Skip to main content

“Tundimi populist i Gjermanisë” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Tundimi populist i Gjermanisë” plus 1 more Telegrafi Opinione


Tundimi populist i Gjermanisë

Posted: 23 Apr 2018 12:51 PM PDT

Slawomir Sierakowski

Për shkak se populizmi nuk është një ideologji në vetvete, ai mund t'i shkojë për shtat partive politike tradicionale që kërkojnë të rrisin mbështetjen gjatë zgjedhjeve. Ka gjithnjë politikanë që janë të gatshëm të imitojnë slogane dhe metoda populiste për të fituar vota, edhe nëse kjo përçan partinë e tyre. Dhe ky ka qenë rasti i republikanëve në Shtetet e Bashkuara, Konservatorëve dhe Laburistëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe Les Républikanëve nën lidershipin e ri të Laurent Wauquiez në Francë.

Por manifestimi më i dukshëm i kësaj tendence mund të gjendet në Bashkimin Demokristian dhe Socialkristian të Gjermanisë. Dobësia e CDU/CSU u shfaq në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, kombinuar me përmirësim të paprecedentë të Alternativës për Gjermaninë (AfD) populiste, gjë që krijoi një ndasi të re mes grupit partiak.

Përveç ish-shteteve komuniste të Gjermanisë Lindore, performanca më e fuqishme e AfD ishte në bastionin e CSU të Bavarisë, që do të mbajë zgjedhje vendore në tetor. Mbrojtja e bastionit të vet ndaj AfD është bërë kështu shqetësimi kryesor i CSU.

Në këtë aspekt, lideri afatgjatë i CSU, Horst Seehofer, ka vendosur tashmë një notë populiste për partinë. Së fundmi ai e humbi postin e kreut të qeverisë së Bavarisë ndaj një rivali populist më të ri dhe ambicioz, Markus Soder. Dhe si ministri i brendshëm i caktuar në qeverinë e koalicionit të madh të kancelares Angela Merkel, ai ka kërkuar të lustrojë kredencialet e veta populiste, përfshirë kthimin e fjalës Heimat (atdhe) në emrin e ministrisë.

Por, Seehofer gjithnjë është parë si diçka ndryshe nga një konservator gjerman. Në fakt, ai ka shërbyer si një lloj kumbari politik i kryeministrit autoritar të Hungarisë, Viktor Orban. Dhe tani ai po sheh mundësinë e vet.

Që nga dita që qeveria e re gjermane u betua, është bërë e qartë se taktika tipike e Merkel për të neutralizuar kritikët e mundshëm duke i përfshirë ata në kabinetin e saj nuk do të funksionojë më. Seehofer menjëherë nisi një luftë të ftohtë nga brenda koalicionit qeverisës.

Në një intervistë në mars për tabloidin Bild, Seehofer deklaroi, në mënyrë totalisht populiste, se "islami nuk ka vend në Gjermani". Qëllimet e deklaratave të tilla janë për t'u ndarë me qeverinë dhe për ta vënë veten në anën e votuesve anti-imigrant që votuan për AfD vitin e kaluar. Merkel, së bashku me thuajse të gjithë klasën politike të Gjermanisë, nuk kishte mundësi tjetër veçse të reagonte. Në të njëjtën kohë, AfD ka humbur terrenin politik për të kritikuar Seehofer dhe CSU.

Dhe Seehofer ka mbetur në sulm. Ai duket se bën komente publike për gjithçka dhe gjithnjë në një mënyrë që e lë AfD në pamundësi për të shtuar gjë dhe duke e penguar Merkel pa e goditur në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Por, sërish, sjellja "evropiano-lindore" e Seehofer nuk vjen si befasi totale. Në mars 2017, ndërsa Merkel përgatitej për takimin e saj të parë me presidentin amerikan Donald Trump, Seehofer shkoi në Moskë për t'u miqësuar me presidentin rus Vladimir Putin. Që atëherë, ai ka kundërshtuar vazhdimisht të gjitha sanksionet mbi Rusinë për çdo arsye.

Seehofer ka folur gjithashtu miqësisht për qeverinë populiste Ligj dhe Drejtësi (PiS) të Polonisë, ndërsa ka kritikuar Bashkimin Evropian për fyerjen e pretenduar të dinjitetit polak. Ai uroi Orban për fitoren elektorale të thellë më herët këtë muaj dhe kolegu i tij i CSU Aleksandër Dobrindt i drejtohet haptazi Orbanit si "miku ynë".

Nën drejtimin e Seehofer, CSU po e kalon fokusin nga mosmarrëveshjet ekonomike te ato kulturore. Kjo shkon në vijë të trendit më të gjerë populist në Evropë, i pranishëm jo vetëm në Hungari dhe Poloni, por edhe në Republikën Çeke, Austri, Holandë dhe Itali, ku lëvizja populiste Pesë Yjet dhe Liga e krahut të majtë po synojnë të drejtojnë qeverinë e ardhshme.

Një rezultat i zënkës së Seehofer me Merkel dhe establishmentin politik gjerman është se partia tjetër në qeveri, Social-Demokratët (SPD) nuk është zhdukur nga panorama. Por, pavarësisht nëse e realizon apo jo, AfD do të bëhet përfituesi natyral i çdo pengese qeveritare, duke qenë se është tani partia kryesore opozitare në Bundestag.

Edhe nëse basti populist i Seehofer dështon, ai ia ka dalë tashmë të tërheqë qeverinë djathtas. Gjermani po vepron qartazi për të lehtësuar presionin e BE-së ndaj Polonisë, Hungarisë dhe vendeve të tjera Evropiano-Lindore që po sfidojnë sundimin e ligjit dhe po pengojnë solidaritetin evropian në lidhje me migrantët dhe refugjatët.

Për më tepër, Gjermania ka gjasa të bllokojë çdo reformë thelbësore të eurozonës, duke e hedhur poshtë mundësinë e ofruar nga presidenti francez Emmanuel Macron. Në këtë pikë, opinionisti i Financial Times Wolfgang Münchau sugjeron, që skenari më i mirë do të ishte një krizë tjetër ekonomike në eurozonë, vetëm ngaqë kjo mund ta kthejë Gjermaninë në vete.

Seehofer është lajm i keq për Gjermaninë, që është në një nevojë të madhe për dinamizëm, hapje dhe kurajo krahasuar me çdo vend tjetër evropian. Kapaciteti i kufizuar ushtarak i Gjermanisë, sektori i shërbimit i mbi-rregulluar dhe mungesa e investimeve në infrastrukturë të gjitha tregojnë se në një mënyrë është një dekadë mbrapa Evropës Lindore në disa matës kyç të zhvillimit, edhe pse është fuqia më e madhe ekonomike e Evropës.

Në vendet e Evropës Lindore, dikush mund të paguajë me kartë krediti në çdo dyqan, ndërsa në Gjermani është shpesh e pamundur edhe në restorantet më të mira. Po kështu, Gjermania renditet e 42 në botë për shpejtësinë e internetit dhe infrastrukturën e vet të broadband që do të ishte turpëruese edhe për një ukrainas. Për një vend që ka bërë pasuri duke investuar në Evropën Lindore, mangësitë relative të Gjermanisë në këto fusha janë për t'u çuditur.

Fakti që Seehofer po përqafon populistin e tij të brendshëm nuk nënkupton domosdoshmërisht atë që Dobrindt e ka përshkruar si "revolucionin konservator" evropian. Por kjo sugjeron se "kundërrevolucioni" i Orban dhe liderit të PiS Jarosłaë Kaczyński po fiton vrull. /Project Syndicate/BIRN/

The post Tundimi populist i Gjermanisë appeared first on Telegrafi.

Ku gabon David McAllister?

Posted: 23 Apr 2018 12:46 PM PDT

Kryetari i Komitetit të Parlamentit Evropian për çështjet e Jashtme, David McAllister, i cili është, gjithashtu, edhe raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë, në datën 19 prill në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve 'Tanjug' foli për rolin kyç të Serbisë në rajon. Deklarata pat jehonë në qarqet diplomatike dhe politike serbe. Funksioni i tij i lartë parlamentar dhe fakti që ai është në një farë mënyre formuluesi i konkluzioneve të mundshme të parlamentit evropian për Serbinë, bën më interesante deklaratën e tij. E bën më interesante, se kemi rishpërndarjen e një teze diplomatike, e cila po fiton një intensitet të madh muajt e fundit, kur Serbia po i afrohet finishit të detyruar për të zgjedhur midis anëtarësimit në BE duke njohur Kosovën ose vazhdimit të integrimit me Rusinë duke mos njohur Kosovën.

David McAllister i referohet takimit, që Kancelarja gjermane Angela Merkel zhvilloi në Berlin në 13 prill me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjë që sugjeron të shihet deklarata përkatëse e Kancelares gjermane. Para takimit me presidentin serb Kancelarja deklaroi: "Serbia është një vend kyç ballkanik, me të cilin Gjermania po bashkëpunon nga afër". Në një lexim të saktë diplomatik Kancelarja ka shprehur mendimin se Serbia është një nga vendet kyçe të Ballkanit, ku kuptohet qartë se për kancelaren ka edhe shtete të tjera kyçe në rajon. Kryetari i Komitetit të Parlamentit Evropian për çështjet e Jashtme flet "për rolin kyç të Serbisë në rajon", gjë që në leximin diplomatik është një gjë tjetër.

Pikërisht kjo gjëja tjetër, pra teza diplomatike e "rolit kyç të Serbisë në rajon", paraqet një pikëndalje të nevojshme analize për diplomacinë dhe strategjinë e shteteve të tjera të rajonit, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Çështja e parë, në të cilën mendoj se shprehet gabim David McAllister, është se ai flet për "rol kyç të Serbisë në rajon" pa përcaktuar gjeografikisht dhe politikisht se çfarë kupton me "rajon" në këtë rast. Nuk mendoj se kryetari i Komitetit të Parlamentit Evropian për çështjet e Jashtme apo politikanë të tjerë të lartë evropiane kur flasin për rol kyç të Serbisë kanë parasysh gjithë Ballkanin. Sepse të përfshish në rolin kyç të Serbisë gjithë Ballkanin, do të thotë t'ia japësh asaj këtë kyç edhe për Greqinë, edhe për Turqinë, edhe për Rumaninë, edhe për Bullgarinë, etj., gjë që natyrisht njësohet me të pamundurën. Realisht, për rol kyç të Serbisë nuk mund të flasësh as në shtetet, që dolën nga ish Jugosllavia, sepse është e qartë se sa do ta pranonte Kroacia apo Sllovenia një rol kyç të Serbisë mbi ta.

Duke ngushtuar rrethin, dalim në përfundimin se në rastin e rolit kyç të Serbisë në rajon, nga disa politikanë të lartë evropianë kihet parasysh Ballkani Perëndimor, ku kanë përfshirë Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Shqipërinë. Duhet theksuar menjëherë se këtu lind nevoja që politikanët dhe diplomatët e lartë evropiane duhet të jenë të qartë dhe specifikë në përkufizimin gjeografik dhe të mos përdorin termat "Ballkan apo rajon" për togfjalëshin "Ballkan Perëndimor".

Duke u ndalur te raporti i Serbisë me Ballkanin Perëndimor, konstatohet në diplomacinë evropiane një intensifikim i përdorimit të tezës së rolit kyç të Serbisë në këtë përcaktim gjeografik. Ky përdorim i shtuar muajt e fundit, duket se ka disa arsye politike.

Së pari, lidhet me Kosovën. Duke qenë se po afrohet momenti kur presidenti i Serbisë duhet të vendosë nëse do ta pranojë kushtin e deritanishëm të njohjes Kosovës që Serbia të anëtarësohet ne BE, disa qarqe të diplomacisë evropiane duket mendojnë që mund ta joshin Beogradin më shumë, duke i ofruar një rol lideri apo të shtetit kyç të asaj pjese të rajonit, që e kanë quajtur "Ballkan Perëndimor". Duke i dekretuar Serbisë rolin e liderit të Ballkanit Perëndimor, siç bëri ministri i Jashtëm francez në datën 12 prill në Beograd, asaj automatikisht i dekretohet roli lider edhe mbi Kosovën. Në BE shpresojnë se me këtë ofertë do ta bëjnë më fleksibël Beogradin për Kosovën.

Së dyti, lidhet me Rusinë, e cila po bëhet gjithnjë e më agresive në drejtim të penetrimit dhe influencës së saj në Ballkan. Në disa qarqe të diplomacisë evropiane shpresohet që duke i ofruar Serbisë kurorën e liderit të Ballkanit Perëndimor do të kundërbalancojnë kontrollin rus mbi Serbinë dhe do të frenojnë instrumentalizimin e Serbisë nga Rusia në rajon.

Së treti, teza e rolit kyç apo lider të Serbisë në Ballkanin Perëndimor të çon tek projekti i vjetër dhe i ri i rikrijimit të Jugosllavisë nën egidën serbe. Ky është një projekt i gjitha qeverive serbe, që nga prishja e Jugosllavisë e deri tek presidenti Vuçiç. Dihet se disa qarqe të BE po flirtojnë me këtë projekt dhe në këtë rast teza tingëllon si një joshje për ambiciet nacionaliste dhe hegjemoniste të Serbisë. Nëse projekti jugosllav, i iniciuar tani nga presidenti Vuçiç, quhet "zonë e përbashkët ekonomike apo integrim ekonomik ballkaniko-perëndimor" kjo ka pak rëndësi. Presidenti serb Vuçiç, të cilin e përditshmja britanike "The Guardian" në 13 prill e quante "kameleon perfekt", ka arsye të jetë i kënaqur.

Në një bisedë me një diplomat evropian për rolin e Serbisë në Ballkanin Perëndimor shprehu pikëpamjen se Serbia ka rol sidomos për suksesin e projektit të "Procesit të Berlinit" dhe në këtë kuadër asaj po i jepet një rëndësi e veçantë dhe pikërisht për këtë presidenti serb është pritur dy herë brenda dy muajve të fundit në Berlin. Në fakt, "Procesi i Berlinit" varet nga shtetet e BE dhe në radhë të parë nga Gjermania si nismëtare e këtij projekti pozitiv. Varet edhe nga shtetet e tjera të rëndësishme të BE për t'iu bashkuar me angazhim serioz këtij projekti gjerman. Sepse mund të ndodhë që ta sabotojë Spanja, siç po bën tani kur po përpiqet ta dështojë akoma pa u mbledhur samitin BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në Sofje në 17 maj dhe ku Madridi po prish përpjekjet integruese, duke bërë që të mos ketë deklaratë të samitit, të mos përmenden me emra shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe ata të mos quhen as shtete e as vende, por vetëm "partnerë".

Shtetet e Ballkanit Perëndimor janë, në fakt, lojtarët e fushës me porta të vogla, që nuk kanë nga të luajnë, dhe kanë pranuar me vullnet të lirë të rregullat e lojës të vendosura nga BE për integrimin e tyre. Bën përjashtim vetëm Serbia, e cila pati rolin qendror në luftërat e përgjakshme në ish-Jugosllavi dhe tani çuditërisht i ofrohet prapë roli i liderit në grupimin e ri të ish- republikave jugosllave. Serbia vazhdon politikën e saj të njohur të lojës në dy karrige, edhe në atë të BE, edhe në atë të Rusisë. Unë i mbahem pikëpamjes, që kam shprehur prej shumë vitesh në artikujt dhe në librat e mi se Serbia nuk mund të ketë rol lideri dhe asnjë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk është i gatshëm ta pranojë rolin hegjemon të Serbisë.

BE mund ta veçojë Serbinë duke i dhënë më shumë investime dhe ndihma, në drejtim të zbatimit të reformave që nga ekonomia e deri në drejtësi. Serbia kërkon vëmendje specifike nga BE për ta ndihmuar të shkëputet nga e kaluara nacionaliste dhe kriminale, që e ka mbërthyer keq. Por në planin politik dhe diplomatik Serbia duhet të ketë të njëjtën masë matjeje dhe trajtimi si dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilët kërkojnë të gjithë të bëhen anëtarë të BE dhe jo anëtarë të ndonjë fantazme jugosllave. Historia ka provuar se të gjitha të ashtuquajturat familje ballkanike kanë prodhuar luftëra dhe kanë dështuar.

Serbia po punon fort që të bindë diplomacinë evropiane t'i japë asaj rol udhëheqësi në Ballkanin Perëndimor, duke përdorur kartën e destruktivitetit dhe duke kërcënuar me destabilitet në rajon. Për hir të së vërtetës duhet thënë se ajo mban në dorë dhe i tund kërcënueshëm detonatorët e dy konflikteve të ngrira të rrezikshme: atij në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovën e Veriut. Kancelarja gjermane ishte shumë e saktë lidhur me rolin e Serbisë në deklaratën e saj të 13 prillit. Ajo deklaroi se "Serbia ka një rol kyç në Kosovë dhe në Bosnjë-Hercegovinë dhe prandaj është me rëndësi të shkëmbejmë pikëpamjet nga afër dhe intensivisht". Kjo do të thotë që Serbisë i duhet kushtuar vëmendje se ajo është regjisorja që mund të inskenojë dy vatra zjarri dhe destabilizimi. Pra, jo që ajo të udhëheqë të tjerët. Në këtë drejtim Kancelarja gjermane ka shumë të drejtë dhe kryetari i komitetit të parlamentit evropian për çështjet e jashtme gabon kur nuk saktëson tezën e shprehur nga Kancelarja e shtetit të tij.

The post Ku gabon David McAllister? appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more