Skip to main content

Tirana Observer: ““Kemi një opozitë që shan si ai frikacaku që bërtet për të kaluar pyllin natën”” plus 9 more

Tirana Observer: ““Kemi një opozitë që shan si ai frikacaku që bërtet për të kaluar pyllin natën”” plus 9 more


“Kemi një opozitë që shan si ai frikacaku që bërtet për të kaluar pyllin natën”

Posted: 08 Oct 2017 09:53 AM PDT

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur kabinetin qeveritar të dielën, një ditë pasi shpalli emrat e zv/ministrave dhe u kërkoi ministrave të ndajnë detyrat dhe rolet për secilin prej tyre.

Fjala e kryeministrit Rama u publikua si komunikim javor me publikun në rrjetin social të kryeministrit.

"Duhet të punojmë të gjithë që jo vetëm të çelim negociatat për anëtarësim vitin e ardhshëm, duke marrë një sinjal të qartë pozitiv nga Këshilli i Europës në këto 100 ditë të para. Por edhe që të jemi gati për negociata, që janë një proces tjetër i ndërlikuar."

Ai tha se ky proces do të ndiqet nga Ministrja e Jashtme dhe për Europën, porse ajo duhet mbështetur nga të gjitha ministritë, dhe nga çdonjëra prej skuadrave të tyre drejtuese.

Kryeministri Rama tha se opozita e dobët, me të cilën sipas tij po përballet maxhoranca, është një rrezik më vete.

"Kemi edhe një opozitë të dobët, që ulëret dhe shan si ai frikacaku që bërtet për të kaluar pyllin natën, por ky është një rrezik më vete për skuadrën tonë dhe një lehtësi."

"Do të kemi vetëm dy aleatë në këtë betejë aspak të lehtë, popullin, të cilin duhet ta fitojmë çdo ditë me vepra, dhe dëshirën tonë për ta bërë Shqipërinë që duam me punë, shtet, mirëqenie. Forca të gjithëve!", tha Rama.

ANALIZA/ Merkel nën kërcënimin e së djathtës pas zgjedhjeve

Posted: 08 Oct 2017 09:05 AM PDT

Dy javë pas fitores së ngushtë në zgjedhje, Angela Merke po ndërmerr sot negociata të vështira në dukje për formimin e qeverisë së re, duke u përballur me një sulm të krahut të djathtë të familjes së saj politike.

Kancelarja u takua sot në mëngjes në Berlin me liderët kryesorë të partisë së saj kristian-demokrate (CDU), përfshirë ministrin e Financave, Wolfgang Schäuble përpara se të zgjerojë rrethin e bisedimeve gjatë mesditës me aleatët e saj bavarezë të CSU, nën drejtimin e Horst Seehofer.

Objektivi kryesor i diskutimeve qëndron në shuarjen e mosmarrëveshjeve mes dy lëvizjeve vëllazërore, kryesisht në lidhje me politikën migratore me dyer të hapura mjaft bujare të Angela Merkel, dhe arritjen e një marrëveshje për programin e përbashkët për katër vitet e ardhshme.

Kjo detyrë pritet të jetë e komplikuar dhe një marrëveshje nga e diela ka pak gjasa të shënohet.

CSU bavareze që përfaqëson krahun më konservator të kësaj familje politike, mbështetur nga krahu i djathtë i CDU bëjnë përgjegjëse kancelaren dhe politikën e saj centriste për rezultatet zhgënjyese të zgjedhjeve parlamentare, me fitore por me rezultatin më të dobët të shënuar prej 1949 (32,9 për qind).

E brishtë që në fillim të mandatit të saj të katërt, Angela Merkel perceptohet si nën presion për të formuar një koalicion të shumicës në Parlament që nuk është e natyrshme në letër, me liberalët dhe ambjentalistët, dy grupime politike që janë thuajse apo gati të ndryshëm.

-Plani me dhjetë pika-

Dhe njëkohësisht ekstremi i djathtë i AfD bëri një hyrje spektakolare në Dhomën e Deputetëve.

Sipas mediave gjermane, kreu i CSU-së solli për diskutimin e së dielës një plan prej dhjetë pikash duke vënë në pozitë të vështirë Angela Merkel.

Kristian-socialistët bavarezë kërkuan që lëvizja të zërë gjithashtu vendin e saj në të djathtë të qendrës. Dhe propozojnë kontretisht përcaktimin e një kufiri vjetor të numrit të migrantëve dhe të një "kulture specifike" gjermane për t'u miratuar nga prurjet e reja.

Në mungesë të një marrëveshje brenda familjes konservatore, negociatat e ardhshme të planifikuara të nisin nga mesi i tetorit me liberalët dhe ambientalistët, që Angela Merkel zyrtarizoi të shtunën, do të jenë të predispozuara të rezultojnë të pasuksesshme. /ATSH-AFP/

Sulmet kibernetike, koloneli austriak: Shqipëria, e rrezikuar. Të rrisë sigurinë

Posted: 08 Oct 2017 08:50 AM PDT

Sulmet kibernetike shpesh herë nuk i kanë ndalur dot as institucionet shtetërore.

Pak kohë më parë hakerat bllokuan për dy ditë faqen e Policisë së Shtetit, ndërsa ofrimi i shërbimeve online për qytetarët ka rritur rrezikun e aksesit në informacionet e klasifikuara, apo ato që lidhen me sigurinë kombëtare.

Koloneli Walter Unger, ish-drejtor i mbrojtjes kibernetike në Ushtrinë Austriake, i cili ishte i ftuar në Tiranë në një forum me aktorë të institucioneve ligjzbatuese, thotë se Shqipëria duhet të bëjë më shumë në forcimin e politikave dhe elementëve të sigurisë.

"Kriminelët që fshihen prapa kompjuterëve nuk duan t'ia dinë kush është viktima. Mjafton të kenë përfitime monetare apo të arrijnë qëllimin e tyre dashakeq, ndaj edhe Shqipëria është e rrezikuar si çdo vend tjetër", deklaron Unger.

Sipas kolonelit austriak, Shqipëria duhet të forcojë edhe kuadrin ligjor.

"Shqipëria duhet të adoptojë të gjitha praktikat ë Konventës europiane për krimin në fushën e kibernetikës. Është një sfidë që nuk duhet neglizhuar si një vend anëtar i NATO-s, por edhe që aspiron të bëhet pjesë e BE-së. Është i nevojshëm plotësimi i disa hallkave me elementë sigurie shtesë", nënvizon Unger

Cilat janë programet më të lira dhe më të shtrenjta të televizioneve shqiptare

Posted: 08 Oct 2017 08:40 AM PDT

Programet e televizioneve kryesore, audienca e synuar, gara në oraret më të ndjekura. Cilat janë programet më të lira dhe më të shtrenjta për të reklamuar. Flasin drejtuesit e programacioneve të tre televizioneve kryesore në vend: Top Channel, TV Klan, Vizion Plus…

Nga Nertila Maho

Është e vështirë të mbash këdo mbërthyer pranë ekranit. Kjo varet nga ajo që ti ofron, por sigurisht varet shumë edhe nga pritshmëria dhe interesi që një teleshikues specifik ka.

"Lufta" mes televizioneve nuk bëhet për një, dy apo pak më shumë teleshikues, ajo kërkon shumicën, sepse kjo garanton edhe suksesin. Por po bëhet gjithmonë e më vështirë të mbash pas vetes këtë shumicë. Kjo sepse audienca po evoluon në shije, e nxitur nga zhvillimet brenda dhe jashtë vendit, ku aksesi i saj është thjeshtuar.

Për ta mbërthyer pranë ekranit do të të duhet të ruash suksesin e menusë ekzistuese, por mbi të gjitha do të të duhet të servirësh edhe pjesën "ekstra", menunë e re. Ky sezon i ka gjetur televizionet në një punë intensive për të sjellë risi, për të ndjekur tendenca, për t'u bërë të veçantë. Padyshim që të gjithë kanë ruajtur bazën e tyre më të mirë, por i kanë shtuar apo janë në proces, elemente të reja kësaj baze, që kërkon të fitojë atë pjesë audience që nuk e ka gjetur veten, nuk ka parë interes ose shijet e saj janë shumë më përzgjedhëse sesa shumica.

Baza mbetet, e njëjtë pa modifikime

Monitor bisedoi me të paktën tre prej drejtorëve respektivë që kujdesen për programin në Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus. Në thelb janë disa emisione që kanë gjetur vendin e tyre në treg dhe në vëmendjen e audiencës dhe pikërisht ata janë kolona që nuk do të ndryshojë. Bëhet fjalë për emisionet e aktualitetit, që trajtojnë ngjarjet më të rëndësishme politike, kronikë dhe ekonomi.

Emri i emisioneve dhe prezantuesve përveçse është i konsoliduar është edhe përfaqësues për secilin prej televizioneve.

Në këtë grup hyjnë Top Story i Sokol Ballës, Opinion i Blendi Fevziut apo Dritare e Rudina Xhungës. Të gjithë kanë ruajtur të njëjtën tendencë të sezonit të mëparshëm, përveç emisionit të Ballës, i cili do të ketë një shpeshtim të takimeve me publikun, duke ju përshtatur deri diku intensitetit që kërkon tregu. Po kështu, një pjesë e mirë e emisioneve mbeten të pandryshuara si Exclusive, Zonë e Lirë apo Oktapod. Tre emisione përfaqësuese për tre ekranet e marra në analizë.

Për shumicën e televizioneve nuk ka shkurtime të emisioneve ekzistuese, ka vetëm shtim të programeve të reja. Këto të fundit ndjekin logjikën e konkurrencës përtej Shqipërisë, audiencës që kërkon më shumë argëtim dhe kërkesës për më shumë cilësi.

Tendencat e kohës kërkojnë vëmendje

Jo rastësisht të gjithë po shtojnë programe gatimi. Top Channel tashmë ka konfirmuar se edhe në këtë sezon, "Në shtëpinë tonë" do të vazhdojë të jetë prezent, madje Anjeza Maja dhe Florian Agalliu e kanë nisur tashmë këtë maratonë. Ajo që vihet re është promovimi i ushqyerjes së shëndetshme por edhe produkteve shqiptare. Por duket se edhe Klan, këtë sezon ka vendosur të përfshijë një emision që në bazë ka një formulë të thjeshtë dhe që gjithçka rrotullohet tek gatimi. "'Kush vjen për drekë' një formulë e jona, nuk është shpikje e jashtëzakonshme, është një formulë e thjeshtë ku personazhe VIP bëjnë "një konkurs", por konkursi nuk është qëllimi, por është mënyra e gatimit, promovimi i produkteve të vendit, ngrënies së shëndetshme, bio, dietiket, që janë trendet e kohës", shprehet Armand Shkullaku, drejtor i programit në TV Klan.

Flitet aq shumë për të bukurën, përsosmërinë, ndërhyrjet plastike dhe duket se në këtë linjë do të vijë një tjetër emision që reflekton pikërisht një tendencë. Kjo jo pa shkak, pasi numri i atyre që interesohen për një ndërhyrje ka qenë në rritje të vazhdueshme dhe po në lulëzim edhe biznesi që e ofron këtë shërbim. Një tjetër tendencë e shqiptarëve është ajo e udhëtimeve. Ofrimi i disa linjave më ekonomike edhe pse jo totalisht low cost, njohja me mundësi të reja rezervimi hotelesh ekonomike, por edhe ofrimi i paketave interesante turistike po kthen udhëtimet dhe eksplorimet në një kulturë edhe pse ende në numër të vogël. Emisione argëtimi me fokus aventurën dhe eksplorimin pritet që t'i shtohen televizioneve shqiptare, edhe kjo në ndjekje të trendit.

Telenovela? Po me shumicë dhe nga të gjitha!

Telenovelat janë një nga pjesët e programeve më të dashura për shumicën e audiencës shqiptare. Këtë konfirmojnë të gjithë televizionet të cilët nuk ngurojnë të dalin në treg për të blerë prodhimet më të mira. Top Channel do që të mbajë fort standardin e tij me prodhime ndërkombëtare, por fokusin e saj do ta ketë tek serialet aq të dashura amerikane dhe italiane, me të cilat audienca e tij është mësuar vit pas viti, duke kërkuar gjithmonë vazhdimin. "Në lidhje me blerjet e filmave artistikë e serialë, po punohet për një paketë të plotë të re me filma seriale si 'Gomorrah', 'Empire', 'Billions', etj., si dhe vazhdimësinë e sezoneve të reja të serialeve 'Homeland', 'Amerikanët', 'Downton Abbey', 'Skuadra Antimafia', 'Nder e respekt'", – pohon Vjollca Dedei nga Top Channel.

Klan, nga ana tjetër, ka vendosur që të mbetet tek audienca që tërheqin telenovelat turke.

"Serialet turke do të vazhdojnë të jenë pjesë e grilës programore këtë sezon, sepse vazhdojnë të rezultojnë shumë të suksesshme dhe me shifra të kënaqshme në audiencë. Në 2017, Turqia është renditur në vend të dytë në botë si eksportuese e prodhimeve televizive pas SHBA. Serialet turke tashmë kanë depërtuar edhe në Europën Perëndimore si për shembull në Itali në Canale 5 apo në Sky Italia. Pa harruar edhe faktin tjetër të brendisë së tyre, e cila është jetësore, e vërtetë dhe shumë afër mentalitetit tonë.

Janë të vetmet prodhime të cilat konkurrojnë me seriale të tjera por edhe me programe të prodhuara nga televizionet konkurrente. Prandaj gërshetimi i tyre me strukturën tonë programore, është absolutisht një zgjedhje e suksesshme në shifra audience. Gjithashtu seriali indian do të vazhdojë të shfaqet gjatë pasditeve, pasi ka rezultuar i suksesshëm, sepse janë seriale për të gjithë familjen, që nga fëmijët e deri tek mosha e tretë. Në këto seriale trajtohen tema familjare si familja, martesa, zakonet, traditat dhe është gjithmonë një dritare më shumë, për të zbuluar kulturën indiane nëpërmjet këtyre programeve", – shprehet Albert Dumani, Drejtor i Programacionit në TV Klan, i cili ka nën varësi edhe departamentin për blerjet që lidhen me serialet dhe telenovelat.

Sipas tij, teleshikuesi shqiptar ka krijuar një lloj afeksioni për aktorët që luajnë në seriale, kryesisht ato turke dhe në çdo serial të ri, që shfaqen duket se ka një sukses të garantuar. Kjo histori duket se do të përsëritet me blerjen e radhës. Nga kompania, që prodhoi Ezel, Kuzey Guney, Diamante dhe Dashuri apo Dashuri e Ndaluar, vjen seriali më i përfolur i vitit 2017,

'Xhesuri dhe e bukura'. Dy aktorët më të preferuar dhe më të suksesshëm turq Kıvanç Tatlıtu dhe Tuba Bujykystyn bashkohen në serialin e vitit që premierë në tetor në TVKLAN", thotë Dumani.

Më i shtrenjtë dhe më i lirë! Pak surpriza te tarifat

Jo pa qëllim tërheqja e audiencës dhe ruajtja e një pozicioni të fortë në treg kërkohet nga televizionet në mënyrë të vazhdueshme. Kjo sigurisht përkthehet në të ardhura më të mira në portofolin e tyre nga buxhetet e marketingut që dedikojnë bizneset. Për vitin 2017, televizionet duket se kanë bërë pak ndryshime në tarifat që aplikojnë për reklamat që transmetohen para programeve të caktuara, apo në mes të programit.

Top Channel për janar-dhjetor 2017 ka vendosur të mbajë pak a shumë të njëjtat tarifa për publicitetin me dy përjashtime. Transmetimi i një reklame para 'Procesit Sportiv' është 1150 lekë/s më lirë sesa një vit më parë.

E njëjta situatë paraqitet edhe për "Top Show" me një ulje të tarifës para emisioni me 1150 lekë/sek, por edhe një ulje të tarifës në ndërprerjen e dytë gjatë emisionit me 785 lekë/sek. Për transmetimet para "The Voice of Albania" ka rritje me 400 lekë/sek më shumë kurse "Në shtëpinë tonë" me 200 lekë/sek. Ky i fundit ka shënuar rritje të tarifave edhe për ndërprerjet publicitare gjatë transmetimit me 150 lekë për sekondë, duke arritur në 750 lekë/sekondë. Rekordin për tarifën më të kripur e mban "Portokallia" me 4410 lekë/sekonda para nisjes së programit dhe me 8400 lekë/sekonda gjatë ndërprerjeve të programit.

Tek Televizioni Klan, tarifat që aplikohen për reklamat kanë ndryshime të vogla në total 4, nëse krahasimin e bëjmë me ofertën e 2017 dhe 2016. Reklamimi para 'Aldo Morning Show' kushton gjatë këtij viti 1 euro më shumë për çdo sekondë duke e çuar tarifën finale në 8 euro/sekonda. Për ndërprerjet publicitare gjatë emisioneve, rritje të tarifës kanë pasur emisioni 'Opinion' (të hënë, të martë dhe të mërkurë, por përjashtuar të enjten) nga 20 euro/sek në 23 euro/sek për 2017, si dhe 'Zonë e lirë' e 'Dance with me' që kanë rritur me nga 10 euro/sek tarifën për reklamat që transmetohen në mes të transmetimit. Tarifa më e shtrenjtë për reklama në Klan para emisioneve aplikohet gjatë 'Opinion'-it të së enjtes, 'Zonë e Lirë', 'Xing me Ermalin', 'Dance with me', 'Your Face Sounds Familiar" me 25 euro/sek, kurse për ndërprerjet gjatë emisionit, tarifa që aplikohet për shumicën prej këtyre emisioneve është 50 euro/sek.

Vizion Plus përsërit të njëjtën panoramë sikurse edhe dy televizionet e tjera. Tarifat e saj për 2017 lidhur me reklamat nuk kanë ndryshuar. Më shtrenjtë edhe këtu kushton argëtimi ku tarifa më e kripur është për emisionin 'Dancing with the Stars' me një vlerë 7700 lekë/sek, kurse 'Al Pazar' dhe 'Apartamenti 2XL' aplikojnë një tarifë 6600 lekë për reklamat që transmetohen gjatë ndërprerjeve.

Programet shtohen, cilësia rritet, por biznesi ende buxhete anemike

E ndërsa vit pas viti portofoli i programeve për televizionet, shtohet, ka lamishmëri në profil, në trajtim dhe cilësi duket se ka diçka që mbetet në vend. Tarifat që marketingu aplikon për reklamat. Këto të fundit kanë shumë pak ndryshime dhe kjo lidhet edhe me një stepje të biznesit për të reklamuar. Post-kriza dhe vështirësitë e ekonomisë kanë reflektuar tek buxhetet e marketingut, të cilët edhe pse jetikë, në disa raste kalojnë të parët në gërshërë dhe jo në mënyrë të moderuar.

Për drejtorin e Programit në Klan Armand Shkullaku, kjo lidhet me faktin se ende nuk ka një matje të saktë audience dhe bizneset që përballojnë tarifat e prime time zgjedhin këtë fashë duke pasur siguri për efektin. Pjesa tjetër preferon të presë gjatë për të parë ndikimin që një program ka tek audienca. Ka dhe të tjerë që nuk e gjejnë veten në asnjë nga programet dhe pikërisht, ndjekja e tendencave dhe ofrimi i sa më shumë alternativave është një mundësi më e mirë për të kapur edhe këtë kontingjent.

"Nuk vë re ndonjë ndryshim të madh. Vazhdon të ndihet kriza e biznesit dhe shkurtimi i buxheteve. Problemi është që bizneset nganjëherë i bien shkurt, duan emisionet e prime time, ato që ata kanë një lloj sigurie, ngaqë mungon kërkimi, studimi i tregut dhe marketingu i profesionalizuar. Unë mendoj që kjo gjë do të ndryshojë dhe jam i bindur që dhe audienca do të reagojë ndaj emisioneve dhe them që dhe biznesi do të orientohet ndaj tyre", – shprehet Shkullaku.

Drejtorja e Programacionit në Top Channel, Vjollca Dedei, nënvizon se biznesi shfaq qasjen e tij ndaj reklamave në disa mënyra. "Ka disa lloje qasjesh të biznesit. E para ka të bëjë me fashën e orarit që natyrisht dominon prime time. E dyta ka të bëjë me cilësinë e shikueshmërinë e programit. E treta ka të bëjë me produktin që kërkon të reklamosh në varësi të audiencës që ndjek programin", – thekson Dedei.

Marrë me shkurtime nga Monitor

Lajmi i hidhur i Andrea Pirlos: Lamtumirë futboll, jam i vjetër

Posted: 08 Oct 2017 08:30 AM PDT

Andrea Pirlo, lider i Italisë kampione e botës në vitin 2006, ka deklaruar sot tërheqjen nga futbolli i luajtur. Nga Nju Jorku, ku dhe luan prej dy sezonesh, fantazisti që në karrierën e tij ka fituar gjithçka, ka deklaruar në një intervistë për "La Gazzetta Dello Sport" se në dhjetor do t'i thotë "stop" futbollit. "Vjen një moment kur kupton se ka ardhur momenti për t'u ndalur. Çdo ditë kam probleme fizike dhe nuk arrij të stërvitem ashtu si dua. Në moshën që jam tani, ka ardhur koha t'i them mjaft futbollit. Nuk mund të vazhdoj më të luaj me këtë ritëm", u shpreh Andrea Pirlo, tashmë 38 vjeç.

Pirlo shprehet se ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë në të ardhmen. "Diçka do të bëj. Në dhjetor do të rikthehem në Itali. Zëvendës i Conte? Janë thjesht fjalë. Unë kam disa ide, por do të marr pak kohë për të vendosur. Nuk është e thënë se meqë kam qenë një futbollist i mirë të bëhem edhe një trajner i mirë. Duhet të lindë ajo "shkëndija" që kjo gjë të ndodhë. Mua ende nuk më ka ardhur momenti për t'u bërë trajner", u shpreh Andre Pirlo, që në Serinë A ka luajtur me Inter, Milan e Juventus, ndërsa me kombëtaren ka luajtur 116 ndeshje e realizuar 13 gola.

Ndahet nga jeta në moshën 9-vjeçare bukuroshja Kejsi Prizrendi.

Posted: 08 Oct 2017 08:15 AM PDT

Kejsi ishte diagnostikuar me Stevens-Jonson, një sëmundje e rrallë që prek 1 në 1 milion persona

Vogëlushja ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Ajo kurohej prej 10 shtatorit në një spital italian për sindromën e rrallë "Steven-Johnson".

U deshën 2000 euro në ditë  për të ndihmuar vogëlushen.

Miq, të afërm, familjarë, njerëz të shkollës ku ajo mësonte, por edhe shumë shqiptarë i janë bashkuar fushatës për të shëruar vajzën e vogël, por Kejsi fatkeqësisht nuk mundi të triumfojë në betejën  e saj për jetën.

Ndërtimi në Vjosë, Xhafaj: Zero tolerancë, hetim edhe nga SHÇBA

Posted: 08 Oct 2017 08:05 AM PDT

Kundër ndërtimeve të paligjshme duket se është vënë çdo instancë e shtetit, ku pas reagimit të ministrit të  Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe asaj të Sipërmarrjes, Sonila Qato ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj që ka paralajmëruar nisjen e hetimeve për të këtë çështje.

"Tolerance 0 ndaj çdo ndërtimi të paligjshëm e krimi mjedisor", shprehet Xhafaj në Twitter, teksa thekson se për këtë çështje do të hetojë edhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat brenda Policisë së Shtetit, për të zbuluar nëse ka pasur apo jo abuzime nga strukturat e shtetit për të lejuar punimet në Grykën e Këlcyrës, në luginën e Vjosës

"SHÇBA e Hetimi Pol Shtetit në luginen e Vjosës. Tolerance 0 ndaj çdo ndërtimi të paligjshëm e krimi mjedisor. Flm medias e shoqërisë civile", shkruan Xhafaj në Twitter.

Zbulohen emrat, ja kush janë partnerët e Arditit në prezantimin e Këngës Magjike

Posted: 08 Oct 2017 08:00 AM PDT

Sapo janë larguar nga spektakli i humorit "Portokalli", Bes Kallaku dhe Erion Isai kanë nisur disa projekte të reja artistike.

Shfaqjet private, por edhe pjesëmarrjet në koncerte të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, nuk kanë qenë të pakta për dy miqtë e vjetër. Por edhe me publikun që i ndjek nga ekrani nuk do të jenë më larg.

Sot, Erioni dhe Besi kanë qenë pjesë e rubrikës "Ka një mesazh për ty", në "E diela shqiptare".

Erioni ishte iniciatori i surprizës. Ai e kishte ftuar Besin për t'i kërkuar ta bënte edhe atë bashkëpronar për biznesin e tij të ri që ka blerë së fundi në kryeqytet.

Pjesë e kësaj kërkese u bë edhe Arditi, i cili kërkoi gjithashtu 25 për qind të aksioneve.

Pasi Besi pranoi pa hezitim, Arditi zbuloi se dy aktorët e njohur të humorit do të jenë bashkë me të në drejtimin e Këngës Magjike 2017.

Dhe bashkë me ta, natyrisht do të ketë edhe personazheve femërore: ky ishte edhe kushti që kishte vendosur Besi paraprakisht, nëse do të ishte pjesë e prezantimit të Këngës Magjike.

Kështu tha Arditi duke e lënë me kaq surprizën.

Emrat e partnereve mbeten ende surprizë.

“Italia, partnere strategjike”, Rama do takojë Gentilonin në Romë

Posted: 08 Oct 2017 07:53 AM PDT

Kryeministri Edi Rama pritet që gjatë mesjavës të zhvillojë një vizitë zyrtare në Itali, ku do të takojë homologun e tij italian Paolo Gentiloni.

Sipas burimeve nga kryeministria për SCAN, kjo është dhe vizita e parë e kryeministrit në një shtet të Europës, pas udhëtimit në Shtetet e Bashkuara ku u takua dhe me presidentin Donald Trump.

Ky është takimi dytë që dy kryeministrat do të zhvillojnë brenda një kohe të shkurtër, ndërsa në muajin Korrik ata diskutuan në Samitin e Triestes, disa nisma rajonale, si krijimi një hapësire të vetme ekonomike në rajon.

SCAN ka mësuar se në fokus të këtij takimi pritet të diskutohet për forcimin e bashkëpunimit për çështje të sigurisë, ekonomisë si dhe për njohjen e pensioneve, si për shqiptarët që jetojnë në Itali dhe italianët që jetojnë në Shqipëri.

Vizita jep dhe një mesazh të fortë duke konfirmuar se në arenën ndërkombëtare Italia mbetet ndër partnerët strategjikë të Shqipërisë.

Bes Kallaku përfundon në “Ka një mesazh për ty”, kë ka “tradhtuar” pas 10 vjetësh?

Posted: 08 Oct 2017 07:07 AM PDT

Janë të dy miq shumë të mirë prej mëse 10 vjetësh tashmë. Erion Isai dhe Bes Kallaku janë zyrtarisht jashtë spektaklit të humorit "Portokalli", por vazhdojnë së bashku projektet artistike. Siç është mësuar së fundi, dy aktorët kanë plane për të ardhmen e tyre artistike, madje prej kohësh janë pjesë e koncerteve dhe eventeve të ndryshme, por diku i është prishur qejfit njëri për miqve.

Erion Isai ishte sot pjesë e rubrikës "Ka një mesazh për ty" dhe, si për çudi, kishte për t'i dhënë një mesazh kolegut dhe mikut të tij më të mirë, Bes Kallaku.

Edhe pse prej 10 vjetësh, dy miqtë e ngushtë kanë ndarë bashkë çdo gjë, Besi vendosi që t'i hyjë edhe biznesit duke blerë një prej restoranteve më të mirë të peshkut në kryeqytet. Por Erioni është qejfmbetur për këtë. Ai kishte zbuluar se Besi është bërë pronar, por nuk i ka treguar.

Pasi Arditi e pyeti pse është sot në "Ka një mesazh për ty", ai tha se ka ftuar shokun  e tij për t'i kërkuar llogari pse nuk i ka thënë atij për restorantin dhe, për më tepër, pse nuk e ftoi edhe atë për ta bërë bashkëpronar.

Mes një morie ankesash, pa iu larguar edhe humorit, Erioni kërkoi që Besi të ishte i ftuar në "E diela shqiptare" dhe bashkë me stafin e restorantit t'i kërkonin aktorit të ndante aksionet e biznesit. Pjesë e kësaj kërkese u bë edhe Arditi, meqenëse restoranti mban edhe emrin e tij.

Pasi Besi mori mesazhin, në fillim besoi se pas murit do të ishte Ija, gjyshja e tij, që së fundi është përfshirë nga kënaqësia për të qenë pjesë e ekranit. Por si fillim u ndesh me stafin e restorantit dhe menaxherin, i cili i kërkoi të mos shkojë më në restorant nëse ka vendosur që të qerasë të gjithë miqtë dhe të njohurit. Nëse do të vazhdojë kështu, tha ai, në fund, do të dalin me këpucë të kuqe.

Por nuk mbaroi me kaq. Besi e mori të gjithën me të qeshur, por pasi në ekran u shfaq "dashuria e tij e skenës", siç e quajti Erion Isain, Besi u përball me një kërkesë tjetër: "A kemi 10 vjet bashkë, a i bëjmë të gjitha bashkë, skenarët bashkë, koncertet bashkë?" – e pyeti Erioni Besin dhe ky i fundit u përgjigj me një 'Po' dyshuese. Çfarë priste pas kësaj? "Po restorantin pse e bleve pa më lajmëruar mua?" – iu kthye Erioni, pas të cilit edhe Arditi kërkoi pjesën e vet, po 25 për qind.

Kështu, Besi, me gjasë, nuk do të ketë me 100 për qind të aksioneve, por vendosi ta ndajë me Arditin dhe me Erionin, përkatësisht të dy nga 25 për qind: "Unë ju jap zemrën, jo restorantin", – tha Besi pasi u përball me kërkesën e tyre.

E gjithë surpriza ishte në shenjë dashamirësie dhe mirënjohjeje për Besin, i cili nuk është gjë tjetër veçse një pronar "i dështuar" e me zemër të madhe për miqtë e tij më të mirë.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more