Skip to main content

“Kush është Klotilda, studentja e frëngjishtes që u zgjodh përkthyesja më e mirë” plus 9 more - Gazeta Dita

“Kush është Klotilda, studentja e frëngjishtes që u zgjodh përkthyesja më e mirë” plus 9 more - Gazeta Dita


Kush është Klotilda, studentja e frëngjishtes që u zgjodh përkthyesja më e mirë

Posted: 19 May 2018 02:07 AM PDT

Entela Resuli

Gjatë ditëve të Festivalit "Ditënetët e Librit", të rinjtë kanë patur gjithë hapësirën për të organizuar aktivitete e tyre por edhe për të promovuar punët dhe veprat me të cilat kanë punuar.

Paraditen e djeshme ka qenë  Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, që ka ndarë disa çmime mbi konkursin e shpallur për të evidentuar përkthyesin më të mirë.

Nga departamenti i Frëngjishtes është zgjedhur studentja Klotilda Vrioni. Ajo ka përkthyer një pjesë nga autori Michel Bussi me titull "A të kujtohet Anaisi im".

Vrioni ka lexuar pjesën e përkthyer përpara studentëve dhe pedagogëve të pranishëm në skenën Multimediale Atrium në MHK.

Më poshtë po sjellim pjesën e përkthyer nga Klotilda.

"Bregdeti i Vë-le-Roz-it është i shëmtuar. Në fakt, ai është vendi i vetëm i shëmtuar. Në kartolinat e fshatit e fshehim, si një detaj të pahijshëm. Ju jap të drejtë, "i shëmtuar" është çështje opinionesh. Duhet thënë se bregdeti i tij është rindërtuar shumë shpejt pas luftës. Mesa duket Vë-le-Roz-i ka kërkuar të renditet ndër fshatrat më të bukur të Francës,  por qenka refuzuar pasi bregdeti i tij nuk paska qenë në lartësinë e duhur.

E kuptoni, dështim për të gjithë komunën për shkak të tre shtëpive të shëmtuara, pikërisht përballë La Manshë-s dhe kazinosë së vjetër. Tre shtëpi nga sa? Treqind? Pesëqind? Për më tepër, ai ekziston si hakmarrje ndaj banorëve të këtyre zonave periferike. Të radhitura në ballë, ato prishin pamjen e vilave të mrekullueshme, rreth e qark këtyre banesave të jashtëzakonshme, që tregtohen gjer në disa miliona euro në agjencitë imobiliare parisiene. Paradoksi është madje argëtues; pamja më e bukur e fshatit, e vetmja që nuk është dëmtuar nga këto shëmtira është kur jetojmë.

Për sa i përket pjesës tjetër, e dua Vël-esin!

Gjithmonë e më shumë.

Unë nuk lodhem nga shëtitjet e gjata që ndaj me Anais-in, nga bregu i detit në zbaticë, kur dielli perëndon pas shkëmbinjve, ose në mëngjes, në mjegullën e lakërishtes. Por, shëtitjet që Anais preferon, janë ato në krah të pyllit, përgjatë Shams Elize-së. Kam mësuar se shtegu quhet i tillë sepse njëfarë xha Elizeu kishte jetuar atje para dy shekujsh. Parisienëve do t'i dukej kjo gjë argëtuese. Përgjatë rrugës, Anais më ndalon në çdo mulli, tek çdo rosak poterexhi, tek çdo zog që fluturon në Vël. Kureshtjes time të vogël i pëlqen të vështrojë nga muret e kopshteve, ndërkohë që unë e pres. Me të duhet të ulesh nga pesë minuta në çdo stol. Njëlloj si tek kënga.

Banorët e Vël-asit fillojnë të më njohin. Janë klientët e zakonshëm. Kam lidhur miqësi me Klerin, vajzën e kreperisë Marine në rrugën Viktor Hygo, disa metra larg dyqanit tim, ku kam shkuar tre herë për të pirë një kafe. Kler ka të njëjtën moshë me mua. Deri më tani më ka porositur nja dhjetë natyra të vdekura për të dekoruar restorantin e saj. "Solidarë",  buzëqesh duke kryqëzuar gishtërinjtë!  

Rrugës has përherë plakun e paralizuar, me një batanije të leshtë skoceze mbi këmbë, të cilin e shtyn infermierja e tij. Ai jeton në vilën Maxhorlen. Kler më ka treguar se, familja e saj ishte bërë e pasur në fillim të shekullit të njëzetë, me tregtinë e puplave të strucit. Anxhelo ma konfirmoi. Kryqëzohemi me persona të çuditshëm në Vël. Pak por që ja vlejnë të kthehesh.

Shpesh Anais-it i pëlqen të luajë tek pengesat prej druri. Ajo është e gatshme të luajë e vetme në parkun e lojërave, tek rrëshqitëset gjigande, paralelet e kutitë e rërës, i pëlqen të hidhet tek pellgjet e pishinave, boshe e të pista, si të sëmura, në pritje të ditëve më të bukura.

Po, e dua këtë fshat në mes të dimrit. Këtë labirint që flenë. Këtë botë të vogël të çuditshme,  ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin edhe pse nuk flasin".

 Kush është Klotilda, studentja e frëngjishtes që u zgjodh përkthyesja më e mirë

Klotilda Vrioni është nga Durrësi, ajo është motra e madhe e dy vëllezërve dhe një motre.

Në familjen e saj gjithmonë i është dukur vetja si mësuese, pasi më të vegjlit kanë kërkuar shpesh ndihmë prej saj. Ndaj, në momentin që i duhej të zgjidhte profilin ku do të specializohej, në degën që po ndiqte, ajo zgjodhi mësuesin.

"Më pëlqen të mësoi dhe të ndihmoi të tjerët në rrugën e dijes" thotë ajo "madje duke qenë vetë në këtë fushë edhe vetë do të jem vazhdimisht duke mësuar"- tregon Vrioni për Dita-n.

Për të njohur më shumë këtë përkthyese të re, apo mësuese të ardhshme, ne folëm më Klotildën, e cila tregoi më shumë për pasionin që kishte për gjithë e huaj dhe veçanërisht për mësimdhënien.

Klotilda, ju sapo ke fituar çmimin si "përkthyesja më e mirë", si ndiheni?

Këtë çmim e konsideroj si vlerësim për punën e bërë, por edhe si një dhuratë të fundit përpara mbylljes së studimeve.

Pjesa e përkthyer ishte zgjedhje juaj apo…?

Jo, nuk ishte zgjedhja ime, por ishte një pjesë e zgjedhur nga departamenti i gjuhës frënge. I përket një novelisti shumë të famshëm këto vitet e fundit në Francë. Veprat e tij akoma nuk kanë filluar të përkthehen në gjuhën shqipe. Kjo ishte një tentativë për të parë si vjen autori në shqip. Pjesa është më shumë përshkruese ku personazhi kryesor i drejtohet të bijës 3-vjeçare nëse asaj i kujtohen kohët, si ja kanë kaluar në atë provincë të Francës.

-Pse keni zgjedhur frëngjishten për të vazhduar studimet e larta?

Gjithmonë kam qenë e prirur ndaj gjuhëve të huaja, duke qenë që gjuhën angleze dhe italiane i zotëroja mendova, pse jo një gjuhë tjetër, ndaj zgjodha frëngjishten.

-Po tani, pas pesë vitesh studimet, si e ndjen vetën  në këtë gjuhë ?

Mund të them që goxha rehat. Pesë vite studime intensive e rrethuar gjatë gjithë kohës nga frankofonë nuk ka si të jetë ndryshe. Ndihem mirë.

-Ju keni zgjedhur profilin mësuesi, përse?

Po kam zgjedhur mësuesinë. Kam luajtur rolin e një mësueseje gjatë gjithë jetës time për faktin se kam qenë gjithmonë fëmija dhe kushërira më e madhe dhe të gjithë vinin që t'i udhëzoja unë ose t'i ndihmoja ku kishin vështirësi, është një kalim që ka ardhur natyrshëm.  Sigurisht që është e vështirë, por ama çdo profesion ka vështirësitë e tij. Ky drejtim më jep kënaqësi dhe jam e lumtur me zgjedhjen time.

-Çfarë studenteje e konsideron veten ?

Do ta konsideroja veten një studente të mirë. E them këtë sepse përgjatë pesë viteve studime kam patur rezultate nga përpjekjet e mia.

-Cili ka qenë kontakti i parë me gjuhën frënge ?

Kontakti i parë me gjuhën frënge ka qenë në 9-vjeçare, kam qenë në klasëne pestë kur filluam gjuhën e huaj në shkollë dhe që në momentin e parë më ka bërë për vete si gjuhë.

-Do vazhdosh të përkthesh ende?

Nuk mund t'i jap një përgjigje fikse kësaj pyetjeje. Nëse teksti do të më bëjë për vete, siç ishte rasti me pjesën e përkthyer atëherë po, do ta vazhdoj.

-Ky është konkursi i parë që fiton ?

Jo, departamenti i gjuhës frënge është jashtëzakonisht shumë aktiv për sa i përket aktiviteteve e konkurseve që organizon përgjatë një viti akademik. Kam marrë pjesë dhe tek konkursi që u organizua për një exchange-program me një fakultet në Zvicër ku u shpalla njëra nga fitueset.

-Cilat janë planet e tua pas mbarimit të studimeve ?

Plani më i afërt për pas mbarimit të studimeve është padyshim stazhi 1-vjeçar, për një kohë më të largët, të shohim si shkojnë gjërat.

-Klotilda, si janë studentët e frëngjishtes, cili është niveli i tyre , me aq sa keni parë?

Si në çdo fakultet tjetër, ke nga të gjitha llojet e tipeve, por ama,  çka sipas mendimit tim i veçon studentët e frëngjishtes është konkurrenca mes tyre për të dalë më i/e miri/a gjë që shtyn dhe pedagogët të punojnë më shumë me ne dhe studentët të punojnë më shumë.

 

 

Roli i principatës së Kastriotëve në historinë  e formimit të strukturës dialektore të shqipes

Posted: 19 May 2018 01:56 AM PDT

Prof. Bahri Beci

Historia e strukturës dialektore të shqipes është është historia e popullit shqiptar. Thënë ndryshe historia e strukturës dialektore të shqipes është rezultat dhe pasqyrë e zhvillimeve historike të popullit shqiptar, nga bashkësitë fisnore, në bashkësitë fshatare dhe nga bashkësitë fshatare në marrëdhëniet feudale (shekujt VIII-XI) që u finalizuan me formimin e principatave feudale shqiptare (shekujt XIII-XIV).

Besoj se këtu duhet kërkuar edhe shkaku i formimit të njësive dialektore të shqipes.

Edhe albanologia ruse A. Desnickaja formimin e njësive dialektore e lidhte me organizimin e shoqërisë feudale. Sipas saj kanë ekzistuar dy modele të shoqërisë feudale,  një model që karakterizohej nga prania e pronës shtetërore mbi tokën dhe e një territori të centralizuar shtetëror dhe një model i dytëqë karakterizohej nga prania pronës së feudalëve mbi tokën dhe nga mbizotërimi i copëtimi feudal, që sillte veçimin dialektor.

Sipas saj marrëdhëniet dialektore në Shqipëri janë zhvilluar sipas modelit të dytë, po në dallim nga gjuhët e tjera perëndimore, formimin e strukturës dialektore të shqipes ajo, po jo vetëm ajo, e vendoste gjatë katër shekujve të sundimit të Perandorisë Turke.

Pra, A. V. Desnickaja, në dallim nga gjuhët e tjera evropiane, e vendoste historinë e formimit të strukturës dialektore të shqipes gjatë katër shekujve të sundimit të Perandorisë Turke. Ajo  nuk e pranonte që njësitë dialektore të shqipes janë rezultat i pranisë së territoreve feudale relativisht të veçuara, që kanë pasur kufijtë e tyre politikë dhe popullsinë fshatare të qëndrueshme dhe që veçimi politik dhe ekonomik në periudhën e feudalizmit të ketë krijuar bazën për veçimin linguistik të njësive dialektore të shqipes.

Sipas A. V. Desnickajas për dialektologjinë shqiptare më pak mund të flitet për ekzistimin e dialekteve të territoreve të veçuara, se sa kur është fjala për studimin e disa gjuhëve të tjera të Evropës Njësia territoriale, me të cilën ka të bëjë dialektologjia dhe etnografia shqiptare, nuk është territori i vjetër feudal" shkruante ajo.

Sipas saj në periudhën e hershme të zhvillimit të shoqërisë feudale në Shqipëri (epoka e principatave shqiptare) nuk u krijuan kushte për formimin dhe stabilizimin e njësive dialektore diferencuara brenda kufijve të territoreve të veçanta feudale.

Kjo e ka çuar A. V. Desnickajan, jo vetëm ta përjashtojë historinë e formimit të shqipes dialektore nga ligjshmëria e zhvillimit të gjuhëve të tjera të Evropës Perëndimore, po edhe ta zhvendosë historinë e formimit të strukturës dialektore të shqipes në tërësi në periudhën e pushtimit osman.

Përfundimi në të cilin arrinte A. V. Desnickaja  ishte se tani për tani nuk mund të flasim konkretisht për ndikimin e drejtpërdrejtë të faktorëve të ndryshëm dhe të ngjarjeve të historisë së popullit shqiptar në konfigura­cionin e arealeve të përhapjes së dukurive të ndryshme gjuhësore.

Në dallim prej saj ne kemi formuar bindjen se historia e strukturës dialektore të shqipes, ashtu si historia e strukturës dialektore të  vendeve të tjera evropiane, është përcaktuar kryesisht nga copëtimi feudal i vendit, që ka kushtëzuar edhe veçimin dialektor të tij.

Për të konkretizuar e argumentuar mendimin tonë po lejohemi të analizojmë për së afërmi vetëm rolin e principatës së Kastriotëve në formimin e rajonit dialektor qendror në territorin e Shqipërisë së Veriut, të asaj që në dialektologjinë shqiptare njihet si "gegërishtja qendrore".

Siç dihet në pjesën qendrore të Shqipërisë së Veriut, në territorin që përshkohet nga lumi i Matit dhe degët e tij, Fani i Madh dhe Fani i Vogël, nga Drini i Zi dhe rrjedha e sipërme e Vardarit shtrihet një grup të folmesh që kanë disa tipare specifike, të ndryshme nga të gjitha të folmet e tjera të shqipes.

Si kufi verior i tyre shërben përafërsisht rruga automobilistike Vau i Dejës – Pukë – Kukës, Drini i Bardhë dhe Malet e Sharrit. Si kufi jugor i tyre shërbejnë lumi i Ishmit, Malësia e Tiranës, malet e Çermenikës dhe Struga.

Në lindje këto të folme shtrihen deri në afërsi të Shkupit e Kërçovës. Si kufi perëndimor shërbejnë deti Adriatik dhe Zadrima.    Në këtë njësi dialektore të shqipes bëjnë pjesë të folmet e Fushë-Krujës, të Krujës dhe të Malësisë së saj, të Mirditës, të Matit, të Lumës, të Dibrës si dhe pjesa më e madhe e të folmeve shqipe të Maqedonisë Perëndimore të sotme.

Si tipare kryesore dalluese të këtyre të folmeve kemi vlerësuar pesë tipare.

  1. zbërthimin e i-së së theksuar në diftongje dytësorë: ai, ęi, ëi, oi që dalin edhe si zanore të thjeshtë ę etj.: çatai çati, dhai dhi, shai shi; pręifta prifta, kufęini kufini, fęis fis; shpëi shtëpi, mëik mik, tepsëi tepsi; dhoi dhi, çatoi çati, shoi shi; shllęn shllin, męku miku, mtęni mtini etj. Në të folmet e tjera të shqipes i-ja e theksuar ruhet në të gjitha pozicionet;
  2. zanorja e y në një kategori fjalësh ka evoluar në i, ai, ęi, oi, ëi dhe në variantet me zanore të thjeshta: a, ę, o, ë, ö, ø: si sy, lip lyp, aill yll, fait fyt, fraim frymë, sai sy; fęit fyt, ftęir fytyrë, pęill pyll; fëit fyt, ëill yll, ftëir fytyrë, frëim frymë; atoine atyne, broil bërryl, foitas fytas, ftoira fytyra, atöne atyne, føti fyti etj. Në të folmet e tjera të shqipes, përjashtuar të folmet e ekstremit jugor të shqipes ku y ka përfunduar në i ose u, ruhet y-ja e theksuar në të gjitha pozicionet;
  3. grupet e bashkëtingëlloreve tj, dj kanë evoluar në q, gj, (ose ç, xh): qetër (çetër) tjetër, aqe (açe) atje, qetri (çetri), tjetri, gje (xhe) dje, gjal (xhal) djalë, gjep (xhep) djep etj. Në të folmet e tjera të shqipes grupet e bashkëtingëlloreve tj, dj ruhen (me ndonjë përjashtim në rrethin e Tiranës ku kanë kaluar në q, gj).
  4. bashkëtingëllorja g në shumicën e këtyre të folmeve ka prirje të kalojë në bashkëtingëlloren gj ose në xh: gjoj (xhoj) gojë, gjrua (xhrua) grua, gjrop (xhrop) gropë, lugja (luxha) luga, zagjar (zaxhar) zagar. Në të folmet e tjera të shqipes bashkëtingëllorja g ruhet.

Kjo dukuri nuk është vërtetuar në disa të folme shqipe të Maqedonisë perëndimore.

  1. veta e tretë njëjës e kohës së tashme së lidhores del me mbaresën -(j)e: ai t' kaloje të kalojë, t' punoje të punojë, t' filloje të fillojë, t' dale të dalë, t' marre të marrë etj. Bëjnë përjashtim e folmja e Krujës dhe e Malësisë së saj, si edhe të disa fshatrave të Malësisë së Dibrës, ku kjo formë foljore nuk ndeshet.

Tre nga këto pesë tipare të vlerësuara më sipër si tipare dalluese të të folmeve qendrore të Shqipërisë së Veriut ose të "rajonit dialektor qendror" janë relativisht të vjetra.

  1. Siç u vu re, krahas diftongjeve sekondarë (ai, ęi, ëi, oi) përdoren edhe variante me zanore të thjeshta (a, ę, ë, o). Kjo na ka shtyrë të mendojmë se ata burojnë nga njëri-tjetri.

Variantet me diftong janë më kryesoret dhe janë të përhapura në të gjitha folmet e këtij rajoni dialektor, kurse variantet me zanore të thjeshta a, ę, ë, o janë më të rralla dhe më pak të përhapura, madje ato në Mat dhe në Lurë, ku ndeshen më tepër, paraqiten si variante të kondicionuara të ai-së dhe ęi-s (vetëm në Gur të Bardhë ę paraqitet si variant i përgjithësuar i ęi).

Varianti ę i i-së, si variant i kondicionuar i ęi, përbën vetëm njërin nga stadet e diftongimit dhe jo zhvillim në vete, prandaj konstatimi i pranisë së ę-së si variant i i-së në këtë ose atë periudhë është i mjaftueshëm për të dësh­muar praninë e fenomenit të diftongimit në periudhën e dhënë.

Tagliavini, duke folur për kronologjinë e zbërthimit të i-së së theksuar, ka shkruar që diftongimi është një fenomen i ri provohet nga pjesëmarrja e elementeve sllavo-maqedone, p.sh. çatai çati, çivai çivi, kupain kupin. Na mendojmë se zhvillimi i fenomenit në këto fjalë nuk vërteton moshën e re të tij, përkundrazi ai së pari, vërteton se fenomeni vepronte në kohën kur u futën ato në këto të folme dhe së dyti tregon se atij i nënshtroheshin edhe fjalët e huaja, mjafton që theksi t’u binte mbi zanoren i.

Për vjetërsinë relative të këtij kalimi na shtyjnë të mendojmë toponimet Kroi Pręftjet në Gur të Bardhë dhe Prell në veri të Matit (besojmë nga Prill), që me 1640 është shkruar Preli ose më 1672 Prella, Prelia.

Edhe toponimi Balldre-ni (për ballë Drinit) në vitin 1610 është shkruar Baladreni, si edhe me 1671 Baladreno. Pra, duket se varianti i sotëm Balldre-ni është përhapë në formën që ndihej në Mirditë, formë që dokumentohet që më 1610. Për vjetërsinë e këtij fenomeni dëshmon edhe toponimi Merediti, që asht i vitit 1500, që besojmë se përfaqëson gjendjen fonetike të tij. Ky fakt na shtyn të mendojmë se fenomeni në vitin 1500 ishte i gjallë.

Për vjetërsi relative të këtij kalimi flet edhe Formula e Pagëzimit që është e vitit 1462: Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjulli në kishën e Shën Trinisë në Emathia (Mat) shkroi Formulën e Pagëzimit "Vnte paghesont premeit Atit et birit et spertit senit" (Unë të pagëzoj pr' emenit Atit e t’ Birit e t’ Shpertit shenjt). Pra, fjala shpirt është shkruar shpert, ashtu si dëgjohet edhe sot nëpër të folmet e Gegërisë së Mesme.

Pra, me sa duket, fenomeni i diftongimit të i-së së theksuar dhe kalimi i saj në drejtim të ę-së ishte i gjallë në fillim të shekullit XV.

Po si duhet shikuar ky fenomen nën dritën e veprës së Pjetër Budit që ishte prej Gurit të Bardhë të Matit? Në Gur të Bardhë është përgjithësuar kalimi i i-së në ę. Në veprën e Budit (1618) nuk haset kalimi i i-së ęi ose ę. Kjo nuk provon se fenomeni nuk ekzistonte në të folmet e "rajonit dialektor qendror" ose edhe në Gur të Bardhë; mundet që ai nuk e pasqyroi në veprën e tij këtë evolucion fonetik, meqenëse dihet se P. Budi ka shërbye 29 vjet rresht (1587-1615) te shqiptarët katolikë të Kosovës; në anë tjetër ka të ngjarë që Budi ndoqi një traditë letrare në të shkruar. Për këto arsye rezervohemi ta marrim veprën e Budit si shprehje të gjuhës së folur të "rajonit dialektor qendror" në shekullin e XVII.

  1. Siç u vu re, edhe zanorja y në të folmet e këtij rajoni dialektor në një kategori fjalësh ka evoluar në i, ai, ęi, ëi, oi dhe në variantet me zanore të thjeshta: a, ę, ë, ö, ø.

          Gjatë vështrimit të gjendjes së sotme të tingullit y në të folmet e rajonit dialektor qendror kemi konstatuar një përputhje të plotë të diftongjeve sekondare që vi­në nga tingulli y me diftongjet sekondare që vinë nga zbërthimi i i-se së theksuar. Veç kësaj përputhet plotësisht edhe shtrirja territoriale e secilit prej varianteve me diftong të y-së me shtrirjen territoriale të varianteve përkatëse të i-së.

Duke marrë shkas nga ky konstatim na duket se ka arsye të mjaftueshme të mendojmë se y-ja ka përfunduar në  diftongje nëpërmes të i-së. Kjo provohet edhe nga fakti se një pjesë e mirë e fjalëve që dalin me diftongje në perëndim, veri e lindje të rajonit dialektor qendror edhe sot e gjithë ditën në pika të veçanta vazhdojnë të ruajnë i-në: ftira, krip (G. Kalis), u pëlcie, do t’pitish (Z. Dardhe), rrip, me pit, kriet (Blinisht). Ne këto rrethana mendojmë se ka arsye të pranohet që evolucioni y > i      duhet të ishte kryer në kohën kur kishte marrë udhë diftongimi i i-së primare, përndryshe nuk ka si të shpjegohet fakti që këtij fenomeni ju nënshtruan edhe i-të që vinin nga delabializimi i y-së. Mirëpo më sipër, duke u mbështetur në të dhënat e toponimisë historike dhe të formula e pagëzimit, kemi provuar se diftongimi i-se primare në të folmet e "rajonit dialektor qendror" ka qenë i përhapur në mesin e shekullit XV. Kështu që duhet pranuar se kalimi i y se në i në këto të folme ka ndodhe para shekullit XV.

  1. Për vjetërsinë e kalimit të tj, dj q, gj na shtyn të mendojmë fakti që edhe në dialektet (arbëreshe – BB) të Molises dj-ja zëvendësohet nga g-ja në djali, fjalë që në Ururi dhe gjetkë përdoret me formën gjaleti. Po kështu thonë gjathë – djathë (në vend të djathë).

Shfaqja tek arbëreshët e Molises e këtij fenomeni si edhe e disa fenomeneve të tjera gege (monoftongu u për uo ose diftongu ue për uo si edhe monoftongu i për ie) nuk mund të shpjegohen me origjinën toske të këtyre të folmeve; këto elemente gege në këto të folme ndoshta shpjegohen me prejardhjen gege të një pjesë të popullsisë arbëreshe të Molises. Vetë Lamberci në hyrje të punimit të tij shkruante: lokaliteti i Ururit u dëmtua veçanërisht rëndë prej tërmeteve deri sa tërmeti i madh i vitit 1456 (5 dhjetor) e rrënoi krejt. Dy vjet ma vonë vjen Skënderbeu në Itali; ata shqiptarë që nuk u kthyen më në atdhe bashkë me të u pritën me gëzim në këto vise të shkretuara.

Pra, ndoshta fenomenet gege që përmendëm, si edhe palatalizimi i grupit të bashkëtingëlloreve dj gj në Molise mund të shpjegohen me përzierjen e popullsisë toske me elemente gege të ardhura nga krahinat e Gegërisë së Mesme në kohën e Skënderbeut.

          Për vjetërsinë e dy dukurive tjera të të folmeve të "rajonit dialektor qendror" nuk kemi të dhëna, po duke u nisur nga shtrirja e tyre pak a shumë e njëjtë me atë të tri dukurive të para, të vlerësuara si të periudhës para shekullit XV, mund të thuhet se edhe këto duhet të jenë zhvilluar pak a shumë në të njëjtën kohë.

Zakonisht shkaku i shfaqjeve të karakteristikave gjuhësore të për­bashkëta në një territor të caktuar është ekzistenca në atë territor për një kohë pak a shumë të gjatë e lidhjeve politike, ekonomike dhe kulturore midis popullsisë. Për këtë arsye jemi ndalur në vështrimin e lidhjeve administrative e politike në këtë territor në shekullin e XV.

Në këtë kohë në territori e "rajonit dialektor qendror" shtrihej principata e Kastriotëve.

Fillimisht kemi konstatuar që kufijtë e përhapjes territoriale të zbërthimit të i-së dhe y-së së theksuar si edhe të palatalizimit të grupeve të bashkëtingëlloreve tj, dj përkatësisht në q, gj, po edhe të  palatalizimit të g-së në gj gati përputheshin me kufijtë e principatës së Kastriotëve. Kufiri i principatës së Kastriotëve në bregdet shtrihej prej afërsive të Lezhës dhe deri te Kepi i Rodonit, prej Kepit të Rodonit, kufiri kalonte në lindje, duke përfshirë kështjellën e Petrelës e duke lënë jashtë Çermenikën, dilte në Sfetigrad në lindje të Dibrës së Sipërme, kalonte në afërsitë e Gostivarit e vazhdonte deri në periferi të Prizrenit. Mendohet se Mirdita ishte pronë e Kastriotëve dhe jo e Dukagjinasve të cilët në shekujt e XIV-XV sundonin kra­hinën në mes lumenjve Drin dhe Fan përfshirë Lezhën.

Pikërisht në krahinat poshtë Fanit, ku sundonin Kastriotët, zbërthimi i i-së dhe y-së së theksuar, si edhe palatalizimi i grupeve të bashkëtingëlloreve tj, dj përkatësisht në q, gj, po edhe palatalizimi i  g-së në gj janë të dendura, kurse në krahinat midis Fanit e Drinit, ku nuk shtrihej principata e Kastriotëve ata ose nuk hasen fare, si në Zadrimë, Lezhë, Pukë. Pra, ka të ngjarë që formimi i principatës së Kastriotëve në territorin e Gegërisë së Mesme të ketë ndihmuar në përhapjen e këtyre fenomeneve në të gjithë territorin e bashkuar ekonomikisht e politikisht.

Kastriotët, sipas të dhënave të Gjon Muzakës, në fillim kishin në zotërim të vet vetëm dy katunde Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm që ndodheshin në luginën e Dibrës (në pjesën veriore). Gjon Kastrioti në fund të shekullit të XIV duke përfituar nga dobësimi dhe çthuarja e principatave shqiptare e shtriu sundimin e vet në krahinën e Dibrës, pastaj në atë të Matit dhe në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XV doli në viset bregdetare.

Pranohet se kufiri i principatës së Kastriotëve shtrihej në lindje deri në afërsitë e Gostivarit; sipas Nolit edhe krahina e Tetovës hynte nën ndikimin e Kastriotëve, prandaj ka arsye të pranohet se diftongimi edhe në krahinat lindore të Gegërisë së Mesme deri afër Shkupit është përhapur nga territori dibran.

Pikëpamja jonë për rolin e principatës së Kastriotëve në formimin e të folmeve të "rajonit dialektor qendror" është kundërshtuar nga A. V. Desnickaja me argumentin që është vështirë të pranojmë që inovacionet fonetike të Gegërisë së Mesme ose të "rajonit dialektor qendror", përfshirë edhe diftongimin e i-së së theksuar, të kenë lindur para shekujve XVI-XVII.

Mirëpo E. Çabej më 1967, ka pranuar se  hapja e i-së së theksuar në e, një dukuri me të cilën lidhet m’ anë tjetër diftongimi i kësaj i-je në ei, ai, paralel me atë të u-së së theksuar në ou në gegëri­shten e mesme e lindore (mirë: mejr, majr, e shtunë: e shtoyn), në krahinën e Matit u arrit vonë-vonë, jo më vonë se në gjysmë të shekullit të 15, meqë në Formulën e pagëzimit të vitit 1462 shprehja të shpirtit shenjt paraqitet me trajtën të shpertit shenjt.

Botuar sot në Dita

Zyrtari i DASH: Lu ikën në verë, politikat e SHBA-së në Shqipëri s’ndryshojnë

Posted: 19 May 2018 01:52 AM PDT

Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan në detyrë, Mathew Palmer deklaron se ambasadori aktual amerikan, Donald Lu, do të largohet nga Shqipëria në verë.

I pyetur nga Mapo mbi ndryshimin e mundshëm të politikës së SHBA ndaj Shqipërisë, Palmer përgjigjet se përparësitë e politikës së Uashingtonit do të jenë të njëjta.

Si të tilla ai liston mbështetjen e reformës së gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ndaj ekstremizmit të dhunshëm.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit thotë se për emrin e ambasadorit të ri duhet pyetur në Shtëpinë e Bardhë.

o.j/dita

Nuk përdoreshin që nga 1843, ja titujt që marrin Meghan dhe Harry

Posted: 19 May 2018 01:47 AM PDT

Princi Harry dhe Meghan Markle do të bëhen Duka dhe Dukesha e Sussex-it kur të martohen ditën e sotme.

Mbretëresha ka dhënë këto tituj për nipin e saj dhe nusen e tij. Meghan do të bëhet kështu Dukesha e parë e Sussex-it në histori, ndërsa Princi Harry do të jetë Duka i parë i Sussex-it pas 175 vitesh.

Në këtë mënyrë, ish-aktorja amerikane Meghan Markle do të quhet tashmë Lartmadhëria e Saj Dukesha e Sussex-it.

Turma të mëdha njerëzish janë grumbulluar në Ëindsor për të qenë dëshmitarë të martesës mbretërore mes Princit Harry dhe Meghan Markle.

Rreth 100 000 persona pritet që të qëndrojnë anës rrugëve, me shpresën se do të shohin sadopak çiftin e lumtur.

600 të ftuar do të jenë të pranishëm në martesë, në kishën St George. 1200 persona janë ftuar në oborrin e Kështjellës Ëindsor, ndërsa miliona të tjerë do ta ndjekin nëpërmjet televizionit.

o.j/dita

AKU bllokon 1 ton mish në Elbasan, dyshohet i kontaminuar

Posted: 19 May 2018 01:37 AM PDT

AKU ka bllokuar në Elbasan një biznes i cili tregtonte produkte mishi pa etiketë dhe pa licencë nga QKL.

"Nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, u referuan materialet hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për shtetasin E.L, 42 vjeç, banues në lagjen "5 Maji", Elbasan, për veprën penale "Prodhimi i kundraligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë", thotë njoftimi zyrtar.

Nga kontrolli i ushtruar nga policia në bashkëpunim me AKU, në lagjen "5 Maji", në biznesin e 42-vjeçarit i cili tregton e përpunon produkte mishi, ka rezultuar se ky subjekt tregtonte e përpunonte produkte mishi i pa pajisur me liçensë nga QKL, si dhe pa etiketë produkti.

Në këtë subjekt u bllokuan nga specialistët e AKU, 978 kg mish derri, 3840 kg kofshë pule, 3920 kg fileto pule, 37 kg mish viçi, 111 kg qofte dhe 645 kg gjiro gici, produkt i gatshëm, për analiza të mëtejshme pasi dyshohen si të kontaminuara.

o.j/dita

Vokshi: Rama shantazhon kur nuk blen dot

Posted: 19 May 2018 01:29 AM PDT

Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, njëkohësisht dhe kryetarja e komisionit të medias, në një deklaratë publike tha se Rama shantazhon kur nuk blen dot.

Ajo iu referua incidentit të djeshëm me gazetaren në konferencën për shtyp, e cila u bë shkak për ndërprerjen e konferencës.

"Një kryeministër që shantazhon kur nuk blen dot, që kërcënon për të mbuluar pafuqinë e tij, që largohet kur nuk përballet dot me të vërtetën. E vërteta është se Edi Rama e ka lënë sigurinë e shqiptarëve në dorën e krimit të organizuar, e vërteta është se Edi Rama shtantazhon mediat e gazetarët që e përballin publikisht me realitetin e bashkëqeverisjes së tij me krimin, duke rrëzuar fasadën e shndritshme që i kushton shqiptarëve qindra milionë euro", tha Vokshi.

o.j/dita

Meta jep mesazhe të forta: Nuk jemi më komb jetim, pranë BE-së dhe…

Posted: 19 May 2018 01:09 AM PDT

Presidenti Ilir Meta, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, organizoi një pritje me fëmijë dhe të rinj jetimë, në kuadër të 20 majit, "Dita Kombëtare e Jetimëve".

Meta zhvilloi një bisedë të ngrohtë me fëmijët dhe të rinjtë e pranishëm, duke ju shprehur mbështetjen e tij të pakursyer, teksa vlerësoi edhe sloganin që kishin zgjedhur: 'Shqipëria pa jetimë edhe më pranë BE-së'.

Kreu i Shtetit tha se që kur ka marrë detyrën si President i Republikës e ka bërë të qartë që kujdesi ndaj fëmijëve jetimë do të jetë prioritar.

Në fjalën e tij gjatë këtij aktiviteti, Presidenti Meta u shpreh:

"Që kur kam marrë detyrën si President i Republikës e kam bërë të qartë që kujdesi ndaj fëmijëve jetimë do të jetë prioritar. Ju me të drejtë keni sjellë me vete edhe sloganin 'Shqipëria pa jetimë edhe më pranë BE-së'. Besoj që kjo është një gjetje shumë domethënëse dhe e mençur.

Ne në fakt kemi qenë një komb jetim për një kohë të gjatë derisa kemi gjetur veten dhe besoj se tani nuk jemi një komb i tillë, jemi një komb shumë më i sigurt për të ardhmen e tij. Jemi anëtarë në NATO, jemi pranë Bashkimit Evropian dhe shpresojmë të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian.

Natyrisht që BE ka parime shumë të rëndësishme demokratike, shoqërore, njerëzore, të cilat kanë të bëjnë me përfshirjen sociale, me integrimin shoqëror dhe me detyrimin e shoqërisë për t'u kujdesur për çdo individ, aq më tepër për çdo fëmijë.

Është e rëndësishme që të shohim modelet më të mira, të cilat vijnë nga kjo përvojë dhe ne kemi pasur rastin gjatë nëntorit të kaluar të organizojmë një javë në solidaritet me fëmijët jetimë, me shumë aktivitete të ndryshme, ku kishim ftuar edhe personalitete të shquar të shoqërisë, të kombit, të kulturës, të sportit, të shkencës, të cilët në të kaluarën kanë qenë fëmijë jetimë, ndërsa falë karrierës së tyre janë tashmë një frymëzim për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë e talentuar.

Besoj se këto shembuj duhen patur në konsideratë, pasi është tepër e rëndësishme që ju, jo vetëm të mos ndiheni të përjashtuar, por secili prej jush sipas prirjes dhe aftësisë të synojë të shkëlqejë në çdo fushë ku ka një prirje.

Puna që është bërë gjatë këtyre viteve në mbështetjen dhe përkrahjen e fëmijëve jetimë ka qenë një punë e mirë, me përkushtim, me modele shumë pozitive, të cilat tregojnë që ne jemi një shoqëri që po merr gjithnjë e më shumë përgjegjësi sociale por që ka ende nevojë ta forcojë këtë dimension social dhe njerëzor.

Sigurisht, që duhet të marrim më shumë përgjegjësi për të krijuar një ambient më të sigurtë, më frymëzues e më angazhues për të rinjtë e për fëmijët që ëndrrat e tyre t'i shohin të realizueshme pikërisht në këtë mjedis”.

o.j/dita

Aprovohet ilaçi i parë që parandalon migrenën

Posted: 19 May 2018 01:03 AM PDT

Aprovohet në SHBA medikamenti i parë që parandalon migrenën. Në fazën e eksperimentimit, ky ilaç rezultoi efikas në 30% të pacientëve, bën të ditur Food and Drug Administration.

Produkti ka një bazë principi aktiv erenumab, që është një antitrup monoklon njerëzor. Ilaçi do të merret nëpërmjet injektimit një herë në muaj dhe është i pari i kësaj kategorie që merr aprovimin e Autoritetit Amerikan për Mjekimet.

Eksperimentet e fundit u kryen para një muaji nga American Academy Of Neurology dhe në 30% të pacientëve patën rezultate pozitive. Për ta, pas marrjes së ilaçit, ditët me migrenë u pakësuan deri në 50%.

Sipas statistikave, rreth 14% e popullsisë në botë vuan nga migrena, që karakterizohet nga dhimbje të forta koke.

o.j/dita

Promovohet dokumentari “Sofja-Tirana”

Posted: 19 May 2018 12:54 AM PDT

Konsullata e Nderit dhe Ambasada e Bullgarise në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, kanë promovuar para pak ditësh në Qëndrën Multimediale TEN në Tiranë, dokumentarin  "Sofja-Tirana" me autorë bullgare: regjia Valentina Kollarova dhe skenari nga prof. Zllatimir Kollarov, të cilët ishin të pranishëm në këtë event artistik.

Ishin të pranishëm diplomatë të ambasadës së Bullgarisë në Tiranë, deputetë, petagogë, gazetarë, miq të bullgarise, student të tanishëm të gjuhës bullgare në Tiranë, por edhe ata që kanë mbaruar në Bullgari ne vitet 60, përfaqësues nga Komiteti Shteteror i Minoriteteve, etj.

"Duke ju falenderuar për praninë tuaj, dua të them se kishim një mendim që këtë ceremoni ta zhvillonim më parë, mase edhe në fund të vitit që kaloi apo në fillim të këtij viti. Pastaj, thamë më mirë në kapërcim të pranverës dhe në fillim të verës. E lamë në maj, sot më 7 maj. Menduam për disa arsye: më 3 maj, para katër ditësh ishte Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, pas katër ditësh, më 11 maj bullgarët nderojnë kujtimin e Vëllezërve të shenjtë Kiril dhe Metod-krijuesit e alfabetit bullgar. Por ky vit përkon me Presidencën Bullgare të BE dhe Samiti i Sofjes BE-Ballkani Perëndimor do zhvillohet më 16 dhe 17 maj ne Sofje, ku Bullgaria në këtë Samit do shpalosë programin për mbështetjen e plotë për integrimin e rajonit në Bashkimin Europian. Ndaj, na duket, se edhe dokumentari "Sofja-Tirana" është në kohën e duhur dhe në kahjen e duhur, si një mikro Samit, për kulturen, dijen, bashkëpunimin njerëzor midis vendeve tona", tha në hapje të aktivitetit z.Selim Hoxhaj, Konsull Nderi i Republikës së Bullgarisë në Shqipëri.

Më pas të ftuarit ndoqën me interes filmin dokumentar "Sofja-Tirana".  Gjithçka është shkrirë në afrimin e njerëzve të dy vendeve, ku në qëndër janë vështirësitë e fillimit të tranzicionit në vitet 90', të shprehura në punën dhe pengesat që duhej të kapërceheshin nga dy biznesmenë në punën e tyre, ku njeri është bullgar dhe tjetri shqiptar. Iniciatori i këtij aktiviteti, zoti Selim Hoxhaj është personazh i këtij dokumentari. Personazhe te dokumentarit janë edhe familjarë, studentë, kuadro që kanë studjuar në vitet 60' në Bullgari, si prof. Llazar Haxhinasto, apo biznesmenë të cilët kanë marrëdhënie tregtare me Bullgarinë si Artan Stroka.

E tërë kjo, në filmin dokumentar "Sofja-Tirana" vendoset në plan më të gjërë, ku trajtohet historia e lashtë që nga Ilirët, Skënderbeu, e deri në ditët e sotme në përpjekjet për integrimin europian, ku spikat sipas autorëve harmonia fetare, energjia për punë, dije dhe kulturë, etj. për t’u mbyllur me mesazhin se pengesat kapërcehen kur njerëzit afrohen më shumë, njohin më mire, dhe paragjykojnë më pak njeri tjetrin.

Më pas pati diskutime lidhur me dokumentarin dhe sidomos me mesazhin që ai përcjell.  Sipas skenaristit prof.Zllatimir Kollarov,"ishte pikërisht takimi i parë, për arsye shendetësore, me një shqiptar në klinikën time në Sofje, miqësia që krijuam, ato që nxiten tek unë ngacmimin e parë për të shtjellur më gjërë çdo gjë në këtë dokumentar të cilin e sollëm ketu, ku prania juaj  të nderuar, është një sadisfaksion për ne".

Ndërsa regjizorja e njohur  bullgare Valentina Kollarova, tha se "kam ndjere kënaqësi të veçantë në realizimin e këtij filmi dokumentar, madje sa herë xhiroja në Tiranë më dukej sikur isha në Sofje dhe sa herë xhiroja në Sofje, ndjehesha si në Tiranë, ndaj titulli "Sofja'Tirana" na u duk një sistetizim i kësaj gjëndjeje positive shpirtërore".

Konsulli Hoxhaj në rolin e moderatorit të aktivitetit tha se: "në konfidencialitet po ju them se autorët Kollarov, para se të jenë bashkëutor, ata janë bashkëshortë dhe se ky krijim artistik nuk është i vetmi që kanë realizuar, paçka se në profesion janë ku e ku larg me njeri tjetrin. Valentina Kollarova është regjizore e njohur e filmit dokumentar në Bullgari, kurse prof.Zllatimir është me profesion mjek, reamotolog nga më të njohurit në Bullgari, por siç thotë ai në një intervistë për shtypin bullgar "jetoj midis dy botëve paralele-si shkrimtar dhe si mjek dhe këto dy botë janë të lidhura organikisht". Me krijimet e tyre ata kanë marrë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare".

Bashkëautorët Kollorov në punën e tyre krijuese, kapin spontanitetin, të zakonshmen, atë që të ofron momentaliteti dhe pastaj e mbushim këtë bërthamë me material jetësor, substancial, duke krijuar vepër artistike. Kështu ka ndodhur me filmin dokumentar "Pertej kërcimit" që u prezantua në Sofje vitin që kaloi, por edhe  në filmin dokumentar "Sofja-Tirana" që u transmetua në Tiranë.

"Por, tha moderatori Hoxhaj, me inisiativë dhe mbështetje të Konsullatës sonë janë pergatitur dhe transmetuar  nga RTSH tre dokumentare si: "Një vizitë tek miqtë e vjetër", "Në bullgari ku flitet shqip", "Çfarë i bën dy popuj fqinjë", me skenar dhe regji të Engjëll Ndocaj, ku për tekstet punuan gazetarët e njohur Ded Kola dhe Ylli Pata.

I pranishëm, Engjell Ndocaj, autori i mbi 100 filmave dokumentarë dhe qindra emisioneve televizivë në RTSH u shpreh me konsiderata për dokumentarin Sofja-Tirana. "Unë e kam parë në proces realizimin dokumentarit, madje edhe gjatë montimit në Sofje, në shtëpinë e autorëve  dhe shkëmbyem mjaft mendime të aspektit professional".

Adela Pashkova e ngarkuara me punë e Ambasadës bullgare, vlerësoi punën e bërë për realizimin e këtij filmi-dokumentar dhe u shpreh se krijime të tilla luajnë rol pozitiv në afrimin midis dy popujve tanë".

Në fjalën e tij, Edmond Spaho, Kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Bullgari, u shpreh se "marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bullgarisë janë shumë pozitive dhe se Bullgaria ka qënë gjithnjë mbështëse për Shqipërinë drejt integrimit në strukturat Euroatllantike si NATO, Bashkimi Europian etj".

Kostandina Bezhani, kryetare e Komitetit Shtetëror të Minoriteteve, u shpreh për punën që po bën Komiteti që ajo drejton dhe ndihej e kënaqur se edhe komuniteti bullgar me ligjin e vjetshëm është bërë pjesë e komuniteteve të tjera në Shqipëri. "Ne po punojnë për hartimin e akteve  nënligjore dhe komuniteti bullgar do të këtë përfaqësuesin e vet në  Komitetit Shtetëror të Minoriteteve".

Kurse Abaz Hado, nenkryetar i Bashkisë Tiranë, njekosisht piktor i njohur, i joshur nga realizimi i dokumentarit "Sofja-Tirana", i ftoi autorët bullgare të vijnë përsëri dhe të realizojnë një dokumentar tjetër, sepse Tirana, ka ndryshime marramendëse dhe është vështirë ti kapësh ato.

b.m. / dita

 

Dasma që bashkon dy botë

Posted: 19 May 2018 12:54 AM PDT

Turma të mëdha njerëzish janë grumbulluar në Windsor për të qenë dëshmitarë të dasmës mbretërore mes Princit Harry dhe amerikanes Meghan Markle.

Rreth 100 000 persona pritet që të qëndrojnë anës rrugëve, me shpresën se do të shohin sadopak çiftin e lumtur.

600 të ftuar do të jenë të pranishëm në martesë, në kishën St George. 1200 persona janë ftuar në oborrin e Kështjellës Windsor, ndërsa miliona të tjerë do ta ndjekin nëpërmjet televizionit.

Ajo që ka rënë në sy në janë forcat e shtuara të policisë. Snajperë në tarraca, ushtarë të armatosur që patrullojnë rrugët, por jo vetëm. Mediat shkruajnë se gatishmëria është e lartë mes policisë, ushtrisë dhe shërbimeve të fshehta për të parandaluar sulme të mundshme gjatë ditës së madhe të Harry dhe Meghan.

Kjo dasmë po përjeton një mbulim mediatik të paprecedent, për shkak edhe të problemeve të familjes së nuses dhe origjinës së saj.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more