Skip to main content

“Modë, siguria absolute vjen nga… e bardha” plus 9 more Gazeta SHQIP

“Modë, siguria absolute vjen nga… e bardha” plus 9 more Gazeta SHQIP


Modë, siguria absolute vjen nga… e bardha

Posted: 21 May 2018 01:15 AM PDT

Është simbol i pastërtisë dhe pafajësisë, por edhe imazh i elegancës së përhershme. Ngjyra e bardhë është pasaporta e vërtetë e stinës së bukur.

Është ideale gjithashtu, sepse duke pasqyruar rrezet e diellit, ndihmon në rregullimin e temperaturës së trupit, duke na mbajtur të freskët dhe duke nxjerrë më në pah ngjyrën e artë të plazhit; thjeshtësia e saj shkëlqyese është garanci e klasit që karakterizon stilin e vërtetë.

Stilistë e kanë propozuar në një mijë mënyra: nga look-u total, i thjeshtë dhe i përsosur, deri në kombinime nga më të ndryshmet. Për më tepër, e bardha është ngjyra më gjithanshme, të cilën kushdo mund ta interpretojë me mënyrën e vet.

Stilistët kanë shpërfaqur shumë veshjet totale të bardha në javët e ndryshme të modës, por në qoftë se druhemi nga efekti “akull” ose akoma më keq, nga look-u si “infermiere”, mund ta thyejmë rezultatin e përgjithshëm, duke e kombinuar atë me të zezën në një kombinim gjithmonë super-klasik, ose me çfarëdolloj ngjyre tjetër.

Blerja e një këmishe, një palë pantallonave apo një fundi me këtë ngjyrë, por qoftë edhe një kuletë, një palë sandale ose edhe një palë syze me një kornizë të bardhë, është një investim i sigurt dhe garanci për një veshje që mund ta shfrytëzojmë në mijë mënyra dhe në shumë situata të ndryshme.

Një nga stilistët që ka promovuar temën 'White' me më shumë forcë është Chanel, që ka prezantuar një seri veshjesh përfshirë bluza, funde, xhaketa të çdo gjatësie dhe forme, por gjithnjë me shumë feminilitet.

Këtë vit, e bardha gjendet edhe tek takat e çizmeve transparente të lëkurës që do të karakterizojnë gjithë koleksionin pranvere-verë.

E bardha me tonet e panës gjendet edhe në koleksionin e Laura Biagiotti, ndërsa Louis Vuitton ka zgjedhur të bardhën e pastër absolute të kombinuar ndoshta me nuanca të blusë. E njëjta zgjedhje edhe për Roberto Cavalli, ndërsa Valentino ka zgjedhur nuancat e të bardhës së akullt për një efekt super të rafinuar.

21 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Rriten temperaturat, rrebeshe shiu pasditen e sotme

Posted: 21 May 2018 01:13 AM PDT

Pjesa e parë e ditës mbetet me kthjellime e vranësira të herë pas hershme më të shpeshta në zonat lindore.

Pasditja fuqizon vranësirat duke sjellë rrebeshe shiu thuajse në të gjithë vendin por vijon me kthjellime dhe vranësira në jugperëndim.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare, ndërsa temperaturat e ajrit rriten lehtë në mëngjes dhe gjatë mesditës, duke variuar nga 11 në 31 gradë Celcius.

21 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Ardi Veliu shkon te Krimet e Rënda, takon Donika Prelën

Posted: 21 May 2018 01:08 AM PDT

Java që sapo ka nisur pritet të jetë e mbushur me zhvillime nga politika dhe në lojë do të hyjnë organet ligjzbatuese, të cilat do të japin verdiktin e tyre për audio-përgjimin e publikuar nga PD, ku personazhe janë Agron Xhafaj dhe Albert Veliu.

E teksa pritet që tre zyrtarë të PD, Ervin Salianji, Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi të dëshmojnë më Prokurori lidhur me denoncimet nga selia blu dhe audio-përgjimin, në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda është ndalur fillimisht Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu.

Veliu ka zhvilluar një takim me drejtuesen e sapoemëruar të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.

21 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Vlora lëkundet sërish, tërmete të vogla gjatë natës

Posted: 21 May 2018 01:02 AM PDT

Vlora është lëkundur sërish nga tërmetet, ku sipas EMSC-së, janë me magnitudë rreth 2 deri në 3 Ballë të shkallës Rihter dhe disa prej tyre kanë pasur epiqendër në detin Adriatik.

Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë në fshatrat Bashaj, Matogjin dhe Vërmik. Sipas banorëve të fshatit Bashaj, lëkundje ka pasur dhe gjatë orëve të natës dhe në orët e para të mëngjesit, duke përhapur panik.

Edhe vetë banorët thonë se tërmetet kanë qenë më të vogla se të parat, por janë frikësuar sërish duke kaluar natën jashtë.

21 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Wen Xiaoting ‘mahnit’ Fassonen (Foto)

Posted: 21 May 2018 01:00 AM PDT

Gjysma e Milanos, ajo zikaltër është në festë pas sigurimit të pjesëmarrjes në Champions, ndërsa pjesa kuqezi duhet të mjaftohet me Europa Leaguen, pas një sezoni të nisur shumë keq.

Gjithsesi Milani duket se po vijon punën për të gjetur mundësi të reja bashkëpunimi dhe për të krijuar një soliditet financiar, që do ta ndihmojë të rikthehet aty ku e ka vendin, mes më të mirave të Europës.

Së fundi kuqezinjtë kanë nënshkruar një partneritet me grupin kinez Zicheng Enterprise Group Investment, ndërsa për ta konkretizuar këtë marrëveshje, ka qenë në Milano Wen Xioaoting.

Kjo e fundit është vajza e presidentit të grupit që zotëron edhe skuadrën kineze të futbollit, Guizhou Hengfeng, ndërsa në fjalën e saj zyrtare pas nënshkrimit të marrëveshjes, duket se ka 'mahnitur' edhe Marco Fassonen.

21 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Akuza: Londra “e verbër” përballë parave të pista ruse

Posted: 21 May 2018 12:58 AM PDT

Britania e Madhe është akuzuar së fundmi se ka bërë "një sy qorr e një vesh shurdh" përballë investimeve me “parave të pista” nga ana e oligarkëve të Rusisë, të cilët kanë vënë në rrezik sigurinë kombëtare.

Akuzat e forta vijnë nga Komiteti për Çështjet me Jashtë i Dhomës së Ulët të Parlamentit britanik, në raportin e të cilit shkruhet se Londra po përdoret për të fshehur asetet e korruptuara të Presidentit Vladimir Putin dhe aleatëve të tij.

Në deklaratë thuhet se me paratë e pista ruse bëhet “biznes si zakonisht” në Britaninë e Madhe, pavarësisht helmimit të ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij. "Kjo ka minuar përpjekjet e Britanisë së Madhe për të përballuar spektrin e plotë të masave ofensive të Presidentit Putin", nënvizohet në deklaratë.

“Reagimi letargjik i Britanisë së Madhe po merret si provë se nuk guxojmë t’i ndalim ata … Tregjet e Londrës po mundësojnë përpjekjet ekspansioniste të Kremlinit”, shkruante në Sunday Times kryetari i komisionit dhe deputeti konservator Tom Tugendhat, përpara publikimit të raportit.

Ministri i Sigurisë dhe i Krimit Ekonomik, Ben Wallace, tha se ai nuk ishte thirrur të jepte dëshmi për komitetin. Wallace tha se Mbretëria e Bashkuar ishte “e vendosur për të përzënë paratë e pista dhe pastruesit e parave”.

“Ne do të përdorim të gjitha fuqitë që kemi, duke përfshirë fuqitë e reja në Aktin e Financave Penale, për të shtypur ato që kërcënojnë sigurinë tonë”, shtoi ai.

Ndërkohë Tungendhat tha se ministrat duhet të hetojnë “boshllëqet” në regjimin e sanksioneve që i lejon qeverisë ruse dhe individëve të lidhur me Presidentin Putin të vazhdojnë të hedhin fonde në qytet.

Raporti, i quajtur "Ari i Moskës, korrupsioni Rus në Mbretërinë e Bashkuar", thekson se gjigandi rus i gazit Gazprom ishte në gjendje të tregtonte obligacione në Londër disa ditë pas tentativës për vrasjen e Skripal dhe vajzës së tij.

“Mbretëria e Bashkuar duhet të jetë e qartë se korrupsioni që rrjedh nga Kremlini nuk është më i mirëpritur në tregjet tona dhe ne duhet të veprojmë”, tha Tugendhat.

21 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Në Parkun e Madh ka kosha për mbeturinat, por qytetarët i hedhin përtokë (Foto) 

Posted: 21 May 2018 12:47 AM PDT

Pak javë më parë Liqeni Artificial i Tiranës mori çmimin "Flamuri i Bardhë" si një certifikim i pastërtisë së ujit dhe basenit të sigurt. Por që ky nivel vlerësimi të rikonfirmohet sërish në vjeshtë është e domosdoshme që jo vetëm ndërmarrjet e bashkisë të kujdesen çdo ditë për mirëmbajtjen dhe pastërtinë e tij, por më së shumti kërkohet edhe kujdesi i qytetarëve për të mbajtur pastër ambientin dhe për t’i hedhur mbeturinat në vendet e caktuara.

Siç shihet edhe nga fotot, pavarësisht punës së përditshme dhe mesazheve ndërgjegjësuese, punonjësit e APR-së vijojnë të nxjerrin çdo ditë nga liqeni masa pa fund mbeturinash urbane që qytetarë të papërgjegjshëm vijojnë t’i hedhin në ujë. E njëjta situatë vërehet çdo ditë edhe në investimet e tjera të kryera në një sërë objektesh në Parkun e Liqenit, ku qytetarët çdo mbetje të produkteve që konsumojnë e hedhin në tokë.

Një situatë kjo që tregon se të investosh për të përmirësuar infrastrukturën dhe rritur aksesin në Parkun e Madh të Liqenit është njëra gjë, ndërkohë që për mirëmbajtjen duhet puna dhe angazhimi i të gjithë aktorëve, si ndërmarrjeve bashkiake ashtu edhe i qytetarëve.

"Në Parkun e Madh ka plot kosha mbeturinash. Duhet vetëm 1 përpjekje nga Ju! Të mbani mbeturinat e t'i hidhni te koshi më i afërt! Jo në tokë, jo në liqen, jo kudo në ambient! Ne pastrojmë, çdo ditë, por ky mision është i pamundur pa mirësjelljen Tuaj!", shkruan APR ne faqen e saj ne Facebook.

21 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Korrupsion e pastrim parash, 21 të arrestuar në Itali

Posted: 21 May 2018 12:41 AM PDT

Njëzet e një persona u arrestuan në Monza të Italisë nga policia financiare në bazë të një urdhër-arresti të gjykatësit hetues të Lombardisë për konspiracion fiskal, mashtrim financiar, transferim mashtrues të aseteve, pastrim parash dhe korrupsion.

Në mesin e të arrestuarve janë ish-gjyqtar dhe dy avokatë. Arrestimet erdhën pas hetimeve të gjata, që lidhen me denoncimin nga një qytetar në provincën e Monzas dhe Brianzas. Ai kishte denoncuar parregullsi të dyshuara në kryerjen e disa veprave publike dhe zyrtarët publikë u raportua se kishin marrë ryshfet.

Policia financiare e Monzas çmontoi kështu një grup kompanish kriminale në lidhje me një kontraktor ndërtimi nga Kalabria, Giuseppe Malaspina, i cili jeton në Brianza. Kalabrezi është i akuzuar ndër të tjera, për lëshimin e faturave për transaksione joekzistuese për një shumë prej rreth 95 milionë euro, me ndërprerje të kapitalit për një vlerë prej 234 milionë euro.

21 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

FBI nën hetim, dyshohet se infiltroi spiun në fushatën e Trump

Posted: 21 May 2018 12:25 AM PDT

Departamenti amerikan i Drejtësisë do të hetojë nëse agjentët e FBI spiunuan fushatën zgjedhore të Presidentit Donald Trump në 2016 për “qëllime të papërshtatshme”. Në një cicërimë në Tëitter, Trump tha se donte të dinte nëse administrata e paraardhësit të tij urdhëroi një veprim të tillë.

Thirrja vjen pasi raportet e medias amerikane sugjerojnë se FBI përdorte një ndihmës të fushatës për mbledhjen e informacioneve.

Zëvendës/Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Rod Rosenstein tha se veprimi do të merret ndëshkim penal nëse do të gjendet ndonjë provë për infiltrim të mundshëm.

“Nëse dikush është infiltruar ose mbikëqyrur pjesëmarrësit në një fushatë presidenciale për qëllime të papërshtatshme, ne duhet ta dimë dhe të ndërmarrim masat e duhura”, tha Rosenstein në një deklaratë.

Cili është qëllimi i hetimit?

Ekziston një hetim në të gjitha aspektet që ka të bëjnë me fushatën e Trump për zgjedhjet e vitit 2016 dhe nëse Rusia u përpoq të ndikonte mbi rezultatin. Kërkesa e fundit e Trump erdhi mes një serie postiqesh të dielën, ku u denoncua një “gjueti shtrigash”.

Kjo i referohet hetimeve në vazhdim të udhëhequra nga avokati special Robert Mueller në përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016, nëse ka pasur ndonjë bashkëpunim midis Kremlinit dhe fushatës zgjedhore të zotit Trump dhe nëse presidenti u përpoq në mënyrë të paligjshme që të pengonte hetimin.

Trump ka sulmuar vazhdimisht hetimin e Mueller. Ai akuzoi FBI-në të premten se kishte dërguar një spiun në ekipin e tij të fushatës.

New York Times shkroi një artikull ku thuhet se në të vërtetë kishte një informator të FBI-së – identiteti i të cilit nuk u zbulua – që ishte dërguar për të folur me ndihmësit e fushatës, por vetëm pasi FBI kishte pranuar raporte për “kontakte të dyshimta të lidhura me Rusinë”.

Informatori – një akademik amerikan që punonte në Mbretërinë e Bashkuar – kishte kontaktuar me George Papadopoulos dhe Carter Page. Edhe Washington Post raportoi diçka të ngjashme.

Çfarë ka gjasa të ndodhë më pas?

Zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë refuzuar të japin dëshmi për krerët e Kongresit mbi çështjen. Ata kanë argumentuar se duke vepruar kështu do ta vinte jetën e informatorit – ose atë të kontakteve të tij – në rrezik.

Trump mund të urdhërojë Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së, i cili ka mbikëqyrje mbi FBI-në, për nxjerrjen e dokumenteve.

21 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Deputeti Spahiu: Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u ulën me 13.4 %

Posted: 21 May 2018 12:20 AM PDT

Deputeti i LSI-së Përparim Spahiu, nëpërmjet një postimi në 'Facebook' ngre shqetësimin në lidhje me uljen e të ardhura, që sipas tij ka ardhur si pasojë e TVSH-së. Ai ngre një sërë pyetjesh mbi rrugën që duhet të ndjekë Ministria e Financave për t'i dhënë zgjidhje problemit.

"Të ardhurat e mbledhura nga Tatimi mbi Fitimin u ulën me 13.4 për qind duke qenë 15 milionë dollarë më pak.

Gjithashtu të ardhurat nga TVSH, si pasojë e rritjes së çmimeve duhet të ishin rritur të paktën me 2.1 për qind.

Pyetje, ç’rrugë duhet të ndjekë Ministria Financave:

Rritje të tatimit mbi fitimin? Rritje 30% të TVSH-s? Gjoba, shoqëruar pa burg (pasi burgu e kanë kuptuar që ka kosto e s’ju del gjë plus)?

Rritje borxhi për të mbuluar shpenzimet? Apo të japin qeverisjen me PPP…????", shkruan ai në Facebook.

21 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more