Skip to main content

“Dy” plus 3 more Telegrafi Opinione

“Dy” plus 3 more Telegrafi Opinione


Dy

Posted: 21 Jan 2018 08:26 AM PST

Po, lexueset e lexuesit e mi të përjavshëm, e kam fjalën për numrin 2, pra, jo për numrin 1, d.m.th. jo për njëshin, sepse, ndër të tjera, fatkeqësitë e këtij vendi, historikisht, i kanë ardhur nga Njëshi, sidomos kur ky Njësh ka qenë diktator, satrap, vampir, kasap apo vurkollak i tipit Enver Hoxha e ndonjë tjetër. Veçse sot, numrin 2 nuk do ta këqyr nga pikëpamja e zëvendësit të Njëshit, as nga ajo e çiftit hetero apo homoseksual, por duke u nisur nga një shprehje popullore deri diku proverbiale, e cila më ka bërë shumë përshtypje që në fëmijërinë time të largët.

Asokohe më qëllonte të shkoja me prindërit, për festa të ndryshme apo thjesht për vizita familjare apo shoqërore, tek Hasani apo Hyseni. Jo rrallëherë, kur na qeraste me ndonjë ëmbëlsirë e zonja e shtëpisë, Hasanica apo Hysenica, tek vërente që e përlaja në çast copën e bakllavasë apo të kadaifit, më sillte edhe një tjetër, por unë, duke pasur parasysh porosinë e sime mëje që të mos tregohesha i babëzitur, nuk pranoja; megjithatë, e zonja e shtëpisë ngulte këmbë: "Merre, merre, pra, dy të rrahura bëjnë keq, dy të ngrëna bëjnë mirë!"

Unë nuk e di nëse në kohët e sotme kjo shprehje përdoret ende rëndom, por, duke pasur parasysh varfërinë që ka pllakosur një numër të konsiderueshëm familjesh shqiptare; duke pasur parasysh që, veçanërisht në qytetet e mëdha, vizitat e vajtjeardhjet te njëri-tjetri (midis vëllezërish e motrash, kushërinjsh e krushqish, shokësh e shoqesh etj., etj.) janë rralluar për arsye edhe objektive, edhe subjektive; pra, duke pasur parasysh se shoqëria jonë po merr, në përgjithësi, një karakter individualist përherë e më të theksuar, një zë më thotë se shprehja "dy të rrahura bëjnë keq, dy të ngrëna bëjnë mirë!" mund të zgjojë interesimin e psikologëve apo të sociologëve tanë – dhe jo vetëm të atyre – por edhe të mendjeve kureshtare, për të analizuar ndonjë dukuri thelbësore të shoqërisë sonë problematike.

Rrjedhimisht, duke qenë nga natyra dhe nga formimi, pikërisht një mendje kureshtare, po marr guximin ta zbërthej shprehjen e lartpërmendur, sipas mënyrës sime, patjetër. Aktualisht, ndërsa vjen duke u rënduar gjendja socialekonomike ku e kanë futur, populli im më i urtë e më i urtë se ç'duhet, po ta qerasin jo vetëm me ëmbëlsira, por edhe me gjithçka tjetër të përtypshme dhe, detyrimisht, të gëlltitshme, është gati të bëjë jo më dy, por edhe tri a katër të ngrëna, veçse mjerisht ka familje që shtrëngojnë rripin aq sa ai nuk ka më vend për të hapur vrima.

Nga ana tjetër, të pasurit e dukshëm e të padukshëm – me shumë ose pak bark, me shumë ose pak gushë e të tjera pala dhjami – u nënshtrohen dietave apo regjimeve të rrepta ushqimore për të shmangur kilet e tepërta dhe pasojat e tyre në tërë organet e trupit, pa harruar impaktin e tyre socialkulturor, veçanërisht mondan, çka do të thotë që ka disa tipa të ngrënash që atyre u bëjnë shumë dëm: si rrjedhojë, i bie që dietat apo regjimet ushqimore në fjalë të jenë modestisht të barasvlershme të paktën me dy të rrahura.

Sa më dhimbsen këta zotërinj: çudi, të ngrënat u bëkan dëm, kurse të rrahurat mirë! Sidoqoftë, shteti shqiptar po përpiqet, i shkreti, që shtresat shoqërore në nevojë, pra të varfrit e uritur, t'i ushqejë të paktën me pikatore bamirësie sa për të mbajtur frymën gjallë! Po, po, sa për të mbajtur frymën gjallë! Në këtë mënyrë, të rrahur rregullisht nga skamja, ata nuk kanë nevojë të torturohen duke ndjekur dieta e regjime ushqimore shtrënguese, privuese e frustuese si të pasurit e dukshëm e të padukshëm.

Jam i sigurt se nuk është fort e largët ajo ditë kur të pasurit, pra, barkoshët, do t'u luten të varfërve, pra, barkboshëve, t'u mësojnë sekretin e elegancës së tyre trupore, domethënë, se si ia bëjnë ata, të varfrit, që hanë babëzisht (kur kanë ç'të hanë e pavarësisht se ç'hanë) dhe nuk kanë asnjë kile të tepërt, përkundrazi, janë nën peshë! Me siguri që, atë ditë, të varfrit do t'u përgjigjen të pasurve të dukshëm e të padukshëm se dy të ngrëna mund t'u bëjnë atyre, të pasurve, keq, kurse dy, dyzet apo dyzetedy të rrahura mund t'u bëjnë shumë mirë! /Panorama/

The post Dy appeared first on Telegrafi.

A duan socialdemokratët të qeverisin?

Posted: 21 Jan 2018 08:20 AM PST

Martin Schulzi duhet të dridhet. Nëse të dielën në kongresin e partisë socialdemokrate votohet kundër rezultatit të bisedimeve paraprake për qeverinë e koalicionit, atëherë ka marrë fund jo vetëm koalicioni, por edhe Schulzi si kryetar partie. Më shpejt dhe më thellë nuk do të ishte rrëzuar asnjë kryetar tjetër i SPD-së. Nuk ka kaluar asnjë vit që socialdemokratët e zgjodhën Schulzin si kryetar njëzëri në post. Po, SPD është tradicionalisht një parti ku diskutohet me dëshirë, për të mos thënë një grumbull njerëzish që grinden. Kancelarët e mëparshëm që kanë dalë nga radhët e kësaj partie mund të flasin gjatë për këtë: Helmut Schmidti shpiku 40 vjet më parë vendimin e dyfishtë të NATO-s dhe për shkak të rezistencës në partinë e tij nuk arriti t’ua imponojë atë të tjerëve. Gerhard Schroderi vuri në rrugë me Agjendën 2010 reformën më të madhe sociale në historinë e pasluftës në Gjermani, së cilës Gjermania i dedikon gjendjen e shkëlqyer të mirë aktuale ekonomike. Por kush vuan deri sot nga kjo vepër e mrekullueshme dhe e kritikon atë? SPD-ja.

Keqardhjen Martin Schulzi nuk e ka merituar. Sepse në gjendjen e sotme, të cilën ai nuk e ka më nën kontroll, ai e futi vetë veten. Kjo nisi me fushatën krejt të bllokuar elektorale në zgjedhjet parlamentare, në të cilën Schulzi nuk gjeti ndonjë temë të nxehtë. Vazhdojmë me duelin televiziv me kancelaren, e cila të linte përshtypjen e një bisede prezantuese për zëvendëskancelarin, pastaj kthesa e beftë në mbrëmjen e zgjedhjeve: “Bashkëpunimi me partitë unioniste që prej këtij momenti ka marrë fund”. Ky kurs zigzagesh i humbi atij kredi jo vetëm te elektorati – por e copëtoi partinë e tij dhe e përçau thellësisht atë.

Në këtë situatë, plani i veprimit të kryesisë së SPD-së për një koalicion të ri të madh i ngjan një valleje në tehun e thikës: bisedime koalicioni vetëm kur për ato të kenë dhënë miratimin rreth 600 delegatët e kongresit të partisë. Dhe nëse arrihet deri në një marrëveshje koalicioni, për të duhet të votojnë pozitivisht edhe më shumë se 400.000 anëtarët e SPD-së. As statuti i SPD dhe aq më pak kushtetuta nuk imponojnë një procedurë të tillë të gjatë dhe të vështirë dhe të komplikuar, e cila me shumë fat do t’u dhuronte gjermanëve deri për Pashkë një qeveri të re federale.

Pse nuk merret vendimi për të nisur zyrtarisht bisedimet për koalicionin thjesht në një mbledhje të Grupit Parlamentar të SPD-së ose në kryesinë e partisë? Shpjegimi është banal: delegimi i vendimit te kongresi i partisë ose te anëtarët është një mjet presioni përballë partisë së Angela Merkelit. “Për fat të keq nuk mund të afrohemi me ju më tej në këtë pikë, sepse përndryshe atë nuk e aprovojnë njerëzit tanë.” Ajo që ishte një ndihmë në negociata, ajo të dielën mund t’i kushtojë shtrenjtë Martin Schulzit. Një kryetar i fortë nuk do t’i ishte ekspozuar kurrë një rreziku të tillë.

Të gjitha këto mund t’i paraqesësh të zbukuruara si një kulturë të zhvilluar debati brendapartiak. Por edhe mund ta marrësh thjesht në konsideratë: SPD në gjendjen e tanishme mjerisht nuk është as një partner i besueshëm, as e aftë për të qeverisur. Por as zgjedhje të reja nuk mund të preferojë SPD – sipas të gjitha sondazheve ajo do të dilte në to më keq se në shtator. Pra shumë gjëra flasin për një premierë në historinë federale të Gjermanisë: për një kabinet minoriteti të CDU dhe CSU. Për Angela Merkelin ky është lajmi më i keq i mundshëm. /DW/

The post A duan socialdemokratët të qeverisin? appeared first on Telegrafi.

Si do ta përmbysë Trumpi strategjinë e dështuar të politikës së jashtme të Obamas?

Posted: 21 Jan 2018 05:26 AM PST

Mike Gonzales

Politika e jashtme e presidentit Obama ishte qartas në favor të marrëveshjeve me vende të konsideruara armike, si Irani e Kuba, duke braktisur ndërkohë disidentët e atjeshëm e gjetiu. Nën rrogoz, marka tregtare e administratës së tij ishte promovimi i projekteve progresive për interesa të miqve të tij të cilat i paraqiste si prioritete të reja të sigurisë kombëtare dhe kërcënimi “i kundërshtarëve të hidhur” që i bënë rezistencë projekteve të tij, madje edhe kur ata ishin aleatë më të cilët kishte nënshkruar marrëveshje.

Pas zgjedhjes së presidentit Trump pati shumë shpresë se të gjitha këto do të ndryshonin, dhe në të vërtetë kjo ka ndodhur në mënyrë spektakolare në pjesën e parë.

Trump ka kërkuar që Kongresi të bëjë ndryshime të thella në marrëveshjen bërthamore që paraardhësi i tij kishte bërë me mullahët në pushtet në Iran, ose ai është zotuar se do shfuqizojë atë. Trumpi gjithashtu ka vendosur kufizime në shkëmbimet me diktatorët komunistë të Kubës. Disidentët në Kubë dhe Iran përsëri kanë filluar të ndjejnë se kanë mbështetjen e Uashingtonit. Kurse, nga Koreja e Veriut deri në Venezuelë e Siri, lehtësimet që kishte bërë Obama kanë marrë fund.

Si po shkon pjesa e dytë?

Ka disa shenja shumë shpresëdhënëse se Administrata Trump do të ndjekë më shumë objektiva të sigurisë kombëtare dhe do të ndalojë goditjet ndaj aleatëve konservatorë përmes një kthesë të plotë që do ta bëjë më të vështirë progresivizmit në botë për arsye strukturore. Do të ndalohen projektet që nxisin martesat e të njëjtit seks, aktivizimin e rrugës, abortin, ekstremizmin klimaterik, etj. duke iu kërkuar aleatëve reformave përmes programeve të ndihmës që janë duke u hartuar.

Lajmi i parë i mirë është se qeveritë konservatore, ai ajo e kryeministrit hungarez Viktor Orban dhe e presidentit polak Andrzej Duda, dy "delet e zeza" të BE-së, do të mund të çlirohen nga kërcënimet diplomatike të periudhës së Obamas. Një sinjal pozitiv është dhënë nga zëvendëspresidenti Pence, i cili ka shkruar në Twitter se kishte folur në telefon me kryeministrin e ri të Dudës, Mateusz Morawiecki.

Një tjetër zhvillim pozitiv ka ardhur për Evropën Qendrore dhe Juglindore: dorëheqja e Hoyt Brian Yee nga posti i zëvendësndihmëssekretarit në Zyrën Evropiane të Departamentit të Shtetit. Ndonëse DASH nuk ka pasur tradicionalisht ndikim të madh, vakumi që ekzistonte në Departamentin e Shtetit gjatë pjesë më të madhe të vitit 2017 i kishte lejuar zotin Yee të ndiqte politika që udhëheqësit konservatorë të atyre vendeve i konsideronin të njëanshme ndaj tyre.

Por, kohët po ndryshojnë në Departamentin e Shtetit. Një memo e dalë nga Brian Hook, drejtor për Planifikimin e Politikave i Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, evidenton atë që do të mund të ndodhë në të ardhmen në këtë mënyrë:

Një udhëzues i dobishëm për një politikë të jashtme realiste e të suksesshme do të ishte kur aleatët do të trajtoheshin ndryshe – madje edhe më mirë se kundërshtarët. Sepse në rast të kundërt do të përfundonim me më shumë kundërshtarë dhe me më pak aleatë. Dilema klasike e baraspeshimit të idealeve dhe interesave amerikane lidhet vetëm me aleatët e Amerikës. Sepse me konkurrentët tanë, ka shumë pak dilema. Ne nuk synojmë të forcojmë kundërshtarët e Amerikës përtej Atlantikut; ne i bëjmë presione atyre, konkurrojmë me ta dhe i sfidojmë ata. Për këtë arsye, duhet të konsiderojmë të drejtat e njeriut si një çështje e rëndësishme në lidhje me marrëdhëniet e SHBA me Kinën, Rusinë, Korenë e Veriut dhe Iranin. Dhe kjo nuk është vetëm për shkak të shqetësimit moral nga praktikat brenda atyre vendeve. Por edhe sepse presioni ndaj këtyre regjimeve për të drejtat e njeriut është një mënyrë për të krijuar atyre kosto, për të aplikuar një kundër-presion dhe për të marrë iniciativën prej tyre strategjikisht.

E gjithë kjo është shumë larg nga mënyra e zakonshme që ishte zbatuar gjatë nëntë viteve të fundit. Në periudhën e Obamas, ambasadori ynë në Varshavë kishte kritikuar me gjithçka kishte mundësi qeverinë konservatore polake, duke mbështetur zyrtarët polakë. Për vite me radhë, Ambasada e SHBA-ve promovoi martesat e të njëjtit seks, duke irrituar shumë në partinë pro-katolike të Dudës, 'PiS'.

Ndihmëssekretarja e Shtetit për Europën, Victoria Nuland, kritikoi ashpër Hungarinë, aleaten tonë në NATO, duke thënë se “një kancer i dyfishtë i lidhur me regresin demokratik dhe korrupsionin” krijon “vrima që do të dëmtonin sigurinë e kombeve të tyre”.
Ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjarto bëri me dijë në një aktivitet të fondacionit Carnegie gjatë vitit të kaluar se "në një takim të vitit 2014, Nulandi “i hodhi” atij një letër me një listë kërkesash që qeveria e Orban do të duhej të plotësonte përpara se administrata amerikane të takohej formalisht me qeverinë hungareze. Në këtë liste përfshiheshin, sipas Szijjarto, kërkesat pushtuese që aleati i SHBA të ndryshonte kushtetutën dhe ligjet për median, zgjedhjet dhe gjykatën kushtetuese.

“Nulandizmi”, siç quhet doktrina e kohës së Obamas, na është thënë se do të përmbyset nga Hookizmi (Brian Hook është Drejtori i Planifikimit të Politikave në Departamentin e Shtetit). Ndoshta në disa raste, siç është rasti i Partisë konservatore pro-amerikane të Maqedonisë VMRO, është tepër vonë. Sepse ata u lanë në dorë të ndërhyrjeve të ambasadës sonë në Shkup dhe jashtë vëmendjes së qeverisë Trump. Por Shtetet e Bashkuara ende mund të ndihmojnë duke zëvendësuar ambasadorin e SHBA në Shkup, të cilin konservatorët maqedonas gjithashtu e akuzojnë për mbështetjen e sekularizmit dhe erozionin e identitetit maqedonas.

Ndalimi i të gjitha ambasadave tona nga promovimi i agjendeve progresive që shpesh çon në shmangien e anëtarëve më konservatorë e tradicionalë pro-amerikanë të shoqërisë, do të jetë i vështirë. Sepse shpesh herë në projekte të tilla përfshihen ndihma zyrtare për OJQ që marrin ndihmë nga rrjeti i George Soros, i cili vepron në 140 vende të botës.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare e publikuar së fundmi nga administrata Trump vë theksin në çështjet që janë me të vërtetë kritike për sigurinë kombëtare të SHBA, duke dhënë shpresë se politika e jashtme amerikane nuk do të jetë më detyruese që bota të pajtohet me axhendat e politikave të donatorëve të mëdhenj liberalë si George Soros dhe Tom Steyer.

Të mbash në vëzhgim se çfarë bëjnë qindra zyrtarë të ambasadave, konsullatave dhe USAID dhe të përcaktosh nëse realisht ata mbështesin objektivat e sigurisë kombëtare amerikane nuk është punë e lehtë. Kjo do të kërkonte një nivel të lartë të kontrollit dhe evidentimit të problemeve, gjë që do të mund të arrihej vetëm nëse në administratë do të vendosej një numër i mjaftueshëm personazh të emëruar politikisht dhe ata të emëruar politikë të merren seriozisht me çështjet më kritike të sigurisë kombëtare. Sa më shpejt të aktivizohet një udhëzim i tillë politik, aq më mire do të ishte. /Nationalinterest.org/Përgatiti: SYRI.net/

The post Si do ta përmbysë Trumpi strategjinë e dështuar të politikës së jashtme të Obamas? appeared first on Telegrafi.

A mund të luftohen me ligj lajmet e rreme?

Posted: 20 Jan 2018 01:03 PM PST

Raphaël Hadas-Lebel

Si mund ta luftojnë shoqëritë prurjen e informacionit të rremë, shpesh herë të fabrikuar, që vërshon nëpër internet dhe përmes mediave sociale, duke ndotur debatet politike pothuaj kudo?

Kjo pyetje ka munduar mbrojtësit e demokracisë, të paktën që nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA. Dhe në një konferencë shtypi jashtë Pallatit presidencial këtë muaj, presidenti i Francës Emmanuel Macron, ofroi përgjigjen e tij.

Qëllimi i Macronit, me sa duket, është që të "frenojë" me ligj lajmet e rreme. Ai po premton që, deri në fund të vitit, do të prezantojë një projekt-ligj për të ndëshkuar ata që përhapin disinformim gjatë periudhave zgjedhore.

Por, Franca e ka tashmë një ligj represiv, i cili ndalon botimin dhe transmetimin e disinformimit, me qëllime të këqia. Sipas Nenit 27 të të famshmit Ligj të Shtypit të vitit 1881, përhapja e informacioneve false "me cilindo mjet", është e ndëshkueshme me një gjobë deri 45000 Euro, me monedhën e sotme.

Megjithatë, Ligji i Shtypit gjen zbatim vetëm për informacione që kanë "prishur paqen publike", gjë që është shumë e vështirë të përcaktohet, jo më të provohet. Një tjetër ligj, pjesë e kodit elektoral, parashikon ndëshkimin me një vit burg dhe një gjobë prej 15 mijë Euro, për cilindo që përdor informacion të rremë "apo manovra të tjera mashtruese", për të vjedhur vota. Por kjo masë vlen kryesisht për rastet e mashtrimeve elektorale.

Kështu që, sfida e Macronit është të përgatisë legjislacion për epokën digjitale. Ndonëse nuk tha ekzaktësisht këtë gjë në fjalimin e tij të fundit, Macroni po vë në shënjestër llojin e ndërhyrjeve të rusëve, që luajtën një rol të njohur tashmë në zgjedhjet presidenciale të 2016 në SHBA, por edhe që kërcënuan fushatën e tij presidenciale pranverën e vitit që kaloi.

Por, Macroni po sheh edhe përtej Rusisë. Objektivi i tij më i gjerë është që të mbrojë institucionet demokratike, kundër cilitdo regjim që mbron atë që ai e quan "joliberalizmi politik", si përshembull qeveritë e udhëhequra nga Presidenti Erdogan në Turqi, Kryeministri Viktor Orban në Hungari, apo partia Ligj dhe Drejtësi në Poloni.

Shtegu i parë që po eksploron Macroni ka të bëjë me transparencën. Platformat digjitale me siguri do u nënshtrohen standarteve më të larta të transparencës për të gjithë "përmbajtjen e sponsorizuar", jo thjesht të zbulojnë identitetin e atyre që reklamojnë, por edhe të kufizojnë sasinë e parave të shpenzuar për mesazhet e tyre. Së dyti, Macron do të përpiqet të vendosë procedura përmbledhëse në të cilat gjykatësit mund të urdhërojnë që përmbajtje të caktuara të fshihen, apo që faqe interneti të eliminohen nga motorët e kërkimit, ose edhe të bllokohen krejt.

Franca nuk është vendi i parë që përpiqet të ndërtojë legjislacion kundër lajmeve të rreme. Në prag të zgjedhjeve federale në Gjermani shtatorin e kaluar, parlamenti gjerman miratoi një ligj të njohur si "NetzDG", i cili hyri në fuqi në 1 janar 2018. Ligji u kërkon rrjeteve sociale si Facebook, Twitter dhe Youtube që të fshijnë të gjithë përmbajtjen e paligjshme të përdoruesve – që përfshin gjuhën e urrejtjes, përveç disinformimit – brenda 24-orëve, ose të përballen me një gjobë prej 50 milionë eurove. Qeveria italiane, përpara zgjedhjeve të përgjithshme që mbahen në mars, ka propozuar gjithashtu një ligj kundër lajmeve të rreme.

Nuk është çudi që legjislacioni i propozuar prej Macronit ka provokuar kritika, jo vetëm nga Marine Le Pen dhe partia e saj e Frontit Nacional, por edhe nga ekstremi i majtë. Kritikët e Macronit kanë kërkuar ndihmën e ekspertëve ligjorë, të cilët argumentojnë se ligjet ekzistues janë të mjaftueshëm për të frenuar lajmet e rreme.

Megjithatë, këta ekspertë nuk kanë arritur të rrokin masën në të cilën teknologjitë e reja, sidomos mediat sociale, mundësojnë keqbërjen. Ata që kërkojnë të përhapin deznformim dhe teori konspirative, tanë kanë më shumë mundësi se kurrë për ta bërë këtë. Nevoja për masa të reja, për të garantuar përmbajtje transparente dhe të saktë online, duhet të jetë e qartë.

Sërish, procedura e re gjyqësore që parashikon Maconi do të duhet të ekzaminohet me kujdes. A duhet që një gjykatës të ketë kompetencën të vendosë menjëherë, se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rremë, dhe më pas të vendosë gjoba? Në fund të fundit, "lajmi i rremë" mund të marrë shumë forma, dhe ndonjëherë ai përhapet pa ndonjë qëllim të keq, për të manipuluar vota apo shtrembëruar rezultate zgjedhjesh.

Një ndërlikim i dytë është çështja e shumëdebatuar e neutralitetit të rrjetit. Supozohet që ligji do të duhet të kontrollojë dezinformimin e në të njëjtën kohë të garantojë se ofruesit e internetit (ISP), të trajtojnë njësoj të gjithë përmbajtjen online.

Veç kësaj, mbetet për t'u parë se si Macroni do të adresojë rrjetet sociale dhe aktorët online që ndodhen jashtë vendit, dhe mbi të cilët autoritetet franceze nuk kanë juridiksion.

Asnjë person i arsyeshëm nuk dyshon që Macroni dëshiron të fusë censurën. Por ligji që ai propozon duhet të përfshijë masa mbrojtëse. Për momentin, është premtues fakti që ligji do të zbatohet vetëm për periudha parazgjedhore – një moment delikat ky, në jetën publike të një demokracie.

Në çdo rast, legjislacioni i propozuar prej Macronit do të jetë thjesht një prej mjeteve në luftën kundër dezinformimit. Fuqizimi i publikut për të përmirësuar edukimin mediatik, dhe klasifikime të reja për platformat e mediave sociale si botues me përgjegjësi editoriale, mundet gjithashtu të dëmtojë fushatat e dezinformimit.

Në fund të fundit, vërshimi i lajmeve të rreme është një sfidë globale, që do të kërkojë një zgjidhje globale. Në këtë drejtim, vendimi i Komisionit Evropian për të mbledhur një grup ekspertësh, që të udhëheqin një konsultim publik në lidhje me këtë problem, duhet mirëpritur. Shpresojmë që procesi të rezultojë në një seri rekomandimesh për rrugën më të mirë për të ecur përpara.

Por deri atëherë, propozimet e debatueshëm të Macronit – që të themi të drejtën 79 për qind e francezëve i mbështesin, sipas sondazheve – të paktën do të shtyjnë qytetarët që të fillojnë të mendojnë seriozisht në lidhje me një problem, i cili prek vetë themelet e një demokracie perëndimore. Siç e kemi parë në shumë shtete, një votues i disinformuar është armiku i një demokrati. /Project Syndicate/bota.al/

The post A mund të luftohen me ligj lajmet e rreme? appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more