Skip to main content

“Fotot e rralla: Fëmijët e paligjshëm që lanë pas ushtarët e huaj në Shqipëri” plus 9 more - Gazeta Dita

“Fotot e rralla: Fëmijët e paligjshëm që lanë pas ushtarët e huaj në Shqipëri” plus 9 more - Gazeta Dita


Fotot e rralla: Fëmijët e paligjshëm që lanë pas ushtarët e huaj në Shqipëri

Posted: 20 May 2018 01:47 AM PDT

Jetimorja e parë në Shqipëri u ngrit me 28 nëntor të vitit 1917.

Ishte një ide e nënprefektit të Tiranës Rauf Fico në bashkëpunim me ish kryebashkiakun e Tiranës Zyber Hallulli.

Ata dhe figura të tjera publike mobilizuan familjet e pasura dhe tregtarët e qytetit, pasi problematika e fëmijëve pa familje u theksua shumë në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore.

Pas largimit të ushtrive të huaja nga Shqipëria, në mbarë vendin do të mbeteshin pas fëmijë të braktisur. Disa prej tyre kishin humbur prindërit e disa të tjerë ishin braktisur si fëmijë të paligjshëm të ushtarëve të huaj me gra vendase.

Këta të pafat shiheshin si të dëbuar për moralin e shumicës së popullit dhe askush nuk interesohej për ta. Misionarët e Kryqit të Kuq Amerikan që erdhën në Shqipëri për të ndihmuar në kapërcimin e pasojave të Luftës, do t'i bashkonin këta fëmijë për t'u kujdesur për ta, në bashkëpunim me autoritetet lokale – raporton portal ekonomik Scan.

"Amerikanët çelën një jetimore dhe shkollë për këta fëmijë të përjashtuar dhe tani këta fëmijë po marrin kujdesin e nevojshëm" – shkruhet në diçiturën e një prej fotove të Librarisë së Kongresit Amerikan.

Krahas jetimores në Tiranë, Kryqi i Kuq Amerikan do të bashkëpunonte edhe me murgeshat italiane në Shkodër për të hapur jetimore tjetër për fëmijët atje.

Në Shkodër do të ishin dy jetimore, ajo e motrave jezuite e ajo e motrave saveriane.

Pas stabilizimit dhe transferimit të strukturave të misionarëve amerikanë nga Kryqi i Kuq te qeveria shqiptare, jetimorja e Tiranës (Streha Vorfnore) në vitet '20 do të financohej nga fondet publike.

Në vitin 1936, me një ligj të posaçëm, bashkitë e vendit u detyruan që të dërgonin jetimë nga juridiksioni i tyre, kundrejt një pagese 400 franga ari në vit.

b.m. / dita

Babolja me eskortë! Hapu dhe të futem!

Posted: 20 May 2018 01:42 AM PDT

 

A e shikoni-o njerëz,

ku jemi gremisur,

Shqipëria-mëma jonë,

ku është katandisur!

 

Më super estradë,

nuk mund të mendohet,

rreth Babale-boles,

gjithçka rrotullohet!

 

Nisi superkomedia,

me zhurmë e me bujë,

po shumë shpejt përfundoi,

një vrimë në ujë!

 

Tash të gjithë jemi të bindur,

themi midis nesh,

se PD-ja nuk ka sjellë,

as përgjim-as lesh!

 

Luli dhe revoltë e tij,

bën të qeshë dhe drurin,

tek Babolja i mavrisur,

ka varur flamurin!

 

Ku është krimi që ka ndodhur,

mortja-o Lulash,

thjesht se do shesi Babolja,

dhjetë qillo hashash?!

 

Ne e kemi bërë përgjimin,

tha Sali gërdalla,

po ky përgjim quhet krim,

more Sali palla!

 

U tërbuan nga gëzimi,

u bënë si të dehur,

dhe Babolja ishte ASI,

që në mëngë qe fshehur!

 

Po papritur komedia,

u bë shumë e fortë,

i erdhi dita Baboles,

që të ketë eskortë!

 

Nuk ta vret njeri Babolen,

Sali-o gërdallë,

sepse për të zezën tuaj,

na duhet i gjallë!

 

Nuk e nget njeri Babolen,

mavrinë e këputur,

që tani po e kupton,

në ç'hale është futur!

 

Dhe nuk do dali kollaj,

nga ajo hale,

po Luli me të ka ngritur,

një kauzë të re!

 

Për Babolen që tani,

shëtit me eskortë,

Luli gjithë Shqipërinë,

do ngrejë në revoltë!

 

Një revoltë popullore,

po s'e dimë ç'ka ndodhur,

nuk e dimë pse u nxe,

opozitë e lodhur?!

 

Që negociatat mos hapen,

të mos ketë zhvillim,

opozita ka detyrë,

destabilizim!

 

Tani që në SHQUP po bie,

kaq shumë erë haleja,

pse s'kërkoni-o hafije,

ca zgjedhje të reja!

 

Kërkoni meqë do dilni,

për të protestuar,

rreth Baboles së paparë,

të gjithë grusht bashkuar!

 

Me Babolen-Edi Ramën,

kanë për ta përmbysur,

opozita e bashkuar,

ku është katandisur!

 

A.DUKA

Emrat/ Familja shqiptare merrej me drogë. Arrestohen nëna, djali dhe dhëndri

Posted: 20 May 2018 01:37 AM PDT

 

Nënë e bir në Itali janë arrestuar nga policia për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Ata janë shqiptarë, ndërsa vitet e fundit kishin përhapur aktivitetin e tyre ilegal në Lucca, duke u shitur drogë të miturve.

Adelina Lisi 40 vjeç dhe djali i saj 23-vjeçar Hasan Lisi, e nisnin punën në orën 08:30 të mëngjesit deri në mbrëmje në orën 23:00, duke shitur doza kokaine, marijuane dhe hashashi.

Në biznesin e tyre, ata kishin përfshirë edhe dhëndrin rumun, Daniel Valentin Ungureanu 28 vjeç, i cili gjithashtu u arrestua.

Në harkun kohor të dy viteve, kjo familje kishte blerë dy shtëpi, një sipërfaqe toke dhe një makinë.

Pronat e tyre u sekuestruan nga policia italiane, vlera e të cilave shkon në 200 mijë Euro.

Sipas mediave vendase, familja shqiptare kishte zëvendësuar në këtë aktivitet një familje marokene (babain dhe dy fëmijët), të cilët u arrestuan në Qershor 2016 për shitje droge.

Gjatë operacionit të autoriteteve italiane, u sekuestruan 2 kg marijuanë, 1 kg hashash dhe 15 gram kokainë.

Hetimi ndaj familjes shqiptare kishte nisur më 27 korrik të vitit të kaluar, dhe që prej asaj periudhe ata ishin mbajtur nën përgjim.

Policia kishte dëgjuar bisedat e nënës që bënte me blerësit e drogës. Klientëve më të besuar ajo u thoshte se nga të ardhurat që përfitonte përmes punës ilegale, mbante familjen me bukë.

"Ju jeni njerëz të mirë. Kam 10 njerëz në shtëpi për të ushqyer. 10 vetë që duan të ushqehen me një rrogë", ka thënë Adelina, duke shpjeguar se djali i saj kishte kërkuar punë por pa sukses.

Policia italiane tha se një dozë kokainë 0.8 gram e shisnin për 60 euro, kurse 1 gram marijuanë varionte 5-10 euro.

a.s/dita

Kur jeta kushton më pak se një dekikë

Posted: 20 May 2018 01:34 AM PDT

Zoti Thano, jam nje pedagog ne pension, Prof Asoc Dr Jorgji Hanxhari. Para dy vjetesh, Ju më mundësuat një debat me ish Ministrin Ilir Beqaj, pikerisht per problemin e ilaceve te rimbursuara dhe te analizave, qe detyrohemi t’i bejme tek privatet, per te cilen mundesi ju falenderoj edhe sot! Por sot, lexova në Facebook, nje shkrim brilant njerezor, nga nje personalitet i mjekesise ne rrethin e Vlores, emrin e te cilit, besoj se e keni degjuar, Dr Evriviadhi Goro. Vendosa t’jua dergoj, me lutjen time, qe t’a botoni ne gazeten tuaj ”Dita”, gazete qe qan hallet e popullit! Me poshte vjen shkrimi.

 

*********

KUR JETA KUSHTON MË PAK SE NJË… DEKIKË

"Është e pamundur të dijë mjekësinë, ai që nuk di se çfarë është vetë njeriu" –  Ippokratis, 460-377 para Kr.

Mjeku i familjes,-nuk mundej të bënte ndryshe.- pati mirësinë të na komunikojë neve, jo vetëm neve të moshës së tretë, urdhërin e Ministrisë së Shëndetësisë, që para se të na shkruhen barnat e nevojëshme,- me rimbursim,- për të përballur, sado pak, problemet shëndetësore, duhet të bëjmë udhëtime dhe shpenzime, për të "fituar" të drejtën, që i takon çdo të sëmuri e, aqë më tepër, neve të moshuarve.

Nuk e di në se ministrja e Shëndetësisë, zonja Manastirliu e ka lexuar çfarë thotë babai i mjekësisë, Ippokratis, autori i Betimit të famshëm për mjekët, që ka jetuar gati 2500 vjet para nesh: Ai thotë: "ËSHTË E PAMUNDUR TË DIJË MJEKËSINË AI, QË NUK DI Ç' FARË ËSHTË NJERIU".

Unë, jam një nga ata, që vuajnë nga nga sëmundje të zemrës, njera prej të cilave, më detyron të përdor ilaçe kundër mpiksjes së gjakut. Jetoj në Himarë, 76 km larg Vlorës dhe 250 km larg Tiranës. Jam 84 vjeç! Që ta marr atë ilaç, duhet të shkoj, pa tjetër, një ditë në Vlorë, te kardiologu i spitalit shtetëror, i cili do të më japi "vizën" , të ngjitem më lart, në kryeqytet, nga shpërndahet, në gjithë vendin, bollëku i mençurive ekzekutuese, të politikanëve tanë. Atje, një komision, do të vendosi përfundimisht.

Në Vlorë kemi 3 a 4 kardiologë, që gëzojnë respektin e njerëzve hallexhinjë. Si është e mundur, ju si qeveri, të mos keni besim tek ata, kur populli u ka besuar jetën e tij? Apo nuk i konsideroni të aftë të formojnë dhe ata, komisjon përkatës?

A iu ka shkuar ndonjë herë nga mendja, bie fjala, kur shoqëruesi iu hap portën e automobilit të veçantë dhe uleni në kolltukun e rehatshëm, se jashtë xhamave, ka njerëz të varfër deri në dëshpërim dhe të sëmurë, që zvarisen rrugëve, duke kërkuar ndihmë mjekësore? Që mjekët e spitaleve "shtetërore", i dërgojnë të sëmurët të bëjnë analiza te privati, se disa nuk bëhen në spital? Që u japin receta, të blejnë ilaçe në farmacitë, se në spital nuk ka barna?

E nderuara zonja ministre.

Unë kam qënë mjek dhe e kam ushtruar mjekësinë, 57 vjet, 17 prej të cilave, jashtë shtetit, si mjek privat. I kontratuar me disa nga organizatat e Sigurimeve Shoqërore, përfshirë edhe ato Shtetërore, nuk kisha asnjë kufizim në përshkrimin receptual, të barnave. Madje, shpesh rastiste, të përshkruaja edhe barna, që nuk ishin në listën e rimbursimit. Recetën e shoqëroja me formularin përkatës, ku shënoja arësyen pse e shkruaja. Dhe i sëmuri e paguante, një llojë, si të ishte në listë. Bashkë me shokët e brezit tim, sakrifikuam pjesën kryesore, më të bukurën e jetës, për njeriun, duke i mohuar vetes një nivel jetese, që nuk i përgjigjej atij të popullit raja. Me ndihmën t' uaj mund edhe të vdesim, por do t' u lëmë fëmijve dhe nipërve tanë emrin, thesarin më të vyer, që e lënë vetëm njerëz, si ne.

Kolegët, në Athinë, më pyesnin: "A të vjen keq, që jetove dhe punove në vitet e diktaturës?" Qeshja para se t'u përgjigjesha: "Jo. Përkundrazi, e ndjej veten të lumtur, që i shërbeva popullit tim duke sakrifikuar të mirat e rinisë, athere kur më kishte më shumë nevojë, se çdo gjë tjetër. Pata fatin të njoh njerëz të mrekullueshëm, që më mbajtën afër, më nderuan e më mbrojtën dhe të cilët, njerëzimi, s' ka për t' i patur kurrë më."

E nderuara ministre, është mirë, që para se të mirrni vendime, që dëmtojnë shëndetit e njerëzve, të mendoni veten. Sot jeni ministre, nesër ose pasnesër, nuk do të jeni më. Iu urroj, sinqerisht, të mos hiqni, nga pasardhësi juaj, ato që heqim ne nga ju dhe parardhësit t' uaj.

Pak fjalë "jashtë" temës.

Po iu sjell këtu, një shembull fisnik, nga jeta e një politikani të shquar, që i dhimbsej vërtetë populli i vet. Në përvjetorin e Parë të Republikës, si kryetar i saj, shtroi darkën, e zakonëshme, zyrtare. Personalitetet shtetërore dhe të ftuarit nga bota, pjesëmarrës në darkën e rastit, u ndodhën para një të papriture, që i detyroi të heshtin, të shatisur, nga se? Nga menuja e shtruar. E dini përmbajtjen e asaj menuje historike? Mbase jo, me që politikanët dhe historianët, nuk lexojnë histori.

Përpara secilit, në tavolinë, gjëndej vetëm një pjato me supë! Dhe kur ata, nguronin të zhysnin lugët në pjato, Presidenti, i… "sqaroi": "HABITENI PËR FUKARALLËKUN E DARKËS? MIRËPO SONTE, KUR NE KEMI PËRPARA KËTË SUPË, DUHET T' IU THEM SE SHUMICËS SË POPULLIT TIM, I MUNGON. DHE UNË, KRYETARI I REPUBLIKËS SË TYRE, NUK KAM TË DREJTË TË HA TJETËR GJELLË, NGA AJO QË HA POPULLI IM".

E ç' u bë? Të ftuarit u ngritën më këmbë dhe duartrokitnin për minuta të tëra. Këto fjalë i ka thënë Presidenti i Parë i Republikës Turke, Qemal Ataturku, 95 vjet të shkuara. Si thoni?

Por le të vazhdojmë me paradokasat, në shëndetësi. Cili është roli i mjekut familjar? Mos vallë ai është thjeshtë, një "qatip", që vulos shkresa? Mendoj se është poshtërim, që të dërgojë të sëmurin, herë pas here, te specialisti, për të përsëritur dhënien e ilaçit. Pse, b.f., për Xarelton, duhet të vejë, herë pas here, në Tiranë, për deri sa dihet, që i sëmuri nuk do ta ndërpresi kurrë, përdorimin e tij, veçse kur të vdesi?! Kini besim te mjekët e rinjë, ashtu si kemi ne të gjithë, që "njohim mjekësinë, sepse njohim njeriun".

Mos i mundoni ata, që sakrifikuan jetën për Njeriun, për vendin e tyre. Ne ishim ata, që iu kthenim atyre buzëqeshjen, kur ishin gati të qanin, ju i shuani buzëqeshjen dhe i detyroni të qajnë. Historia e këtij vendi martir, do t' iu ndëshkojë rëndë. Jepuani atë "lëmoshë medikamentoze" të sëmurëve, pa i sorollatur e, aqë më tepër, njerëzve të moshës së tretë. Nuk iu kërkojmë ndihmë për të "shpejtuar" vdekjen, iu kërkojmë ndihmën njerëzore mjekësore, që të jetojmë ato ditë, që na kanë ngelur, me gëzimin familjar, gëzimin e miqëve dhe të shokëve tanë.

Për kolegët e pacietët e tjerë të asaj kohe të vështirë, për zemrat e tyre, për sakrificat, tregoni, të paktën, një farë nderimi. Mbajini mendë fjalët e Ataturkut, me gjithëse personalitete të tilla, janë antipatikë për politikanët tanë. Bëni, atë që thotë Ippokrati, mundohuni të njihni njeriun.

Iu bëj thirje, në emër të gjithë të sëmurëve rëndë, të zonës sonë: Lerini mjekët e rinj, midis të cilëve ka yje përtej kohës tonë, të bëjnë punën e tyre, për këtë popull, që nuk ka fuqinë të kërkojë,- e ardhmja e tij, nxitet të marri… arratinë.

Bëni detyrën ndaj jetës. "NJERIU, KUR VDES, LË EMRIN. LEOPARDI LË LËKURËN". Një mençuri e saktë, kineze. Zgjidhni e mbani, emrin apo lëkurën…

*****

Dr.Evriviadhi Goro / Mjek në pension, Nderi i Qarkut të Vlorë / Himarë, maj 2018

 

Faik Konica, Gjoni i Krujës dhe dy romane të panjohura

Posted: 20 May 2018 01:22 AM PDT

 

Sa herë që flitet për Faik Konicën ka gjithmonë kuriozitet dhe interes, ndaj, në festivalin Ditënetët e Librit,  në stendën e shtëpisë botuese "Zenit" në MHK, mesditën e djeshme ishte  njoftuar një aktivitet mbi njohjen e dy romaneve të këtij autori.

Aty u fol mbi Faik Koncën dhe dy romanet e tij zbuluar pas 100 vitesh dhe sjellë në shqip. Profili i tij si botues, shtypshkrues, bibliofil koleksionist e hulumtues e hartues i mjaft simboleve heraldike kombëtare".

"Në këtë libër përfshihen dy romane të Faik Konicës, "Martesa e Lejlës" dhe "Sotiri dhe Mitka", të cilat deri pak kohë më parë e kanë pasur jetën e tyre në gjuhën frënge, ku autori ishte me pseudonimin "Jean de Kroia" ose Gjoni i Krujës. Falë punës kërkimore dhe përkthimit të bërë nga Fotaq Andrea, këto dy romane janë bërë pjesë e letërsisë shqipe. Edhe këto dy romane rrisin vlerat e Konicës dhe shndërrohen ikona të letrave tona"- tha Krenar Zejno.

Romanet, që duhet të jenë shkruar në vitin 1909, në bazë të një analize të fakteve, janë botuar në vitin 1911, në Paris, në një vëllim të vetëm, me titullin përmbledhës "Le mariage de Leila" (Martesa e Lejlës), shtypur nga një shtypshkronjë e vogël, gjë që shpjegon edhe tirazhin e saj tepër të kufizuar, aq sa edhe Biblioteka Kombëtare e Francës, nga më të pasurat në botë, nuk e disponon një libër të tillë me tematikë të mirëfilltë shqiptare!

Në kopertinën e pasme të librit përmbledhës të dy veprave, shkruhet: "Dy romane misterioze- Dy ikona të Letrave shqipe". Mandej jepen të dhëna mbi secilin.

"MARTESA E LEJLËS- Të njëzet kapitujt e kësaj pastoraleje dashurore shkojnë fjollë, pa përplasje as pengesë, rrjedhin si një burim me ujë kristalor drejt një zgjidhjeje të dëshiruar, duke përbërë në tërësinë e tyre një akt të lartë, tek vërtetojnë (gjë e rrallë sot) që një roman mund të jetë interesant duke mbetur i ndershëm; ndërsa sa i takon pjesës "SOTIRI DHE MITKA" vihet në dukje se "është një tregim i shpejtë që të mban të lidhur dhe që fillon në Amerikë për të përfunduar në Shqipëri.

Mund të themi se kemi të bëjmë me një novelë të shekullit XVII, aq shumë janë pikturuar e treguar me hollësi e delikatesë portretet e dy miqve… ku jeta e re buthton, zhvillohet, shpaloset në rritje të shpejtë, gjersa dramatizohet më në fund nëpërmjet një rrethane të llahtarshme e tragjike, për të përfunduar siç duhet… lumturisht". Të dyja këto shënime, janë të Edmond de Gabory, për "L'Avenir d'Arcachon", më 8 tetor 1911.

Fotaq Andrea para se të merret me analizën e ideve dhe anës artistike të romaneve "Martesa e Lejlës" dhe "Sotiri dhe Mitka", sqaron sesi ra në gjurmë, dhe si i gjeti e i bleu këto dy vepra të mbledhura brenda dy kapakësh në një dyqan librash të vjetër në Belgjikë.

Personazhet

Personazhet personifikojnë të afërm të rrethit familjar të Konicës (por edhe atë vetë), krahas një morie personazhesh skenikë që Konica i ka pasur miq apo i ka njohur nga afër.  Fotaq Andrea vëren se në romane autori ka vënë si personazhe të afërmit e tij, nga mbesa te e ëma, madje, një prej personazheve, është vetë ai.

Te "Martesa e Lejlës", Andrea thotë se (personazhi kryesor Lejla), është mbesa e shkrimtarit, e bija e vëllait të tij, Mehmet Konicës. Në roman përfshihen edhe nëna e Faik Konicës- Zeliha Delvina (Konica), vetë Faiku si personazhi Vangjel, ose princi Aladro Kastrioti – pasardhësi i Gjergj Kastriotit që pretendonte fronin e Shqipërisë, personazh pozitiv që gjendet në të dy romanet. Te romani tjetër, "Sotiri dhe Mitka", personazhi kryesor është Dominiku, i cili ka në fakt emrin e pagëzimit në fenë katolike të vetë Faik Konicës. Ky personazh sipas Andreas, pasi ka kryer studimet në Vjenë e Paris, kthehet në vendlindje në Vlorë dhe ngre fabrikën e parë të industrisë vajore. "Ekrem bej – është me gjasa Eqerem bej Vlora në rini", thotë Andrea, duke shtuar se Sotiri dhe Mitka janë emra krejt të zakonshëm shqiptarësh që mërguan nga Korça për në Amerikë, e po aty ka edhe emra Gjergj, Guri, Trifona, Trimi.

 

Parathënia

E pur si muove… nga "Albania" në Albania

E nëse shkruesi këtu është vërtet Faik Konica, sa është ky Faik këtu një Konicë i vërtetë?

Sa është distanca nga një Faik te një Konicë, dhe cila do të ishte, në këtë rast, njësia matëse në domenin letrar, lëvruar prej shkrimit, dhe ajo e lëvruar në terrenin e kontekstit historik, prej rolit e përfshirjes edhe si misionar?

Ç'peshë specifike ka jeta dhe shkrimi te jetëshkrimi i një tribuni të kësaj rëndësie, që e shpërngulte, sa lehtësisht aq me voli, ngado gjendej vetë, edhe qendrën e rëndesës mbi artikulimin e lëvizjes kombëtare?

Në ç'rrethana, emergjenca për akte veprash atdhetare, kushtëzon pakte me haraç tributi ndaj artit të veprës letrare, gjer flijimin e saj, caktuar për ujdi në këmbim kontributi, qoftë për çështjen kombëtare?

Pa qenë korpusi "Albania" nuk do të qe Konica edhe i romaneve këtu, pse nuk do të qe as dyshimi kurajoz i zbuluesit të tyre se autori këtu është Konica. Sido që mbetet pezull pikëpyetja që si ky fakt të mos ketë qenë dëshmuar, më qartë se veç tërthorazi, nga epistolari i gjerë i tij a te korpusi shumëpërfshirës "Albania". Porse, kështu, nuk do të vinte as zbulimi i rrallë dhe nxitës këtu. I tillë që, duke përndjekur rastin e vet, i gjegjet nevojës sonë për shumëçka më tepër se vetë rasti. Si dhe domosdoshmërisë së njohjes më përtej, të një perkursori të gjuhës e letërsisë sonë moderne dhe ligjërimit urban. E prej këtej, edhe mirënjohjes. Madje, vetvetiu na bën për herë të parë kureshtarë që, në harkun kohor njëshekullor, të ndjekim lakoren qerthullore dhe ciklin që kryen një vepër e panjohur më parë e prej një stature me barrë historike dhe njëherit autor.

Krenar Zejno, "Botues i "Zenit"

Mirëpo, kur dhe sa, e befta e zbulesës nga një pandehmë, fiksuar qysh zëfilli, ka vend, dhe kur ajo zë vendin e qëndresës skeptike e prej metode të rreptë studimi! Apo është pikërisht te paravendosja e hipotezës si tezë dhe mundësisë si besim, ai tharmi që mbrun, mes një pasioni fetarie dhe monomanisë, përndjekjen e një zbulimi, studimi, koleksionimi dhe bibliofilie tipike. Me rezultat, daljen e së resë në dritën e diellit. E cila, nga ky çast do të krijojë edhe çarje në rendin e gjërave, dhe zëfilli me çeljen e pikëpyetjeve të reja…

Edhe njëherë, pra: sa dhe si, ndër vetëdijen e shkrimtarit, e nënvetëdijshmja përmes shkrimit përshenjon pashmangshmërisht, edhe në rastin kur shkruesi e ka mohuar autorësinë, dorëzuar me gjithë pseudonimin e posaçëm; dhe sa do të ishte dallimi kur i paramenduar si dorëzim përfundimtar, apo i ndarë prej saj me shpresën e rikthimit dikur, nga një dorëzani besuar kohës, të ngjashmëve dhe ardhmërisë?

A thua, ndarja e një dandy Faik me to, të mos ketë qenë krejt e paqme, në akord e mirëkuptim të plotë edhe me veten dhe gjithaq e shpenguar, në mos e paracaktuar si kategorikisht definitive, gjer dhe pa maraze?! Përndryshe, në ç'raport një moral e mision i shkruesit nga pozicioni rreptësisht letrar rri në marrëdhënie me kërkesën për apelim të një zgjimi kombëtar e nga pozita moralizimi pastërtisht misionare?

Sa është distanca e lejueshme nga një deal për një ideal; dhe deri ku, nevoja për një idil gjer patetik të vlerës kombëtare, i bie në hak stilit dhe shifrës poetike të veprës letrare?

A thua, mos po i mëshojmë skicimit të kësi profili konician nga pozita prioritare letërsie, përpara rolit të tij në sferën politike si një nga prijëtarët e atdhetarisë? Përveç njohjes së kufizuar e nga brenda rolit tonë këtu – si edhe trajtës ciklike që huazuam për formë e nga na vjen n'doresh ta rrotullojmë më lehtë fjalën , – është mbase dhe shtysa për ta nxjerrë më në pah vetë qerthulloren e lëvizjes.

Ndër vorbullën e Rilindjes sonë të vonuar, më mbetet ende i turbullt, thënë sërish me analogji heliocentrizmi, përcaktimi i kahjes: në rrotullohej vokacioni letrar rreth devocionit të shqiptarisë, apo anasjelltas! Brenda atij qarku vicioz ku mbjellja dhe përhapja e njërës lypte selitjen nga tjetra.

E megjithatë… ajo botë e letrave "Albania", a do të qe krijuar pa një Konicë! E në qoftë se nuk do ta kishim korpusin e saj, pra, pa qenë e kryer "Albania", vallë do qe kryer vërtet Albania, që kemi sot?

A do të qe trupëzuar një Shqipëri më vete, politike, edhe pa atë dosje poetike nga njerëzit e letrave, me dëshmi shpëtimtare gjuhën, atëbotë verdikti fuqie, avokatinë ndaj të cilit e pat marrë mbi vete gjuha dhe shkrimi, edhe në arenën "Albania"?!

Dhe si, ky Faik botues, rrotullohet rreth vetes shkrues shkrimtar e gjithaq predikues, e njëkohësisht, rreth diellit të atdhetarisë! Pa të cilin s'bën dot, dhe në çdo rrethanë, vendndodhje e ndodhi, nuk ia ndan sytë. Deri në atë pikë durimi kur nuk e përballon dot ta shohë më gjatë. E kur nga lindja avitet duhia e ngeshme e zhegut të vapës dhe ia përvëlon lëkurën, ky i kthehet me tema e nëma të vjetra pagane dhe anatema risi koniciane.

Si e kalëronte ky pasardhës bukurie, beau comme un chevalier albanais, hapësirën e qëmtuesit modern e shkruesit poliedrik universal dhe, njëherit, botues erudit nëpër shtigjet e gjuhës, edukimit, qytetarisë dhe kombëtares; pastaj, si e zhvendos shënjestrën në ulje-ngritje sipas destinacionit dhe niveleve të lexuesit, dhe si i ndante mes rrathëve në sferën e shkrimit, paralelet dhe meridianët për adresimet e tij; pastaj, ato në qitjet që shënjonin afër e larg, diku edhe të ngjashmit duke i veçuar të tjerët, diku anasjelltas; kurse, aty-këtu, pothuaj të tërë pa përjashtim! E prapë… si mbahej kjo marrëdhënie kalorësiake e kësi plejade edhe në fjalë burrash!

E prapëseprapë… si, ky zë kontroversial revolte, apel i fjalës së lirë, lirisë dhe laicizmit emancipues, u ngrit gjer në volum enciklopedie Albanie, që e shfaq atë te ne njëherit edhe Volter edhe Didero?!

Dhe tani, duke e kthyer e lëvizur pyetësorin përqark lëndës letrare të novelave që kemi në dorë:

Po sikur protagonisti porositës i tyre, ky don bufon i Spanjës dhe mëkëmbës gjoja-Kastriot, t'i ketë shtuar më vonë, personazhit alla Kishot prej mjeshtrit tonë, edhe pjesë shkrimi e faqe bëmash nga "donkishotizmi" i vet?!

Bufonët jargaviten bashkë me pallavrat, stigmatizonte Konica, kur mëkatin e vetëm që i njohu vetes qe krimi t'i trazojë lumturinë budallait. Kurse gomarin Rosinant, po e përfytyroj këtë çast alias gomari i Babatasit të Fishtës së pseudonimit Gega alias Toskë, ndonëse nuk po e rrok dot se ç'vend do të zinte, pak me vonesë në këtë mes, një Babatas alias Sanço!

Në kreun e gjashtë mbi çuditë magjepsëse të Don Kishotit (ku vetë personazhet e librit të dytë lexojnë të parin), Borgesi na shfaq berberë (si Sotiri i librit të dytë këtu) që qëmtojnë në bibliotekën e Don Kishotit. Dhe, si për hata, një nga librat që haset është Galatea e Servantesit, e na del edhe që berberi qenkësh miku i tij sido që nuk e çmonte kushedi.

Si për çudi, kreun e shtatë të librit-porosi nga ky Aladro alla ladro, vetë Konica, krijuesi i vërtetë, e ka emërtuar (këtu, si me porosi) Një artist në hall:

Sapo mori kutinë (lexo: porosinë), piktori e çeli rrëmbimthi, nxori prej andej petkat dhe u përpoq të vishte me to një biçim figurine prej druri që artistët e quajnë manekinë. Më kot u orvat disa herë të kombinonte mbi të elementët e ndryshëm që përbënin veshjen, pa arritur ta ndërtojë të tërën. Më në fund, i lodhur, i inatosur me vetveten, tek i sosi durimi, ia futi me shkelm manekinit dhe e degdisi në anën tjetër të kthinës.

Të bukura janë, s'ke ç'thua. Po hajt t'i stis unë! – tha me vete; edhe sikur copë ta bëjë manekinin, prapë s'do kem gjë në vijë. Po sikur të shkoja e t'i kërkoja këshillë e ndihmë fqinjës sime bukuroshe…

Tha kështu e kështu bëri me atë nxit që e karakterizonte për të kaluar nga teoria në praktikë…

"Ka të ngjarë që këto vërejtje të jenë parashtruar edhe më parë e mbase shumë herë; shqyrtimi i të resë në të do më interesonte më pak se e vërteta e saj e mundshme". Është pikërisht kjo një nga parabolat më serioze, gjithaq lojcake, të risisë borgesiane e të mbarë letërsisë, me shkas edhe nga "loja e dykuptimësisë së Servantesit, që arrin kulmin në pjesën e dytë, kur protagonistët e Donkishotit janë, sakaq, edhe lexues të Donkishotit".

Besoj se shkakun e kam gjetur, tha Borgesi, për të cilin, e dimë, distanca kohore dhe cikli qerthullor i saj, në botën paralele imagjinare perceptohet e matet krejt ndryshe: "metamorfoza të tilla sugjerojnë që, nëse personazhet e një fiksioni mund të jenë lexues alias spektatorë, edhe vetë ne, bën vaki, të jemi gjithaq të trilluar".

Të më ndjeni, ky trill i imi është këtu sa për me ndez kërshërinë e një leximi triller, dhe assesi për të paraqitur përmes përkimesh shkrimtarie, teza e dëshmi mbi autorësinë e vërtetë të teksteve nga F. Konica, për të cilin Noli thoshte që ne korrim drithën e mbjellë nga Faiku, dhe se shqiptarizmën e mësuam prej tij, gjë të cilën zbuluesi dhe përkthyesi i tyre, F. Andrea, e ka shteruar gjerësisht. Thjesht, ndjehem i thirrur e i prekur nga teksti dhe kureshtar se çfarë force apo zbehje shfaq tekstura e tezgjahut apo hiperteksti tani pas një shekulli dhe shpresoj t'jua ngjis e cys këtë edhe juve.

E artisti tha:- Ju e dini se piktorët një e dy kritikohen ngaqë nuk riprodhojnë përherë me vërtetësi personazhet dhe objektet, e shpesh me të drejtë, sidomos kur jemi të detyruar të pikturojmë me manekinë; në këto raste, doemos që subjekti nuk ka si të ketë pamje të gjallë. Tabloja që unë kam ndër mend të realizoj, dhe që e ndjej paraprakisht se do më bëj me emër, po edhe me para, mund të realizohet vetëm po qe se zonjusha – me lejen tuaj sigurisht, – do dëshirojë të pozojë përpara meje si model.

E kështu pra, kur piktori Lezi e shkatërron manekinin për të bukurën e gjallë, më mbin në përfytyrim Kryevepra e panjohur e Balzakut, ju kujtohet? që rrëfen atë ujdinë mes një personazhi të trilluar, gjeniut Frenhofer (më vonë alterego e Sezanit) dhe personazhit real, piktorit më të madh të Renaissances, Poussen; pra, paktit për ta shfaqur, për të parën e të fundit herë dhe vetëm para këtij, La belle Noisseuse alias të Bukurën Sherrete të tablosë së panjohur, ama: në këmbim të një lakuriqësie nudo të gjallë të së dashurës së tij.

Për nga ana e kompozimit, novelat këtu shfaqin vërtet një kryevepër të panjohur në Letrat shqipe. Sa klasike në zgjedhjen e subjektit dhe patosin e përshkrimit, edhe moderne për nga forma kompozicionale e shtrimit të tij. Dhe, në mos gabofsha i përfshirë patetikisht e për t'i gjetur medoemos kallëpe arketip, më duket se lëvizja në harkimin e njohur të realizmit Balzak – Dostojevskij, do mundësonte vëzhgime interesante në trajtat e kompozimit të lëndës. Kujtoj në këtë pikë, diçka mbi kërkimin e kalkuluar e skrupuloz te Karamazovët: se si e me kë pretendent do ta martojë autori një personazh, dhe kur apo cilin do nxjerrë për një duel me tjetrin! E kështu… gjer te iluzioni a mbase e vërteta te Dostojevskij: E Bukura do ta shpëtojë botën!

Bukuri! Mirëpo, ajo çka më bën çudi në këtë shfaqje klasike-moderne, nuk është te fetishizimi i traditës dhe hyjnizimi i së bukurës dhe virtyteve humane, por vetë kjo qëndresë stoike për sublimen dhe thelbin e pakohë të vlerave; me aq patos, po të kemi parasysh se, ndërkohë, rrymat e ç'hyjnizimit dhe vendosja si palë ndërluftuese me traditën, po e shpallnin tashmë një plasdarmë mbarë arenën bashkëkohore të artit.

Për cilindo, atë fillimshekulli, do mund të thuhej se ndofta ishte ende pak si herët për këtë pretendim, po ama jo për Konicën. Madje, edhe për vetë kritikun francez të prezantimit të novelave, sipas të cilit do lypsej një përshkrim edhe më realistik e tradicional i natyrës etj. Në fakt, më ngjan se mungon në to diç nga e kundërta, stilema prej moderniteti bashkëkohor. E kush më thellë se Faiku endej brenda kësaj vorbulle misterioze!

Po çne, atëherë, ky disnivel mes lartësisë nga ana kompozicionale dhe literalitetit; për mendimin tim, cilido që do të mbërrinte këtë mrekulli në kompozim, si zor të mos ishte në lartësinë, qoftë të një aftësie përshkrimore më figurative, qoftë për një trajtë shkrimi më modern. Aq më tepër nga një maestro i stilit.

Atëherë, dakord, duke e përjashtuar a priori nga mundësia si autor të vërtetë sikurautorin a ladro, këtu më mbeten dy mundësi: shkrimtari pasi projektuar e kompozuar bocetin – ku nuk e ka munguar as elementin e poetikës kazuale të bashkëkohores, koincidencat e befta të personazheve në trenat, kolazhet dadaiste me copëra gazete në letrat e përkëmbyera, – mandej e ka dorëzuar dhe lënë me kaq; më tej një tjetër dorë e ka mbushur atë, domethënë dhe e ka zbrazur nga premisat. Ose, vetë shkrimtari e ka përmbushur këtë vetëm si një inkursion porosie, dhe jo vetëm kaq, por: sa më ngjashëm me potencialin e këtij, sa më fshehshëm me të vetin!

Në mos qoftë, e gjitha kjo, aspak një mangësi vizioni, porse krejt e kundërta: pragmatizmi përmes një rasti për të shfaqur edhe merakun prej vizionari që parasheh në konvulsionin e rrymave, përtej manifesteve dhe gjesteve e veprave të artit të pavdekshëm, edhe marifetet në atë copë kohë jetëshkurtër të destinit të tyre, shtënë shpesh gjer dhe përkundër triumfit të Bukurisë. Që banon të pakohën.

A thua, e takonte Faiku alias Vangjel, Xhojsin e Uliksit alias Blum që, ndërkohë, në kafenenë e Triestes shkruante kurorëzimin diku të një çifti që dikur do të bëhej i famshëm; dhe ku niset edhe rrëfimi ynë, e pasi kryejnë secili ciklin rreth e sipas aksit të vet, rikthehen po aty, ku dhe bëhet Martesa e Lejlës.

E megjithatë… për në Paris, jam gati i sigurt që po! Në të mbramin Austin Bar. Ku ia behte shpesh të trokiste edhe bastuni monumental i Xhojsit, mes zërit monoton të automatit fjalëtar të Steinit, tasteve prej Heminguejit, zareve të bastit gjenial të Pikasos… Dhe arbitrimit nga Apolineri, mes zallamahisë dhe arbitraritetit të gjithfarësoj rrymave në ajër. A nuk ishte ky, që nën dilemat rraskapitëse dhe luhatjet për drejtpeshimin nëpër hapësirën e pacak drejt të resë revolucionare në art, Konicës mik letrat ia drejtonte si një mjeshtri. Dhe botës, lutjet në shumës: Mëshirë për ne që ndeshemi përherë ndër kufij/ Kah e pamata dhe ardhmëria/ Mëshirë për fajet tona, mëshirë për tonat mëkate…/ Mëshirë ndaj meje… Gijom Apoliner.

E prapëseprapë… e sido që i vij rrotull, s'më vjen tjetër, në harkun e një dite, për një fenomen që kohës i lypset një shekull ta rikthejë aty nga ku e nisi. E me t'u përmendur e kthyer sërish, nga brenda këtij qarku për në realitetin real, ndërmendem se nga mëmëdhetarët e lëvizjes, ky Faik këtu mbeti i vetmi që, megjithatë… e la të shkruar marazin e rikthimit dhe porosinë te miqtë: për prehjen në dheun mëmë.

Dheut që, për të, mbante farën e virtytit dhe bukurisë, të cilën ai do të vijojë ta selitë…

Ia dhëntë hakun scripta manent, ose… i marrtë hakën amaneti!

Nga Krenar Zejno, "Botues i "Zenit"

Pse të ndrojturit rrezikohen nga marrëdhëniet toksike

Posted: 20 May 2018 01:18 AM PDT

Njerëzit e ndrojtur, apo siç është bërë zakon të quhen, njerëzit introvertë, jetojnë në marrëdhënie toksike, sepse ata nuk kërkojnë shumë.

Njerëz të tillë nuk presin që personi tjetër t'i nxjerrë në takime për dreka apo darka romantike, apo t'i përgjigjet mesazheve të tyre në mënyrë të shpejtë. Ata janë të lumtur me gjëra më të thjeshta.

Njerëzit introvertë mendojnë se të gjithë janë si ata, po aq besnikë dhe zemërmirë. Mirëpo disa persona përfitojnë nga diçka e tillë. Disa persona e përdorin mirësinë e njerëzve introvertë si një arsye për të mos bërë shumë për ta.

Introvertët jetojnë në marrëdhënie toksike, sepse përherë dhurojnë nga vetja pa pritur gjë në këmbim. Janë dëgjues të mirë, pa bërë asnjëherë pyetje dhe gjithmonë të gatshëm të japin këshillat më të sinqerta. Kërkojnë ta bëjnë të lumtur personin që kanë në krahë, edhe nëse kjo gjë do të thotë të heqin dorë nga disa nevoja të tyre.

Nuk shqetësohen për veten, aq sa shqetësohen dhe u interesojnë të afërmit e tyre. Ata e nënvlerësojnë veten duke menduar se nuk meritojnë vëmendje speciale, ndaj nëse partneri apo partnerja nuk i kushton vëmendje, ata sërish nuk mërziten.

Madje për njerëzit introvertë marrëdhëniet toksike shihen sikur të jenë marrëdhënie normale. Nuk i shohin asnjëherë gjërat me dyshim dhe e kuptojnë sa e dëmshme është marrëdhënia që po përjetojnë vetëm kur gjërat kanë avancuar shumë.

Njerëzit e ndrojtur përfshihen në marrëdhënie toksike, sepse nuk lidhen asnjëherë me shumë persona.

Edhe kur marrëdhënia mund të ketë arritur fundin, ata përpiqen t'i zgjasin gjërat sa më shumë, sepse nuk duan t'i thonë personit tjetër: "Lamtumirë".

Nga ana tjetër, ata nuk duan që të tjerët t'i mendojnë si të dobët apo shumë emotivë, ndaj e mbajnë trishtimin e tyre për vete. Edhe pse nuk e pranojnë, njerëzit e ndrojtur duan të ndihen të dashuruar nga dikush, duan të ndihen të nevojshëm dhe duan të përfshihen në një marrëdhënie afatgjatë.

Ata janë njerëz të ndershëm dhe që ia vlejnë, pasi prej tyre mund të përfitosh mjaft vlera morale.

b.m. / dita

Fotot me Erdogan, dy futbollistët gjermanë ‘japin llogari’ te presidenti gjerman

Posted: 20 May 2018 01:11 AM PDT

 

Dy futbollistët gjermanë me origjinë turke, Mesut Ozil dhe Ilkay Gundogan kanë takuar Presidentin Frank-Walter Steinmeier, pas kritikave të pasuara me shfaqjen e fotografive të tyre me presidentin e Turqisë.

Partia AK, që është në pushtet në Turqi, publikoi fotot e futbollistëve me presidentin Rexhep Taip Erdogan, në një moment të rëndësishëm për vendin, që është para zgjedhjeve.

Ky veprim u kritikua ashpër nga disa politikanë gjermanë, që akuzuan Ozil dhe Gundogan se po përpiqen të mbështesin Erdoganin, pavarësisht se ata e mohuan tërësisht këtë çështje.

Özil, i cili luan për Arsenalin dhe Gundogan, lojtar i Manchester Cityt, i dhanë Erdoganit fanellat e tyre të nënshkruara, gjatë një eventi në Londër javën e kaluar.

Menjëherë pas takimit, reaguan edhe trajneri i Gjermanisë, Joachim Low dhe kreu i Federatës Gjermane të Futbolit, të cilët morën në mbrojtje futbollistët, në prag të Botërorit rus.

"Ishte e rëndësishme që të dy ata të pastrojnë keqkuptimet. Si Ozil, edhe Gundogan u shprehën qartësisht se ndihen gjermanë dhe se ai gjest nuk kishte për qëllim të dërgonte sinjale politike", tha Presidenti Steinmeier.

a.s/dita

Mancini publikon listën, spikatin Balotelli dhe shumë emra të rinj

Posted: 20 May 2018 01:01 AM PDT

 

Ka nisur edhe 'era' Mancini për Italinë, me teknikun e sapoemëruar që ka bërë publike listën me 30 lojtarët që do të grumbullojë në debutimin e tij me 3 ndeshje miqësore.

Bie në sy, ashtu siç pritej, rikthimi i Mario Balotellit, ndërsa janë lënë jashtë disa emra të rëndësishëm, përfshirë këtu edhe Gigi Buffonin dhe Daniele De Rossin.

Italia do të luajë 3 miqësore, fillimisht me Arabinë Saudite më 28 Maj, në St. Gallen të Zvicrës, më pas në 1 Qershor me Francën, në Nicë dhe më 4 Qershor me Holandën në Torino.

Ja lista me 30 të grumbulluarit e Mancinit:

Portierë: Gianluigi Donnarumma (Milan), Mattia Perin (Genoa), Salvatore Sirigu (Torino);

Mbrojtës: Leonardo Bonucci (Milan), Mattia Caldara (Atalanta), Domenico Criscito (Zenit San Pietroburgo), Danilo D'Ambrosio (Inter), Mattia De Sciglio (Juventus), Emerson Palmieri Dos Santos (Chelsea), Alessio Romagnoli (Milan), Daniele Rugani (Juventus), Davide Zappacosta (Chelsea);

Mesfushorë: Daniele Baselli (Torino), Giacomo Bonaventura (Milan), Bryan Cristante (Atalanta), Alessandro Florenzi (Roma), Frello Filho Jorge Luiz Jorginho (Napoli), Rolando Mandragora (Crotone), Claudio Marchisio (Juventus), Lorenzo Pellegrini (Roma);

Sulmues: Mario Balotelli (Nizza), Andrea Belotti (Torino), Domenico Berardi (Sassuolo), Federico Bernardeschi (Juventus), Federico Chiesa (Fiorentina), Ciro Immobile (Lazio), Lorenzo Insigne (Napoli), Matteo Politano (Sassuolo), Simone Verdi (Bologna), Simone Zaza (Valencia).

a.s/dita

Seria A ul sot siparin, diskutohet Championsi dhe mbijetesa

Posted: 20 May 2018 12:55 AM PDT

 

Kampionati italian do të ulë siparin mbrëmjen e sotme, teksa pritet të japë edhe verdiktet finale, në lidhje me skuadrat që do të marrin pjesë në kompeticionet europiane dhe ekipin që do të shoqërojë Beneventon me Veronën në Serinë B.

Plot 5 skuadra, si Crotone, Spal, Udinese, Cagliari dhe Chievo, janë në vallen e mbijetesës dhe do të synojnë fitoren në takimet respektive të ditës së sotme, ndonëse pikërisht të parët kanë më pak shanse t'ia dalin, pasi luajnë në transfertën e vështirë të Napolit.

Milani dhe Atalanta e kanë siguruar pjesëmarrjen në Europa League, por sot do të duelojnë në distancë për të përcaktuar se kush do të kualifikohet direkt në këtë kompeticion dhe kush do ta nisë nga turi paraeliminator. Bergameskët janë më të favorizuar pasi udhëtojnë në Sardenjë, përballë Cagliarit, ndërsa kuqezinjtë e Gattusos do të presin Fiorentinën.

Ndeshja me e rëndësishme e javës është ajo mes Lazios dhe Interit, dy skuadra që do të duelojnë deri në minutën e fundit, për të përcaktuar skuadrën e 4-t që do të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm të Champions League.

Kryeqytetasit kanë avantazhin e 3 pikëve dhe luajnë për dy rezultate sot, ndërsa zikaltrit e Spallettit janë të dënuar të fitojnë, për të arritur objektivin sezonal, rikthimin në kompeticionin e më të mirëve të Europës.

a.s/dita

POETIKJA SI REVOLUCION

Posted: 20 May 2018 12:55 AM PDT

Nga Moikom Zeqo

Ju kujtohen pikturat e Hieronymos Bosch?

Ato tregojnë një frikë të vjetër: tmerrin e shkaktuar nga përzierja e një njeriu me natyrën, një burrë me kokë derri, një kalë me kokë luani, apo një peshk me kokën e Mona Lizës.

Kështu ftillëzohet edhe surrealizmi. Sikur të gjenim një gen që vetëm me anë të tij të mund të rindërtojmë trurin e Çarli Çaplinit, apo të Georg Traklit.

Nga kjo pikëpamje mund të themi se dhe arti nuk është i shkëputur nga shkenca dhe se të dy këto entitete mund të harmonizohen tek fjalët.

Thuhet se secili njeri ka disa statuja brenda vetes, ato të paraardhësve të vet. Plasticiteti i tyre është më tepër mendor.

Ndoshta kemi hyrë në epokën e një ridimensionimi të ri të poezisë. Pse e them këtë?

Marketingu e varfëron gjuhën njerëzore. Gjuha e shitblerjes është e vetëmjaftueshme edhe me 50 fjalë. Duket sikur zhduken fjalorët, bëhen të padobishëm dhe të kotë.

Në këtë mënyrë do të zbardheshin trutë e secilit.

Atëherë poezia është e vetmja alternativë shpëtimi, që parakupton një ringjallje të të gjitha fjalëve, madje dhe një shumëfishim të fjalëve.

Nuk besoj se poezia do të zhduket. Kompjuterizimi është mekanik. Poezia nuk është mekanike. Mund të flitet për një teknologji të dyfishtë fizike por edhe shpirtërore. Shpirtërore do të thotë poetike.

Poetikja është revolucioni që sfidon vulgaritetin e llahtarshëm.

Sejcili dialog është një kërkesë, është një grishje, është një ftesë për arsyetim të thellë, është një prirje kundër robotizimit, kundër keqkuptimit të kibernetikës dhe ligjeve të logjikës njerëzore.

****

Foto: Vizioni i Djallit, pikturë e Hieronymos Bosch

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more