Skip to main content

“Bie niveli i ujit në Shkodër, 26 familje të evakuuara” plus 9 more - Gazeta Dita

“Bie niveli i ujit në Shkodër, 26 familje të evakuuara” plus 9 more - Gazeta Dita


Bie niveli i ujit në Shkodër, 26 familje të evakuuara

Posted: 24 Mar 2018 02:02 AM PDT

Niveli i ujit mëngjesin e kësaj të shtune është ulur me 10 – 15 centimetra në Shkodër. Në një njoftim për mediat, Ministria e Mbrojtjes thotë se sipërfaqja e përmbytur në këtë Bashki aktualisht është 4 888 ha, nga të cilat 2 320 ha të mbjella me jonxhë.

Deri më tani mësohet se janë 26 familjet e evakuuara, 2 mijë banorë janë lehtësuar me transportin e përditshëm, ndërsa janë evakuuar e po trajtohen me bazë ushqimore 2 500 krerë bagëti.

"Bashkë me banorët, Forcat e Armatosura kanë përforcuar 650 metra argjinaturë në Pentarë e Cas. Nga Ministria e Mbrojtjes dhe Rezervat e Shtetit janë shpërndarë mbi 30 mijë kg ushqime e detergjentë, 23 mijë litra ujë e më shumë se 53 mijë kg koncentrat", thuhet më tej në njoftimin e Ministrisë.

300 ton koncentrat e qindra ton ujë pritet të shpërndahen ditë pas dite, ndërsa nga Rezervat e Shtetit janë shpërndarë pako ushqimore, shtretër, çadra, batanije e çizme për banorët në vështirësi.

Ministria e Mbrojtjes thotë se që prej datës 5 Mars, në Shkodër janë angazhuar 600 efektivë të FA.

Ndërkohë të premten, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka i bëri thirrje pushtetit vendor dhe administratorëve lokalë, "të lënë llafet e propagandën boshe të politikës ndarëse të ditës dhe të marrin masat për koordinim in e shpërndarjes, në bazë të nevojave, pa dallim, për të gjithë banorët në zonat e rrethuara nga uji".

Xhaçka tha se Forcat e Armatosura po punojnë natë e ditë për shpërndarjen e ndihmave, sipas planifikimit të Komisionit të Emergjencave përmes Prefekturës dhe strukturave vendore.

"Bashkëpunimi mes forcave të ushtrisë, institucioneve të qeverisë dhe pushtetit vendor është detyrimi ynë i përbashkët dhe vendosja e qytetarëve në qendër të përpjekjeve të përbashkëta, është nderi i çdokujt që paguhet nga taksat e tyre", tha më tej Ministrja.

o.j/dita

Keni plane për fundjavën? Mësoni më parë çfarë iu rezervon moti

Posted: 24 Mar 2018 01:54 AM PDT

Para se të bëni plane për fundjavën hidhini një sy parashikimit të motit. Për të gjithë ju që keni planifikuar të udhëtoni, meteorologët kanë lajme jo të kënaqshme. Ata parashikojnë një fundjavë të mbushur me shi.

Sipas Meteoalb “e shtuna vijon me alternime kthjellimesh e vranësira të shpeshta duke sjellë reshje të përkohshme shiu në ultësirën perëndimore ndërsa mbeten prezente reshjet e dëborës në zonat malore. Vonë në mbrëmje pritet përmirësim i përkohshëm i motit në territor. Temperaturat ulen me 1 – 2°C gjatë mëngjesit ndërsa mesdita sjell një rritje të lehtë termike.

E diela në pjesën e parë të saj, paraqitet me kthjellime dhe vranësira të shoqëruara me reshje të pakta në zona të izoluara ndërsa pjesa e dytë e ditës, kryesisht mbrëmja sjellin fuqizim të përkohshëm të reshjeve në territor. Temperaturat e ajrit do të rriten me 2 – 3°C në orët e mëngjesit dhe të mesditës duke ngjitur maksimumin në rang vendi, mbi 17°C“.

o.j/dita

Specializimet tek Mjekësia, lista e 334 kandidatëve që kualifikohen

Posted: 24 Mar 2018 01:43 AM PDT

Pranvera Kola

Pas vlerësimit të dosjeve të paraqitura në fazën e parë të aplikimit për garën e specializimeve afatgjata në mjekësi, komisioni i ekspertëve ka miratuar tashmë listën paraprake të 334 kandidatëve që do të vijojnë më tej konkurimin për të fituar një të drejtë studimi në këto programe.

Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar listën e kandidatëve që duhet të vijojnë me përgatitjet për dy fazat e tjera të garës, që janë: intervista me gojë, si dhe prova e fundit që do të jetë testimi i informatizuar sipas specialiteteve përkatëse.

Referuar vendimit të miratuar pak më herët nga Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë, bëhet me dije se 247 është numri i kandidatëve që do të fitojnë të drejtën për të ndjekur specializimet afatgjata përgjatë vitit akademik 2017-2018.

Ndarja e këtyre kuotave do të jetë si në vijim: 125 kuota do jenë për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 9 kuota për Ministrinë e Drejtësisë, 16 kuota për Ministrinë e Mbrojtjes, 2 kuota për Ministrinë e Brendshme, si dhe 95 kuota do të jenë të lira për specialitetet e ndryshme mjekësore që kanë përzgjedhur kandidatët gjatë fazës së parë të aplikimit.

Ndërsa faza e dytë e konkurimit do të vijojë me intervistat. Konkretisht bëhet me dije se të gjithë kandidatët e kualifikuar, do t'i nënshtrohen intervistës me gojë, e cila nis në datën 4 prill. Rezultatet e intervistës do të shpallen nga komisioni përkatës.

Gjatë intervistës, ekspertët e komisionit do të vlerësojnë kandidatin për aspektet që kanë të bëjnë me: "Aftësitë e gjykimit të kandidatit, motivimin për të vazhduar specializimin për të cilin ka aplikuar, profilin e përgjithshëm psikologjik, predispozicionin për të punuar në grup, aftësitë dhe nivelin e komunikimit, nivelin e kulturës së përgjithshme, nivelin e shprehjes dhe kulturës mjekësore, aftësinë për të punuar në kushtet e stresit të zgjatur, tiparet e përgjithshme të metodës në punë dhe aftësinë për të lexuar dhe analizuar një material të mirëfilltë shkencor mjekësor.

Prova e fundit që do të kalojnë të gjithë kandidatët do të jetë testi i informatizuar që do të kryhet në ambientet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit. Tashmë është zbardhur edhe fondi i pyetjeve që duhet të përgatisni për testimin e informatizuar. Ditën e zhvillimit të provimit, kandidatët duhet të jenë të pajisur me dokument identiteti, si dhe me një fotokopje të saj.

Gjithashtu duhet të paraqiten së paku 30 minuta përpara fillimit të provimit. Sallat e provimit mbikëqyren nga një ose me shumë administratorë, të cilët janë përgjegjës për mbarëvajtjen e provimit. Testi i konkurrimit hartohet me 100 pyetje që janë me alternativa (në një ose dy raunde sipas mundësisë teknike për realizimin e testimit në QSHA).

Rezultati final i çdo kandidati përcaktohet nga pikët e marra në të tria fazat e konkurrimit. Renditja e fituesve nis me kandidatët që kanë pikët më të larta, për të vijuar në rend zbritës.

Zgjedhja e programit të specializimit afatgjatë bëhet brenda dy ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare që kandidati ka arritur në fazën e aplikimit me dosje, intervistën me gojë, si dhe testin e informatizuar

Skema e vlerësimit me pikë

Sipas Senatit Akademik i këtij universiteti, vlerësimi i kandidatit do të bëhet me sistem pikësh (maksimumi 1000 pikë të konvertuara), ku 30 për qind e pikëve (deri në 300 pikë) do të vijnë nga nota mesatare e rrumbullakosur me dy shifra pas presjes dhjetore, 65 për qind e pikëve (650 pikë) do të sigurohen nga vlerësimi i testit të informatizuar, si dhe 5 për qind të pikëve (50 pikë) nga vlerësimi i intervistës me gojë që kandidati zhvillon para komisionit përkatës të ekspertëve. Si notë mesatare do të konsiderohet nota mesatare e notave të ponderuara me kreditet e të gjitha viteve të studimeve universitare të kryera, duke përfshirë dhe diplomimin.

Në vendim saktësohet më tej se për kandidatët që kanë kryer studimet në universitetet private, nota mesatare shumëzohet me një koeficient 1. Për kandidatët që kanë kryer studimet në universitetet publike, të cilat lëshojnë diploma të përbashkëta me universitetet perëndimore, nota mesatare shumëzohet me koeficientin 1.

Për kandidatët që kanë kryer studimet jashtë vendit, nota mesatare shumëzohet me koeficientin 1,1.

Konvertimi i pikëve nga nota mesatare e përllogaritur si më sipër, duke e shumëzuar edhe me koeficientin përkatës do të jetë sipas modalitetit në vijim të shkrimit.

"Nota mesatare 10 konvertohet në 200 pikë, nota e përllogaritur 9 konvertohet në 150 pikë, nota mesatare 8 konvertohet 100, nota mesatare 7 konvertohet në 50 pikë. Çdo 0.10 e notës mesatare të përllogaritur është baraz me 5 pikë të konvertuara (për shembull nota mesatare 7,10 = 55 pikë të konvertuara, 8,20 = 110 pikë të konvertuara, 9.34 =167 pikë të konvertuara, etj)", sqarohet në vendimin e Senatit Akademik.

 

Pse italianët zgjedhin të pleqërojnë në Shqipëri?

Posted: 24 Mar 2018 01:29 AM PDT

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur si urim mëngjesi për sot një artikull të medias italiane për italianët që zgjedhin të jetojnë në vendin tonë.

"MIRËMËNGJES dhe me këtë artikull të medias italiane për disa nga arsyet pse italianët zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, ju uroj një fundjavë të qetë"- shkruan Rama, teksa poston tw plotw edhe shkrimin qw mund  ta lexoni mw poshtw.

Të jetosh si pensionist në Durrës

Carmine, ish-artizan italian dhe pensionist INPS (Instituti Kombëtar i Sigurimit Social), ishte në kërkim të një vendi ku të jetonte i qetë me pensionin e tij. Kështu, pasi zhvilloi kërkime të ndryshme dhe pas disa inspektimeve, vendosi të transferohet në Shqipëri, në Durrës. Nga ajo ditë kanë kaluar tre vite dhe Carmine me bashkëshorten e tij jetojnë në një shtëpi në buzë të detit, që ka në dispozicion shumë kilometra plazh për të bërë ecje të gjata në mëngjes.

Carmine, tani ju jetoni prej tre vitesh në Durrës, por para se të zgjidhnit Shqipërinë a keni parë edhe vende të tjera?

Po, fillimisht menduam për Kanariet, por më pas, duke analizuar elementet në favor dhe kundër, bashkë me kostot ekonomike mbi pensionin tonë, zgjodhëm Shqipërinë. Por, ishim të pavendosur mes Tiranës dhe Durrësit. Megjithatë, më pas (dy vite para transferimit përfundimtar), pikërisht sepse zgjedhjen përfundimtare e kishim bërë, pasi pamë shtëpinë që kemi aktualisht nuk patëm asnjë dyshim dhe e blemë. Tani jetojmë në Durrës, në breg të detit, me shumë qetësi mbi të gjitha në dimër kemi pafund kilometra plazh në dispozicion për të bërë shëtitje të bukura.

Përse zgjodhët Shqipërinë?

Zgjedhja ime ishte Shqipëria sepse, pasi bëra kërkime, vura re se kostoja e jetesës ishte shumë më e ulët se sa në Itali dhe mbi të gjitha, munda të vlerësoj mikpritjen e popullit shqiptar, që bën gjithçka për të të bërë të ndihesh mirë. Aspekti tjetër shumë i rëndësishëm është afërsia me Italinë.

Si është jeta prej pensionisti në Shqipëri?

Jam një pensionist, ish-artizan dhe nga këndvështrimi im, këtu jetohet shumë më mirë se sa në Itali. Gjithçka është më pak kaotike, perceptohet një siguri më e lartë dhe njerëzit janë më shumë social. Ndjehet më pak stresi, shteti është shumë më pak shtypës, burokracia është më e vogël dhe një aspekt shumë i rëndësishëm për ne pensionistët, ka më shumë siguri. Këtu nuk ekziston, gati aspak, krimi i vogël. Në shtëpi jetohet shumë më qetë, fqinji është gjithnjë i pranishëm në rast nevoje (kam ndjesinë sikur jam kthyer në Italinë tonë të viteve '60), ka ende fëmijë që luajnë nëpër rrugë, ne pensionistët respektohemi (më ka ndodhur shpesh në autobus që të rinjtë më lirojnë vendin për t'u ulur). Gjithë këtë në Itali nuk e shihja prej vitesh.

Më pas, të këmbesh 100 euro me 13 500 lekë, duke ditur se mund të bësh shumë më shumë gjëra se sa në Itali, të jep një ndjesi që nuk ka të paguar.

A ka lehtësira për ju pensionistët?

Këtu në Shqipëri, duke bërë kërkesë tek INPS-ja, mund të merret heqja e taksave, kështu merr pensionin bruto dhe taksat paguhen në shtetin e rezidencës. Avantazhi i madh është që në Shqipëri pensionet nuk taksohen.

Për sa i përket pensionit, cila është fuqia e tij blerëse në vend?

Vlera e pensionit tonë, sikurse e thashë edhe më parë, duke qenë se është burto është më i lartë, duke marrë në konsideratë edhe koston e jetesës që është 50% më e ulët se sa në Itali, pensioni jonë ka një forcë blerëse shumë më të lartë.

Ka shumë italianë këtu?

Nuk kam të dhëna zyrtare, por me siguri ka shumë. Ka edhe shumë studentë që frekuentojnë universitetet shqiptare të lidhura dhe të binjakëzuara me universitete italiane. Pensionistët ende nuk janë shumë, por me siguri në të ardhmen numri pritet të rritet.

Si i kalon ditët e tua?

Ditët e mia janë të qeta, më pëlqen shumë të shëtis, mbi të gjitha në mëngjes në buzë të detit. Aty ku jetoj kemi rreth 5-6 kilometra plazh të lirë dhe mbi të gjitha në dimër është krejtësisht në dispozicionin tonë.

A do ia këshilloje transferimin pensionistëve italianë si ti?

Sigurisht. Gjëja e parë që duhet bërë, duhet të vish të paktën për 15 ditë këtu. Këshilloj të gjendet një apartament me qira (ka pa fund), në këtë mënyrë provon jetën e përditshme që të mund të vlerësosh avantazhet dhe defektet e këtij populli bashkë me zakonet dhe traditat e tij.

Për sa i përket praktikave burokratike të transferimit të pensionit, ishte e lehtë apo patët probleme?

Për sa i përket lejes së qëndrimit nuk pata asnjë problem, sepse kur bëra kërkesën e kisha blerë shtëpinë dy vite më parë. Në fakt, pensionistët që zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, duhet me patjetër të jenë pronarë të një shtëpie në vend.

Në të kundërt pata vështirësi me INPS-në për sa i përket destinacionit të pensionit për arsye të ndryshme:

INPS-ja të jep një formular që quhet EP/l-1 që duhet plotësuar dhe të rivlerësohet dhe vuloset nga autoritetet fiskale shqiptare. Por kjo nuk ndodh, sepse autoritetet shqiptare nuk njohin INPS-në si zëvendësues të tatimeve, por si alternativë lëshojnë një dokument të tyre ku deklarojnë se jam rezident fiskal në Shqipëri.

Punonjësi i zyrës së INPS-së që i përkas unë (Novara) nuk pranonte në asnjë mënyrë që ta njihte këtë dokument, ndonëse pranohet nga konventa dypalëshe e firmosur nga dy shtetet (Konventa e datës 21/05/1998 nr. 175 e ratifikuar më 21/12/1999). Kështu u detyrova që t'i drejtohesha një avokati për të proceduar me një padi për mos-lëshim të dokumenteve zyrtare. Në atë pikë u bind dhe pas një viti beteje arritëm të marrim të shumëpriturën heqje të taksave. Këshilla ime është që të mos dorëzoheni tek jo-ja e parë, sepse është një praktikë që të refuzohet heqja e taksave në përpjekien e parë. Është një e drejtë e jona e vendosur nga marrëveshjet e bashkëjetesës mes këtyre dy vendeve, për pasojë duhet të njihet.

Cilat janë aspektet pozitive dhe negative të të jetuarit në Shqipëri?

Aspektet pozitive i rendita më parë. Mes atyre negative është shëndetësia. Ajo publike ka shumë mungesa kryesisht në burime ekonomike, ndonëse më ka ndodhur të takoj mjekë shumë të mirë, pavarësisht burimeve të pakta në dispozicion.

Si alternativë ka klinika shumë të mira private që funksionojnë shumë mirë me kosto jo shumë të larta. Sigurisht është e këshillueshme të parashikoni një siguracion shëndetësor për të qenë më të qetë.

Mendon të rikthehesh një ditë në Itali?

Të rikthehem në Itali për momentin nuk është pjesë e planeve të mia, kam zbuluar një mënyrë jetese shumë më të përshtatshme me nevojat e mia aktuale.

o.j/dita

“Më mbaj mua peng, liro një grua’, vdes polici hero i Francës

Posted: 24 Mar 2018 01:14 AM PDT

Oficeri i policisë franceze, që u vetëofrua për shkëmbim me njërin prej pengjeve në ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në një supermarket, nuk arriti t'u mbijetonte plagëve të marra.

"Nënkoloneli Arnaud Beltrame, 45 vjeç, ra si hero dhe tregoi një kurajo të jashtëzakonshme", deklaroi presidenti francez, Emmanuel Macron.

Punonjësi i Xhandarmërisë franceze ndihmoi t'i jepej fund sulmit terrorist të një agresori të armatosur që kishte vrarë 3 persona të pafajshëm në një qytet jugor të Francës, përpara se të vritej nga policia.

Terroristi, i identifikuar më pas si 25-vjeçari Redouane Lakdim, raportohet të jetë radikalizuar dhe gjatë pengmarrjes kishte deklaruar se ishte një ushtar i bindur i Shtetit Islamik.

Teksa njoftoi vdekjen të oficerit të policisë në "Twitter", ministri i Brendshëm Gerard Collomb tha se "ai dha jetën për vendin e tij". "Franca nuk do ta harrojë kurrë heroizmin e tij, trimërinë dhe sakrificën që bëri".

Më herët, Macron kishte bërë të ditur se nënkoloneli Beltrame kishte pësuar plagë të rënda dhe se po luftonte me vdekjen në spital. Në total 16 persona u plagosën, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë, në atë që Macron e përshkroi si një akt të "terrorizmit islamik".

Lakdim raportohet të ketë kërkuar lirimin e Salah Abdeslamit, të mbijetuarit të vetëm e më të rëndësishëm të sulmeve të 13 nëntorit të vitit 2015 në Paris, nga të cilat humbën jetën 130 persona.

Një person, që besohet të jetë partnerja e Lakdimit, u arrestua më vonë në lidhje me sulmin e së premtes.

Akti i dhunshëm nisi mëngjesin e ditës së djeshme në Carcassone, ku Lakdim vodhi një automjet, vrau pasagjerin, trupi i të cilit u gjet më vonë i fshehur në disa shkurre, e plagosi drejtuesin e tij. Më pas qëlloi ndaj një grupi policësh që po vraponin në rrugë, duke plagosur njërin prej tyre.

Lakdim udhëtoi për pak kilometra drejt qytezës së Trèbesit, ku hyri në supermarketin "Super U" nën thirrjet "Jam një ushtar i DAESH-it (akronim i Shtetit Islamik në gjuhën arabe)". Ai vrau dy prej punonjësve, përpara se të merrte peng të tjerët.

o.j/dita

Ne dhe të huajt, shifra rekord me shpenzimet për pushime

Posted: 24 Mar 2018 01:06 AM PDT

Vitin e kaluar, Shqipëria ishte "zbulimi" i të huajve, që u dyndën në vend, nga jugu në veri, duke shfrytëzuar alternativat e turizmit malor, detar, aventuresk e kulturor.

Por, edhe shqiptarët nuk kanë mbetur pas, duke eksploruar vendet e ndryshme të botës.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se si shpenzimet e shqiptarëve jashtë, ashtu dhe të të huajve në Shqipëri kanë arritur nivele rekord në vitin 2017.

Të huajt kanë sjellë në Shqipëri rreth 1.7 miliardë euro, me një rritje prej 11.7% në krahasim me 2016-n. Fluksi më i lartë ka qenë në tremujorin e dytë dhe të tretë, përkatësisht me 421 dhe 588 milionë euro, që përkon dhe me periudhën kulmore turistike (maj-shtator).

As shqiptarët që kanë ikur jashtë nuk janë kursyer. Në total kanë dalë jashtë vendit në formën e shpenzimeve të atyre që kanë udhëtuar, rreth 1.3 miliardë euro në 2017-n, me një rritje prej 11% në krahasim me vitin e mëparshëm. Ashtu si dhe në rastin e të huajve, shpenzimet më të larta ishin në tremujorin e dytë dhe të tretë, përkatësisht me 341 dhe 407 milionë euro.

Pozitive është gjithsesi, se bilanci neto, pra diferenca mes parave që hyjnë në Shqipëri nga të huajt dhe atyre që dalin nga shqiptarët jashtë, ka arritur në një rekord pozitiv prej 445 milionë lekësh. Në periudhën 2015-2017, bilanci është përmirësuar ndjeshëm, ndërsa në 2013-n ai ishte negativ prej 7 milionë eurosh, duke nënkuptuar që shqiptarët jashtë shpenzonin më shumë sesa të huajt tek ne.

Të dhënat e Tirana International Airport tregojnë se numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me charter drejt Antalias dhe kthim ishte rreth 63 mijë persona në vitin 2017, me një rritje të fortë prej 53% në krahasim me një vit më parë.

Në gati dy vjet, shqiptarët që preferojnë të shkojnë me pushime në Turqi pothuajse janë dyfishuar. Në 2015-n, numri i pasagjerëve që udhëtuan me charter ishte rreth 35 mijë. Ai shënoi rritje me 18% një vit më pas, në 2016-n, edhe pse Turqia u përfshi në një valë terrorizmi, që largoi pushuesit e huaj, por jo ata shqiptarë, që u joshën nga tarifat më të ulëta. Ndërsa në 2017-n, kur situata u qetësua, rritja ishte edhe më e lartë. shkruan monitor.al.

Në total, sipas INSTAT, daljet e shtetasve shqiptarë në vitin 2017 ishin 5.18 milionë në vitin 2017 (81% e daljeve ishin përmes tokës), me një rritje prej 12% në krahasim me vitin 2016.

o.j/dita

Është shkruar në 1921, por duket sikur flet për Shqipërinë sot

Posted: 23 Mar 2018 08:28 PM PDT

Në numrin e qershorit të vitit 1921, revista "Agimi" e Shkodrës ka publikuar një analizë të situatës së vendit, që kishte pak vite që kishte dalë nga Lufta e Parë Botërore e përballej me vështirësi të shumta ekonomike.

Analiza, e shkruar në gegnisht e me stil të veçantë, përmban inicialet X.X dhe ka një këndvështrim interesant të vlerësimit të situatës ekonomike duke nisur nga analizimi i gjërave që përmbante shtëpia e shqiptarit.

Autori e vë theksin në mungesën e prodhimit në vend, nivelin e lartë të importeve, mungesën e politikave qeveritare, "përtacinë" e shqiptarëve e shpenzimet e panevojshme.

"Tue ndëjë në pushim në nji skaj t'odës së bukës, më shkojnë syt ndër sendet e orendit që e stolisin kët odë, e prej tyne mundem me marrë vesht gjendjen ekonomike të vëndit t'ëm pa pas nevojë me shfletue libra e me ba studime. Kandili i vjerrun në mjedis t'odës na ka ardhun prej s'jashtmit, ashtu edhe mbloja e tryezës e orishtra e murit nuk janë prodhimi i vendit. Prej s'jashtmit janë koltrinat e dritoreve, karrigat t'i rrijmë e gotat qi pijmë. Punë vëndi vetëm ndonji tryezë, ndonji mësallë a ndonji pashnik kjoftë, pse përore edhe këto janë të bleme kund jashta Shqypnie" nis analiza e publikuar nga Scan.

Autori del "jashtë odës" dhe evidenton faktin se një situatë e tillë është jo vetëm në shtëpi por edhe në kafene, xhami apo kisha ku sendet janë të importuara nga jashtë. E kjo, është dëshmi e mjerimit ekonomik të vendit që nuk prodhon por vetëm shpenzon.

"Po pse të kërkojmë kaq larg? Të shikjojmë rreth trupit t'onë e kemi me pa se prej mbajës së kres e deri në fund të kambvet nuk kemi tjetër veç sende t'importueme a prej italije, a prej Austrije a edhe prej vëndeve ma të largta. Këto janë fakta qi të dhemb zëmra t'i përshkruejsh, por së vërtetës nuk mund t'i kundërshtohet" vijon analiza.

Më tej, autori analizon sjelljen e shqiptarëve kundrejt fitimeve, shpenzimeve e punës duke kritikuar disa sjellje që sipas tij janë negative e "zakone të një populli të vjetër në një botë të re".

"A nuk do t'ishte nji punë shum ma e mirë atë shumë të hollash qi japim ndër kafe, lojna, ndër pije e ragtime të tepërme t'a përdorojshim për nji qellim të dobishëm e të nevojshëm? Shka bajnë katundarët t'onë ndër ditë shiu e ndër net të gjata e të mërzitshme të dimnit? Fort pak janë ata qi e përdorojnë kët kohë për me ndreqë veglat e tynë bulqsore primitive pse përgjithsisht puna e këtyne lloj ditve e netve asht me u shtri rreth votre, me kallxue përralla të kota e me ba ndonji plan cubnije, vrasje a grabitje!

Të mendojmë se sa punë kishte me u bap o t'u përdoronte kjo kohë si duhet e sa fitimin kishim me e pasë! Me nji fjalë na prishim shum e prodhojmë pak e nuk mendojmë asfare se këso dore jemi tue shkue drejt vorrit. Nuk interesohemi për pikën gjallnore t'onën e rrijmë me gojë hapët e me duer kryq thue se buka do të na vijë prej qielli; thue se shteti mbahet me andra, me pralla, me rrnoftë e kjoftë e me ngatrresa qi mbjellim përditë në mjes t'onë" vijon analiza.

Në fund autori, evidenton nevojën e ngritjes së një ekipi njerëzisht inteligjentë e me zemër të mirë, "ushtri mësuesish me vullnet të fortë".

n.s. / dita

Vendimi: Detyrime për ndërtuesit që lidhen me kabllat e internetit

Posted: 23 Mar 2018 08:18 PM PDT

Çdo godinë e re që do të ndërtohet duhet të krijojë hapësirën e nevojshme për rrjetin e internetit me shpejtësi të lartë. Kjo nënkupton se pallatet e reja, apo godinat për zyra e biznese duhet të pajisen me një infrastrukturë të brendshme që lejon instalimin e fibrave optike dhe kabllove të ndryshëm deri tek përdoruesi.

Këshilli i Ministrave ka bërë gati një projektvendim që parashikon masat e mësipërme dhe tashmë pret fazën e konsultimit publik.

Ndër ndryshimet më të mëdha që prek ky vendim është edhe e drejta e barabartë e operatorëve të komunikimeve elektronike për përdorimin e infrastrukturës fizike në godinë. Kjo do të thotë se administratorët e pallateve të reja nuk mund t'u mohojnë kompanive në bazë të preferencave ofrimin e shërbimit të internetit për banorët e pallatit – shkruan Scan.

Vendimi parashikon obligime edhe për operatorët, të cilët duhet të shtrijnë rrjetin kabllor jashtë godinës vetëm nëpërmjet tubacioneve nën tokë. Linjat ajrore do të lejohen vetën në raste të justifikuara.

Krahas godinave të reja, obligimi do të zbatohet edhe në godinat e vjetra në momentin që ato i nënshtrohen rikonstruksionit.

Përjashtohen nga detyrimi për të ndërtuar pikën e aksesit ndërtesat e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërtesat në listën e monumenteve kulturore, ato në zona të izoluara dhe të largëta, shtëpitë e pushimit, hangarët, serat, garazhet, magazinat dhe godinat e tjera që nuk kanë për qëllim fjetjen.

Përmes këtij vendimi pritet të zvogëlohen barrierat e përdoruesve shqiptarë për akses në internet me shpejtësi të lartë mbi 30 Mbps. Aktualisht Shqipëria renditet e parafundit në Europë për shpejtësinë mesatare të rrjetit, me 12.45 Mbps, ndërkohë që parakalohemi nga fqinjë si Bosnja, Maqedonia dhe Serbia.

n.s. / dita

FOTO: Enigma e një objekti të rrallë të zhdukur në ’89

Posted: 23 Mar 2018 08:13 PM PDT

Me një moshë më shumë se 15 shekullore, Kisha e Labovës së Kryqit vlerësohet si një prej monumenteve më të rralla historike, fetare e kulturore të Shqipërisë.

Ajo njihet si një prej 40 kishave të para, të ndërtuara në gjithë botën.

Ndodhet në fshatin Labovë e Kryqit, në rrethin e Gjirokastrës, i vendosur në shpatin verior të malit të Buretos, mbi lumin e Suhës që është një degë e lumit Drino, në të djathtë të qytetit të vogël të Libohovës.

Nga periudha biznatine deri më sot quhet Labova e Kryqit dhe emri lidhet me kryqin e kishës në fjalë.

Kryqi i Labovës

Historia e Kryqit të Laboves zë fill në vitin 326 Pas Krishtit.

Shën Elena, nëna e Kostandinit të Madh të Bizantit, gjeti në Jeruzalem kryqin ku ishte kryqëzuar Krishti.

Ky kryq u nda në dy pjesë, një pjese mbeti në Jeruzalem dhe pjesa tjetër u dërgua në Konstandinopojë.

Disa copa druri nga ky kryq u shpërndanë. Një prej tyre mendohet se gjendej në kryqin e kishës së Labovës.

Një nga studjuesit shqiptarë që pjesën më të madhe të jetës së tij ja kushtoi Kishës së Labovës së Kryqit, Gazmend Muka(1964-2012), ka shkruar se ky kryq u soll në Labovë në prill të vitit 559 nga Kostandin Shpatari.

Mukaj shkruan se brenda kryqit ndodhej një kuti druri e punuar hollë.

Brenda kësaj kutie të vogël konservohej një copë druri rreth 152 gram.

Llogjika të thotë se Kostandini, duke qenë shpatar i Perandorit Justinian si njeri me influencë, ashkëlën për Kryqin e Kishës së fshatit të tij duhet ta ketë marrë nga Kryqi origjinal që gjeti Elena.

Për banorët e fshatit Labove dhe fshatrave për rreth, ky kryq për 1430 vjet ka qenë kryq i mrekullive, çudibërës dhe qetësues.

Kur në vitin 1967 u shkatëruan të gjitha kultet fetare, ky kryq u fsheh dhe u ruajt.

Ai u vodh në vitin 1989 dhe asnjëherë nuk u gjet, pavarësisht kërkimeve private nga banorët apo apeleve të shumta për rikthimin e tij në kishën e Shën Mërisë në fshatin Labovë e Kryqit.

Megjithëse për këtë ngjarje u gjykuan dhe u dënuan tre persona asnjëherë nuk u mor vesh se ku përfundoi ai.

n.s. / dita

Sa km futet në det Kepi i Stilit

Posted: 23 Mar 2018 07:34 PM PDT

Kepi i Stilit është kepi më jugor i bregdetit të Shqipërisë me koordinata 39 gradë 41'5'' gjerësi veriore dhe 19 gradë 59'0'' gjerësi lindore.

Futet 1,3 kilometra në det në drejtim të jugperëndimit.

Kepi është malor me lartësinë më të madhe 269 m, me brigje shkëmbore e të thepisura.

Thellësitë pranë bregut janë të mëdha.

Një rrugë këmbësore e lidh kepin me Vrinën.

Rreth 1 km në juglindje të kepit të Stilit shtrihet ishulli i vogël shkëmbor i Stilit i veshur me makje të dendura.

n.s. / dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more