ka policinë e vet të ashtuquajtur "Mossos d'Esquadra", edhe pse policia shtetërore e Spanjës ka qendra në rajonin katalonjas dhe punon bashkë me ta. Ministri i brendshëm nuk ka treguar për numrin e policëve që do të dërgohen atje, por mediat spanjolle thonë se 3000 deri në 4000 trupa policore kanë arritur apo janë duke shkuar në Katalonjë. Policët do t'iu bashkohen 5000 policëve tashmë të vendosur në Katalonjë dhe më shumë se 17000 policëve Mossos të Katalonjës. "Policët do të mbikqyrin hapësirat publike dhe do të mbajnë rregull, ata do veprojnë në rast se ndonjë referendum ilegal mbahet në vend", ka thënë ministri i brendshëm. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kremlini mohon reklamat në Facebook gjatë fushatës presidenciale në SHBA

Posted: 22 Sep 2017 05:20 AM PDT

Kremlini ka mohuar implikimin e Rusisë në reklama në rrjetin social Facebook, që ishin postuar gjatë zgjedhjeve presidenciale të Shteteve të Bashkuar, në vitin 2016. "Ne nuk dijmë se kush i vendos reklamat në Facebook the pse", ka thënë zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, Dmitry Peskov. "Kurrë skemi bërë një gjë të tillë dhe Rusia nuk ka të bëjë asgjë me këto reklama", tha Peskov. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i ka quajtur raportimet lidhur me reklamat ruse " shaka", ku ka shkruar në Twitter se " Shakatë e Rusisë vazhdojnë, tani me reklama në Facebook". Zyrtarët e rrejtit social Facebook, thonë se planifikojnë të dorëzojnë tek hetuesit e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, 3000 reklama që kanë lidhje me Rusinë, të cilat qarkulluan disa muaj para dhe pas zgjedhjeve në SHBA.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Seancë dëgjimore për Saakashvillin

Posted: 22 Sep 2017 04:48 AM PDT

Me kthimin e Mikheil Saakashvillit, një gjykatë në Ukrainë ka vazhduar seancën dëgjimore kundër tij. Ish-presidenti Gjeorgjian dhe guvernatori rajonal i Ukrainës, nuk ishte i pranishëm në gjykatë në veri të Ukrainës, në qytetin e Lviv-it. I privuar nga nënshtetësia ukrainase, Saakashvili sfidoi autoritetet, i ndihmuar nga qindra përkrahës, ai kaloi në Ukrainë, përmes Polonisë. Prokurorët e lartë të shtetit thanë se Saakashvili nuk do të arrestohet apo ekstradohet në Gjeorgji, ku ai kërkohet nën akuzat për korrupsion në kohën sa shërbeu si President i vendit, në vitet 2004 -2013. Me reputacionin për luftën kundër korrupsionit, Saakashvili ishte privuar nga nënshtetësia gjeorgjiane në vitin 2015, ku ai mori nënshtetësinë ukrainase për tu bërë guvernator i rajonit të Odesas. Ai dha dorëheqje nga posti i guvernatorit në vitin 2016, nën ankesën se qeveria e Poroshenkos po i ndalonte përpjekjet e tij për të luftuar korrupsionin.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vriten në Turqi aktivisti opozitar sirian dhe vajza e tij gazetare

Posted: 22 Sep 2017 04:17 AM PDT

Aktivisti sirian në Turqi, dhe vajza e tij gazetare janë gjetur të vdekur nga goditjet me thikë, në apartamentin e tyre në pjesën aziatike të Stambollit. Agjencia e lajmeve shtetërore, Anadolu, ka raportuar se trupat e 60 vjeçarit, Arouba Barakat, dhe vajzës së tij 22 vjeçare, Hala Barakat, janë gjetur dje pasdite, pasi që kolegët kishin lajmëruar se gazetarja nuk është paraqitur në punë. Një medie tjetër turke, raporton se Aurouba Bakarat po hulumtonte torturat në një burg, të udhëhequr nga qeveria siriane. Aktivistët sirianë të opozitës, thanë se Arouoba Barakat ishte anëtar i Këshillit Kombëtar të Sirisë, një grup opozitar me bazë në Stamboll, që kundërshtojnë qeverinë e presidentit sirian, Bashar al- Assad. Nacionalistët kurd të Sirisë, kanë akuzuar Këshillin Kombëtarë Sirian se është nën ndikimin e madh të Turqisë. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Gjermania mbron BE-në

Posted: 22 Sep 2017 03:07 AM PDT

Nëse sondazhet dalin të sakta, Angela Merkel do të jetë edhe katër vjet të tjerë në krye të Gjermanisë. Ekonomia në këtë vend është e fortë, besimi është i lartë, ndërsa rivali kryesor i Merkelit, Martin Schulz, nuk ka arritur t'i japë ndonjë goditje që do ta dëmtonte.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shpërthen dhuna gjatë një fjalimi të Erdoganit në Nju Jork

Posted: 22 Sep 2017 02:27 AM PDT

Gjatë një fjalimi që president turk, Recep Tayyip Erdogan ka mbajtur në Nju Jork, ka shpërthyer dhuna. Protestuesit kanë filluar të përleshen dhe ata janë larguar me forcë nga ngjarja që është zhvilluar në një hotel më 21 shtator. Kjo ngjarje vjen pas një incidenti në muajin maj, ku anëtarët e sigurimit të Erdoganit kishin sulmuar protestuesit paqësor, të cilët gjendeshin jashtë rezidencës së ambasadorit turk në Uashington. (Video: VOA)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

200 milionë dollarë për refugjatët Rohingya në Bangladesh

Posted: 22 Sep 2017 02:22 AM PDT

Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se do të duhen rreth 200 milionë dollarë për të ndihmuar refugjatët myslimanë, Rohingya, të cilët kanë ikur nga Mianmari për në Bangladesh. Bangladeshi dhe organizatat humanitare po bëjnë përpjekje të ndihmojnë 422 mijë Rohingya që kanë arritur në Bangladesh, që kur militantët Rohingya kishin marrë ofenzivë në Mianmar. Bangladeshi tashmë po strehonte rreth 400 mijë Rohingya që kishin ikur nga dhuna dhe persekutimi në Mianmarin me shumicë budiste. Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për ndihma financiare prej 78 milionë dollarësh por numri i refugjatëve në këtë vend po vazhdon të rritet. "Tani për tani, po shqyrtojmë shumën prej 200 milion dollarësh" ka thënë Robert Watkins, koordinator i Kombeve të Bashkuara në Bangladesh. Mianmari vazhdimisht ka hedhur poshtë akuzat për spastrim etnik ndaj pakicës myslimane Rohingya.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rohani: Irani do të zgjerojë programin raketor

Posted: 22 Sep 2017 01:41 AM PDT

Presidenti iranian, Hassan Rohani, ka thënë se Tehrani do të vazhdojë programin raketor dhe do të rrisë kapacitetet ushtarake, pavarësishtë kërkesës së presidentit amerikan, Donald Trump, për të ndaluar, siç i quajti ai " raketat e rrezikshme". "Ne do të rrisim fuqinë tonë ushtarake. Do të fuqizojmë kapacitetet tona raketore", ka thënë Rohani, gjatë nja parade ushtarake në Tehran. "Nuk do të marrim leje nga asnjë shtet, që të mbrojmë vendin tonë", ka thënë Rohan. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump , në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kishte akuzuar Iranin se po mbështeste terroristët dhe duke thënë se qeveria e Tehranit është "diktaturë e korruptuar". Rohani i ishte përgjigjur fjalimit të Trump-it, duke e quajtur atë " injorant, të pakuptimtë dhe fjalim që nxitë urrejtje. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Grayling: Britania do t’i përmbushë obligimet financiare ndaj BE-së

Posted: 22 Sep 2017 01:21 AM PDT

Britania do t'i përmbushë obligimet financiare ndaj Bashkimi Evropian, ka thënë Ministri i Transportit, Chris Grayling. Këto deklarata ministri i ka bërë në lidhje me fjalimin që do të mbajë Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, në Itali, ku do të diskutohet se di do të vazhdojnë bisedimet rreth Brexitit. I pyetur nga gazetarët nëse Britania do t'i përmbushë obligimet financiare ndaj BE-së, Grayling, ka thënë se "Ne jemi komb që i përmbushim obligimet, e kuptojmë që Britania ka obligime". May, pasi kishte humbur shumicën e votave më Partinë e saj Konzervatore, po shpreson të vazhdojë me bisedimet me Bashkimin Evropian. "Takimi nuk ka të bëjë me qëllimet specifike se ku mund të përfundojmë... May, po vendosë principe të marrëdhënieve në mes të Britanisë dhe BE-së për të ardhmen, ajo do të flasë se si do të vazhdojnë tutje negociatat" ka thënë Grayling.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Katër migrantë të vdekur në brigjet e detit Marmara

Posted: 22 Sep 2017 12:48 AM PDT

Katër persona kanë humbur jetën në një anije peshkimi që u fundos në bregdetin Turk, në detin Marmara, thuhet në njoftimin e rojeve të bregdetit. Anija është fundosur në provincën veriperëndimore të Kocaelit, vetëm pak kohë pasi personat në anije kishin kërkuar ndihmë. Në njoftim thuhet se 38 migrantë janë shpëtuar. Ende nuk është bërë e ditur origjina dhe destinacioni i migrantëve.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ende nuk është përmbyllur fiskalizimi i pikave të karburanteve

Posted: 22 Sep 2017 12:41 AM PDT

Në Kosovë ende nuk ka përfunduar procesi i montimit të pajisjeve specifike fiskale në aparatet e pikave të shitjes nëpër pikat e karburanteve, proces ky që ka filluar në vitin 2014. Këtë informacion e konfirmojnë vet zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK). Sipas të dhënave të ATK-së, janë 349 biznese që merren me shitjen e derivateve të naftës, me 559 njësi në gjithë territorin e Kosovës. Por, numri i bizneseve të fiskalizuara me sisteme fiskale është 262, kurse 560 aparate janë pajisur me arka të veçanta fiskale, thotë Valentin Bytyqi-Sefa, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës. Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se nga "ky numër, të gjithë operatorët e mëdhenj janë fiskalizuar, kurse një numër tjetër kanë paguar pajiset dhe janë në pritje për instalim. Ndërkaq, ato të cilat nuk kanë bërë pagesën, ATK-ja ka marrë masa ligjore për mbylljen e tyre deri tekfinalizimi final". Por, ndryshe nga të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës, Shoqata  e Naftëtarëve vlerëson se në Kosovë veprojnë mbi 700 operatorë të naftës. Kryetari i kësaj shoqate Fadil Berjani tha për Radion Evropa e Lirë se nga koha e uljes së çmimit të pajisjeve, pa u fiskalizuar kanë mbetur vetëm pikat e karburanteve që operojnë në vise rurale dhe që kanë qarkullim të ulët financiar. "Nuk ka arsye, që asnjë pikë e karburantit të mos fiskalizohet. Sepse ne të gjithë e kemi pranuar këtë proces. Çmimi është ulur në rreth 4.000 euro, që konsiderohet i arsyeshëm".  "Sa i përket 10 për qind të pikave të shitjes që kanë mbetur të pafiskalizuara, janë ato që nuk e kanë qarkullimin mjaftueshëm që mund t'i nënshtrohen këtij procesi. Kemi pika karburanti në vendet rurale, ku qarkullimi është shumë i dobët dhe ndoshta mendojnë të largohen nga kjo veprimtari", tha Berjani.  Pikat e karburanteve të naftës edhe në vitin 2010 ishin pajisur me arka fiskale, por autoritetet kompetente kishin kërkuar që të pajisen edhe me arka tjera speciale fiskale, që duhet të montohet në çdo dispanser (aparat ku shitet qoftë nafta, qoftë benzina). Ndryshe, udhëheqës të Shoqatës së Operatorëve të Licencuar për Pajisje Elektronike Fiskale, thonë se janë të gatshëm për t'i pajisur pikat e karburantëve me sisteme fiskale. Kestrin Kumnova, përfaqësues i Shoqatës së Operatorëve të Licencuar për Pajisje Fiskale, thotë për Radion Evropa e Lire se mospërfundimi i këtij procesi po ndodh për shkak të neglizhencës se ATK-së. "Çmimet e pajisjeve të aparateve fiskale janë më të lirat në rajon me vetëm 3400 euro. Mirëpo, dinamika e ATK-së nuk është e shpejtë dhe ende shumë pika të karburanteve të naftës kanë mbetur të pafiskalizuara". "Shqetësuese po ashtu mbetet edhe mosfiskalizimi i kompanive të taksive që kanë rreth gjashtë milionë euro qarkullim vjetor si dhe i kompanive të sigurimeve", ka thotë Kumnova. Ndryshe, nëpërmjet këtij projekti, Administrata Tatimore e Kosovës pritet të ketë një kontroll më të madh të parave në qarkullim, pasi potenciali i këtij sistemi është që të regjistrojë të gjitha hyrjet dhe daljet në çdo pikë të shitjes. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

OKB: Ndihmë Irakut për të gjetur prova të krimeve të luftës nga IS-i

Posted: 21 Sep 2017 11:43 PM PDT

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ka aprovuar një rezolutë që i udhëzon hetuesit e OKB-së, të ndihmojë Irakun që të grumbullojë prova, për të nxjerrë prova të krimeve të luftës kundër grupit militant Shteti Islamik. Këshilli ka votuar unanimisht për të krijuar një grup hulumtuesish, që do ndihmojnë Irakun në provat "që mund të numërohen si krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid", të kryera nga grupi ekstremist, Shteti Islamik. "Është një moment historik për të gjithë ata që kanë luftuar për drejtësi, për viktimat e krimit të kryera nga IS-i", ka thënë avokatja e të drejtave të njeriut, Amal Clooney. Ministri i Jashtëm i Irakut, Ibrahim al -Jaafari, e quajti këtë rezolutë " fitore të drejtësisë, të njerëzimit dhe fitore të viktimave". Grupi ekstremist, Shteti Islamik, ka pushtuar pjesë të Irakut në vitin 2014, dhe ka shpallur kalifatin e saj nën ligjet e islamit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Gjeneralët nga SHBA-ja dhe Rusia takohen për herë të parë ballë për ballë

Posted: 21 Sep 2017 11:03 PM PDT

Gjeneralët nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë takuar për herë të parë, ballë për ballë, në përpjekje për t'iu shmangur përleshjeve, derisa të dyja palët po luftojnë të rimarrin territorin e Shtetit Islamik, në Siri, ka njoftuar Pentagoni. Zëdhënësi i koalicionit të mbështetur nga SHBA-ja në Bagdad, Koloneli Ryan Dillon, ka thënë në një takim informues të Pentagonit se " Ata kanë diskutuar ballë për ballë, me gjeneralët rus me harta dhe grafika para vetes", tha Dillon. SHBA-ja dhe Rusia janë koordinuar përmes telefonave, në mënyrë që t'iu shmangen sulmeve të njëra tjetrës, tha Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis. Ai u shpreh se nuk eshtë i brengosur, "Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë me Rusinë. Do e zgjidhim këtë problem", tha Mattis. Pentagoni njoftoi për këtë takim, pasi që Rusia, kishte kërcënuar SHBA-në se do të hakmerrej nëse focat ushtarake qeveritare në Rusi sulmohen nga forcat e mbështetura nga SHBA-ja.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more