Skip to main content

Tirana Observer: “FOTO: Harrohen akuzat, plas “dashuria” mes Bashës dhe Kryemadhit” plus 9 more

Tirana Observer: “FOTO: Harrohen akuzat, plas “dashuria” mes Bashës dhe Kryemadhit” plus 9 more


FOTO: Harrohen akuzat, plas “dashuria” mes Bashës dhe Kryemadhit

Posted: 28 Sep 2017 10:02 AM PDT

Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi i kanë lënë pas mëritë dhe akuzat e rënda gjatë fushatës elektorae.

Gjatë fushatës së qershorit, Basha e cilësonte LSI-në si"ShPK e Ilir Metës" apo "partia ndërmarrje", që do të merrte fund më 21 qershor.

Nga ana tjetër, LSI-ja deklaronte se PD-ja kishte marrë fund dhe se Basha ishte thjesht një mashtrues.

Por tani këto akuza janë harruar.

PD dhe LSI kanë nisur tashmë flirtimin.

Fushata elektorale ka mbaruar.

Këtë e dëshmojnë edhe këto foto të shkrepura sot në Kuvend gjatë seancës plenare.

Siç shihet, Lulzim Basha takohet përzemërsisht me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi e më pas me kreun e grupit Petrit Vasili.

Zgjedhjet, OSBE/ODIHR: Marrëveshja e 18 majit garantoi garë të lirë

Posted: 28 Sep 2017 08:53 AM PDT

OSBE/ODIHR ka publikuar ditën e sotme raportin final për zgjedhjet e 25 qershorit, duke vlerësuar arritjen e marrëveshjes politike mes palëve për futjen e opozitës në zgjedhje, në bazë të të cilës garuesit zhvilluan një fushatë të lirë, ku u respektuan  liritë themelore.

Në raportin e OSBE vlerësohet se marrëveshja politike e 18 majit krijoi sfida për administratën zgjedhore, e cila rezultoi me një aplikim selektiv dhe të papajtueshëm me ligjin.

Sipas raportit politizimi i vazhdueshëm i organeve dhe institucioneve të lidhura me zgjedhjet, si dhe akuzat e gjera për blerjen e votave dhe presionin ndaj votuesve, hoqën besimin e publikut në procesin zgjedhor.

Ndërsa vlerëson se dita e zgjedhjeve ka qenë e rregullt, raporti vë në dukje edhe moszbatimin e plotë të disa procedurave në disa prej qendrave të votimit, ku theksohet se ka pasur vonesa në fillimin e procesit.

Si në çdo raport në të kaluarën, OSBE/ODIHR ka paraqitur edhe një sërë rekomandimesh, të cilat do të përmirësonin procesin zgjedhor.

Të ndërmerret reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.

Të harmonizohen ligjet për zgjedhjet veçanërisht për fushatën, financimin e median.

Nevojiten përpjekje të forta për adresimin e problematikës së përsërit të blerjes së votës.

Qeveria të konsiderojë krijimin e një trupe, e cila do të merret me problemet që do të hasen si para, ashtu edhe pas procesit.

Të mos aplikohet heqja automatike e të drejtës së votës të personave mbi 100 vjeç.

Garantimi i barazisë në votim. Rregullat të mos ndryshojnë ditën e zgjedhjeve.

Drejt shfuqizimit moratoriumi i gjuetisë, vendoset modeli kroat; 22 veprimet që do të dënohen me gjoba

Posted: 28 Sep 2017 08:45 AM PDT

Parlamenti do të shqyrtojë mundësinë e shfuqizimit të moratoriumit për gjuetinë, të miratuar në vitin 2016. Por pavarësisht këtij shfuqizimi, gjuetia turistike që konsiderohet si një nga problematikat kryesore të gjuetisë në Shqipëri, do të kufizohet për një periudhë 5 vjeçare.

Nisma është depozituar në Kuvend nga 3 deputetë të mazhorancës; Eduard Shalsi, Erion Braçe dhe Besnik Baraj.

Krahas shfuqizimit të moratoriumit  nisma e depozituar në Kuvend për shqyrtim parashikon edhe ndryshimin e ligjit të gjuetisë të vitit 2010, duke përcaktuar rregulla të reja më strikte me qëllim frenimin e abuzimeve.

Modeli i përzgjedhur është ai kroat dhe sjell në thelb një riorganizim terësor të rregullave të gjuetisë në Shqipëri duke nisur që nga rishikimi i atyre që cilësohet si zona gjuetie e deri te licencat e tarifat që duhet të paguajnë gjuetarët për ushtrimin e aktivitetit.

Ligji i ri synon t'i japë më shumë kompetenca për organizimin e manaxhimin e gjuetisë, federatës së gjuetisë.

Nisma e re ligjore parashikon vendosjen e kritereve në lidhje me mënyrat dhe programet e testimin të gjuetarëve, paisjen e tyre me leje gjuetie, format e lejes së gjuetisë, përgjegjësinë displinore, si dhe rastet e heqjes së lejes së gjuetisë. Për të marrë licencën, gjuetarët duhet t'i nënshtrohen dhe të kalojnë 2 teste, njëri teorik e tjetri praktik. Për të marrë licencën e gjuetarit, kandidati duhet të jetë së paku 22 vjeç. Ata që janë nën këtë moshë nuk do të mund të marrin licencë.

Realizimi i testimit i jep federatës të drejtën që të japë edhe lejet per ushtrimin e gjuetisë, duke përfituar në këtë rast nga tarifat përkatëse, të cilat do të përdoren prej tyre në funksion të rritjes profesionale të gjuetarëve si edhe në menaxhimin e strukturave të shërbimit të rojes së gjuetisë.

Penalitetet

Nisma ligjore e propozuar parashikon në mënyrë të detajuar shkeljet dhe penalitetet.

Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen si më poshtë:

-Ushtrimi i gjuetisë pa u pajisur me leje gjuetie, me gjobë, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.

-Ushtrimi i gjuetisë jashtë sezonit të gjuetisë, të percaktuar në urdhrin përkatës të ministrit, qofte edhe pa pasur gjah të vrarë ose të kapur, me gjobë, në masën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

-Gjuetia e kafshëve të egra, që nuk janë në listën e llojeve, objekt gjuetie, me gjobë, në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.

-Gjuetia në zonat e ndaluara për gjueti, me gjobë, në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.

-Ushtrimi i gjuetisë me armë, që nuk lejohen për t'u përdorur si armë gjuetie, si dhe pa pasur lejen e armës së gjuetisë, me gjobë, në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.

-Ushtrimi i gjuetisë pa pasur me vete lejen e gjuetisë, me gjobë, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë.

-Mosdeklarimi i gjahut të vrarë dhe mospagimi i tarifës për çdo individ të vrarë, me gjobë, në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë.

-Mosçuarja te veterineri i individit të vrarë, që dyshohet për sëmundje, me gjobë, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë deri në 20 000 (njëzet mijë) lekë.

-Mbledhja dhe grumbullimi i vezëve të shpendëve, objekt gjuetie, me gjobë, në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.

-Mosndalimi i mjeteve pas sinjalit të organeve të kontrollit për zbatimin e këtij ligji, me gjobë, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë deri në 20 000 (njezët mijë) lekë.

-Gatimi në lokale i individëve të llojeve të kafshëve, shpendëve të egër dhe i peshqve e gjallesave të tjera të detit, që nuk lejohen të gjuhen, me gjobë, në masën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

-Ushtrimi i gjuetisë në det, me gjobë, në masën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

-Ushtrimi i gjuetisë duke gjuajtur nga makina, nga mjetet e lundrimit (veç barkave që përdoren për gjueti) dhe nga mjetet e fluturimit, me gjobë, në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.

-Ushtrimi i gjuetisë me mjete e mënyra, që përbëjnë rrezik për njerëzit, për kafshët e shpendët, me anë të zjarrit, me materiale që marrin zjarr shpejt, me lëndë eksplozive dhe helmuese, me hapje gropash, me dritë, me ajër e gaz të komprimuar dhe natën, me gjobë, në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë.Sekuestrim të mjetit dhe armës

-Gjuetia me mjete dhe mënyra, që shkaktojnë vrasjen ose kapjen në masë të kafshëve e të shpendëve të egër, si gracka, kosha, rrjeta, stampa imituese, aparate zëndjellëse apo kafshëve të gjalla, që përdoren si karrem, që mund të jenë  të verbra ose të gjymtuara, me gjobë, në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.

-Gjuetia me mjete elektrike, që mund të përdoren për vrasje dhe trullosje, ndricues për qitje natën, të përbërë nga zmadhues dhe zvogëlues elektronikë, pasqyra dhe mjete të tjera verbimi, me gjobë, në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.

-Mbajtja e armëve të gjuetisë të karikuara gjatë kalimit në qendrat urbane (në këmbë ose në makinë) dhe transporti i tyre të mbushura, mbajtja dhe përdorimi i armëve të gjahut nga persona të tjerë të paautorizuar, me gjobë, në masën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

-Gjuajtja e shpendëve në kohën kur u bien pendët, kur kanë ngrirë nga të ftohtit, si dhe kapja e kafshëve gjatë përmbytjeve, me gjobë, në masën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë deri në 50 000 (pesë10dhjetë mijë)lekë.

-Prishja e çerdheve, dëmtimi, mbledhja dhe marrja e vezëve dhe e të porsalindurve, vrasja ose nxjerrja nga strofka dhe shfarosja e atyre që ndodhen në to, me gjobë, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.

-Kapja e gjahut në kohën e riprodhimit dhe të rritjes të së vegjëlve, me gjobë, në masën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

-Vrasja ose kapja mbi sasitë e lejuara, duke përdorur gen të tjerë, veç atyre të gjuetisë, ose gjuetia me zagarë, duke kërkuar territorin pa armë gjahu, me gjobë, në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë deri në 40 000 (dyzët mijë) lekë.

-Dëmtimi i rrethimeve, i ndërtimeve për gjuetinë, i vendeve të gjuetisë, i tabelave të çfarëdo lloji e natyre qofshin, i kullave të vrojtimit dhe i kafazeve të vendosur për zogjtë, me gjobë, në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë deri në 40 000 (dyzet mijë) lekë.

SCAN

Dy binjaket seksi kërkojnë një burrë që ta ndajnë bashkë, por me një kusht (FOTO)

Posted: 28 Sep 2017 08:32 AM PDT

Dy binjaket ruse që ndajë gjithçka së bashku kanë vendosur që kur të martohen të mos ndahen nga njëra-tjetra. Pikërisht për këtë arsyen po kërkojnë një burrë, që ta ndajnë së bashku.

Por nuk është aq e thjeshtë, burri që do të ketë fatin ti ketë dy motrat duhet të jetë shumë i pasur.

Motrat Adela dhe Alina Fakhteva thonë se duan të gjejnë dikë, që ti mundësojë udhëtimet pasi janë mërzitur nga vendlindja e tyre.

Ato janë shprehur se nuk e kanë problem të kenë të njëjtin bashkëshort, pasi janë mësuar të ndajnë gjithçka së bashku. 22-vjeçaret janë të njohura në vendlindjen e tyre, Kazanit pasi kanë një bolg mode ku reklamojnë marka  të ndryshme, sipas mediave ruse.

Richard Lukaj rrëfen darkën me Lindën dhe Edi Ramën në Nju Jork

Posted: 28 Sep 2017 08:15 AM PDT

Entela Resuli  – DITA

Richard Lukaj është një emër i njohur në Amerikë. Djali me prindër shqiptar është sot drejtor i lartë menaxhues i "Bank Street Group" dhe këshilltar i bordit kombëtar të "Qendra Truman për Politikat Kombëtare".

Nëse dëgjon historinë e jetës së tij të duket sikur po shikon një film, por nga ai me fund të lumtur, që paçka vështirësive, në fund arrin të ndërtojë një jetë të bukur, por edhe shumë të zënë në të njëjtën kohë.

Familja e tij, pas një eksperience emigrimi në Itali (ku ka lindur edhe Richard-i) udhëton drejt Amerikës në vitet '70 kur Lukaj ishte ende fëmijë. Vështirësitë ishin të mëdha, por dëshira për t'ia dalë me çdo kusht e bën familjen e tij, por edhe atë vetë të kuptonte se sa të rëndësishme ishin studimet dhe puna. Ai mendonte vetëm duke patur disiplinë në jetë dhe familje mund t'ia dalësh. Dëshiron shumë që t'i ngjajë babait.

"Ai ishte i palëkundur dhe rrallë humbiste durimin", tregon Richard-i për të atin. Ndërsa për vete thotë se: "Shumë rrallë e ngre zërin tim dhe shpresoj që të jem në gjendje të imitoj gjeneratën e babait tim, duke e bërë jetën më të mirë rreth nesh dhe jo vetëm duke u ankuar për atë që nuk kemi".

Për të jeta në Amerikë nuk ka rrjedhur vaj, sidomos në fillimet e tij, por tashmë gjithçka është kapërcyer dhe duket se pika e tij e dobët është Shqipëria.

Jo rastësisht Richard Lukaj është sot në "Dita". Një javë më parë, kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij zyrtare në New York, ka darkuar në familjen e biznesmenit Lukaj.

Ai është bashkëshort i një gruaje nga Devolli i Korçës dhe sëbashku kanë dy vajza, tashmë zonjusha. Për të janë pasuria më e madhe në jetë.

Më poshtë ju sjellim intervistën e Richard Lukaj për gazetën Dita.

-Zoti Lukaj, vetëm një foto familjare me kryeministrin Rama dhe emri juaj qarkulloi në të gjitha mediat në Shqipëri? Përse u takuat me kryeministrin?

Ky takim ishte një vazhdim i takimit tonë të fundit në Tiranë. Unë e njoh kryeministrin dhe paraardhësit e tij për shumë vite dhe e kam bërë zakon të takohem me udhëheqjen institucionale kur vizitoj rajonin sa herë që është e mundur, pasi jam angazhuar me zhvillimet në të gjithë rajonin për më shumë se dy dekada. Gjatë takimit tonë në Tiranë, ne u dakorduam që do të përpiqeshim të takoheshim përsëri kur delegacioni shqiptar të vizitonte NYC-në gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ne donim të flisnim më tej në lidhje me një sërë temash, duke përfshirë kreditë jo-performuese në sistemin bankar, shqetësimet se si konsolidimi i industrisë në një vend të vogël mund të ndikojë në treg dhe veçanërisht për të diskutuar mbi gjendjen e arsimit dhe zhvillimin e saj në Shqipëri. Një numër i kolegëve/shokëve të mi dhe unë, do të dëshiroja të shihja krijimin e një produkti arsimor të Universitetit të akredituar ndërkombëtar për të mundësuar dhe avancuar zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit duke krijuar një forcë pune dhe shoqëri civile më të arsimuar.

Unë shpresoj se z. Rama dhe të tjerët në qeveri do ta mbështesin këtë nismë dhe do të punojnë me ne për të realizuar këtë qëllim më të denjë.

-Po ashtu pati media të cilat takimin tuaj e lidhën me faktin se ju së bashku me bashkëshorten e zotit Rama jeni anëtarë të bordit në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri. Si është e vërteta?

Së pari, kur u dakordova të bashkohem me bordin e ABi, e cila është në pronësi të NCH Capital (fond investimesh në SHBA përmes një juridiksioni efikas të taksave), pranova ta bëja këtë pa dijeninë se zonja Rama më vonë do të bashkohej gjithashtu. Ne ishim të ratifikuar nga autoritetet bankare qendrore, por në takimin tone të parë të bordit ku ne të dy morëm pjesë, unë u impresionova me kontributin e saj në diskutimet e bordit dhe nuk e kisha idenë se ajo ishte gruaja e kryeministrit. Ishte më vonë, kur shtypi po e sulmonte për arsye të panjohura e kuptova lidhjen e saj familjare. Duke thënë këtë, unë nuk jam në dijeni për ndonjë çështje të ngritur lidhur me shërbimin e saj në bord dhe për këshillimin e kompanisë; përkundrazi, znj. Rama është duke e kryer detyrën në bazë të aftësive më të mira të saj.

Nuk kishte diskutim gjatë darkës sonë në shtëpinë time për ndonjë çështje të bankës ABi, përpos asaj që i kujtonim komentet satirike të kolegut tonë të përbashkët Andi Ballta. Për të qenë i qartë, unë nuk jam zyrtar apo aksioner i bankës dhe si i tillë, nuk kam autoritet të kryej biznes në emër të bankës. Unë jam vetëm një drejtor i pavarur duke pasur parasysh interesat e aksionerëve dhe duke ofruar këshillë sa më të mirë në bazë të aftësive të mia. Shpresoj që në fakt mund të krijojmë një institucion financiar më të madh dhe të rëndësishëm, pasi që kjo mund të krijojë një mjedis më të mirë bankar në Shqipëri, por ABi është ende një nga bankat më të vogla në Shqipëri, megjithëse është duke përparuar pasi që fondi amerikan bleu biznesin nga francezët.

-Pas këtyre akuzave ju dhatë një shpjegim për miqtë tuaj në rrjetet sociale. Por përpos të tjerave thatë se jeni të gatshëm për të investuar apo për të sjellë investitorë në Shqipëri. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?

Predispozitat që kam treguar për pjesën më të madhe të jetës sime madhore, kanë kontribuar në propozime të shumta të rëndësishme gjatë viteve, duke përfshirë disa nga figurat udhëheqëse në bashkësinë tonë shqiptare dhe investitorët më të sofistikuar institucional botërore. Shpresoj të vazhdoj të promovoj investimet në Shqipëri dhe një ditë të bëj investim të suksesshëm në rajon, por nuk mendoj se është e domosdoshme. Jam në rregull të vazhdoj të punoj në pjesët tjera më mikpritëse të botës në ndërkohë, por shpresoj që territoret shqiptare të evoluojnë për të lejuar individë si unë të investojnë me konfidencë në sistem.

-Përse nuk keni investuar më parë?

Sepse nuk kam mundur të operoj ndonjë biznes në mjedisin e biznesit ku do të isha konfident në investimet e mia.

-E ndiqni aktualitetin në Shqipëri?

Me interes të madh ndjek progresin dhe zhvillimet në Shqipëri.

-Çfarë i duhet Shqipërisë për të qenë një vend me ekonomi të mirë?

Për një Shqipëri më të avancueshme, njerëzit duhet t'i japin përparësi arsimit para së gjithash. Atë që bën më së shumti Shqipëria është ndjekja e furishme e objektivave afatshkurtra, por pa konfidencë në një të ardhme më të ndritshme dhe të ardhme të pashmangshme afatgjatë. Udhëheqësit e kombit duhet të frymëzojnë njerëzit që të ndjekin ligjet dhe të investojnë në një të ardhme më të ndritur për prosperitetin e tyre kolektiv.

-Cilat janë raportet tuaja me politikanët shqiptarë?

Unë besoj që mbaj raport të duhur dhe të hapur me shumicën e liderëve të rëndësishëm në të gjithë rajonin me të gjitha bindjet politike dhe me figurat më të shquara të shoqërisë civile. Duke pasur parasysh orarin tim të çmendur të përditshëm, më vjen keq që nuk kam më shumë kohë për të shpenzuar në rajon, por unë kam qenë i nderuar që gjithmonë të kem një derë të hapur në çdo zyrë ku kërkova takim. Kjo nuk do të thotë që unë gjithmonë i lashë këto zyra i kënaqur me atë që kam dëgjuar ose mësuar, por e vlerësoj ndërveprimin konstruktiv edhe kur nuk jemi dakord.

-Çfarë mendimi keni për Sali Berishën, Edi Ramën dhe Ilir Metën?

I respektoj ata si udhëheqës të zgjedhur nga populli midis shumë liderëve të tjerë në Shqipëri dhe gjithë rajonin, dhe gjithashtu do t'i respektoj edhe të tjerët që do të pasojnë dhe ndërtojnë mbi arritjet e tyre në të ardhmen.

-Z. Lukaj, ju jeni shqiptar, por keni lindur në Itali, cila është lidhja juaj me Shqipërinë, kur keni ardhur për herë të parë këtu?

Gjyshi im u largua nga regjimi i ashpër komunist i Shqipërisë dhe babai im u arratis nga regjimi diskriminues i ashpër anti-shqiptar i Jugosllavisë, por unë ndjeva një lidhje të ngushtë me atdheun tim, ashtu si edhe fëmijët e mi me të njëjtin intensitet.

Fillova të vizitoj rajonin në një moshë shumë të re, por nuk munda ta vizitoj Shqipërinë deri në fillim të mesit të viteve '90, kur udhëtova për herë të parë me vëllain tim.

-Po në Amerikë kur keni shkuar?

Prindërit e mi emigruan së pari në Itali (ku kam lindur) dhe më vonë në SHBA ku kam ardhur si djalë i ri.

-I mbani mend vështirësitë e para, si ka qenë për ju?

Natyrisht, por gjithmonë isha mirënjohës për atë që kishim dhe më pak i shqetësuar për atë që nuk kishim. Unë mbetem optimist dhe i kënaqur në këtë mënyrë edhe sot. Po ashtu shoh territoret shqiptare me të njëjtin lens. E admiroj me dashuri të madhe Shqipërinë dhe njerëzit e saj, dhe mbetem optimist se do të kalojnë sfidat dhe ditët më të mira do të jenë gjithmonë përpara.

-Flisni mirë shqip, si e keni ruajtur gjuhën tuaj?

Unë nuk e ruajtja, pasi në të vërtetë nuk flisja shqip deri në moshë madhore dhe në të vërtetë unë ende mësoj. Shpresoj të përmirësoj aftësitë e mia që një ditë të jem në gjendje të shkruaj historinë time të jetës në gjuhën shqipe. Po punoj edhe për të hapur shkollën shqipe pranë shtëpisë sime për komunitetin tim të zonës, duke përfshirë edhe fëmijët e mi, kështu që edhe ata mund të mësojnë të lexojnë, të shkruajnë, të kërcejnë dhe të kënaqen duke qenë shqiptarë po aq sa unë.

-Z. Lukaj, sa e vështirë është për emigrantët shqiptarë që të integrohen në Amerikë?

Shumë, shumë e vështirë, sidomos nëse nuk janë të arsimuar. Gjithashtu është e vështirë për ata që integrohen dhe asimilohen plotësisht pasi që disa e humbin identitetin e tyre etnik dhe më bën të trishtohem që njerëzit të humbasin bukurinë e identitetit të tyre etnik.

-Sa funksional dhe i organizuar është komuniteti shqiptaro-amerikan në SHBA?

Në kohë të nevojave të mëdha, komuniteti ynë shkëlqen më mirë se çdo tjetër! Ne kemi demonstruar se mund të arrijmë të pamundurën. Për fat të keq në kohë jo-krize, komuniteti ndahet dhe është më pak i koordinuar, duke pasqyruar ndarjet në rajon.

-Si shihet Shqipëria nga SHBA, nuk flas vetëm qeverinë amerikane, por dhe për njerëzit e thjeshtë. Sa e njohin vendin tonë?

Shqipëria është ende një mister mistik me disa nuanca të frikshme për shumicën. Gjithashtu shqiptarët keqkuptohen shpesh, por me kalimin e kohës ky imazh do të përmirësohet.

-Në Shqipëri, sa herë që hapet aplikimi për Lotarinë Amerikane ka një numër të madh njerëzish që aplikojnë dhe e ëndërrojnë token e premtuar. Pse e duam kaq shumë Amerikën, në këndvështrimin tuaj?

Thjesht për shkak se familjet shqiptare që erdhën në Amerikë, kanë arritur dhe janë bërë pjesë e admirueshme e shoqërisë amerikane. Disa do të donin të ndiqnin këtë shembull, por nuk mund të vlerësojnë plotësisht sakrificat që duhen bërë. Disa kanë ardhur përmes lotarisë dhe kanë lulëzuar, por shumë të tjerë ende përpiqen të rimarrin veten dhe të arrijnë deri në nivelin e jetesës që lanë pas në Shqipëri.

-Thonë shpesh që shqiptarët dallohen për nga karakteri, temperamenti… ju keni ndonjë tipar dallues, tipik shqiptar, ndoshta, gjaknxehtë për shembull, apo diçka tjetër…?

Figura ime atërore shqiptare nuk ishte si perceptimi juaj i stereotipeve të shqiptarëve. Ai dhe shumica e miqve të tij ishin gjakftohtë, të palëkundur dhe rrallë humbisnin durimin. Shumë rrallë ngre zërin tim dhe shpresoj që të jem në gjendje të imitoj gjeneratën e babait tim, duke e bërë jetën më të mirë rreth nesh dhe jo vetëm duke u ankuar për atë që nuk kemi.

-Si është një ditë e juaja sot, si nis dhe si mbaron ajo?

Fillon shumë herët, e mbushur me aktivitete të llojllojshmëri të ndryshme dhe mbaron shumë vonë kur i shtjelloj mësimet e ditës dhe planifikoj të nesërmen. Pastaj ri-mbushem me gjumë dhe filloj një ditë tjetër duke pritur që gjërat të shkojnë edhe me mirë.

-Dimë që bashkëshorten e keni nga Devolli i Korçës, si jeni njohur më të?

E takova kur ajo u zhvendos për herë të parë në NYC dhe të dy zgjodhëm të merrnim pjesë në një mbledhje fondesh për kosovarët gjatë luftës me Serbinë. Kështu e kishte fati.

-Ju jeni edhe baba i dy vajzave, si i keni marrëdhëniet me to dhe a ju mungon një… djalë?

Haha. Dikur në rininë time të papjekur mendoja se një djalë ishte e domosdoshme, por meqenëse jeta më ndihmoi të rritesha, nuk mund të imagjinoj që kam nevojë për diçka më shumë se sa dashuria që kam nga bijat e mia. Unë jam i kompletuar në përqafimet te tyre dhe nuk kam asnjë plan për më shumë fëmijë.

-E viziton shpesh Shqipërinë dhe çfarë ju bën përshtypje sa herë që vini këtu?

Gjithmonë mahnitem se sa rehat ndihem në shtëpinë time larg shtëpisë sime dhe e vlerësoj se sa gëzim marr nga gjërat e thjeshta të jetës këtu. Unë lutem që jeta do të më lejojë më shumë kohë në rajon, pasiqë edhe orari im ngadalësohet me kalimin e kohës.

-Çfarë do i këshillonit një njeriu, vajze apo djali, që dëshiron të futet në botën e biznesit?

Mësoni dhe vazhdoni të mësoni. Asgjë nuk qëndron konstante në biznes, gjithnjë ndryshon. Më e rëndësishmja është të mësoni etikën dhe moralin përpara se të hyni në botën e biznesit, përndryshe ju vetëm do ta përhapni mjerimin tuaj.

-Sa të ndershëm janë biznesmenët pasi shpesh i krahasojnë me mashtruesit?

Varet se kë e quan biznesmen. Unë nuk i quaj kriminelët biznesmen%, ndërsa mediat shpesh janë më fleksible në rajon. Sikurse jo të gjithë figurat politike janë politikanë, disa janë thjesht kriminelë.

-Z. Lukaj, ju keni arritur shumë çka në jetë, jeni një njeri i suksesshëm, keni një familje të shëndetshme, jeni i lumtur?

Natyrisht, por ende mbetem ambicioz dhe mbaj aspirate më të larta.

-Çfarë duhet të bëjmë në jetë, atë që duam apo atë që duhet?

Shpresoj që jeni të bekuar për të bërë të dyja.

-Jeni ndjerë ndonjëherë i lodhur nga jeta që bëni?

Sigurisht. Ashtu si të gjithë të tjerët nganjëherë jeta na ngreh poshtë dhe kemi nevojë të ndalohemi. Kjo do të thotë se është koha për pushime.

-Çfarë ju tremb apo nga se keni frikë?

Nuk kam asgjë për t'u frikësuar në të vërtetë dhe kujdesem të mos bëj gabime që nuk korrigjohen lehtë, gjithashtu e pranoj se nuk jam perfekt, por kurrë nuk pushoj të përpiqet të jem.

-Jeni cilësuar si "magjistari" i Wall Street, duke mbetur një nga menaxherët më të rinj të një rangu aq të lartë. Si ju bën të ndiheni ku fakt?

Kurrë nuk mendoj për artikuj të tillë jo-serioz që janë dukshëm "ndriçues" për të shitur gazetat. Unë e njoh veten. Punoj shumë, dhe jam po aq mirënjohës për fatin e mirë që jeta më ka ofruar. Besoj se karakteristika më e rëndësishme për suksesin tim ka qenë besueshmëria dhe besimi.

-Z. Lukaj, sa i pasur ndiheni?

Jam i bekuar me shumë pasuri shpirtërore, familje e miq! Kjo është pasuria më e madhe që mund të kemi në jetë.

-Keni kaluar ndonjë moment të vështirë në jetë, cili është ai?

Shumë sigurisht, por nuk ndalem në sfidat e jetës që i kam mposhtur. Gjithmonë kërkoj raundin e ardhshëm të sfidave dhe mundësive për t'i mposhtur.

-Keni një ëndërr në raport me Shqipërinë, çfarë doni të bëni për këtë vend?

Ëndërroj për ditë më të mira për të gjithë shqiptarët dhe do të vazhdoj të bëj çmos për të ndihmuar në këtë drejtim. Përpiqem të ndikoj sa më shumë njerëz që mundem, por kisha dashur të kem aftësinë për të bërë më shumë.

 

Edi Rama replikon me Albin Kurtin: Unë nuk fal as det, jo më tokë

Posted: 28 Sep 2017 08:03 AM PDT

Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosja në Kosovë, Albin Kurti, ka komentuar takimin e tretë mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, mbajtur më 3 qershor të vitit 2016.

Në faqen e tij në "Facebook", Kurti shkruan se Vetëvendosja e vlerësoi si progresive këtë mbledhje dhe marrëveshjet e zotimet e dala prej saj.

Por, sipas tij, pas më shumë se një viti, askush nuk është mbajtur përgjegjës për moszbatimin e afateve, e as për ngadalësimin deri në ngecje të marrëveshjeve e detyrave, si dhe askush nuk është pushuar nga puna.

Më tej, politikani kosovar ndalet dhe te takimi i Ramës me homologun Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë pak ditë më parë.

Kurti thekson se Rama i kërkoi Haradinajt të ndërrojë qëndrim për demarkacionin me Malin e Zi, duke i kujtuar kryeministrit shqiptar në lidhje me këtë çështje se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe as tokë për të falur.

"Nga kryeministri ynë Edi Rama presim që të merret me realizimin e marrëveshjeve Shqipëri-Kosovë. Dhe, po ashtu presim që ai të kontribuojë në lartësimin e social-demokracisë e të bashkimit të kombit. Nuk kemi kohë për të humbur e as tokë për të falur", theksonte në shkrimin e tij Albin Kurti.

Ndërkohë që pas shkrimit të Albin Kurtit, ka reaguar edhe kryeministrin Edi Rama.

Në përgjigjen e tij në Twitter, shefi i ekzekutivit shqiptar, shprehet se faktet janë opinione dhe sa për tokën nuk fal as det e jo më kokë, duke nënkuptuar në këtë mënyrë edhe përplasjet me Greqinë për kufirin detar.

"I dashur Albin! Faktet s'janë opinione dhe kufijtë nuk përcaktohen me opinione! Sa për tokën po ta kujtoj që unë nuk fal as det, jo më tokë", shkruan Rama.

Skandali/ Hajdut në Itali, komisar policie në Shqipëri

Posted: 28 Sep 2017 07:30 AM PDT

Në kohën kur po trumbetohet kaq shumë për Vettingun në polici, një rast i rëndë është tentuar të mbahet larg syve të publikut.

Ky është njoftimi i policisë së Durrësit i datës 22 shtator ku jepen vetëm inicialet e një personi që është arrestuar me qëllim ekstradimin në Itali.

Por në fakt, bëhet fjalë për Dritan Xhindolin, ish-zyrtar i lartë i policisë deri pak muaj më parë.

39-vjeçari është dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Apelit të Bolonjës për veprat penale të vjedhjes dhe falsifikimit.

Dënimi është dhënë që në vitin 2013, por Xhindoli ka vijuar të mbajë poste të larta në polici për disa vite.

Xhindoli me gradën "Komisar", ka mbajtur detyrën e Shefit të Sektorit të Vrasjeve dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës, zv/drejtor i kufirit në Vlorë, madje edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Departamentin e Krimit të Organizuar, para se të jepte dorëheqjen pak kohë më parë.

Autoritetet italiane i kanë dorëzuar dosjen homologëve shqiptarë që në vitin 2013, por Interpol Tirana e ka shpallur në kërkim vetëm në qershor të 2017-ës, pasi Dritan Xhindoli dyshohet se ka mbajtur edhe emrin Artan, por gjurmët e gishtave kanë konfirmuar se bëhet fjalë për të njëjtin person./Tch

Tërmet te Bayern, shkarkohet Ancelotti

Posted: 28 Sep 2017 07:17 AM PDT

Bayern Munchen ka konfirmuar shkarkimin e trajnerit Carlo Ancelotti.

Klubi bavarez përmes një njoftimi zyrtar të bërë në sajtin e tij dhe në "Facebook" informon për largimin e teknikut italian.

Ndër të tjera ka njoftuar se drejtimin e ekipit do ta marrë përkohësisht zëvendës trajneri, Willy Sagnol.

Disfata 3-0 në Ligën e Kampioneve ndaj PSG ishte pika e fundit që derdhi gjithçka ishte akumuluar në gotën e kritikave ndaj trajnerit italian Ancelotti.

Dështimi në Europë i kushtoi vendin e punës teknikut të njohur, një vendim që ishte paralajmëruar pas lojës së dobët që bavarezët shfaqën në kampionat dhe menaxhimit të keq që iu bë disa senatorëve të skuadrës më të titulluar gjermane.

Në "Parkun e Princërve" këtë mesjavë askush nuk e mendonte si një shëtitje përballjen me Neymar, Mbappe dhe Cavanin, por mënyra sesi parizienët ekzekutuan Bayernin, nuk u kalua nga tifozët dhe drejtuesit.

Loja prej të nënshtruari dhe zgjedhjet e diskutueshme të formacionit me Robben dhe Ribery në pankinë, shtuan furtunën që kulmoi me shkarkimin e trajnerit.

Për herë të parë në karrierën e tij, Carlo Ancelotti u gjend përballë me situata shpërthyese brenda dhomave të zhveshjes, pikërisht në atë aspekt ku ishte krenuar në thuajse çdo skuadër që ka drejtuar në kontinentin e vjetër.

Ajo çfarë gatoi Carleto te Bayern në këto sezone, nuk i pëlqeu tifozerisë as në recetë dhe as në përbërje. Përplasjet e fundit me holandezin Robben iu shtuan krisjeve të mëparshme me Ribery, Lewandowski dhe Tomas Muller.

Ancelotti mendoi fillimisht për dorëheqjen, por Bayern e shkarkoi para Krishtlindjeve, një situatë e cila nuk regjistrohej në Bavari që prej 1991.

Corbyn: Mjaft më me neoliberalizmin, socializmi im është qendra e re në politikë

Posted: 28 Sep 2017 06:59 AM PDT

Në fjalën përmbyllëse të Kongresit vjetor të Partisë Laburiste, kreu i qendrës së majte të Mbretërisë së Bashkuar premton një "socializëm për shekullin XXI": "Sot qendra është e përfaqësuar nga shpresa për diçka më të mirë". Dhe në fund të gjithë këndojnë "Flamurin e Kuq" me grushtin e mbyllur.

BRIGHTON – Ai përfundon me të gjithë të pranishmit në sallë duke kënduar "Flamuri i Kuq", himni i Laburistëve anglezë, duke ngritur grushtin e tij të mbyllur. Në fjalën e tij përmbyllëse në kongresin vjetor të Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn premton "socializmin për shekullin njëzet e një": një politikë "për shumicën dhe jo për pakicën", si shkruhet dhe ne sloganin pas shpinës në sallën e kongresit Brighton "një mënyrë të re të të bërit politikë", ku pushteti nuk përqendrohet vetëm në parlamentin e Westminster-it, por shpërndahet tek komunitetet dhe qytetarët. Një revolucion, në thelb, që lideri i te majtës britanike e sheh te afërt: "Ne jemi pranë fitores se zgjedhjeve", tha ai nga podiumi, duke aluduar në rritjen e partisë që ai drejton në zgjedhjet e kaluara dhe konservatorëve të ndarë në qershor, pa shumicë absolute, me Theresa May te dobësuar si pushtet dhe ne rrezik dorëheqjeje.

Për të ardhur në pushtet, sigurisht, atij i duhet te fitoje më shumë mbështetje dhe Corbyn është i vetëdijshëm që duhet të marrë votat e atyre të cilët nuk i ka konvertuar akoma në kauzën e tij, me pak fjalë, të atyre që nuk janë mbështetësit e tij të rregullt. Por është ky mesazhi më i rëndësishëm i fjalës së tij, ai që reflektohet përtej kufijve të Mbretërisë së Bashkuar: "Është thënë se zgjedhjet fitohen nga forcat politike te qendrës", vë në dukje udhëheqësi 67-vjeçar i Laburistëve. Ishte një aksiomë e përsëritur nga paraardhësi i tij, Tony Blair, dhe përmendja e kësaj aksiome solli pështjellime ne salle. Por ai i qetëson ato. "Jam dakord edhe unë. Por qendra e gravitetit politik të një kombi nuk është e paluajtshme dhe me siguri nuk mbetet përgjithmonë aty ku dëshiron establishmenti. Ajo lëviz me nevojat dhe pritjet e njerëzve. Sigurisht që nuk është në të njëjtën pikë siç ishte 20 apo 30 vjet më parë. Rënia e madhe financiare e vitit 2008 dhe dekada e masave shtrënguese që pasuan, e kanë lëvizur atë. Sot, qendra përfaqësohet nga shpresa për diçka më të mirë dhe diçka të ndryshme."

Për këtë Corbyn thotë se Partia Laburiste, të cilën ai ka rreshtuar në pozicionet më majtas, "një parti moderne progresiste Socialiste, e cila shkon kundër tendencave ne pjesën tjetër të Evropës", ajo është bërë tashmë "e zakonshme", që është mbizotëruese, konvencionale, dominante, në një fjalë fituese, e aftë të sjellin në anën e saj shumicën e votuesve dhe të fitoje zgjedhjet.

Një hap që mungoi ne zgjedhjet e qershorit, por vetëm për pak: "Kundër të gjitha parashikimeve" kujton drejtuesi i së majtës laburiste në ligjëratën e tij, "ne shënuam rritjen më të madhe në vota nga viti 1945 dhe rezultatin më të mirë në një brez". Duhet edhe pak kohe për ta përçuar këtë mesazh të gjithë popullit dhe për zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen pas pesë vjetësh nëse legjislatura do të vijoje në fund (por pak e besojnë këtë), ose do te ketë zgjedhje te parakohshme, në të cilat Laburistët do të jenë triumfues ndaj Konservatorëve. "Jemi gati", siguron ai, "jemi qeveri në pritje".

Edhe në dy kongreset e mëparshme që ai organizoi si lider i se majtes, Corbyn ishte në gjendje të nxiste entuziazëm midis militantëve. Por kjo është e para që vjen jo vetëm pas fitores së (primareve paraprake te brendshme ne Partine Laburiste ka fituar dy herë në dy vjet, për të qenë të saktë), por pasi pothuajse fitoi zgjedhjet për të cilat ishte parashikuar do të ishin një dështim që do ta detyronte atë të jepte dorëheqjen. Rreth tij partia është e bashkuar. Blair dhe ithtarët e tij janë të heshtur. Një tjetër kritik në të kaluarën e linjës së re, ish-udhëheqësi Ed Miliband, i cili ndoshta jo rastësisht Corbyn e përmend në fjalimin, do të jetë gati për t'u kthyer në ekipin e tij të këshilltarëve dhe të qeverisë së tij hije.

Ardhja e Corbyn në sallë është një triumf, xhaketë dhe me kollare karakteristike të kuqe, lideri shtrëngon duart dhe nënshkruan autografe duke hyrë vetëm, në këmbë deri në ndërtesën e kongresit ku mbahet eventi laburist. Dhe në momentin e hyrjes se tij ne salle atij iu rezervua një pritje e ngrohtë si nje rock star, dhe me pritje të tilla ai tashmë është mësuar.

Është një atmosferë feste deri në atë pikë sa që kur ai vlerëson Diane Abbott, deputeten me ngjyre njëkohësisht miken e tij të vjetër të shumë betejave duke e mbrojtur nga "abuzimet raciale dhe seksiste" që ajo ka ndeshur në jetën e saj, se bashku me pjesëmarrësit në salle këndojnë Happy Birthday sepse është njëkohësisht dhe ditëlindja e deputetes.

Në fjalën e tij Corbyn premton investime publike, rritje te pagave , shtetëzimin e ndërmarrjeve strategjike të tilla si uji, energjisë, transportit; arsimi universitar falas , dhe shpjegon se paratë për të gjitha këto do të vijnë "duke paguar më shumë taksa të pasurit dhe korporatat e mëdha "për të mirën e përbashkët. Ai deklaron se Theresa May, "se është ajo që drejton një koalicion të kaosit", e njëjta akuzë që udhëheqësja konservatore përdori kundër tij në fushatën zgjedhore. Kritikoi Donald Trump, duke paralajmëruar se marrëdhënie e veçantë midis SHBA dhe Britania duhet të na lejojë që ti themi aleatëve amerikanë: "Rruga që po ndiqni është rruga e gabuar".

Ai trajton në mënyrë të qartë çështjen e Brexit: Respektimi "si socialist demokrat" rezultatin e referendumit, por duke mbajtur aksesin në tregun e përbashkët, për të mbrojtur vendet e punës, kërkimin dhe ndërtimin e një lloji te ri bashkëpunimi me Bashkimin Europian dhe mbi të gjitha "të mos i japim emigrantëve fajësimin për të këqijat e shoqërisë sonë,te mos i bëjmë një koka turku". 3 milionë europianëve që banojnë në Britaninë e Madhe, ai u thotë "Ju jeni të mirëpritur! Nëse nuk do të jetë Qeveria May që tu japë një garanci për të qenë këtu me të gjitha të drejtat tuaja të paprekura, ne së shpejti do tua japim atë!". Ndoshta kjo mund të jetë e vërtetë, siç thotë ai, Laburistet janë tani e vetmja parti e madhe në gjendje të bashkojnë ata që votuan për BREXIT dhe ata që votuan për qëndrimin në BE.

Në fjalën e tij ai dënoi ashpër Arabinë Saudite për luftën në Jemen, Egjiptin për shtypjen e demokracisë, nxitje ndaj Aung San Suu Kyi për të ndaluar dhunën kundër pakicës Rohingya dhe fjalët e përkrahjes ndaj popullit palestinez, në mënyrë që ti japin fund shtypjes 50-vjeçare nga Izraeli. Përmend terrorizmin dhe tragjedinë në Grenfell Toëer, gratacielë në Londër e cila u dogj këtë verë, "në qoftë se ju doni të shihni se si vdesin të varfërit, atje mund te shikohej" vë në dukje duke cituar vargjet e një poeme të shkruar për këtë rast. Është një fjalim shumë i gjatë, një orë e një e çerek, por në sallën e kongresit duket se askush nuk është me ngut për ta parë atë te përfundojë.

Nga fundi, Corbyn kthehet përsëri në mesazhin kryesor: "Ne kemi nevojë për një sens të ri të përbashkët për të zëvendësuar modelin e dështuar e krijuar nga Thatcher, për të zëvendësuar dogmën e dështuar te neo-liberalizmit."

Një mesazh tjetër për të cilin kuptohet se do të ishte gati të hapte një debat në të gjithë Evropën. Dhe me pas mjaftojnë, edhe pesë minuta duartrokitje dhe "Flamuri i Kuq": të gjithë me grushtin mbyllur kënduan dhe ëndërronin për një të ardhme të ndryshme.

Lejet e ndërtimit/ Viti i masakrës mbi Tiranën

Posted: 28 Sep 2017 06:42 AM PDT

Sektori i ndërtimit i është kthyer rritjes së shpejtë në dy vitit e fundit. Sipas të dhënave të INSTAT numri i lejeve të dhëna në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 ishte 298 ne shkalle vendi me një rritje 82 për qind në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar.

Ritmin më të lartë e ka mbajtur kryeqyteti. Lejet e dhëna në pjesën e parë të vitit pësuan një rritje te forte, me 183 për qind. Bashkia e Tiranës kanë dhënë për periudhën janar-qershor 102 leje nga vetëm 36 të tilla të dhëna në të njëjtën periudhë të vitit 2016, apo gati tre herë më shumë se e njëjta periudhë  enjë viti më parë.

Sipas INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa rezidente (ku përfshihen ndërtesat për banim) zë 75,2 % të numrit gjithsej të lejeve, ndërkaq numri i lejeve miratuar për ndërtesa jo rezidente (ku përfshihen ndërtesat për hotele dhe të ngjashme, zyra, tregtare, industriale dhe të tjera) zë 24,8 %.

Sipas INSTAT në gjashtëmujorin e parë 2017, rritje të lartë të lejeve të ndërtimit panë qytete e Vlorës, Dibrës, Elbasanit, Gjirokastrës, Korçës, Fierit.

Ndërsa u vu rënie e lejeve të dhëna për ndërtimet në qarqet e Beratit, Lezhës. Në qarkun e Kukësit nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi as në gjashtë mujorin e parë të 2016 e dhëna në gjashtëmujorin e parë 2017.

Miratimi i planit të ri urbanistik për kryeqytetin dhe zgjerimi i Tiranës nëpërmjet bulevardit të ri, është bërë shkak për orientimin e fondeve të lira të ekonomisë drejt ndërtimit. Teksa numri i lejeve të ndërtimit po pëson rritje nga tremujori në tremujor, projekte të tjera të mëdha janë prezantuar nga ndërtuesit dhe lejet për to pritet të merren në vijim.

Ndërtimet e reja në Tiranë janë përqendruar në sektorin  banesave kryesisht në blloqe të mëdha në periferi dhe në zonë afër qendrës me kulla të mëdha. Këto ditë nis nga puna ndërtimi i një kulle 35 katëshe (Down Town Albania) pranë European Trade Center  (ETC). Ndërsa blloqe të mëdha banimi, si Turdiu, Fiori Di Bisko, Festial City janë në zhvillim.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more