Skip to main content

“Rimëkëmbja e gjatë dhe e vështirë e Kosovës” plus 3 more Telegrafi Opinione

“Rimëkëmbja e gjatë dhe e vështirë e Kosovës” plus 3 more Telegrafi Opinione


Rimëkëmbja e gjatë dhe e vështirë e Kosovës

Posted: 16 Feb 2018 05:56 AM PST

The Economist

Në vitin 1991, Armend Malazogu u hodh nga pjesa e pasme e një kamioni të ushtrisë. Në atë kohë 18 vjeç, shqiptari i Kosovës po i ikte një lufte mes Serbisë dhe Kroacisë, që sapo kishte nisur të përvijohej. Luftërat civile në ish-Jugosllavi sapo kishin nisur dhe më vonë do të përhapeshin edhe në Kosovë. Sot, 18 vjet pas përfundimit të luftës dhe dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shumica e treguesve vizatojnë një panoramë të zymtë. Papunësia është rreth 33 për qind, ndërsa GDP-ja për person qëndron në nivelin 3,660 dollarë, më i ulëti në rajon. Megjithatë, Malazogu, sot një nga sipërmarrësit më të suksesshëm në Kosovë, mendon se realiteti ësht më pak i zymtë se sa sugjerojnë shifrat.

Zyrtarët e Kosovës thonë se ekonomia e vendit po pengohet nga mosmarrëveshjet me Serbinë, e cila refuzon të pranojë pavarësinë dhe kërcënon me aksione ligjore ndaj firmave të huaja që duan të investojnë aty. Rusia kryeson listën e vendeve që kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB, ndërsa pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur ende pavarësinë e saj.

Por, Malazogu thotë se kjo është vetëm një justifikim për qeverinë. Presioni i jashtëm nuk i ka penguar dot kompanitë e IT-së të subvencionojnë markën e tij të lëngut të frutave, "Frutomania". Në pesë vitet e fundit, kompania e tij është rritur me 60 për qind. Që prej vitit 2016, një marrëveshje me BE-në ka hapur një treg gjigant për të.

Në një fabrikë të vogël të vendosur në kodrat e mbuluara me dru frutorë të Kravaricës, makineritë punojnë çdo ditë. Produkti bëhet gati dhe vendoset në kamionë që nisen për në Hungari. Kompania ka kontraktuar furnitorë nga mijëra prodhues të vegjël në Kosovë dhe Shqipëri, të cilët për shumë kohë i kanë shitur prodhimet e tyre në anë të rrugës.

Malazogu thotë se problemet me të cilat përballet janë më konkrete sesa çështja e anëtarësimit në OKB. Atij i duhet të importojë shishe, kapele dhe etiketa sepse në Kosovë nuk prodhohet asnjë prej tyre dhe qeveria nuk ka bërë gjë për të inkurajuar prodhimin vendas. Kosovarët janë të vetmit evropianë në perëndim të Rusisë që ende nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Një kompani internet, Gjirafa, është një nga bizneset më të suksesshme në Kosovë. Është pjesë e atyre pak firmave të vogla kosovare që e kanë ngritur kapitalin jashtë vendit. Të ardhurat e saj janë rritur 10 herë në 3 vjet. Algoritmet e saj janë dizajnuar për të kërkuar faqet në gjuhën shqipe.

Ajo është një ekuivalent shqiptar i Youtube dhe Netflix. Në një rajon pa Amazon dhe Alibaba, ajo e ka zgjeruar tregtinë online. Kjo do të thotë, sipas menaxherit të përgjithshëm, Mërgim Cahani, se edhe firmat e vogla lokale mund të shesin kudo në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Gjirafa mbledh dhe dorëzon për ta. Në Ballkanin Perëndimor, kjo do të thotë revolucion i biznesit.

Arsimi është një tjetër dhimbe koke në Kosovë. Një tjetër sipërmarrës, Vllaznim Xhiha, thotë se sistemi arsimor në Kosovë është i vjetruar. Vetë ai e ka bërë pasurinë e tij në Zvicër. Ai por pret që qeveria ta modernizojë sistemin arsimor. Ai ka hapur dy "hapësira krijuese" për të inkurajuar qindra të rinj të mësojnë rreth teknologjisë.

Kosova ka disa statistika me të cilat mund të krenohet. Ekonomia e saj llogaritet të jetë rritur me 3.5% vitin e kaluar. Remitancat nga diaspora mund të jenë një litar shpëtimi për shumë, edhe pse ato gjithashtu shtrembërojnë ekonominë. Pse të punosh për të ardhura mesatare prej 360 € në muaj nëse dikush jua dërgon ato? Është e vërtetë se më shumë se gjysma e kosovarëve të rinj ëndërrojnë të largohen. Por, sipas Xhihës, "imazhi ynë është më i keq se realiteti". /TemA TV/

The post Rimëkëmbja e gjatë dhe e vështirë e Kosovës appeared first on Telegrafi.

Shahu dhe shkolla

Posted: 16 Feb 2018 05:55 AM PST

Zija Vukaj

Kohë më parë qe hedhur dhe mbrojtur ideja e futjes së lojës së shahut nëpër shkolla. Na u duk ide mjaft e mirë dhe e realizueshme, pasi orët që do t'i kushtoheshin këtij sporti mund të vendoseshin brenda planeve mësimore të fizkulturës apo në formën e një moduli brenda spektrit kurrikular, i cili është mjaft i larmishëm, deri në tepri. Për shembull është futur një modul për baletin, një për teatrin, një për muzikën, që nuk është as muzikologji, as teori, as solfezh, por thjesht një mori informacionesh kulturologjike, siç janë edhe për artet pamore etj., thjesht dhe vetëm në trajtime eksperimentale në frymën e maketeve që zëvendësohen çdo vit për arsye mosfunksionimi dhe paqartësie përzgjedhjeje, qoftë në aspektin burimor e shkencor, qoftë metodik e pedagogjik. Duke gjykuar për këtë kulturë, që quhet "loja e mbretit", por që në fakt vështirë të përkufizohet, m'u kujtua meditimi që bën Stefan Cvajgu te "Novela e shahut": "Shahu është e vetmja nga të gjitha lojërat që ka shpikur njeriu që nuk është pjellë e rastit, po kurorëzohet me dafinat e lavdisë në saje të zgjuarsisë ose të një forme të veçantë të mendjes që quhet talent.

Por, po ta përcaktonim shahun me fjalën "lojë" a nuk është diçka fyese? Mirëpo shahu nuk është as shkencë, as art, por qëndron midis këtyre dy koncepteve si arkivoli i Muhamedit që qëndron midis qiellit dhe tokës. Në këtë lojë shkrihen koncepte që janë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Kjo lojë është e lashtë dhe e re njëkohësisht. Në themel është diçka mekanike, por vepron nëpërmjet fantazisë, është e kufizuar në një hapësirë të ngushtë gjeometrike dhe njëkohësisht është e pakufishme në kombinimet e saj; zhvillohet gjithnjë dhe është krejt shterpë; është një mendim pa rrugëdalje, një matematikë që nuk llogarit asgjë, një art pa vepra, një arkitekturë e ndërtuar pa lëndë arkitekturore.

Megjithatë, shahu u ka bërë ballë provave të kohës më shumë se gjithë librat dhe veprat. Kjo është loja e vetme që u takon gjithë popujve dhe të gjitha periudhave historike. Askush nuk e di si quhet emri i asaj perëndie që e solli atë mbi tokë për t'iu larguar njerëzve mërzitjen, për t'ua holluar ndjenjat, për t'u kalitur shpirtin! Ku është fillimi dhe ku është mbarimi? Rregullat e shahut mund t'i mësojnë fëmijët, pas kësaj loje tërhiqen edhe amatorët, njëkohësisht në fushën e tij të ngushtë me katrorë lindin mjeshtër të jashtëzakonshëm që nuk mund të krahasohen me të tjerët".

Duke parë punën tonë, mësimdhënien, qëllimin final të saj, formimin e brezave, objektin dhe subjektin tonë, nxënësin, mendoj se përcaktimi i Cvajgut natyrisht që është artistik dhe subjektiv dhe efekti i shahut nuk është ndonjë shkop magjik as ndonjë ilaç çudibërës që vepron direkt, por në morinë e përpjekjeve që ne bëjmë për të formuar botën e ndërlikuar të njeriut të ardhshëm kjo kulturë mund të ndikojë në mënyrë indirekte në temperamente të ndryshme. Së pari, shahu ka ca rregulla shumë striktë që nuk të lejojnë të hysh në botën e tij pa i mësuar dhe impakti i parë me këtë sport është ndeshja e njeriut me rregullën.

Ndeshja me rregullën kultivon drejtësinë dhe përjashton mashtrimin i cili në këtë sport nuk njihet as si dukuri. Ndeshja me rregullën i mëson njeriu humbjen, që është mësimi më i madh; që është edhe kurora e mitit të Sizifit. Së dyti, shahu është një garë individuale, një betejë mes vetes dhe labirinteve pafundësisht të ndërlikuara të skakierës, të atij universi që duhet parë e lexuar me vëmendje. Së treti, duke qenë një lojë që krijon iluzione optike, që ofron pamje që nuk e kanë thelbin si dukjen, që nuk mund të kuptohen me një shikim dhe nxitimi në lëvizje të çon në përfundime të gabuara dhe në humbje, kjo bëhet një mënyrë e mirë për të kultivuar te njeriu shmangien e leximit të sipërfaqshëm të realitetit, edukon thellësinë e mendimit, dëshirën për të zbuluar thellësitë e gjërave. Konfiguracionet e çuditshme dhe kombinacionet e pafund, virtuale dhe reale që ofron loja magjike e shahut mprehin shikimin e njeriut deri në përsosje. I hapen shtigje të pafundme fantazisë dhe shikimit krijues të njeriut.

Kemi patur përvoja të këndshme e befasuese nga lënda e stereometrisë, kur të gjithë jemi ndodhur para së njëjtës figurë gjeometrike, kemi zgjidhur në të njëjtën mënyrë mediokre të gjithë njësoj një ushtrim, kemi marrë madje edhe atë dhjetën mediokre sa për dëftesë, por vetëm njërit ia ka kapur syri një formë a zgjidhje krejt tjetër, që shpesh ka befasuar edhe profesorin. Dhe ky është nxënësi kreativ. Kështu ndodh edhe në shah. Po kështu ndodh edhe në realitet. Meqë shahu vjen nga kulturat e lindjes, më pëlqen të kujtoj një term nga mistika islame që i përshtatet kontekstit- "gajbi". Gajbi është e vërteta që nuk shfaqet në sipërfaqe, që nuk shihet as kuptohet me shikime të cekëta. Aq sa është e bukur dhe tërheqëse loja e shahut, aq magjike bëhen meditimet rreth saj. Po të mendojmë pak për figurat.

Ushtari është simboli më i qartë dhe i bukur i sakrificës, është aty ku ndodh konflikti, ku zhvillohet sulmi. Dhe vetë koncepti i sakrificës merr një kuptim filozofik në raport me dinamikat dhe fantazinë që shoqëron këtë lojë. Sa më e vështirë, paradoksale, e papritur dhe e pagjasë të jetë fitorja, aq më të mëdha duhet të bëhen sakrificat. Gati si në jetë. Dhe ushtari i shahut shpeshherë e realizon ëndrrën e ushtarit të ushtrisë klasike për t'u bërë gjeneral. Ndërsa dama ose mbretëresha duket sikur ka ardhur nga matriarkati. Fuqia e saj është madhore. Dama është përcaktuesja e fatit të lojës, teksa mbreti, që është ontologjikisht i ndryshëm, ka vetëm heraldikën institucionale të mbretërisë dhe shërben për të njohur zyrtarisht fitoren apo disfatën.

Kur shpreh mendimin që loja e shahut të futet në shkolla mund të më kundërshtojë gjithkush me argumentin se kjo kulturë nuk ka një funksion utilitar, praktik, pragmatist etj. Dakord, por kjo ndodh edhe me poezinë. As poezia nuk është se ka ndonjë funksion utilitar. Pra, leximi i një poezie nuk të bën mekanik as bujk, as punonjës administrate, por funksioni i saj është estetik, i tërthortë, i padukshëm dhe hyn në lojë vetëm në rastin kur individi, si qenie sociale dhe jo thjesht biologjike dëshiron të përsoset shpirtërisht. /Mapo/

The post Shahu dhe shkolla appeared first on Telegrafi.

Pavarësia e Kosovës është rezultat e popullit shpirtlirë

Posted: 16 Feb 2018 05:37 AM PST

Në rrugëtimin e gjatë prej më shumë se një shekull, Kosova me 17 shkurt shënon dhjetë vjetorin e pavarësisë.

Hiç më larg se dy dekada populli i Kosovës gjendej para shfarosjes, në sytë e botës luhej tragjedia çnjerëzore në Ballkanin e përgjakur.

Atëherë me gjithë lëvizjet popullore për liri dhe pavarësi, me gjithë luftën çlirimtare me gjithë bagazhin intelektual që të dilej kundër një armiku shekullor, prapë ka qenë në pikëpyetje shtetbërja pasi që historikisht kemi kaluar në tragjedi të mëdha ku është kanosur qenësia shqiptare.

Me 1999 më shumë se një milion shqiptarë që morën rrugët e botës asnjëherë nuk e menduan se do ktheheshin përsëri.

Ata që mbetën brenda iu nënshtruan torturave dhe masakrave të regjimit serb, burgjet ishin të stërmbushura me robër shqiptarë, mbi trupat e të cilëve bëheshin eksperimente çnjerëzore, qytete e fshatra u shndërruan në shkrumb e hi dhe nuk mund të gjeje as edhe një shpresë të vetme në tokën e vuajtur ku errësira dhe mizoria ishin mishëruar.

Sot shteti i Kosovës është rezultat i mijëra nxënësve dhe studentëve që në kohën e regjimit serb ngritën zërin para syve të botës pa patur frikë, është rezultat i punës së shenjtë të mësueseve dhe profesorëve të cilët bënë çmos që ta ruajnë gjuhën shqipe dhe ta kultivojnë dijen n’ato kohë të errëta, është rezultat i punës humane të mjekëve që rrezikuan jetët e tyre për të ndihmuar të plagosurit dhe të sëmurët, është rezultat i klasës intelektuale të cilët shkrinë jetën për ta ngritur para botës çështjen shqiptare;
është rezultat i gazetarëve që nuk ngurruan ta thonë të vërtetën, është rezultat i artistëve që përmes veprave shpalosën vuajtjen dhe qëndresën.

Është rezultat i diasporës shqiptare që nuk ndaloi kontributin asnjëherë duke e ngritur zërin deri në institucionet më të larta diplomatike botërore.

Është rezultat i familjeve të mëdha shqiptare të cilat u vetflijuan. Si familja Jashari, Haradinaj, Pajaziti, Ramadani e shumë e shumë të tjera. Është rezultat i trimave dhe trimneshave që u flijuan për atdheun.

Pavarësia e Kosovës është rezultat e këtij populli shpirtlirë që nuk pranoi robërinë nga asnjë pushtues. Dhe kur bota pa qëndresën tonë atëhere fituam miq që dhanë kontribut për krijimin e këtij shteti.

Sot Kosovën e kemi, e jona është që të punojmë e të ngrihemi ballë lartë në mesin e popujve të qytetëruar.

The post Pavarësia e Kosovës është rezultat e popullit shpirtlirë appeared first on Telegrafi.

Lule e pranverës së vonuar

Posted: 16 Feb 2018 03:46 AM PST

Verona Sekiraqa

Kur të gjithë po mendonin se kroatja e korbit kohë më parë kishte sjellë zi të përjetshëm, që tani përveç diellit të strukur nën re, asgjë më s'po gjallëronte, atëherë kur askush nuk e priti, u dëgjua një cicërimë zogjsh të bardhë që si yje kishin mbuluar qiellin, ndonëse ende s'ishte pranverë dhe për të gjithë ishte çudi të kthehen zogjtë shtegtar pa qelë as lulet.

Ata nuk ishin zogj të huaj, ata ishin zogjtë shqiptarë, të ushqyer me drithin e kësaj toke arbërore dhe me ujë të pastër kroi. Edhe pse erdhën pa çel pranvera, unë i quaj zogj të një pranvere të vonuar.

Tërë këto mendime të mia ishin pjesë gjumi, që nga ai nuk më zgjoi zhurma e veturave, as cicërima e zogut në dritare, por më zgjoi vetë ndjenja se sot shteti im ka ditëlindjen e dhjetë, e bashkë me të edhe të gjithë ne, sepse të gjithëve në atë ditë të para dhjetë viteve na u ngjallë jetesa dhe na u vu buzëqeshja.

Gjëja e parë që bëra sapo u zgjova ishte se mendova për ata që kontribuuan për këtë ditë, e ata janë heronjtë tonë trima, që gjaku i tyre shërbeu për ujitjen e luleve të lirisë, dhe sikur poleni i tyre u bë aromë lirie që ne sot e frymojmë.

Papritur mu kujtuan ato nëna bujare që duke festuar pavarësinë përkujtuan djemtë trima, për të cilët jeta ishte destinim për tu flijuar për atdhe.

Në mesditë dola në qytet, çdo gjë frymonte, çdo gjë ishte e gjallë, e nganjëherë më parafytyrohej sikur edhe vetë Zahir Pajaziti po qeshte, në atë moment mu kujtuan shumë gjenerata të gjyshërve e stërgjyshërve tanë që këtë ditë e pritën me shekuj, sikur na shikojnë nga qielli e thonë: Ju lumtë, qëllimi ynë jetësor më në fund u përmbush, ndonëse s'jemi aty ne jemi me ju! dhe në të vërtetë edhe unë ashtu mendoja, edhe pse i takonim dy botëve të ndryshme, jemi pjesë e një bote, botës shqiptare.

Sikur edhe pëllumbat në atë të ftohtë po vallëzonin në qiell, çdo gjë kishte hedhur valle, në çdo skutë buzëqeshja zuri vend, ndërsa mua vetja më dukej se isha vetëm një spektatore e këtij rrugëtimi për liri, dhe se kontribuova vetëm kur kësaj pavarësie ia shtova një buzëqeshje. Ndjehem shumë me fat që në moshën më të mirë të jetës ta përjetoj këtë gëzim shekullor, dhe me krenari mund të them se edhe unë kam shtet.

Ka kohë që kam pritur të qelë kjo lule, ndonëse farën ia kemi vënë shumë kohë më parë, e ndoshta prej kohës së egër nuk mund të mbinte.

Shpesh pyesja veten: A thua kur do të mbijë kjo lule?

Në një çast të papritur, edhe pse të shumë pritur petalet e lules dolën në jetë, ndonëse që prej kohësh ishin mugulluar. Edhe pse mbiu në shkurt, unë do ta quaja "Lule e pranverës se vonuar".

Ajo e pati të vështirë të dalë në hapësirë, por jo edhe për të mbajtur freskinë e saj.

Edhe pse jemi ne dimër dhe çdo gjë merr pamje të vdekur, ajo më e gjallë se kurrë lulëzon në mes të bimëve tjera.

The post Lule e pranverës së vonuar appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more