Skip to main content

“Vetëm nën presion ndërkombëtar Serbia bashkëpunon në çështjen e të pagjeturve” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Vetëm nën presion ndërkombëtar Serbia bashkëpunon në çështjen e të pagjeturve” plus 2 more Telegrafi Opinione


Vetëm nën presion ndërkombëtar Serbia bashkëpunon në çështjen e të pagjeturve

Posted: 22 Mar 2018 04:45 AM PDT

Çështja e të pagjeturve, që nga lufta e fundit, padyshim se është plagë e hapur për shoqërinë kosovare. Përderisa koha kalon, gjurmët zhduken e edhe dëshmitarët janë të rrallë. Aq më tepër kur Serbia neglizhon krimet e fundshekullit, duke mos dashur të hap një kapitull të ri në Ballkan.

Kjo çështje dhe shumë të tjera kanë mbetur peng nga e kaluara jo e largët dhe kështu në mungesë bashkëpunimi nga institucionet serbe bëhet e pamundur të zbardhet fati i viktimave të cilat ranë pre e regjimit fashist të Millosheviqit.

Bazuar në kërkesat e prezantuar nga ana e familjarëve te institucionet kompetente vendore, si Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe organizatat ndërkombëtare, si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, kanë qenë të evidentuar si persona të zhdukur, si pasojë e luftës, 6,057 persona. Aktualisht janë edhe 1,652 persona të zhdukur si pasojë e luftës së viteve 1998-'99, nga të cilët 1,388 persona janë të gjinisë mashkullore , ndërsa 264 persona të gjinisë femërore. Sa i përket moshës, janë 135 persona të zhdukur nën-moshën 18-vjecare dhe 332 persona mbi-moshën 65-vjeçare, ndërsa të moshës 19-64-vjeçare janë 1,185 persona të zhdukur.

Pra, janë edhe shumë familje kosovare që vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen, ankthin dhe pritjen për të mësuar për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre. E drejta për të ditur është e drejtë e garantuar me legjislacionin në fuqi, si dhe me të gjitha konventat ndërkombëtare që trajtojnë çështjen e personave të zhdukur.

Ndaj kësaj çështje të ndjeshme, Qeveria vjen me një program duke përshpejtuar procesin për realizimin e të gjitha aktiviteteve të mundshme që familjet e personave të zhdukur, të mësojnë sa më parë për fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të të tyre të zhdukur, gjatë luftës.

Programi i Qeverisë do të adresojë problemet dhe sfidat me të cilat përballen institucionet kompetente shtetërore dhe në përgjithësi akterët që janë të angazhuar në këtë proces, sfida këto që para se gjithash ndërlidhen me mungesën e informacioneve të besueshme dhe çështjen e mbetjeve mortore të paidentifikuara në morgun e Prishtinës, si dhe do të adresojë përpjekjet dhe angazhimet që familjet e personave të zhdukur të kenë një trajtim më të mirë ligjor dhe institucional dhe në këtë proces të kemi një koordinim më mirë institucional (në raport edhe me institucionet e organizatat ndërkombëtare).

Në vazhdën e angazhimeve zyrtare dhe përpjekjeve mbarë-institucionale që çështja e personave të zhdukur të trajtohet si çështje me prioritet të veçantë, gjatë kësaj periudhe kohore (nga muaji shtator 2017) familjeve të personave të zhdukur iu janë dorëzuar për rivarrim mbetjet mortore të 48 personave, gjithnjë në respektim të të drejtave të familjeve për të ditur për fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre të zhdukur dhunshëm. Nga këto raste, përfshihen mbetjet mortore të tetë rasteve të reja të personave të zhdukur, të identifikuar, e që ishin në listën e personave të zhdukur, ndërsa rastet tjera ndërlidhen me procesin e ribashkimit të pjesëve kockore.

Janë edhe një numër i rasteve të mbetjeve mortore të identifikuara, kryesisht raste ribashkimi, si dhe disa raste të reja për të cilat familjet janë njoftuar për identifikim dhe jemi në pritje të caktimit të datave të rivarrimit. Dorëzimi i mbetjeve mortore pas identifikimit, si aktivitet zyrtar realizohet nga Sektori për Komunikim me Familjar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe komunave përkatëse. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur me përkrahje të zyrave kompetente në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, mbulon edhe shpenzimet e rivarrimit.

Po ashtu, me iniciativë të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe me përkrahjen e Mbajtësit të Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, në përgjigje të kërkesave të shoqatave familjare, në fund të vitit të kaluar me vendim të Qeverisë janë ndarë 30,000.00 (tridhjetë mijë) euro për përkrahje të familjeve në projektin e tyre për 'trajtim dhe rehabilitim në qendrat shëndetësore rehabilituese – banja'. Si dhe janë ndarë 3,500.00 (tremijë e pesëqind) euro për përkrahje të disa prej familjeve të personave të zhdukur të rasteve specifike (dhe me gjendje më të rëndë ekonomike).

Gjithashtu, në përgjigje të kërkesave të shoqatave familjare dhe në adresim të kërkesave të tyre, çështja e plotësim/ndryshimit të Ligjit për Persona të Zhdukur, është përfshirë në Agjendën e koncept dokumenteve për vitin 2018.

Ndërsa, gjatë kësaj periudhe kohore, përmes mekanizmave kompetent institucional të Republikës së Kosovës, dhe në bashkëpunim me akterët tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë, në këtë rast në bashkëpunim me ekspertët e EULEX-it, janë proceduar, në kuptimin e gërmimit vlerësues, dhjetë lokacione nga të cilat pesë kanë rezultuar me gjetje apo zhvarrosjen e mbetjeve mortore te të paktën dhjetë personave. Edhe pse vetëm pasi të përfundojnë procedurat e nevojshme mjekoligjore, përfshirë edhe identifikimin përmes analizës së ADN-së në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, mund të dihet numri i personave të zhvarrosur dhe identifikuar.

Krahas aktiviteteve brenda territorit të Republikës së Kosovës, institucionet kompetente kanë vazhduar aktivitetet zyrtare edhe në bashkëpunim me shtetet tjera në rajon që kanë kaluar nëpër të njëjtat tragjedi si pasojë e luftërave në ish-Jugosllavi, bashkëpunim ky që para se gjithash është një mundësi në adresim të sfidave të përbashkëta në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur. Nga 11 tetori 2017, edhe Republika e Kosovës, në zbatim të Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA, është bashkëngjitur dhe do të jetë pjesë e nismës së Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur për hartimin e Listës Rajonale të Personave të Zhdukur. Në këtë rast, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka prezantuar edhe në takimin rajonal të mbajtur më 7 dhjetor 2017 në Beograd.

Shqetësuese mbetet mosgatishmëria e Serbisë për të qenë më bashkëpunuese në këtë proces. Gjatë kësaj periudhe kohore, nuk është proceduar asnjë lokacion në territorin e Serbisë, përkundër të dhënave dhe kërkesave të prezantuara nga Delegacioni i Kosovës dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur. Kërkesa këto, të përsëritura edhe gjatë takimit të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, pra takimi mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, të mbajtur më 27 shkurt 2018, në Beograd, si dhe takimeve të Nëngrupit Punues për Mjekësi Ligjore dhe Ekipit për Analizë, të mbajtura më 22 dhe 23 shkurt 2018, në Prishtinë.

Dhe, sigurisht që institucionet e Kosovës do të vazhdojnë angazhimin në koordinim me partnerët ndërkombëtarë që të shtohet trysnia ndaj Beogradit zyrtar për të qenë më bashkëpunuese, në mënyrë të veçantë përmes hapjes së arkivave të ish-Ushtrisë jugosllave, meqë tashmë është konfirmuar, edhe pse nuk ka pasur asnjëherë gjatë këtij procesi ndonjë dyshim, se në këto arkiva gjenden të dhëna që do të mund të kontribuonin në zgjidhjen e të gjitha rasteve të personave të zhdukur.

Respektimi i të drejtave të familjeve të personave të zhdukur, nga mbarë Ballkani, mbi të gjitha të drejtës për të ditur fatin e më të dashurve të tyre dhe të drejtës për drejtësi duhet t'i vihen si kushtëzime të Serbisë edhe në proceset integruese. Meqë përvojat e deritanishme, në hapjen e katër lokacioneve të vendvarrezave masive në territorin e Serbisë, si në zonën ushtarake në Batajnicë, pastaj lokacioni në Petrovo Sello, lokacioni në afërsi të liqenit të Peruqacit dhe lokacioni në Rashkë, ku janë zhvarrosur mbetjet mortore të më shumë se 900 personave, viktima të luftës në Kosovë, konfirmojnë se Serbia vetëm me një presion të shtuar ndërkombëtar do të jetë bashkëpunuese në këtë proces.

The post Vetëm nën presion ndërkombëtar Serbia bashkëpunon në çështjen e të pagjeturve appeared first on Telegrafi.

Në Facebook jeni produkti e jo klienti – ky është thelbi

Posted: 22 Mar 2018 04:36 AM PDT

Edward Morrissey

Ditët e fundit, ligjvënës dhe ekspertë të ndryshëm janë shprehur të tronditur dhe të zemëruar pasi "Cambridge Analytica", një kompani e kontraktuar për fushatën zgjedhore të Donald Trump, kishte përdorur të dhëna personale nga Facebook. Shumë prej kritikëve silleshin sikur problemi është unik dhe jo-normal. Por në të vërtetë, përdorimi i të dhënave personale për reklama mund të jetë gjithë thelbi i ekzistencës së rrjeteve shoqërore.

Facebook ka shumë llogari për të dhënë. Mark Zuckerberg dhe drejtues të tjerë të Facebook do të kërkohen të dëshmojnë përpara Kongresit amerikan për atë që ndodhi. Ndërkohë, ata i kanë hequr kompanisë "Cambridge Analytica" të drejtën për të përdorur platformën, si dhe kanë ashpërsuar rregullat për marrjen e të dhënave.

Presidenti Trump dhe fushata e tij, sigurisht, duan të distancohen sa më shumë nga ish-këshilltarët. Por skandali me Facebook nuk është arsyeja e vetme që ekipi i Trumpit duhet të distancohet nga "Cambridge Analytica". Një përgjim i bërë nga gazetarë investigativë tregoi se si Alexander Nix, drejtori i përgjithshëm i "Cambridge Analytica", dhe drejtues të tjerë, mburreshin për dredhitë e shumta që mund të ofronin për klientët. Një nga "shërbimet" që ofronin, siç thanë gjatë përgjimit, ishte futja e politikanëve në kurth duke përdorur prostituta ukrainase, ose që i tërhiqnin kundërshtarët për t'u shkaktuar shkelje financiare gjatë fushatës, si dhe të prodhonin lajme të rreme. Edhe sikur ekipi i Trump-it të mos i ketë përdorur kurrë këto shërbime, edhe sikur drejtuesit e "Cambridge Analytica" ta kenë thënë kot, sa për t'u dukur para klientëve (ose, siç thanë ata, për të gjetur aktorë dashakeqë në politikë), këta këshilltarë janë kthyer në një pengesë të qartë politike.

Por a duhet të habitet njeri që Facebook ka lejuar kompani të jashtme të shfrytëzojnë të dhënave e 50 milionë përdoruesve? Facebook ka vite që u ofron të dhëna të tilla reklamuesve, dhe përdoruesit nuk i ka detyruar njeri që t'i shkruajnë të dhënat. "Cambridge Analytica" mund të ketë shumë faje, por marrja e të dhënave mund të jetë mëkati më i vogël mes tyre.

Facebook mbetet një nga kompanitë më të vlefshme në botë. Dikush mund të pyesë se nga vijnë këto para? Vërtet ka 1.4 miliardë përdorues, por ata nuk paguajnë asgjë për të hyrë në platformë, dhe mund ta përdorin sa të duan. Është 100% falas.

Paratë vijnë nga reklamat. Dhe përparësia e Facebook për të shitur më shumë reklama se të tjerët vjen ngaqë ka një bazë aq të madhe përdoruesish, aq sa mund t'u premtojë kompanive se do t'u dërgojnë reklama grupeve demografike që dëshirojnë. Doni t'u reklamoni diçka vetëm banorëve të Kansasit që kanë lindur pas viteve '90 e që zotërojnë një shtëpi? Facebook e mundëson këtë. Doni t'u reklamoni diçka vetëm pensionistëve në Japoni? Facebook e mundëson edhe këtë.

Facebook shet reklamat në bazë të njohurisë që ka për ju. Është gjithë thelbi i këtij biznesi. Është budallallëk të mendosh se mund të ndodhë ndryshe.

Kompani që vijnë si palë të treta mund t'i përdorin të dhënat gjithashtu. Në vitin 2007, Zuckerberg e hapi platformën e Facebook për programues të jashtëm, të cilët mund të ndërtonin aplikacionet e tyre jashtë Facebook-ut, dhe nëpërmjet tyre mund të lidheshin me përdorues, duke u marrë të dhëna personale. Falë mundësive që jep rrjeti shoqëror për të pasur shumë miq, këto aplikacione të treta mund të marrin të dhëna jo vetëm për ata që e kanë instaluar, por edhe për miqtë e tyre. Ky është një element bazë i strukturës së Facebook, që e shumëzon fuqinë e reklamimit me disa herë. Kështu arriti "Cambridge Analytica" të marrë të dhëna për 50 milionë përdorues, duke përdorur miqtë e vetëm 272,000 përdoruesve që kishin instaluar aplikacionin e tyre dhe që e kishin lejuar t'u lexohej lista e miqve.

"Cambridge Analytica" s'ka qenë kompania e parë me lidhje politike që e zbuloi këtë mundësi që ofronin rrjetet shoqërore, dhe as e para që e shfrytëzoi. Siç raporton "Washington Post", ekipi i Barack Obama-s për fushatën zgjedhore kishte përdorur mekanizma të njëjta për të ndërtuar një organizatë të stërmadhe në rrjetet shoqërore. "New York Times" raportoi në vitin 2013 se lëvizjet e ekipit të Obama-s për t'i grumbulluar këto të dhëna kishin ngritur alarme në sistemin e Facebook, por ata thjesht e kishin shpërfillur. "Thoshin që mund ta bënim sa të donim, mjaftonte që të mos e bënim më pas zgjedhjeve të 7 Nëntorit", kishte raportuar një punonjës fushate. Kjo mënyrë nuk ka qenë më pak ndërhyrëse. "Kërkonim të shikonim fotot, por në fakt synimi ynë ishte të shihnim se kë tjetër kishit etiketuar në foto", tha i njëjti punonjës për "The Times". "Fotot janë mënyrë e mirë për të zbuluar shokë të vjetër shkolle apo ish të dashura".

Thelbi është që kur shërbimi ofrohet falas, ju nuk jeni klient. Jeni produkti. Nëse s'doni të bëheni produkt, mos u regjistroni fare. Ose më thjesht, mos fusni të dhëna personale pa fund e të prisni pastaj që të mbahen private.

Facebook mund të meritojë të qortohet për mënyrën se si funksionon modeli i tyre financiar dhe se sa varet puna e tyre nga të dhënat e klientëve. "Cambridge Analytica" mund të ketë shumë llogari për të dhënë. Por ashtu si me Kapitenin Louis Renault në "Casablanka", kjo habia e madhe pasi keni luajtur bixhoz në kazinonë e rrjeteve shoqërore, duket më shumë si injorancë e qëllimshme. /The Week/Top Channel/

The post Në Facebook jeni produkti e jo klienti – ky është thelbi appeared first on Telegrafi.

“Një dreq i madh…”

Posted: 22 Mar 2018 04:27 AM PDT

Keni ndenjur mbrëmë gjatë, me përfaqësuesit tuaj? Në televizor, de, se ata i takoni live veç në fushata! Keni mësuar sërish matematikën elementare, se si me i ba me çdo kusht 80 vota pro? Keni ndarë njërën anë patriotët, e në tjetrën tradhtarët? E keni kuptuar se sa shtrenjtë mund të kushtojë një votë, e përfaqësuesit tuaj? E vizituat emergjencën? A ju thanë se nuk mund të nisin autoambulancën sepse ju keni ngrënë thonjtë e duarve dhe këmbëve duke parë seancën e parlamentit? Të gjithë ishim të preokupuar, por dikush ka shprehi më të këqija.

Ata që nuk ishin të preokupuar me numrat, mbrëmë, nuk janë patriot, sepse refuzojnë të jenë pjesë e stresit kolektiv, që e prodhon media jonë politike, pastaj edhe kjo temë ka interes publik. Gjithqysh duhet me e gjet ndonjë temë që i streson, edhe ata, se nuk është mirë dikush të jetë i stresuar e dikush jo. Kjo e rrënon (gjeo)politikën e stresit, edhe krejt rrëfimin e bënë të pabesueshëm, e rrjedhimisht, kriza mundet edhe të zgjidhet. E kjo e rrënon biznesin e (para)politikës tonë, që e ka emrin krizë. Politika jonë jeton nga kriza.

Ju kujtohet, kush para lufte e kishte thënë: "Këtu është një dreq i madh…"? Shumicës tashmë nuk i kujtohet fare kjo thënie, ose kujtojnë se është ndonjë thënie popullore. Kështu e ke kur jeton në një nyje (gjeo)politike, dhe në një konflikt permanent, por e ke privilegjin ta kesh popullatën më të re në rajon, e më gjerë. Fëmijët rriten shpejt, dhe kanë dëshirën e papërmbajtur që gjithçka të e fillojnë nga fillimi, sepse besojnë se ata para tyre s'kanë ditur më shumë. Industria e prodhimit të politikanëve të rinj ndjek këtë logjikë. Ata duken të rinj, flasin ndryshe, por janë produkt vendorë, i shkolluar në shkolla prestigjioze, për të përfunduar në bankat e parlamentit duke hangër thonjtë, ose njëri tjetrit. Janë prodhuar për nevojat e oligarkisë. Edhe ata janë Kosovë. Edhe ata janë pjesë e makinerisë (para)politike që premton se gjithçka do të zgjasë. Janë disa që shajnë, e disa tjerë që dinë të debatojnë, të mbrohen. Sot në këtë medium, nesër në tjetrin. Nëse është harxhuar një medium, hape tjetrin, sepse (para)politika duhet të sigurojë arena, ku gladiatorët modern, japin shpirt për të mbrojtur biznesin e krizës.

Shumica e popullsisë e lindur pas lufte është e rritur me idenë se ai që na e solli lirinë, ai duhet të na e sjell edhe pak bukë, dhe së paku një telefon të mençur, për me bë foto çasti, kuptohet për profilin e vet . Ne nuk jemi popull kërkues. Mjafton me n a vu në gjumë me përralla, e regjisorët e rinj në shërbim të kauzës së krizës, vazhdimisht rrëfejnë prej fillimi. Fillojnë një serial të ri, me aktorë tjerë, i cili vlerësohet për nga kohëzgjatja. Ajo që zgjatë ka vlerë. E regjisorët kurrë nuk mund të jenë aq kreativ sa qytetarët nëpër rrjete sociale. Andej marrin ide. Prandaj masa duhet të ketë pak bukë dhe një telefon të mençur.

Kështu, jeta rrjedh, korridoreve të administratës ndërkombëtare e vendore, që politikën e kanë biznes, dhe problemet shansë. "Dreqi" nuk po lejon që nyja gordiane të zgjidhet. Ju, me të drejtë, do të thoni, se nuk duhet me e hapë ditën duke e përmendur qoftëlargun. Kur e përmend ai rritet e fuqizohet. Forca i shndrrohet në fuqi. Fuqia shndërrohet në bllokadë. Kush ka fuqi me bllokue në Kosovë, ai është forcë edhe fuqi. Kreu i shtetit , këtë e ka specializim të ngushtë.

Ideja se përmes problemeve që nuk zgjidhen kurrë, faktorizohesh në këtë pjesë të Ballkanit, nuk është pa gjë. Shumica e bëjnë pa vetëdije, por ka edhe që e dinë se çfarë po bëjnë.

Në historinë tonë të shekullit të kaluar është mbajtur mend nga populli thënia e famshme e ish kryetarit të komitetit krahinor të Kosovës. "Një dreq i madh, o këtu" , pat thënë njeriu të cilit i mbet pushteti në dorë, kur tashmë kishte filluar të sillet rrota e madhe e gjeopolitikës, e cila këtë zonë e bënë pikërisht të përshtatshme për konflikte shekullore, që nuk zgjidhen.

Përse nuk zgjidhen, do të thoni jua? Nuk ka fuqi, fuqi Evropa, Amerika? Nuk kanë fuqi oligarkët serb, apo kosovarë të lëvizin rrotën e ngjarjeve drejt zgjidhjes? Vërtetë të jenë këto rrugë qorre, pa dalje?

Jo, problemi është se, problemi i qytetarëve, është biznes për oligarkët. Lufta por edhe paqja janë biznes, global, ashtu qysh është biznes edhe rrënimi i shtëpive, sikurse që është edhe ndërtimi i tyre. Problemi në Ballkan është sikur ai i kalasë së Shkodrës. Punojnë dy palë mjeshtër. Çka punohet ditën me diell, rrënohet natën (pa) hënë! Populli shikon në televizor, portale dhe rrjete sociale dhe e dinë se kur del filan deputeti në foltore, ka filluar faza e zhagitjes. Ai është breshka. Ai flet gjatë e nuk thotë asgjë. Pastaj del ajo, dhe e nis sherrin. Pa e kuptuar hiç, se nuk janë votat, na zë mesi i natës. Disa flejnë bashkë me kryeministrin, ose ndonjë deputet të lodhur, i cili kotet në karrigen e cila e obligon të jetë gjithnjë syçelë.

Mos e bëni të madhe! Edhe deputetët shpirt kanë. As populli nuk do të niset nesër, për ne Evropë? E kemi parë, se kur oligarkët duan që populli të shkojë në Evropë, bëjnë gati autobusët.

Pastaj, kush e ka dashtë, vërtetë Evropën, rrugën e ka ditur, dhe tashmë është i (zh)vendosur nëpër kontejnere. Prej tyre, me siguri do të dali ndonjë këngëtar(e) me famë botërore, e cila pastaj do të vij të këndoj për vendin që aq shumë e do, edhe pse nuk i ofroi asgjë. Edhe suksesin e tyre, politika jonë do e shes si sukses të vetin. E pse jo?

Një dreq i madh, o hy në këtë mes. U bënë 80, apo jo? Unë, po flej, se antikorrupsioni dhe prokurorët, janë zgjuar. Ata do numërojnë votat….!

The post "Një dreq i madh…" appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more