Skip to main content

“Deri në fund bashkë, George H. W Bush i jep lamtumirën e fundit Barbarës” plus 9 more - Gazeta Dita

“Deri në fund bashkë, George H. W Bush i jep lamtumirën e fundit Barbarës” plus 9 more - Gazeta Dita


Deri në fund bashkë, George H. W Bush i jep lamtumirën e fundit Barbarës

Posted: 21 Apr 2018 01:47 AM PDT

Ish-presidenti amerikan George H.W. Bush qëndroi përballë arkivolit të gruas së tij Barbara Bush të premten në Houston, ku priti njerëzit që erdhën për t'i dhënë lamtumirën gruas së tij.

Barbara dhe George kishin 73 vjet që ishin të martuar. Ajo ndërroi jetë të martën në moshën 92 vjeçare, teksa bashkëshorti i qëndronte pranë.

Ish-presidenti nuk pritej që të merrte pjesë në ngushëllimet e së premtes, por ai mori një vendim në momentet e fundit për të qenë i pranishëm.

"Tha vetëm dua të shkoj. Ishte komplet spontane", – tha një ndihmës i tij për NBC News.

o.j/dita

Në kërkim të jetës në hapësirë

Posted: 21 Apr 2018 01:40 AM PDT

NASA ka nisur një anije kozmike në hapësirë, për të kërkuar sisteme të ngjashme ku mund të ketë kushte të favorshme për zhvillimin e jetës.

Misioni i saj është të identifikojë yje dhe planetë që mundësojnë jetën.

Qindra mijëra yje do të vëzhgohen jashtë sistemit diellor për të kuptuar nëse në ndonjërin prej tyre ka kushte për jetën apo jo.

Planetët që do të duken më premtuese në këtë mision do të studiohen më pas përmes një udhëtimi tjetër. Kështu, NASA më pas do të analizojë atmosferën e planetëve të rinj dhe elemente tjera thelbësore për zhvillimin e jetës në to.

o.j/dita

Qeveria në Fier, Rama: Ende ka parazitë dhe grabitqarë në administratë

Posted: 21 Apr 2018 01:29 AM PDT

Qeveria "Rama 2' është zhvendosur në qarkun e Fierit në një mbledhje dy ditore.

Pas vendimeve që u morën dje, sot kabineti qeveritar ka zbritur në terren duke zhvilluar një takim me drejtuesit qendrorë e vendorë për punësimin, ​shërbimet dhe reformën e tokës.

Rama u shpreh në fjalën e tij se në administratë ende ka parazitë dhe grabitqarë që kanë shfrytëzuar detyrën për të përfituar në dëm të interesit dhe të drejtave të qytetarëve.

Ende ka parazitë dhe grabitqarë që kanë shfrytëzuar detyrën për të përfituar në dëm të interesit dhe të drejtave të qytetarëve. Kur një qytetar është penguar padrejtësisht, ne evidentojmë shkaktarët duke i larguar nga puna dhe duke i çuar në ndjekje penale. Sot janë mbi 80 raste largimesh nga puna në Hipotekë për këtë shkak. Sot mbi 400 shërbime për qytetarët jepen përmes internetit, të gjithë drejtuesit e zyrave të ndihmojnë që sa më shumë njerëz t’i përdorin“, tha Rama.

o.j/dita

“Neymar s’ka klauzolë prishjeje në kontratën me PSG-në”

Posted: 21 Apr 2018 01:24 AM PDT

Një ditë më parë, "El Pais" kishte njoftuar se sulmuesi brazilian Neymar do të mund të largohej nga Paris SG, në rast të një oferte prej 300 milionë eurosh në drejtim të klubit parizien.

Megjithatë, asgjë e tillë nuk duket e vërtetë, e për të përgënjeshtruar medien franceze ka menduar vet Ligue 1.

"Neymar nuk ka asnjë klauzolë për prishjen e kontratës me Parisin", thuhet në reagimin e organizmit drejtues të ligës së futbollit francez.

Kjo, sepse siç sqarohet më tej, rregullorja në Francë nuk i lejon klauzolat me shumë kaq "të çmendura".

Talenti brazilian u transferua nga Barcelona për në "Parc des Princes", pas pagesës nga ana e sheikut Al-Khelaifi të klauzolës prej 222 mln eurosh që futbollisti kishte në kontratën me klubin katalanas.

o.j/dita

Universitetet/ Do garojnë vetëm maturantët me mesatare mbi notën 6

Posted: 21 Apr 2018 01:17 AM PDT

Pranvera Kola

Nota mesatare që kërkohet për të hyrë në garë për vijimin e studimeve të larta në një nga universitetet publike, apo private të vendit, përgjatë vitit të ri akademik 2018-2019 nuk pëson ndryshime. Qeveria ka vendosur ditën e djeshme që edhe për garën e këtij viti, të mund të garojnë për universitetin vetëm maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 6 e lart.

I njëjti kriter do të zbatohet edhe për rastet kur kandidatët kërkojnë të vijojnë studimet e ciklit të dyte, apo në rastet kur aplikojnë për të transferuar studimet në vitet e ndërmjetme. "Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë, nota mesatare për pranimin në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, ose për të transferuar studimet në vitet e ndërmjetme të këtyre programeve në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2018-2019 do të jetë nota 6", përcaktohet në vendimin e miratuar dje nga Këshilli i Ministrave.

Mesatarja për degët e mësuesisë

Nga ky rregull do të përjashtohen vetëm maturantët, apo kandidatët e viteve të shkuara që duan të garojnë për të fituar studimet e larta në një nga programet e mësuesisë. Për këta të fundit është vendosur si kriter minimal i hyrjes në garë për universitetin nota 7.

Çka do të thotë se në programet e mësuesisë do të garojnë vetëm maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 7. Ky vendim është marrë me qëllim afrimin e maturantëve më të mirë drejt këtyre degëve. Nëpërmjet këtij vendimi qeveria ka aprovuar edhe programet që do të ofrohen në degët e mësuesisë ku dhe do të aplikohet ky kriter.

Kriteret për llogaritjen e mesatares së gjimnazit

Sa i takon hapave që do ndiqen për llogaritjen e mesatares, saktësohet se: "Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë do përllogaritet si mesatare e thjeshtë e  dy treguesve, që janë: mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve  për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore 2018".

E njëjta formulë do të përdoret edhe për llogaritjen e mesatares që kërkohet për degët e mësuesisë. Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe dërgimin e këtyre të dhënave në Qendrën e Shërbimeve Arsimore

Ku do shkojnë maturantët me mesatare nën notën 6?

Maturantët që nuk plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar nuk rrezikojnë të mbeten pa studime të larta. Për këtë kategori qeveria ka vendosur që mund të aplikojnë për të ndjekur programet e studimeve të larta me karakter profesional (shkollat e larta 2-vjeçare). "Kandidatët që aplikojnë për t'u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare".

Procedurat për maturantët e diplomuar jashtë vendit

Gjithashtu qeveria ka vendosur që të gjitha procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë do të kryhen në Qendrën e Shërbimeve Arsimore sipas kushteve të përcaktuara.

Në rastet kur nuk do të jetë e nevojshme dhënia e provimeve të Maturës Shtetërore nga këta kandidatë, komisioni përkatëse përcaktojnë mënyrën e përllogaritjes së notës mesatare. Më pas, komisioni dërgon të dhënat e secilit kandidat tek njësia arsimore përkatëse. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Qendra e Shërbimeve Arsimore, institucionet e arsimit të mesëm të lartë, njësitë arsimore vendore dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi. Aktualisht ka përfunduar faza e regjistrimit online për plotësimin e formularëve A1 dhe A1Z, duke i hapur udhë kështu zyrtarisht provimeve të Maturës Shtetërore.

Hartimi i testeve

Testet do të hartohen në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit nga ekspertët e përzgjedhur. Anëtarët e grupeve lëndore, me kusht ruajtjen e sekretit dhe mungesën e konfliktit të interesit, trajnohen dhe angazhohen për hartimin e fondit të pyetjeve jo më të vogël se sa njëzetfishti i pyetjeve që do të përmbajë testi përkatës.

Përzgjedhja e testeve përfundimtare të provimeve të Maturës do të bëhet përmes teknologjisë digjitale. Ndërsa shpërndarja e tyre në ambientet e provimit do të bëhet nëpërmjet Postës Shqiptare, nën mbikëqyrjen e rreptë të policisë.

Datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2018 janë:

  • Testi i gjuhës së huaj (D3) do të zhvillohet me 4 qershor.
  • Testi i gjuhës shqipe dhe letërsisë (D1) do të zhvillohet me 8 qershor.
  • Testi i matematikës (D2) do të zhvillohet në datën 13 qershor.
  • Testet e dy provimeve me zgjedhje do të zhvillohen më 20 qershor.

 

Struktura e provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje

  • Provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2018 do të fillojnë në orën 10:00.
  • Provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta.
  • Provimet me zgjedhje do të zgjasin 3 orë.
  • Testet e provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje do të hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve të arsimit.
  • Testi për secilin nga 3 lëndët që jepen si provime të detyruara do të ketë në përmbajtje 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje me alternativa, që vlerësohen secila me nga një pikë, ndërsa 12 pyetjet e tjera do të jenë me shtjellim, të cilat vlerësohen në total me 37 pikë. Për të marrë vlerësimin maksimal nga provimet e detyruara, maturantët duhet të sigurojnë 50 pikët finale të testit.
  • Teza e provimit "gjuhë dhe letërsi greke", për shkollën e mesme pedagogjike të pakicës kombëtare greke do të përgatitet nga Drejtoria Rajonale e Arsimit të Gjirokastrës.
  • Teza e provimit "gjuhë dhe letërsi italiane" për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-italiane do të përgatitet nga Ministria e Arsimit të Republikës së Italisë, provimi do të zhvillohet në datën 24 maj 2018 në secilën shkollë përkatëse.
  • Teza e provimit "Gjuhë frënge", (DELF B2 scoilare) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-franceze do të përgatitet nga Ambasada Franceze dhe provimi do të zhvillohet në datën 24 maj në secilën prej shkollave përkatëse.
  • Testet e dy lëndëve me zgjedhje do të kenë në përmbajtje 20 pyetje, 10 prej të cilave do jenë me përgjigje me alternativa, që vlerësohen me nga një pikë secila, ndërsa 10 pyetjet e tjera do jenë me shtjellim dhe vlerësohen me 30 pikë në total. Për të marrë vlerësimin maksimal në secilin provim me zgjedhje, maturantët duhet të sigurojnë në total 40 pikë.
  • Maturantët që do të japin vetëm një lëndë si provim me zgjedhje, pasi tjetrën e kanë kaluar gjatë sezoneve të shkuara do ta fillojnë provimin në orën 11:30 dhe do ta përfundojnë atë në orën 13:00.
  • Në rregulloren e miratuar nga Ministria e Arsimit,Sportit dhe Rinisë bëhet e ditur se për të qenë kalues në këto provime, çdo maturant duhet të marrë detyrimisht 20 për qind të totalit të pikëve me të cilat vlerësohet testi i secilës lëndë.

Dita

Kisha Katolike i bashkohet revolucionit të gjelbër, Veliaj: Më i pari ndër ne është ai që shërben më shumë

Posted: 21 Apr 2018 12:59 AM PDT

Pjesë e revolucioni të gjelbër në Tiranë u bë edhe Kisha Katolike. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Arkipeshkvi i Arkidioqezës Metropolitane të Tiranë – Durrësit, imzot George Frendo morën pjesë në mbjelljen e pemëve, ndërsa vlerësuan rëndësinë që ka mbjellja e pemëve në përmirësimin e cilësisë klimës dhe ajrit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falënderoi klerin katolik, jo vetëm për pemët që mbolli, por edhe për gjithçka kontribuon që Tirana të jetë më e mirë dhe më solidare.

"Unë jam shumë krenar sot për Kishën Katolike, për Imzot Fendon për shërbesën e Kishës Katolike në qytetin tonë, por edhe në gjithë Shqipërinë dhe më vjen mirë që në këtë fushatë të gjithë aktivistët e Kishës Katolike, qoftë ata që shërbejnë në shërbesat fetare apo ata që janë në shërbesat sociale, na janë përgjigjur pozitivisht për këtë fushatë të mbjelljeve. Më vjen mirë që me monsinjor Fendon, ne kemi filluar një traditë ku në vend të mbledhjeve protokollare, ato pak mundësi që janë shkojnë në ndihmë të të varfërve, të atyre që janë persona me aftësi të kufizuar, të komunitetit rom dhe besoj që kemi zbatuar atë këshillë të urtë, ku më i pari ndër ne është ai që shërben më shumë, jo ai që flet më shumë si komandant", tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Arkipeshkvi i Arkidioqezës Metropolitane të Tiranë – Durrësit, Imzot George Frendo vlerësoi angazhimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për ta bërë kryeqytetin edhe më të bukur.

"Unë dëshiroj të përfitoj nga rasti për t'u falënderuar për mbështetjen tuaj. Kur kemi organizuar darkë për të varfrit dhe për personat me aftësi të kufizuar, unë kam pranuar apelin që keni bërë për një qytet plot me gjelbërim sepse gjelbërimi i qytetit është shenjë që është një qytet i gjallë, i bukur.

Unë, si keni përmendur ju, Papa Françesku në fakt në veprën e tij mbi mjedisin ka bërë apel që të ruajmë bukurinë e krijimit, por edhe Papa Gjon Pali i Dytë, edhe ai ka bërë shumë herë apel që të ruajmë bukurinë e krijimit dhe t'u lëmë pasardhësve tanë një botë më të bukur. Sigurisht, me angazhimin tuaj për një Tiranë më të bukur do t'i dhuroni gjeneratës së ardhshme një qytet më të bukur", u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot George Fendo.

o.j/dita

 

Kolaboracionistët e rinj shqiptarë!

Posted: 21 Apr 2018 12:54 AM PDT

Gjon Bruçi

Prej dhjetë ditësh në faqet e gazetës DITA ka nisur e  vijon cikli i përvitshëm i debatit midis historianëve, studiuesve, intelektualëve dhe pseudove të këtij komuniteti, për historinë e popullit shqiptar, veçanërisht atë të LANÇ dhe të periudhës së socializmit. Midis titujve të shkrimeve, që lidhen me këtë çështje, më të goditur kanë qenë "Masakruesit e historisë" i zotit Xhevdet Shehu dhe "Mëkatarët e historisë" i zotit Shkëlzen Çika. Të dy shkrimet, e mësipërme, ashtu si edhe materiali i Muharrem Xhafës, me titull "Duçja do t'i kishte zili neofashistët shqiptarë", apo argumentet e profesor Pëllumb Xhufit për kampin e dikurshëm të Tepelenës, kanë jo vetëm vërtetësi historike, por edhe deduksione të sakta, të cilat dalin nga një gjykim realist i ngjarjeve dhe fenomeneve të zhvilluara në kohë e hapësirë të caktuar.

Për të nisur debatin tim modest për këtë çështje, po përdor një fragment  të fillim-shkrimit të zotit Shkëlzen Çika, fragment i cili përmbledh gjithë substancën shkrimit në fjalë. Autori, pasi jep një tabllo tepër të përmbledhur të demokracisë shqiptare të këtyre 28 viteve, shtron pyetjen:

"Shqipëria është në këtë stad zhvillimi e kulture demokratike se ferrat e së kaluarës vazhdojnë t'i kemi nëpër këmbë, siç pretendon rreshtimi i djathtë politik, apo gjithë klasa politike është vetë një kaçup ferrash, ku gjembat janë i vetmi frutë që prodhon për popullin?!  Dhe pa hezituar, pyetjes së mësipërme autori i jep këtë përgjigje: "Fatkeqësisht ka predominuar opsioni i dytë?!

Sipas meje, një përgjigje tepër e saktë.

E gjithë klasa politike, e këtyre njëzet e tetë viteve të të ashtuquajturës "demokraci pluraliste borgjeze", rezultoi një klasë bastarde e ardhur nga dy drejtime të ndryshme, por me një objektiv të përbashkët: Masakrimin e historisë, të shoqërisë dhe të vetë Shqipërisë, duke e kthyer këtë të fundit në një kavje eksperimentale për sociologët dhe menaxherët e rinj të sistemit tashmë të mykur të kapitalizmit.

Politikanët tanë "njëzetetetë vjeçarë", që kanë bërë ligjin në politikë e në pushtet, ndonëse militojnë në tri apo më shumë parti politike, siç thashë më sipër, vijnë nga dy drejtime: Drejtimi i parë, "Revanshistët" e sistemit të përmbysur në 29 Nëntorin e vitit 1944, dhe Drejtimi i dytë – "Bastardët e socializmit", të cilët u kthyen në bashkëpunëtorë të të parëve, ose ndryshe, kolaboracionistët e rinj. Ashtu si në vitin 1939, edhe në vitin 1990, vendi ynë u përball me pushtimin. Pushtimi i parë ndodhi nga fashistët. I dyti, ky i 1990-ës nga neofashistët. Si në çdo pushtim, nuk kanë munguar bashkëpunëtorët vendas. Dhe kjo ka ndodhur në pothuaj të gjitha vendet e në të gjitha kohërat. Sepse çdo vend e çdo kohë ka bastardët e tij/ të saj.

Tashmë, edhe naivët më të firasur e kanë kuptuar se Partia Demokratike me bishtrat që u rreshtuan pas saj, jo vetëm nuk përfaqësonte një forcë të re e demokratike, por përkundrazi ishte një repart i ri neofashist, kopje e kuadrateve nazifashiste italo-gjermane të viteve tridhjetë. Me të drejtë, zoti Sh. Çika thekson në shkrimin e tij se: "Kur Partia Demokratike, forca e parë opozitare, erdhi në pushtet pas përmbysjes së regjimit komunist, i ra barra e përgjegjësisë të ngrinte godinën e shtetit të së drejtës. Por fatkeqësisht, qeverisja e saj në vitet 1992-1997, po t'i referohemi shtypit perëndimor, rezultoi një "shtet gangsterësh". Kjo formë qeverisje të sillte në kujtesë Republikën e Weimarit, të etiketuar "demokraci pa demokratë".

Në vijim, unë do të shtoja se jo vetëm në vitet 1992-1997, por madje edhe në ditët e sotme kjo parti politike, apo më saktë ky konglomerat politik, ishte dhe ka mbetur një "parti (klan) "gangsterësh", në formë dhe në përmbajtje si kuadratet e zeza nazifashiste të Luftës së Dytë Botërore. Me sjelljet dhe "bëmat" e saj prej 28 vitesh në politikë dhe 15 vitesh në qeverisje, kjo parti, apo ky "konglomerat" i ka shkaktuar dëme vendit tonë më shumë se i gjithë pushtimi nazifashist i periudhës 1939-1944. Kush mendon e shpreson se nuk është kështu, atëherë ai nuk mund të shërohet nga naiviteti ekstrem.

Por unë nuk dua të ndalem në këtë pikë, të cilën e quaj të ezauruar. Fashistët dhe neofashistët e kanë treguar veten se çfarë kontingjenti janë. Problemi mbetet tek ata që i mbështesin. Gjatë luftës, mbështetësit e nazifashizmit u dalluan shumë shpejt. Kjo ndodhi sepse dinamika e luftës prevalon mbi gënjeshtrën e propagandën. Ndryshe ndodh në kohë paqeje, kur në vend të automatikut e mitralozit "këndon" propaganda e të gjitha ngjyrave, e cila, ujkun dhe çakallin i zbukuron me lëkurën e deles e të qengjit.

Po kush janë kolaboracionistët e rinj, që bashkëpunuan e po bashkëpunojnë me neonazistët e kohës së sotme? As më pak e as më shumë, janë krerët, apo nomenklatura e Partisë Socialiste dhe, ata që vijojnë t'ju shkojnë prapa, për hir të një trëndafili, të cilit ka kohë që i ka dalë ngjyra dhe era. Është e sigurt se nëse Partia Socialiste, do të kishte qëndruar në programin e saj social-demokrat, që reklamoi kur u konvertua nga ish PP, jo vetëm pushteti nuk do të kishte rënë në duart e partisë naziskine, me emërtimin e pamerituar "Demokratike", por kjo e fundit, që në dhjetëvjetëshin e parë të jetës së saj do të kishte dalë jashtë politikës. Por, fatkeqësisht, historia ka vërtetuar se socialdemokracia ka në themel kompromisin, korrupsionin politik dhe tradhtinë e programit të saj dhe të atyre që e mbështesin. Kësaj skeme nuk do t'i shpëtonte as PS-ja e vendit tonë. Ishte pikërisht kjo parti (PS) që në vitin 1992 solli në pushtet Hitlerin shqiptar, Sali Berishën, siç solli Hindenburgu Hitlerin e vërtetë në vitin 1933.

Të ishte vetëm ky veprim i vitit 1992, që autorët e quajtën një "taktikë" për të ruajtur vendin nga djegia (si puna e Petenit, që për të "shpëtuar" Parisin u lidh me Hitlerin), do të ishte gjysma e së keqes. Por roli i kolaboracionistit vijoi e vijon edhe sot.

Po sjell disa momente, të cilat mund të rikujtohen shpejt, edhe nga ata që kujtesën e kanë shumë të shkurtër:

A nuk ishin eksponentët e PS-së që, kur Berisha me të vetët po bënte gati valixhen për t'u larguar nga gjëma që kishte shkaktuar në vitin e zi 97-të, e qetësuan dhe i thanë "rri i qetë se na ke ne"? (Mund të pyeten për këtë Fino e Majko). Disa muaj më vonë, po socialistët që erdhën në pushtet, ngritën kartonët dhe miratuan "amnistinë" e famshme, e cila mbuloi përgjithmonë krimin e madh të Partisë demon-kratike dhe liderit të saj. Një vit më vonë, "Arturo-Ui" ynë, praktikoi "grusht-shtetin" e adashit të tij në Gjermaninë e viteve tridhjetë. Socialistët në pushtet, jo vetëm e gëlltitën "grushtin" berishist, por edhe e ruajtën autorin për ta sjellë përsëri në pushtet në vitin 2005. Të gjithë besoj e kujtoni ditën kur në Gërdec plasi "bomba atomike berishiane" dhe kryetari i PS-së, jo vetëm nuk i rrëmbeu nga dora "spektrin" e qeverisjes, por i rrahu shpatullat, duke e ngushëlluar për baxhanakun që humbi në kraterin e fabrikës së barotit. Vrasja e katër qytetarëve të pafajshëm midis bulevardit, duhej ta çonte më në fund Arturo-Berishën prapa hekurave. Por krerët socialistë në vend të kësaj zgjodhën "Krokodilin" e Francës, duke na u betuar se "burgosjen e Berishës" do ta bënin sapo të vinin në pushtet. Mirëpo edhe pas ardhjes në pushtet të socialistëve, Berisha mbeti si "kokrra e mollës", sepse pushtetarët, nuk kishin në dorë "tagrin" e prokurorit e të gjykatës. Madje edhe tani që Prokuroren e Përgjithshme e zgjodhën me votat e tyre, "tagri" përsëri nuk po u ndez.

Kësaj telenovele, tashmë i ka dalë boja, dhe vetëm të sëmurët vijojnë ta shohin përsëri. Por le të kalojmë tek problemet, për të cilat e nisëm shkrimin: tek "Masakrimi i historisë", siç shkruan zoti Xh. Shehu, apo "Mëkatarët e historisë" siç e titullon shkrimin e tij zoti Sh. Çika.

Edhe në masakrimin e historisë, të "djathtët", ku janë grumbulluar e militojnë pinjollët e kolaboracionistëve të djeshëm dhe të "persekutuarit" apo të "dënuarit" e socializmit, nuk janë vetëm. Në ndihmë e në bashkëpunim të tyre janë edhe drejtuesit e PS-së,  që para dite bërtasin për mbrojtjen e vlerave të LANÇ, e mbas dite, e sidomos natën veprojnë si Makbethi. Konkretisht: Dihet se vala "demon-kratike" e fund-viteve nëntëdhjetë shembi e shkatërroi pothuaj të gjitha simbolet dhe objektet e LANÇ e të Dëshmorëve të kësaj lufte. Po çfarë bëri PS-ja për t'i rregulluar ato, kur dihet se nga 28 vite, të paktën në 14 prej tyre ishte në pushtet?  Thuhet  se loja me "dosjet" e periudhës së socializmit ka çuar në keqpërdorimin e tyre. Pa diskutim, i pari Berisha ka "lozur" me dosjet, duke i përdorur sipas nevojave të ditës e të pushtetit të tij. Por siç konstatohet, kjo "lojë" po vijon edhe sot kur janë socialistët në pushtet dhe kur administratorët e këtyre dosjeve janë caktuar nga kryeministri aktual. Po i lëmë mënjanë shtatoret, bustet apo pllakatet e ngritura për tradhtarët dhe kolaboracionistët, të cilat kanë mbirë në sheshet dhe rrugët e qyteteve, sepse, siç thuhet, qeveritarët socialistë "nuk paskan "tagër t'i heqin"!  Po të ngrenë shtatoret, bustet dhe pllakatet e Heronjëve dhe Dëshmorëve që i hoqi e i shkatërroi "vala demon-kratike", kush i pengon? Mos vallë u mungojnë sheshet e bulevardet? Vërtet ishte Berisha që ngriti shtatoren e tradhtarit Ahmet Zogu, dhe Rama i socialistëve nuk ka bythë ta heqë, po shtatoren e Ismail Qemalit, kush e pengon ta vendosë në sheshin kryesor të kryeqytetit, në krah apo përballë Skënderbeut? Kur ishte Berisha në pushtet, Muzeu Historik Konbëtar përjetoi përdhunim e masakrim si në konceptim dhe në drejtim e menaxhim. Po tani që drejton PS-ja, pse Kryeministri socialist nuk vendos në krye të këtij institucioni Moikom Zeqon apo Pëllumb Xhufin, dy nga personalitetet më të spikatura të inteligjencës shqiptare?

Mashtrimet, shtrembërimet dhe abuzimet, na kumton Shkëlzen Çika, paraqiten shkoqur në "Shtëpinë e gjetheve" dhe në "BukeArt-2". "Te BunkArt 2, – shkruan Shkëlzen Çika, – është afishuar një fotografi e madhe e Hamit Matjanit, si një nga martirët e shquar për liri e demokraci. Nën këmbët e tij është vendosur në përmasa të vogla fotografia e Heronjve të Popullit Asim Aliko dhe Hekuran Pobratit. Kjo gjë sa është irrituese, është njëkohësisht kthim i historisë tërësisht me kokë poshtë. Nëse vazhdon të gjykohet se demokracinë do ta sillnin bandat e armatosura me monstra të tilla si Hamit Matjani, Llesh Marrashi, Mark Gjon Markaj, Jup Kazazi, Hetem Çako, Tahir Prençi, Ahmet Kabashi, Alush Leshanaku, Ndue Gjon Markaj etj, kjo është të vësh duart në kokë dhe të ulërish me të madhe. Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: Kë duhet të nderojë historia, Asim Alikon apo Hamit Matjanin?!"

Konstatimit të autorit, unë dua t'i shtoj edhe këto fjalë:  Kush i ka ngritur "Shtëpinë me gjethe" dhe "BunkArt-in"? Berisha me neonazistët e tij, apo socialisti Rama me shokë? Të gjithë e dimë se është ky i fundit. Pa dyshim që autori i "Komunistët në litar, veteranët në hanxhar", parullë që u artikulua në fillimet e demokracisë dhe që u fiksua në librin e përbashkët me kolegun e tij, të ndjerin Ardian Klosi, nuk kishte se si të ngrinte në mes të bulevardit, veçse një bunker turpi e mashtrimi si bunkerët e nazistëve të kohës së luftës.

Ja pra, që i dhamë përgjigje se kush janë bashkëpunëtorët e neonazistëve, apo më qartë "kolaboracionistët" e rinj shqiptarë.

Për fat të keq, mbas këtyre kolaboracionistëve vijojnë të ecin edhe një pjesë e socialistëve të ndershëm por naivë, pa zënë në hesape ata që termin "socializëm" e kanë thjeshtë një "kartë krediti" për tërheqjen e monedhave që ju jep pushteti i radhës. Por ajo që na trishton, është qëndrimi i intelektualëve të vërtetë shqiptarë dhe sidomos i Organizatës së Veteranëve dhe asaj të Dëshmorëve, të cilët nuk po e kuptojnë se në të tri partitë kryesore, që kanë diktuar e diktojnë politikën dhe qeverisjen e këtyre njëzet e tetë viteve, kanë depërtuar e marrë frenat figurat e të njëjtës "prerje", më qartë bastardët e socializmit dhe mbeturinat e neonazizmit, dy degë të së njëjtës pemë të sistemit tashmë në kalbëzim të borgjezisë.

Gjersa kjo "lojë" e politikanëve aktualë të kuptohet nga populli dhe inteligjenca drejtuese e tij, vendi ynë do të mbetet në të njëjtat standarde me ditët e sotme dhe s'ka "negociatë", e madje as anëtarësim në BE,që ta sjellë në parametrat e demokracisë së vërtetë.

 

Rama ka një lajm të mirë këtë mëngjes: Shqipëria dhe Kosova…

Posted: 21 Apr 2018 12:44 AM PDT

Kryeministri Rama e ka nisur ditën me një lajm të mirë për Shqipërinë dhe Kosovën. Me një shënim në faqen e tij në FB, Rama njofton se dy vendet tona kanë nisur punën për rigjallërimin e shtigjeve malore dhe lidhjen me korridorin "Via Dinarica".

"MIRËMËNGJES 😃 dhe me lajmin e bukur se Shqipëria dhe Kosova kanë nisur punën për rigjallërimin e shtigjeve malore dhe lidhjen me korridorin "Via Dinarica", cilësuar nga revista National Geographic Traveler në vitin 2017 si një ndër vendet më të mira për t'u vizituar, ju uroj një fundjavë të qetë 🌹"- shkruan Rama.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe organizata simotër në Kosovë CDF (Fondi për Zhvillimin e Komuniteteve) kanë filluar punën për zbatimin e këtij projekti që financohet përmes fondeve IPA Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar Kosovë – Shqipëri.

Qëllimi është përfshirja e një numri shtigjesh të Alpeve Shqiptare në itinerarin e Via Dinarica, tashmë pjesë e platformës globale për turizmin malor, i cilësuar nga revista National Geographic Traveler në vitin 2017 si një ndër vendet më të mira për t'u vizituar.

"Via Dinarica" vlerësohet në Planin Kombëtar Sektorial të Turizmit të Alpeve Shqiptare (PKST) si një ndër itineraret turistike më të rëndësishme që duhet zhvilluar. "Via Dinarica" është një shteg 2,000 km i gjatë dhe përshkon Slloveninë, Kroacinë, Bosnje – Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.
Shqipëria dhe Kosova do të punojnë së bashku për një sërë ndërhyrjesh në përmirësimin e infrastrukturës turistike, rigjallërimin e shtigjeve malore në të dy anët e kufirit, rritjen e aksesit për të apasionuarit e ecjes në këmbë dhe me biçikleta, etj.

Qëllimi është përfshirja e një numri shtigjesh në Alpeve Shqiptare në itinerarin e Via Dinarica, tashmë pjesë e platformës globale për turizmin malor i cilësuar nga revista National Geographic Traveler në vitin 2017 si një ndër vendet më të mira për t'u vizituar.

"Via "Dinarica" është një korridor kulturor që në mënyrë natyrore përmes shtigjeve të reja apo ekzistuese lidh shtatë vende të Ballkanit Perëndimor dhe komunitetet, duke shpërfaqur një larmi mbresëlënëse pejsazesh e traditash.

Në thelb jo vetëm nxitet potenciali i të gjithë rajonit për turizëm, por njëkohësisht synohet edhe zhvillimi i zonave rurale të thella përgjatë shtegut dhe rritja e mirëqenies së popullsive lokale nëpërmjet nxitjes së shërbimeve turistike.

Gjatë vitit 2017, FSHZH është përzgjedhur si partner në 6 projekte të financuara nga Programet CBC/Bashkëpunimit Ndërkufitar. Këto projekte kanë fokus zhvillimin turistik dhe novacionin në mjedis. Projektet në total kanë një vlerë prej 1 milion ruro dhe kanë filluar zbatimin në fillim të vitit 2018.

Alpet e Shqipërisë, renditen në majën e këtij itinerari, Via Dinarica, për shkak të mjedisit surprizues.

Synimi është që të realizohet kombinimi i duhur mes turizmit të aventurës dhe autenticitetit. Maja të ashpra, shtigje të markuara, banesa tradicionale, ushqim i freskët dhe mikpritje nga vendasit.

Kjo është ajo që ofron projekti itinerari Via Dinarica, me impakt në shtimin e një fluksi të ri turistësh, përmes një ane të re të turizmit, e pa eksploruar më parë në vendin tone dhe me shtrirje gjeografike rajonin e Ballkanit./ ATA

o.j/dita

DASH: Korrupsioni në Shqipëri, i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes

Posted: 21 Apr 2018 12:35 AM PDT

Departamenti i Shtetit thotë se problemet më të konsiderueshme të të drejtave të njeriut në vitin 2017 në Shqipëri, ishin "kufizimet në lirinë e shprehjes dhe të shtypit, përfshirë autocensurën dhe frikësimin e gazetarëve shkaktuar nga interesat financiare dhe politike; dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë".

Përsa u takon zgjedhjeve, raporti i referohet OSBE-së, kur thotë se zgjedhjet respektuan liritë themelore por u ndikuan negativisht nga akuzat për blerje votash dhe presion ndaj votuesve.

Në raportin e përvitshëm për të Drejtat e Njeriut thuhet se mosndëshkueshmëria mbeti një problem serioz.

"Ndjekja penale dhe veçanërisht gjetja fajtorë e zyrtarëve që kanë kryer shkelje ishte sporadike. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe persona me interesa të fuqishme biznesi ishin shpesh në gjendje të shmangnin ndjekjen penale", thuhet në raportin që doli të premten.

Departamenti i Shtetit thotë se gjatë vitit 2017, "korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes" në Shqipëri.

"Mes janarit dhe gushtit, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm regjistroi 185 hetime të reja korrupsioni. Gjatë së njëjtës periudhë, 122 persona dolën në gjyq për shkelje të lidhura me korrupsionin dhe 99 u shpallën fajtorë", thuhet në raport.

"Ndërsa prokurorët shënuan përparim të konsiderueshëm në ndjekjen e rasteve të korrupsionit në nivele të ulëta, përfshirë prokurorë dhe gjykatës të korruptuar, ndjekja penale e krimeve të niveleve më të larta nuk po ndodh, për shkak të frikës së hetuesve për hakmarrje, një mungese të përgjithshme burimesh dhe korrupsionit brenda vetë gjyqësorit", thuhet në raport.

Probleme të ngjashme përmenden edhe për gjyqësorin.

"Presioni politik, frikësimi, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara disa herë nuk e lejuar gjyqësorin të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe efektive", thuhet në raport.

Po ashtu thuhet se politizimi i emërimeve në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese vunë në rrezik pavarësinë dhe integritetin e këtyre institucioneve dhe se Ministria e Drejtësisë nuk mori masa të duhura disiplinare ndaj gjykatësve.

Në raport thuhet se në përgjithësi autoritetet mbajtën kontroll efektiv mbi policinë, Gardën e Republikës, forcat e armatosura dhe shërbimin e zbulimit, "megjithëse zyrtarët herë pas here përdorën burime shtetërore për përfitime personale dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë kryen shkelje".

"Policia jo gjithmonë e zbatoi ligjin në mënyrë të balancuar. Lidhjet personale, ato politike ose kriminale, infrastruktura e dobët, mungesa e pajisjeve ose menaxhimi i papërshtatshëm kontribuuan në korrupsionin e vazhdueshëm dhe sjellje joprofesionale. Autoritetet vazhduan të bëjnë përpjekje për t'i trajtuar këto probleme duke riparuar ambientet e policisë, duke marrë automjete më të reja dhe duke nxjerrë në pah masat antikorrupsion", thuhet në raport.

Sipas raportit, mosndëshkueshmëria mbeti një problem serioz, "megjithëse qeveria shtoi përpjekjet për ta trajtuar, veçanërisht duke rritur përdorimin e pamjeve filmike për të dokumentuar dhe për të ndjekur penalisht shkeljet e policisë".

Megjithëse qeveria kishte mekanizma për të hetuar dhe dënuar abuzimet dhe korrupsionin, korrupsioni i policisë vazhdoi të mbetej problem.

Përsa i takon lirisë së shprehjes dhe së medias, raporti thotë se qeveria në përgjithësi i respektoi këto të drejta, por shton se pati njoftime se qeveria, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ushtrojnë ndikimi tek media në mënyrë të papërshtatshme.

"Media e pavarur ishte aktive dhe shprehu një larmi të gjerë pikëpamjesh, megjithëse pati disa përpjekje për të ushtruar presion direkt dhe indirekt politik dhe ekonomik ndaj medias, përfshirë kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve që punonin për histori investigative për krimin dhe korrupsionin", thuhet në raport.

Po ashtu "presioni politik, korrupsioni, mungesa e fondeve e ndrydhën median e pavarur të shkruar" dhe problem mbeti autocensura./Zëri i Amerikës

Kliko këtu për raportin e plotë.

 

o.j/dita

Profesionet e lira, të gjitha në sistem TVSH-je, pavarësisht nga xhiroja

Posted: 21 Apr 2018 12:22 AM PDT

Një Vendim i ri i Këshillit të Ministrave ka përcaktuar dje se kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në për personat e tatueshëm, që ofrojnë shërbime në veprimtari ekonomike, sipas profesioneve të lira, do të jetë zero.

Pra, pavarësisht se sa xhiro kanë bërë në një vit të caktuar, profesione si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, ata janë dhe mbeten të regjistruar në sistemin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe për shërbimet e ofruara prej tyre do të shtojnë TVSH-në në masën 20 për qind të vlerës së faturës.

Të gjithë këta janë persona të tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, edhe nëse kryejnë veprimtari të përjashtuar sipas ligjit, saktëson akti qeveritar.

Me anë të kësaj VKM-je, qeveria shmang interpretimin e mundshëm të profesioneve të lira, që mund të shpëtonin nga TVSH-ja duke deklaruar shifra xhiroje më të ulëta se 2 milionë lekë në vit.

Tani, edhe me një faturë të vetme të realizuar, punonjësi i këtyre kategorive nuk shpëton nga TVSH.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more