Skip to main content

“BE në udhëkryq” plus 1 more Telegrafi Opinione

“BE në udhëkryq” plus 1 more Telegrafi Opinione


BE në udhëkryq

Posted: 19 May 2018 08:22 AM PDT

Ilir Kalemaj

Bashkimi Evropian është duke u përballur me sfida të shumëfishta për sa i përket konkurrueshmërisë së tij në tregjet globale, marrëdhënien e komplikuar me Washingtonin, e cila pas luftës tregtare, u vështirësua edhe më tepër me tërheqjen e SHBA-së nga traktati me Iranin, procesin e Brexit-it, ballafaqimet gjeopolitike dhe tregtare me Rusinë dhe Kinën, mosdakordësinë për shpejtësinë e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor e kështu me radhë. Shpesh të fokusuar vetëm në këtë pjesën e fundit dhe më specifikisht duke parë thjesht dhe vetëm nahijen tonë, pra Shqipërinë dhe fatin e mbramë të hapjes së negociatave për të, ne qëllimisht harrojmë apo anashkalojnë kontekstin e zhvillimeve globale dhe evropiane, dinamikat e së cilës janë mjaft të rëndësishme për të parë përtej hundës sonë, por edhe për të kuptuar më mirë fatin edhe të vendit, i cili në një botë përherë e më të ndërlidhur nuk mund të ngelet fenomen sui generis.

Në terma globalë, vendet e BE-së përfaqësojnë vetëm shtatë për qind të popullsisë së botës, por 20 për qind të shpenzimeve për kërkim dhe zhvillim si dhe një të tretën e publikimeve shkencore të nivelit të lartë. Por, nga ana tjetër e medaljes, BE është mjaft më mbrapa në inovacion dhe teknologji. Fjala bie, ka tri herë më pak patenta shpikjesh se Japonia, pesë herë më pak kapital bashkë-financues për ndërmarrjet e reja se SHBA-ja apo numrin e kompanive të reja të suksesshme, si dhe më pak se gjysma e ndërmarrjeve të manifakturës së produkteve hi-tech që ka Koreja e Jugut.

Debatet mbi thellimin e BE-së sot, flamurtar i së cilave është kthyer presidenti francez Macron, synojnë të fokusojnë diskutimet dhe mundësisht vendim-marrjen mbi krijimin e një kompasi fiskal, krijimin e një Ministrie Financash të BE-së dhe koordinimin më të mirë të politikës monetare për zonën Euro. Gjithashtu synohet të krijohet një politikë mbrojtje mbikombëtare me kulmin e saj, ushtrinë e përbashkët. Është ironi ndoshta e historisë që një politikë e tillë u propozua qysh në 1955 po nga francezët (ang. Evropean Defence Community) dhe u rrëzua po nga ta, kryesisht nën influencën e De Gaulle-it euroskeptik nga frika e këtij të fundit se kërcënonte sovranitetin e Francës. Një sovranist i bindur, De Gaulle, madje tërhoqi më vonë dhe vendin e tij nga NATO, si dhe krijimin e krizës së "karriges bosh të Luksemburgut" ku tërhoqi Francën nga presidenca e Këshillit derisa me kompromisin e mëvonshëm u ra dakord për veton në rast prekje të sovranitetit. Është sërish një paradoks historik që Franca euroskeptike e De Gaullit kthehet sot në euroentuziaste të flaktë, por skeptike ndaj zgjerimit, sepse ky i fundit pengon përpjekjet federalizuese brenda 27 vendeve (pas Brexit-it).

Debate që synojnë thellimin kanë të bëjnë, gjithashtu, me mosprekjen e lëvizjes së lirë brenda zonës Shengen, bash ku disa shtete kishin rivendosur apo diskutuar për rivendosje të kufizimeve të tilla që lidheshin me vendet e treta për t'u mbrojtur nga rreziqet e valës së refugjatëve apo terrorizmit. Kontrollet kufitare ndërkohë janë duke u shtuar dhe kufizime shtesë për vendet jo-anëtare, ku përfshihet edhe Shqipëria do të hyjnë në fuqi nga 1 janari i 2020-ës. Gjithashtu, politikat e azilit, të formuluara përmes traktateve të Dublinit, në fakt, kanë rezultuar aspak efektive dhe kanë nxitur një debat të brendshëm mes vendeve anëtare për moszbatueshmërinë e tyre në praktikë.

Bashkimi Evropian sot është në një udhëkryq që shënjon të ardhmen e tij të pasigurt. Një forcë unike ekonomike, me një treg prej 500 milionë konsumatorësh, partner kryesor tregtar i SHBA-ve, Kinës, Rusisë, Afrikës e me radhë, një eksperiment i jashtëzakonshëm i triumfit mbi interesat parokiale dhe forcë emancipuese dhe liberalizuese e paprecedentë, është, gjithashtu, një mbartëse kontradiktash që asnjë sistem tjetër federal apo konfederativ nuk i ka pasur. Mes të qenit një shtet dhe një organizatë ndërkombëtare, por, në fakt, po qenë as njëra, as tjetra prej tyre, BE sot qëndron në kapërcyell të fatit të saj historik. Se cilin kah pritet të marrë, është e rëndësishme dhe për ata që presin pas dere si Shqipëria dhe fqinjët e saj ballkano-perëndimor, të cilat kanë lidhur shpresat e tyre për zhvillim ekonomik, demokratizim dhe forcim të shtetit të së drejtës pikërisht me fatin e mbramë të Bashkimit Evropian.

The post BE në udhëkryq appeared first on Telegrafi.

Evropa duhet t’i kundërvihet sanksioneve eksterritoriale të Amerikës!?

Posted: 19 May 2018 02:32 AM PDT

Jeffrey D. Sachs

Heqja dorë e Donald Trumpit nga Plani i Përbashkët i Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA) me Iranin dhe rivendosja e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara në atë vend kërcënojnë paqen globale. Siguria e Evropës varet nga mbrojtja e marrëveshjes me Iranin pavarësisht nga tërheqja e SHBA-së. Kjo, nga ana tjetër, kërkon që Evropa, së bashku me Rusinë, Kinën dhe shtetet e tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara, të sigurohen që marrëdhëniet ekonomike me Iranin të mund të zhvillohen. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse Evropa përballet dhe përmbys sanksionet eksterritoriale të Amerikës, të cilat synojnë të pengojnë tregtinë dhe aktivitetet financiare me Iranin nga aktorët jo-amerikanë.

Qëllimi i lëvizjes së Trumpit është shumë i qartë: të rrëzojë regjimin iranian. Duke pasur parasysh këtë marrëzi, qytetarët evropianë ndiejnë se interesat e sigurisë të Evropës nuk janë më të njëjta me ato të Shteteve të Bashkuara.

Qëndrimi i Amerikës ndaj Iranit është mbështetur nga dy aleatë të Lindjes së Mesme të Shteteve të Bashkuara, Izraeli dhe Arabia Saudite. Izraeli i bën thirrje fuqisë së SHBA-së të shmangë detyrimin e ndonjë kompromisi me palestinezët. Arabia Saudite i bën thirrje pushtetit ushtarak të SHBA-së që të përmbajë rivalin e saj rajonal, Iranin. Të dy shpresojnë për një luftë të drejtpërdrejtë me Iranin.

Përpjekjet e mëparshme të Amerikës në ndryshimet e regjimit në Lindjen e Mesme dhanë rezultate të tmerrshme për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën (për të mos përmendur katastrofat që u ndodhën vendeve të gjendura në mes të kaosit të provokuar nga SHBA). Këto "luftëra të zgjedhura" kanë qenë faktori kryesor në rritjen e emigracionit drejt Evropës nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut. Edhe kur ndryshimi i regjimit ka "rezultuar i suksesshëm", si në Afganistan, Irak dhe Libi, pasojat kanë qenë dhuna dhe destabiliteti.. Dhe kur ndryshimi i regjimit ka dështuar, si në Siri, rezultati ka qenë luftë e vazhdueshme.

Dështimi poshtërues i presidentit francez Emmanuel Macron, kryeministres së Britanisë Theresa May dhe kancelares gjermane Angela Merkel për të bindur Trumpin të qëndrojë në JCPOA ishte i parashikueshëm. Vendimi i SHBA-së pasqyron dy forca konvergjente: një tendencë të thellë të politikës së jashtme – e manifestuar nga të gjitha administratat e fundit amerikane – për të kërkuar hegjemoni në Lindjen e Mesme dhe markën e veçantë të psikopatisë së Trumpit. Trumpi kënaqet duke vënë në siklet liderët evropianë: përpëlitja e tyre është triumfi i tij.

Megjithatë, ata nuk janë të pafuqishëm. Marrëveshja me Iranin mund të rikthehet ende, pikërisht sepse është një marrëveshje shumëpalëshe, e miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së (Rezoluta 2231), jo një marrëveshje vetëm midis SHBA-së dhe Iranit. Në të vërtetë, sipas nenit 25 të Kartës së OKB-së, të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, përfshirë SHBA-në, janë të detyruara të përmbushin JCPOA-në. Tërheqja e Trumpit nga JCPOA është vetë shkelje e së drejtës ndërkombëtare.

Thelbi i JCPOA-s dhe Rezolutës 2231 është ndërprerja e aktiviteteve të Iranit që mund të çojnë në zhvillimin e armëve bërthamore. Pajtimi strikt nga Irani lidhet me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare, përfshirë heqjen e sanksioneve të dakorduara me OKB-në.

Edhe nëse SHBA-të tani largohet nga JCPOA, ajo ka vetëm dy mënyra për të bllokuar zbatimin e marrëveshjes mes Iranit dhe pjesës tjetër të botës. E para do të ishte të nxiste luftën. Kjo është qartazi në axhendën e Shteteve të Bashkuara, sidomos me neokonservatorin John Bolton përsëri në Shtëpinë e Bardhë si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare. Bota duhet t'i rezistojë një tjetër aventurë ushtarake amerikane shkatërruese.

Sanksionet eksterritoriale janë mënyra e dytë që Shtetet e Bashkuara mund të vrasin JCPOA-në. Tjetër gjë është që Shtetet e Bashkuara të vendosin se nuk do të tregtiojnë më me Iranin. Tjetër gjë është që qeveria amerikane të përpiqet të bllokojë tregtinë me Iranin nga partitë jo-amerikane. Ky është qëllimi i Amerikës; I mbetet Evropës dhe Kinës ta mposhtin atë, në interes të paqes globale, si dhe në interesin e tyre të drejtpërdrejtë ekonomik.

Në terma praktikë, SHBA do të jetë në gjendje të zbatojë sanksionet kundër Iranit për kompanitë që veprojnë në tregun e saj të brendshëm dhe, me shumë gjasa, në filialet e kompanive amerikanë që operojnë jashtë vendit. Megjithatë, SHBA-ja do të përpiqet të shkojë shumë më tej, duke u përpjekur të bllokojë kompanitë jo-amerikane që kanë marrëdhënie me Iranin. SHBA ndoshta do të kenë sukses në kapjen e transaksioneve të bazuara në dollarë, pasi ato përgjithësisht pastrohen nëpërmjet sistemit bankar amerikan. Problemi i vërtetë do të vijë me kompanitë jo-amerikane që operojnë jashtë SHBA-së dhe që bashkëveprojnë me Iranin nëpërmjet monedhave të ndryshme nga dollari, si euro dhe renminbi.

Shtetet e Bashkuara me siguri do të përpiqen të ndëshkojnë kompanitë e tilla, qoftë duke shënjestruar filialet e tyre lokale, duke u përpjekur t'i tërheqin ata në gjykatat amerikane, ose duke u mohuar atyre akses në tregun amerikan. Këtu është pjesa ku Bashkimi Evropian duhet të marrë një qëndrim të fortë dhe të shkojë përtej përgjërimit të Trumpit që "të heqë dorë" nga marrëveshje specifike biznesi evropiane, një proces që do t'i bënte vendet evropiane edhe më të nënshtruara ndaj kapriçove të Truumpit. Evropa duhet të mbrojë një "Jo" të qëndrueshme dhe të qartë për saksionet eksterritoriale të Shteteve të Bashkuara, sidomos ndaj kompanive që veprojnë në monedha jo-dollarë.

BE duhet të këmbëngulë se sanksionet eksterritoriale të shkelin të drejtën ndërkombëtare (përfshirë Rezolutën 2231 dhe për pasojë Kartën e Kombeve të Bashkuara) dhe rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Ata duhet të pranojnë se pranimi në heshtje do të ishte njësoj si t'i dorëzojë SHBA-së një çek të bardhë që të përcaktojë rregullat e luftës dhe paqes përtej Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe rregullat e tregtisë globale përtej Organizatës Botërore të Tregtisë. BE duhet të jetë e përgatitur të përdorë procesin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të OBT-së kundër SHBA-ve dhe ta sjellë çështjen e saj para Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Asamblesë së Përgjithshme. Atje ku Evropa ka frikë të shkelë, Kina me siguri do të futet që të kapitaliozjë mundësitë e biznesit në Iran. Dhe Kina do të kishte të drejtë ta bënte këtë.

Sfida më e madhe e Evropës nuk është ligjore apo gjeopolitike. Është psikologjike. Liderët evropianë sillen sikur SHBA-së t'i interesonte ende një aleancë transatlantike interesash, vlerash dhe qasjesh të përbashkëta. Për fat të keq, nuk është më kështu.

SHBA-ja dhe Evropa kanë ende shumë interesa të përbashkëta, por ato kanë ende edhe shumë gjëra të kundërta, sidomos SHBA shkel ligjin ndërkombëtar. Evropa ka nevojë për politikën e vet të sigurisë, ashtu siç ka nevojë për politikat e saj tregtare dhe mjedisore. Shkëmbimi i mendimeve mbi JCPOA-në është pra një moment së vërtete. Paqja në botë varet nga mbrojtja që Evropa do t'i bëjë Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe nga rregullat e tregtisë ndërkombëtare. /Project Syndicate/BIRN/

The post Evropa duhet t'i kundërvihet sanksioneve eksterritoriale të Amerikës!? appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more