Skip to main content

“Trump ka reaguar ndaj reklamave ruse në Facebook” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Trump ka reaguar ndaj reklamave ruse në Facebook” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Trump ka reaguar ndaj reklamave ruse në Facebook

Posted: 27 Sep 2017 10:17 AM PDT

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar komaninë Facebook dhe e ka cilësuar atë si "anti-Trump". Reagimi i Trump-it ka ardhur pasi gjigandi Facebook kishte thënë se po përgatiste 3000 reklama për t'ia dorëzuar hetuesve në kongres, që me gjasë ishin të porositura nga Rusia, gjatë dhe pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA. "Facebook gjithmonë ka qenë anti-Trump. Rrjetet gjithmonë kanë qenë anti-Trump" ka thënë Trump në Twitter , duke kritikuar edhe New York Times dhe Washington Post për "marrëveshje të fshehta". 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kameruni dëbon 100 mijë refugjatë nigerianë

Posted: 27 Sep 2017 09:47 AM PDT

Kameruni ka thyer ligjin ndërkombëtarë, duke dëbuar me forcë së paku 100 mijë Nigerianë që kishin ikur nga regjimi i Boko Haram-it, raporton Human Rights Watch. Ministri i komunikimeve të Kamerunit, ka mohuar komentet nga raporti ku thuhet se ushtria po dëbon refugjatët dhe po torturon ata. Human Rights Watch ka thënë se ky dëbim përbën riatdhesimin më të madh ilegal që kemi parë në vitet e fundit. Kjo është një "shkelje flagrante" e ligjit botërorë dhe të Kamerunit. Forcat e Boko Haram-it kanë vrarë qindra mijëra vetë në luftën e tyre në juglindje të Nigerisë. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kryeministri irakian kërkon anulimin e referendumit kurd

Posted: 27 Sep 2017 09:21 AM PDT

Kryeministri irakian, Haidar al-Abadi, ka kërkuar që referendumi kurd për pavarësi të anulohet. "Referendumi duhet të anulohet dhe bisedimet duhet të fillojnë në korniza të kushtetutës. Ne kurrë nuk do të bisedojmë për rezultatet e referendumit", ka thënë Abadi. "Ne do të imponojmë ligjin irakian në të gjithë rajonin e Kurdistanit, sipas kushtetutës" ka thënë ai. Rajoni autonom, ka shpallur rezultatet duke thënë se 92.7 përqind e votuesve e mbështesin pavarësinë e rajonit të Kurdistanit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Aeroplani i Mattis në shënjestrën e sulmit në Kabul

Posted: 27 Sep 2017 08:45 AM PDT

Talebanët kanë thënë se ata kishin shënjestruar aeroplanin e sekretarit të mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, Jim Mattis, në një sulm sot gjatë ditës në aeroportin e Kabulit. Sipas zyrtarëve afgan, kryengritësit kanë hedhur gjashtë predha afër aeroportit, ku një prej tyre kishte goditur një shtëpi afër. Mattis dhe sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, nuk ishin në aeroport në kohën kur kishte ndodhur sulmi, ata po takoheshin në Kabul me presidentin afgan, Ashraf Ghani. Zëdhënësi i ministrit të brendshëm afgan, Najib Danish, ka thënë se " tre terroristë janë vrarë në Afganistan nga frocat e sigurisë", sipas tij edhe 11 civilë janë plagosur nga sulmet. Jim Mattis e ka cilësuar këtë sulm si krim.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusia shkatërron armët e fundit kimike

Posted: 27 Sep 2017 08:05 AM PDT

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia ka shkatërruar armët e fundit kimike më 27 shtator, dhe i ka bërë thirrje SHBA-së që të përmbushë obligimet e saja ndërkombëtare. "Sot, municioni i fundit kimik rus është shkatërruar", ka thënë putin në një video. Presidenti rus, e quajti këtë hap si "historik" dhe "hap të madh drejt një bote moderne, më të balancuar dhe më të sigurtë". "Ne presim që këto përpjekje të Rusisë për të eliminuar armët kimike do të jenë shembull për vendet tjera", ka shtuar Putin. Shtetet e Bashkuara, "fatkeqësisht nuk po i'u përmbahen obligimeve kur bëhet fjalë për shkatërrimin e armëve kimike" ka thënë Putin. Putin tha se Uashingtoni e ka shtyrë këtë proces tri herë "me pretekstin se ka mungesë të buxhetit, që sinqerisht duket shumë e quditshme". Administrata e SHBA-së nuk ka reaguar menjëherë pas akuzave të presidentit rus, Vladimir Putin. Udhëheqësi i mbikëkqyrjes ndërkombëtare të armëve kimike ka përshëndetur shkatërrimin e armëve nga Rusia duke e quajtur këtë hap si " moment të madh historik".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Demarkacioni si ‘bumerang’ për Qeverinë Haradinaj

Posted: 27 Sep 2017 07:50 AM PDT

Kosovës po i pakësohen opsionet në lidhje me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, thonë analistët politikë. Sipas tyre, qëndrimi i përsëritur i Podgoricës se për Malin e Zi, Demarkacioni është çështje e mbyllur, i ka dhënë mesazhe të qarta Qeverisë së Kosovës se ratifikimi i Marrëveshjes aktuale, të nënshkruar qysh në gusht të vitit 2015, mbetet zgjidhja më e mirë.  Por, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli u ka thënë zyrtarëve në Podgoricë se tash për ratifikimin i marrëveshjeve ekzistuese për shënjimin vijës kufitare është i pamundur për shkak të rrethanave politike dhe përbërjes së re të Kuvendit. Në këso rrethana, njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë thonë se Kosovës nuk i mbetet rrugë tjetër përveç ta respektojë marrëveshjen dypalëshe që është nënshkruar mes komisioneve të shteteve përkatëse. Politologu Ramush Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se zhbërja e Marrëveshjes aktuale apo edhe dërgimi i saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit është e pamundur, pasi që pala malaziase nuk do që të përfshihet në asnjë rrethanë në këtë çështje. "Marrëveshja nuk mund të rinegociohet sepse nuk ka asnjë fakt të ri dhe nuk ka asnjë vërejtje të komisionit shtetëror. Kosova e ka bërë ndërrimin e komisionit që është në të drejtën e Kryeministrit. Por, Kosova, nuk mund t'i ndryshojë kriteret e rinegocimit pa pasur pasoja dhe pa e ditur rezultatin", thotë Tahiri. Tahiri thotë se Kosova, në këtë rast Qeveria e saj, duhet të sillet si subjekt i përgjegjshëm dhe të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të mos ketë sjellje si parti politike. "Vetëm nga fakti se është ndryshuar partia politike në pushtet, prej të cilës vjen Kryeministri, nuk dërgohet çështja në arbitrazh. Këto janë çështje profesionale që Qeveria duhet t'i dijë. Pa pasur objekt kundërshtimi nuk dërgohet çështja në arbitrazh. Unë thjesht mendoj se Kosova po hynë në një rrugë pa krye, për shkak të synimeve politike dhe po i humb konditat shtetërore dhe respektin institucional dhe duhet të respektohen kriteret ligjore dhe kushtetuese",tha Tahiri. Arbitrazhi ndërkombëtar për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, sipas analistëve, mund të vijë në shprehje nëse institucionet e Kosovës dështojnë përfundimisht që ta ratifikojnë në Kuvend Marrëveshjen për demarkacionin. Analisti Artan Muhaxhiri, thotë se Qeveria e re duhet të gjejë një zgjidhje të shpejtë për të dalë nga bllokimi i çështjes së Demarkacionit. "Opsioni më real mund të jetë edhe arbitrazhi, por nëse paraprakisht sigurohen të gjitha prerogativat ligjore dhe politike që një proces i tillë nuk do të jetë i dëmshëm për qytetaret e Kosovës dhe për agjendën evropiane të Kosovë", thotë ai. Muhaxhiri thotë se kryeministri duhet të gjejë një zgjidhje reale e jo populiste dhe me kokëfortësi. "Zoti Haradinaj duhet të ballafaqohet me realitetin dhe ta kërkoj një zgjidhje e cila është realiste dhe praktike. Pra, nuk duhet të mbetet peng i qëndrimeve populsite deri sa ishte në opozitë, pasi është e kuptueshme se ato kanë qenë më të sforcuara se sa është dashur", tha Muhaxhiri. Ndryshe, komisioni i sapoemëruar shtetëror për shënjimin e vijës kufitare është në pritje të udhëzimeve dhe kompetencave nga Qeveria e Kosovës, në lidhje me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Kryesuesi i këtij komisioni, Shpejtim Bulliqi ka deklaruar për Radio Evropa e Lirë se komisioni i ri, si punë të parë do ta ketë shqyrtimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, por edhe do t'i analizojë të gjitha raportet që janë bërë deri më tash nga komisioni paraprak. Marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, ndërsa atë e ka kundërshtuar opozita e mëparshme në Kosovë, përfshirë edhe Ramush Haradinajn, i cili tash është kryeministër i Kosovës. Komisioni Evropian i ka vënë kusht Kosovës për liberalizimin e vizave, pikërisht ratifikimin Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shënohen shkeljet e para në fushatën zgjedhore

Posted: 27 Sep 2017 06:34 AM PDT

Ndonëse kanë kaluar vetëm gjashtë ditë të fushatës për zgjedhjet lokale, ndaj partive politike pjesëmarrëse, janë paraqitur edhe ankesat e para për shkelje të kodit të mirësjelljes. Drejtues të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa thonë se ankesat janë paraqitur nga subjektet politike dhe organizatat joqeveritare që monitorojnë fushatën zgjedhore. Mul Desku, kryesues i Sekretariatit Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tash janë paraqitur 46 ankesa, disa prej të cilave janë aprovuar, kurse të tjerat janë në proces të shqyrtimit. "Janë paraqitur 28 ankesa, 24 ankesa janë aprovuar, 4 janë refuzuar dhe 18 ankesa janë në procedurë të shqyrtimit", thotë Desku. Numri më i madh i ankesave, sipas Deskut janë paraqitur ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjithsej 22 ankesa, kurse 9 janë deponuar kundër Partisë Demokratike të Kosovës. Natyra e ankesave të parashtruara në PZAP janë të ndryshme, por që sipas Deskut, dominon vendosja e materialeve propaganduese në hapësirat publike e që është e ndaluar më ligj. Edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren më monitorimin e fushatës zgjedhore pohojnë se numri më i madh i ankesave ka të bëjë me vendosjen e posterëve në hapësirat publike. Albert Krasniqi, nga koalicioni "Demokracia në Veprim", tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tani, ky koalicion ka adresuar 25 ankesa në PZAP. Ai vlerëson se gjatë kësaj kohe nuk janë evidentuar shkelje të mëdha të kodit të mirësjelljes. Sipas tij, aktivitetet e deritashme nuk janë aq intensive dhe nuk janë mbajtur tubime të mëdha, por kryesisht janë vizita te qytetarët. "Kurse për shkeljet tjera që janë pak më të vogla, në krahasim me të kaluarën, apo diçka që ne nuk po mundemi të identifikojmë është përdorimi veturave zyrtare. Në këtë aspekt po kemi vështirësi t'i identifikojmë, për shkak se shumë vetura zyrtare kanë ndryshuar targat e regjistrimit nga ato zyrtare në ato civile. Ne po e kemi vështirësi t'i identifikojmë dhe t'i paraqesim në PZAP. Gjuha e urrejtjes është më pak e pranishme. Ka përdorim të fëmijëve në fushatë, por jo në masë të madhe", tha Krasniqi. Në anën tjetër, Mul Desku thotë se për ankesat e parashtruara, PZAP vendos gjoba varësisht nga lloji i shkeljes së kodit të mirësjelljes. "Pavarësisht shkeljeve gjobat mund të shqiptohen deri në 50 mijë euro, por për natyrën e këtyre shkeljeve, mund të ndodh mbi 500 euro varësisht prej shkeljeve edhe Paneli merr vendim lidhur me këto", thotë Desku. Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të zgjas deri më 20 tetor. Më 21 tetor, do të jetë heshtje zgjedhore. Ndërsa, me 22 tetor do të mbahen zgjedhjet lokale në 38 komunat e Kosovës. Si rezultat do të zgjidhen kryetarët e rinj të komunave dhe këshilltarët nëpër asambletë komunale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 91 subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur (qoftë për kryetar komune apo për këshilltar në kuvendet komunale).

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Azerbajxhan: Një gazetar televiziv në gjykatë

Posted: 27 Sep 2017 05:49 AM PDT

Gazetari, Aziz Orucov, që është menaxher i stacionit televiziv në Internet, Channel 13, në Baku, sot është paraqitur në një gjykatë lidhur me akuza për të cilat mbështetësit e tij konsiderojnë se janë politikisht të motivuara. Ky gazetar, që e përdorë edhe emrin, Aziz Qarasoglu, ishte burgosur për 30 ditë në pranverë të këtij vit, pasi një gjykatë tha se i kishte rezistuar policisë. Pas lirimit të tij nga burgu më 1 qershor, ai ishte akuzuar për biznes ilegal dhe keqpërdorim të zyrës dhe të njejtën ditë ishte dërguar në paraburgim. Orucov i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat. Vëllau i tij, Anar Orucov, i cili e udhëheq rrjetin televiziv, Channel 13, nga Gjermania, thotë se akuzat kundër vëllaut të tij janë të motivuara politikisht dhe të lidhura me punën e tij. Qeveritë perëndimore dhe grupe për të drejtat e njeriut thonë se qeveria e presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, synon ta mbajë pushtetin duke i persekutuar në mënyrë të vazhdueshmee kompanitë e pavarura mediale, gazetarët, politikanët dhe aktivistët opozitarë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Maqedonia dhe Greqia në pikën zero në kontestin rreth emrit

Posted: 27 Sep 2017 05:29 AM PDT

Zgjidhja e kontestit më të madh që ka Maqedonisë me shtetet fqinje, përkatësisht atij të çështjes së emrit që kontestohet nga Greqia, mbetet vetëm në deklarata politike, përderisa nuk ka ndonjë propozim konkret nga palët. Ndërmjetësuesi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic ka paralajmëruar se nga fundi i këtij viti apo në fillim të vitit 2018 mund të ketë lëvizje nga pozicionet e të dyja palëve. Ky paralajmërim i tij, ishte përcjellë më pas nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev me deklaratën se nga mesi i vitit të ardhshëm mund të ketë ndonjë propozim konkret. Por, shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocias ka thënë se kontesti nuk ka të bëjë vetëm me emrin, por edhe më çështjen e identitetin dhe të historisë, duke e kthyer kështu procesin në pikën zero. Duke komentuar deklarimet e këtilla optimiste të palës maqedonase, por edhe ato të palës greke, njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se ky kontest vështirë se mund të ketë një zgjidhje të shpejtë. Mersel Bilalli, profesor në Universitetin "Fon", thotë për Radion Evropa e Lirë se pa një ndërhyrje serioze nga jashtë zgjidhje nuk mund të ketë. Ai thotë se do të ishte sukses sikur Maqedonia të merr ftesë për anëtarësim në NATO si dhe datën për nisjen e bisedimeve me BE-në për anëtarësim dhe këto procese të përfundojnë paralelisht me zgjidhjen e kontestit të emrit. "Unë nuk jam i bindur se problemi është aq i thjesht. Besoj se ftesa për anëtarësim në NATO dhe një vendim për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, janë hapa të cilët do të ndodhin pa një zgjidhje përfundimtare të emrit, por me klauzola të cilat gjatë procesit të ratifikimit apo zhvillimit të bisedimeve do të mund të kemi zgjidhje përfundimtare të emrit, por në etapa të ndryshme", thotë Bilalli. Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Denko Malevski, thotë për Radion Evropa e Lirë se lëvizje mund të ketë, por vetëm pas një muaji apo pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, periudhë kjo që sipas tij është e ndjeshme për t'u hapur debati për çështjen e emrit. "Duket të kalojnë zgjedhjet lokale që më lehtë të mund të hapet një debat për atë se çfarë do të ndodhë apo se çfarë duhet të bëjë Maqedonia për të arritur qëllimin e saj, anëtarësimin në NATO dhe BE. Qeveria nuk duhet të pres se çfarë do të bëjë Nimici, por edhe ajo duhet të punojë në arritjen e kompromisit, pasi ka kompromise të mira dhe të këqija dhe ajo duhet të angazhohet që të arrijë më të mirën e mundshme", thotë Maleski. Çështja e emrit po përdorën edhe nga partitë politikë në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale më 15 tetor me akuza mes partive se cila prej tyre ka bërë më shumë për interesat kombëtare. Kryeministri Zoran Zaev në vazhdimësi shpreh gatishmërinë për mbylljen e të gjitha çështjeve të hapura me fqinjët ndërsa VMRO-DPMNE-ja opozitare akuzon për marrëveshje që dëmtojnë interesin kombëtar maqedon. "Unë këtë e shoh vetëm se tek pjesa e shumicës qeveritare se ky segment afirmohet kurse sa i përket opozitës ajo vazhdon me akuzat për çështjet të cilat nuk janë bërë për 100 ditë e që vet nuk i ka bërë për 11 vjet", thotë analisti Mersel Bilalli. Çështja e emrit me Greqinë daton që nga pavarësia e Maqedonisë 27 vjet më parë. Athina kërkon nga Shkupi të ndryshojë emrin e saj dhe maqedonasit të mos pretendojnë se janë pasardhës të maqedonasve antik. Ky kontest ka bërë që Greqia ta bllokojë tash e disa vjet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pentagoni dhe NATO-ja u tërheqin vërejtjen militantëve

Posted: 27 Sep 2017 05:17 AM PDT

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kanë shprehur përkushtim të vazhdueshëm për mbështejte të Afganistanit, gjatë vizitës së paparalajmëruar në Kabul. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp sot në Kabul, ku ishte i pranishëm edhe presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, Mattis dhe Stoltenberg kanë thënë se do të bëjnë çdo gjë të mundur për ta parë Afganistanit "që nuk është përsëri strehim i sigurt për terroristët ndërkombëtarë". Stoltenberg tha se "nëse forcat e NATO-s largohen shumë herët, atëherë rrezikojnë që Afganistani do të mund të kthehej në një shtet të kaosit dhe përsëri do të bëhej strehim i sigurt për terrorizmin ndërkombëtar". Sekretari Mattis tha se "nëpërmjet partneritetit tonë ne do ta zhdukim çfarëdo shprese që al-Kaida ose Shteti Islamik, Hakani ose talibanët, e kanë për të fituar me vrasje". Këto grupe militante që i ka përmendur zoti Mattis operojnë në Afganistan. Mëtutje, zyrtari i lartë amerikan theksoi se dëshiron ta përsëris për "talibanët se e vetmja rrugë për paqe dhe legjitimitet politik për ta, është nëpërmjet zgjidhjes me negociata". "Sa më shpejtë që talibanët ta kuptojnë se ata nuk mund të fitojnë me bomba, aq më shpejtë vrasjet do të përfundojnë", tha Mattis.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Tensione para referendumit në Kataloni

Posted: 27 Sep 2017 04:43 AM PDT

Në rajonin spanjoll të Katalonisë, tensionet janë rritur para mbajtjes së referendumit të paralajmëruar për pavarësi më 1 tetor. Autoritetet spanjolle e kanë shpallur votimin si të paligjshëm dhe një numër i zyrtarëve katalanë, që kanë qenë të përfshirë në procesin e organizimit të referendumit janë arrestuar. (Video: Reutes)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shpërthim në një depo të municionit në Ukrainë

Posted: 27 Sep 2017 04:22 AM PDT

Në një depo të municionit në Ukrainën qendrore ka ndodhur një shpërthim. Garda Kombëtare e Ukrainës ka urdhëruar që banorët që janë në afërsi të këtij kompleksi ushtarak, të evakuohen. (Video: Reuters).

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Interpoli e ka miratuar kërkesën palestineze për pranim

Posted: 27 Sep 2017 03:51 AM PDT

Interpoli e ka miratuar kërkesën e Autoritetit Palestinez për pranim në këtë organizatë policore. "Shteti i Palestinës dhe Ishujt Solomone tash janë vende anëtare të Interpolit", thuhet në një postim të sotëm në rrjetin Twitter nga ana e Interpolit. Kandidatura palestineze është miratuar në Asamblenë e përgjithshme vjetore të Interpolit, që po mbahet në Pekin të Kinës. Organizata për Çlirimin e Palestinës ka shkruar në rrjetin Twitter se më tepër se 75% të anëtarëve të Interpolit kanë votuar për miratim të kërkesës për pranim. Kjo kërkesë ishte bërë në kuadër përpjekjeve palestineze për pranim në institucionet ndërkombëtare për ta avancuar qëllimin për shtetësi. Izraeli, që i kundërshton përpjekjet e këtilla palestineze dhe ka lobuar fuqishëm kundër tyre, nuk ka pasur koment të menjëhershëm për vendimin më të ri të Interpolit. Vitin e kaluar, kundërshtimi Izraelit ka çuar në suspendimin e kërkesës palestineze për tu bashkuar në Interpol. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Gjykata ruse e dënoi liderin tartar për separatizëm

Posted: 27 Sep 2017 03:18 AM PDT

Një gjykatë në Krimenë e okupuar nga Rusia, sot e ka dënuar liderin tartar në Krime, Ilmi Umerov, për separatizëm, në rastin që është kritikuar nga perëndimi si i motivuar politikisht. Gjyqtarët e emëruar nga rusët në Simferopol, që është kryeqytet rajonal, e dënuan Umerovin me dy vjet në një burg, ku ata detyrohen të punojnë fizikisht në një kapacitet industrial në afërsi. Umerov, zëvendëskryesues i Mexhlisit, që është organ përfaqësues i tartarëve të Krimesë, ishte kritik i ashpër i okupit të Krimesë nga ana e Rusisë në vitin 2014, dhe për goditjen ndaj tartarëvetë Krimesë. Duke folur në procesin gjyqësor para një jave, Ilmi Umerov, 59 vjeçar, tha se akuzat kundër tij e kanë të vetmin qëllim - "që është për t'i ndëshkuar ata që e kundërshtojnë aneksimin". Umerov tha se e konsideron vetveten "vetëm shtetas të Ukrainës". Dënimi i zotit Umerov u bë pas vendimit të ngjashëm në një gjykatë në Krime, më 22 shtator, kundër bashkëpunëtorit të Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, Mykola Semena. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rama e Haradinaj nisin bashkëpunimin me “Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut”

Posted: 27 Sep 2017 03:09 AM PDT

Kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj janë zotuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Kreu i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar edhe nga disa prej ministrave të kabinetit të tij, po qëndron në Tiranë, ku me nikoqirin, kryeministrin Edi Rama kanë ndërmarrë nismën për përurimin e Komisionit për organizimin e "Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut". Paraprakisht, Rama dhe Haradinaj janë pajtuar që më 27 nëntor, një ditë para shënimit të Ditës së Flamurit shqiptar, qeveritë e dyja vendeve të takohen në Korçë. Kosova dhe Shqipëria, ka thënë kryeministri Edi Rama, mund të nisin me ri-aranzhimet e kufirit, duke i bërë kalimet kufitare ndërmjet dy shteteve, të ngjashme me ato që i aplikojnë vendet e Bashkimit Evropian. Po ashtu, tha Edi Rama, shfrytëzimi vetëm i Portit të Durrësit nga ana e Kosovës, nuk është i mjaftueshëm dhe kërkoi që të ketë edhe pika tjera. Të dy kryeministrat thanë se Prishtina dhe Tirana duhet të thellojnë bashkëpunimin, shkëmbimet tregtare dhe të krijojnë lehtësime për aktivitetet e bizneseve. Një temë e pashmangshme e takimeve të kryeministrit Haradinaj me liderët rajonal, mbetet edhe çështja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si një prej kushteve të paplotësuara të Kosovës për liberalizimin e vizave. Haradinaj, nuk e ka komentuar qëndrimin e fundit të Malit të Zi se Demarkacioni për këtë vend është mbyllur me marrëveshjen e gushtit të vitit 2015, nga Qeveria e kaluar e Kosovës, por të cilën të cilën Haradinaj nuk e njeh. Por, ai tha se do të punohet në gjetjet e reja në lidhje me shënjimin e vijës kufitare. "Kosova po procedon në përputhje me rregullativën e vet dhe obligimet e saj politike. Kur ta kemi një situatë të re dhe më të qartë të gjeturave tona, ne do t'i drejtohemi fqinjit tonë", theksoi Haradinaj. Mirëpo, homologu i tij, Edi Rama kishte një porosi për Haradinajn, duke i kërkuar atij që të gjejë një zgjidhje për Demarkacionin. "Interesi i Kosovës është zgjidhja sa më e shpejtë e këtij problemi i cili është kthyer në ngërç në raportet e Kosovës me faktorin ndërkombëtar", tha Edi Rama. Ai tha se kryeministri Haradinaj tani duhet të ndahet nga qëndrimi i tij i ngurtë sa ishte në opozitë dhe të gjejë zgjidhje sa më të shpejtë për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ndryshe, vizita në Tiranë, paraqet vizitën e parë zyrtare jashtë vendit të kryeministrit të ri të Kosovës. Kryeministri Haradinaj është pritur në Tiranë me ceremoni shtetërore me rreshtimin e Gardës së Republikës së Shqipërisë. Haradinaj pritet të takohet edhe kreun e opozitës, Lulzim Basha, dhe kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se ky vit do të shërbejë si "yll orientues i rrugës së përbashkët krah për krah njëri-tjetrit në funksion të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë shqiptarët".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Hungaria i kërcënohet Ukrainës me pasoja të “dhimbshme”

Posted: 27 Sep 2017 02:39 AM PDT

Hungaria ka shprehur përkushtim për ta bllokuar integrimin e mëtejshëm të Ukrainës në Bashkimin Evropian, pasi Kievi e ka miratuar një legjislacion kundërthënës arsimor, për të cilin kritikët vlerësojnë se i kufizon mësimet e gjuhëve të minoriteteve në shkolla. Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha dje se pasojat për Kievin do të jenë të "dhimbshme", pasi presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, e ka nënshkruar legjislacionin, me të cilin parashihet që gjuha ukrainase të mësohet prej klasës së pestë në shkollat shtetërore. "Hungaria do t'i bllokojë të gjithë hapat brenda Bashkimit Evropian, që do të mund të ishin hapa përpara në procesin integrues evropian të Ukrainës", tha ministri Szijjarto në komentetet për agjencinë hungareze të lajmeve, MTI, që janë postuar edhe në faqen në Internet të Qeverisë së Hungarisë. "Ne mund të gartantojmë se e gjithë kjo do të jetë e dhimbshme për Ukrainën në të ardhmen", ka theksuar Szijjarto. Këto komente u bënë dy muaj para samitit të Partneritetit Lindor në Bruksel. Propozim-deklarata që Radio Evropa e Lirë e ka pasur në dispozicion javën e kaluar, sugjeron se samiti do të dominohet nga çështjet e lidhjes së BE-së me Ukrainën dhe dy shtete të tjera ish-sovjetike, Gjeorgjinë dhe Moldavinë. Legjislacioni thekson rolin e gjuhës ukrainase si shtetërore Ligji i ri në Ukrianë nuk e ndalon mësimim në gjuhët e tjera; nxënësit mund të mësojnë edhe mëtutje në gjuhët e tyre amtare si lëndë e ndarë. Poroshenko ka thënë se kjo çështje "e thekson rolin e gjuhës ukrainase si gjuhë shtetërore në procesin mësimor" dhe "siguron mundësi të njëjta për të gjithë". Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, ka kërkuar nga Ukraina që legjislacionin e ri ta dërgoj në Këshillin e Evropës, për të siguruar atë që ajo e ka cilësuar si "opinion të ekspertit" se ky ligj i plotëson standardet e Bashkimit Evropian. Ajo ka theksuar se një legjislacion i tillë "duhet të balancohet në mënyrë të kujdesshme" ndërmjet qëllimit për statusin e gjuhës shtetërore për gjuhën ukrainase dhe "nevojën për t'i mbrojtur gjuhët e pakicave dhe ato rajonale". Sigurimet e presidentit Poroshenko për këtë ligj nuk i kanë zbutur shqetësimet e komuniteteve etnike në Ukrainë, përfshirë polakët, rumunët dhe hungarezët. Legjislacioni i Ukrainës, po ashtu, i ka zemëruar edhe zyrtarët e vendeve të tjera fqinje të Ukrainës. Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, tha se legjislacioni "në mënyrë drastike e kufizon" qasjen e grupeve të minoriteteve në gjuhët e tyre amtare përkatëse. Në shenjë proteste ai e ka anuluar një vizitë të paraparë për në Kiev. Rusia ishte veçanërisht e ashpër në kritikat e saj, duke theksuar se legjislacioni ka për qëllim "që me forcë të krijoj një regjim njëgjuhësor në shtetin kombëtar". Poroshenko: Dalje nga Perandoria Ruse Gjuha është shndërruar në çështje të nxehtë në gjithë Ukrainën, veçanërisht në rajonet lindore, ku shumica e popullatës flet rusisht. Legjislacioni i ri e ka hedhur poshtë ligjin e vitit 2012, i miratuar nën presidentin e atëhershëm, Viktor Yanukovich, aleat i Kremlinit, i cili pas dy vitesh ishte larguar në Rusi, për shkak të protestave masive kundër politikave të tij. Sipas atij legjislacioni, pakicat janë lejuar që t'i përdorin gjuhët e tyre në rajonet ku ata përbënim më tepër se 10% të popullatës. Kievi kishte synuar integrim më të madh me Bashkimin Evropian nën qeverinë properëndimore, e cila erdhi në pushtet pas përmbysjes së Yanukovichit. Pas kësaj, Rusia e okupoi Krimenë e Ukrainës dhe i mbështet separatistët në pjesën lindore të ukrainës. Në muajin qershor, Ukraina ka siguruar udhëtim pa viza për shtetasit e saj në pjesën më të madhe të vendeve të BE-së, në një zhvillim që presidenti Poroshenko e ka vlerësuar si "dalje finale e vendit tonë nga Perandoria Ruse". Mëtutje, më 1 shtator ka hyrë në fuqi Marrëveshja për Asociacion, që i ka forcuar lidhjet ndërmjet Ukrainës dhe BE-së. Vendimi i ish-presidentit, Viktor Yanukovich, për të mos e nënshkruar këtë marrrëveshje në vitin 2013, ishte njëri nga shkaqet e protestave masive, që sollën përmbysjen e tij. Përgatiti: Fatmir Bujupi

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Haradinaj për vizitë në Tiranë

Posted: 27 Sep 2017 01:40 AM PDT

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po qëndron sot në Tiranë në vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit, pas emërimit në postin e kryeministrit. Garda e Republikës së Shqipërisë është rreshtuar për pritjen e kryeministrit të Kosovës. Kryeministri Haradinaj është pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ministrat e qeverisë. Haradinaj po shoqërohet nga disa ministra të qeverisë së Kosovës, kurse në agjendë, përveç takimit me kryeministrin Edi Rama, është paraparë të bëhet edhe përurimi i Komisionit për organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut, nën kryesinë e dy kryeministrave. Haradinaj pritet të takohet edhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha, dhe kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ukrainë: Evakuim i gjërë për shkak të eksplodimeve në një depo ushtarake

Posted: 27 Sep 2017 12:35 AM PDT

Eksplodimet masive në një kapacitet ushtarak të Ukrainës, kanë shkaktuar që të evakuohen 24 mijë njerëz dhe të mbyllet hapësira ajrore në rajon, kanë njoftuar sot shërbimet e emergjencës në këtë vend. Këto shpërthime kanë shkaktuar zjarr mbrëmë vonë në një bazë afër vendbanimit, Kalinivka, 270 kilometra në perëndim të kryeqytetit Kiev. Kryeministri i Ukrainës, Volodymyr Hroysman, i cili ka arritur në rajon disa orë pas shpërthimeve, tha se në këtë incident kishin dorë "faktorë të jshtëm". Zoryan Shkiryar, këshilltar në Ministrinë e brendshme të Ukrainës, ka shkruar në rrjetin Facebook se është "i bindur se ky është sabotim armiqësor rus" dhe ka shtuar se ky ishte zjarri i shtatë në depot ushtarake në Kalinivka. Sipas tij, një komision shtetëror do të zhvilloj hetime për shkaqe të eksplodimeve. Zëvendësministri për politikë informuese, Dmytro Zolotukhin, tha se eksplodimi ishte aksident dhe autoritetet po punojnë për ta vënë situatën nën kontroll. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Senatori Corker thotë se do të tërhiqet vitin e ardhshëm

Posted: 26 Sep 2017 11:36 PM PDT

Politikani Bob Corker, kryesues me ndikim i Komitetit për marrëdhënie të jashtme i Senatit të Shteteve të Bashkuara, ka shpallur mbrëmë se do të tërhiqet vitin e ardhshëm, pasi i skadon mandati. Zoti Corker theksoi se dëshiron të jetë i lirë nga presionet politike, që vijnë me rizgjedhje, pasi ai të vendos se si të votojë për legjislacionet në Senat gjatë muajve të ardhshëm. "Besoj se shërbimi më i rëndësishëm publik që unë mund t'i ofroj vendit tonë, mund të ndodhë gjatë 15 muajve të ardhshëm dhe unë dëshiroj të jem në gjendje që të veproj në mënyrë të pavarur, ashtu siç kam vepruar në 10 vitet dhe nëntë muajt e karrierës sime në Senat", tha Corker në deklaratën e tij. Presidenti amerikan, Donald Trump, pat kërkuaar nga zoti Croker, që është republikan i qendrës, i njohur për punën e tij me demokratët për miratimin e legjislacioneve, që të jetë sekretar i shtetit në administratën e tij. Por, dallimet e tyre u paraqitën muajin e kaluar kur Corker ashpër e kritikoi Trumpin lidhur me dhunën në Shartlotsvill të Virxhinias. "Ekziston nevoja që të ketë disa ndryshime radikale", thaa Corker dhe ka shtuar se "presidenti ende nuk ka qenë në gjendje të demonstroj stabilitet ose ndonjë kompetencë që i duhet që të jetë i suksesshëm".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Zyrtarët e lartë amerikanë dhe të NATO-s në vizitë në Kabul

Posted: 26 Sep 2017 11:20 PM PDT

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kanë arritur sot në Afganistan, në një vizitë befasuese, ka njoftuar zëdhënësi i misionit të NATO-s në Kabul, William Salvin. Mattis dhe Stoltenberg do të takohen me presidentin afgan, Ashraf Ghani, me komandantët dhe ushtarët amerikanë dhe me misionin e aleancës veriatlantike për trajnimin e forcave afgane. Zëdhënësi Salvin tha, po ashtu, se të dy zyrtarët e lartë perëndimorë, do të kenë takime në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kabul dhe do ta kenë një konferencë për gazetarë së bashku me presidentin Ghani. Temë e takimeve me gjasë do të jetë implementimi i strategjisë së re amerikane – afgane, të cilën presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka shpallur muajin e kaluar. Sipas planit të Trumpit, Shtetet e Bashkuara do t'i dërgojnë më se 3 mijë ushtarë shtesë në Afganistan, ndërsa atje tashmë gjenden 11 mijë trupa amerikane, që i stërvisin dhe këshillojnë forcat e sigurisë së Afganistanit. Por, kritikët kanë shprehur dyshime për këtë plan, pasi sipas tyre, forcat aktuale dhe ato shtesë amerikane nuk do të mund ta arrijnë atë që nuk është realizuar as me 100 mijë ushtarë, në pikën kulmore të luftimeve në Afganistan. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more